21/12/2024

Si Edi Rama e korruptoi Ilir Metën dhe Aleksandër Vuçiq korruptoi Edi Ramën?!

0
Enver-Bytyci1

Nga Enver Bytyçi

Ilir Meta është në qeli. Me akuzë se e paska korruptuar Samir Mane. Por korruptuesi Mane është jashtë qelie. Madje nuk dihet nëse është në hetim. Nëse Meta dhe Monika do të kishin lobuar për interesa financiare të Samir Manes, siç e thotë akuza, atëherë Samiri është korruptuesi. Kur dikush akuzohet për korrupsion detyrimisht duhet të ketë edhe korruptuesin. Por Mane nuk rezulton i tillë në akt-akuzë. Atëherë duhet të gjendet korruptuesi që të akuzohet i korruptuari. Në rastin e doktorit kanë hamendësuar në SPAK se korruptuesi na qenka dhëndërri. Se nuk gjejnë dot dikë tjetër. Në rastin e Metës kanë shënjestruar lobimin për Samir Manen. Por lobimi nuk është person që mund të shpallet si i akuzuar për korrupsion.

Megjithatë duket se SPAK nuk dëshiron të kthehet te hulumtimi dhe hetimi i së vërtetës. Sepse gjithçka është marrë prej tij si detyrë partie apo anti-shqiptarie. Nëse SPAK dëshiron gjurmët e vërteta të korrupsionit të Ilir Metës në cilësinë e të korruptuarit, atëherë duhet të gjurmojë faktin se korruptuesi më i madh I Metës dhe të gjithë atyre që kanë bashkëpunuar me të, është Edi Rama. Më 1 prill 2013 Meta firmosi aktin korruptiv më të madh në jetën e tij. Sepse Rama e korruptoi atë së paku me premtime. I premtoi çfarë të donte Meta. Dhe ai deshi gati gjysmën e qeverisë dhe kreun e parlamentit e i mori ato. Ky është fakt që hetohet shumë lehtë. Rama i premtoi se do ta bënte president dhe e mbajti fjalën. Kësisoj premtimet me poste dhe privilegje të tjera të kryeministrit Rama e korruptuan kreun e LSI-së, Ilir Meta. Vetëm për pushtet!

Për këtë arsye unë mendoj se ish-presidenti është i korruptuar. Por korruptuesi i tij është Edi Rama. Eshtë punë tjetër që më vonë të dy dolën në llogoren e vet. Megjithatë kjo nuk e zhbën të vërtetën se Rama korruptoi Metën dhe Meta hodhi firmën në marrëveshjen e koalicionit të përbashkët PS-LSI më 1 prill 2013 në Shkodër, madje në prani të presidentit të sapo larguar të Serbisë, Boris Tadiç. Ky ishte korrupsion politik, me ndihmën dhe në funksion të interesave të Serbisë, e cila kishte projektuar që me çdo kusht ta largonte Sali Berishën nga pushteti. Por jo me vota, me korrupsionin politik të Rama-Metës.

SPAK e ka aty marrëveshjen e 1 prillit 2013. Duhet të hetojë, sepse dy më të korruptuarit e asaj marrëveshjeje janë Rama dhe Meta, njëri në rolin e korruptuesit, tjetri në rolin e të korruptuarit. Ndërkohë fajtori kryesor na del Rama në këtë korrupsion antikombëtar politik. Sepse Meta së paku u tërhoq nga gabimi ose faji që bëri. Nga viti 2017 e këtej askush nuk ka ndonjë vërejtje esenciale në qëndrimet e tij kundër pazarave anti-kombëtare të Ramës. Me t’u bërë president, Ilir Meta u përpoq ta korrigjojë dhe zvoglonte dëmin e madh që shkaktoi koalicioni i tij me Rilindjen. Por pa sukses, sepse u bë shumë vonë. Prangat e Edi Ramës kundër tij dhe kundërshtarëve të tjerë politikë janë pranga për ta vazhduar politikën korruptive tashmë jashtë aksit PS-LSI. Në aksin politik Tiranë-Beograd.

SPAK dëshiron të duket sikur e dënon korrupsionin politik. Por duhet ta nisë nga marrëveshja e 1 prillit 2013 e ta vazhdojë me korrupsionin më të tmerrshëm anti-shqiptar, atë Rama-Vuçiq. Në rastin e fundit ka mijëra fakte që provojnë se Vuçiq është korruptuesi, dhe dhe Edi Rama të ketë zënë vendin e Ilir Metës si personi I korruptuar në linjën e dyshes president i Serbisë-kryeministër i Shqipërisë! Ndërkohë SPAK po merret me “kafet e Nexhmijes”, por jo me korrupsionin politik, fillimisht Rama-Meta dhe më pas Vuçiq-Rama! Siç e shihni, në çdo analizë na del Edi Rama si përsonazhi i dytë dhe kryesori në korrupsion, herë si korruptues e herë si i korruptuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok