“SI ËSHTË KOSOVA”
Nga Visar Zhiti
Do desha të shfletoja librin, të gjeja atë poezinë që kisha shkruar në Mitrovicë, kur sapo kishte mbaruar lufta dhe ura ishte plot me ushtarë të huaj, të armatosur, që s’të linin të kaloje në anën tjetër…
Por është poezia, po them me vete, me poezi kemi kaluar kufijtë, egërsinë, pengesat dhe kemi shkuar atje ku kemi dashur, kemi ribërë Atdheun e ëndrrës
dhe lirinë tonë…
Dhe ka prapë shqetësime në Mitrovicë, Serbia s’e duron reciprocitetin, po tani është ushtria shqiptare e Republikës së Kosovës që shkon të mbrojë kufirin…
Do desha të shfletoja librin tim tani, “Si është Kosova”, por nuk e kam më këtu, ia kisha dhuruar Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kur u takuam në Chicago, teksa kishte ardhur për një vizitë në SHBA… pa mbështetjen e të cilit jo vetëm Kosova që nuk do të çlirohej dot, por dhe Kombi Shqiptar do ta kishte të vështirë ekzistencën, kështu thamë…
Sonte në Prishtinë këndon një këngëtare nga Ukraina, – gjeta një lajm, – nga vendi që është në luftë me Rusinë për lirinë e vet.. si Kosova para do kohësh me Serbinë, që e mbêshtet po kjo Rusi… por popujt s’duan luftën, tashmë edhe Kosova, edhe Ukraina kanë dashurinë e botës…
NATO di të kthehet dhe dheu amë është pjesë e kësaj aleance tashmë.
Po unë dua të lexoj poezi, tani… dhe kërkoj në kompjuter, se si më duket ekrani, si një copëz qielli i prerë, i ardhur nga larg…
3 POEZI
KUAJT E MITROVICËS
Kuajt në Mitrovicë,
më të hijshëm
se ideja e Kuajve të Triumfit,
të shëndetshëm dhe të urtë,
me xhufkat e verdhëllemta mbi ballë
si një tufë kallinjsh hyjnore.
Kuajt në Mitrovicë,
më të edukuar se ushtarët e huaj
tek ura
që s’lënë shqiptarët
të venë në shtëpitë e tyre
në lagjen me serbë. Urat
gjithmonë i kam krahasuar me kuaj shekullorë.
Kali të çon në bregun tjetër
të një legjende,
të fut nëpër qytet, sado modern qoftë.
Dua të rend pas kuajve të Mitrovicës,
të tërheq bashkë me ta ngjarjet
drejt ngjarjeve të tjera më të mira.
Kuaj fisnikë të Mitrovicës,
adhurimi ndaj jush
do të më bëjë sonte
kentaur:
gjysma zell shtegtimesh
me potkonj floriri,
gjysma tjetër dhembje
e madhe njerëzore.
Mitrovicë, 20. 11. 1999
* * *
Mjaft! Hiqjani metaforën Kosovës
siç hiqnin përkrenaret dhe mburojat luftëtarët ilirë
kur futeshin në det për t’u larë,
po edhe nusja heq vellon dhe fustanin e bardhë pas dasmës,
Kosova është e vërtetë, është realitet, jetë, si përqafimi,
krahët e tu mbi supet e mi
janë të vërtetë.
Në Kosovë erdhi historia,
hije perandorësh të lirisë paganë
pijnë kafe
në tryezat jashtë në rrugë.
Kosova ndjen
si fjala “të dua” që u tha dhe sot paradite, Kosova s’është më vetëm ditë e djeshme, Kosova është e nesërme më shumë, mjafton të shohësh dorën e saj që i ngjan hartës së saj.
Kosova ka adresë, kod, lagjen e saj
të Diellit
dhe hijen që bie brenda në Europë
si një natë e munguar.
Liria e Kosovës ulet në stolin ku je ulur ti, vij dhe unë. Dhe bisedojmë
për engjëllin tonë mbrojtës. Gjallë
është ajo Kosovë brenda njeriut.
* * *
Engjëlli i shqiptarëve
po ecën zbathur kësaj dite të ngrohtë,
këmbët duan të shijonë tokën
ashtu si sytë leximin e poezive.
Dy flatrat e engjëllit të shqiptarëve
sa ngadalë po lëvizin
dhe jo për të fluturuar,
ja, sa për të krijuar një puhizë
që të freskohen mendimet përreth.
Sot do të rrijë mes nesh engjëlli ynë,
t’i gëzohemi flatrave të tij, janë tonat
dhe jo gjithmonë kanë qenë kaq mirë,
herë dhëmbte njëra,
rëndohej e nuk lëviste dot
dhe herë tjetra nga plagët
që i shkaktonin sqepat dhe kthetrat
e grabitqarëve.
Binin pendë dhe vite
pikonte gjaku nga qielli
dhe mbusheshin pllajat tona
me lulëkuqe…
————————————-
Nga përmbledhja “Si është Kosova”,
botimet “Buzuku”, Prishtinë 2014