Si e rehabilituan Rama dhe Thaçi Serbinë dhe presidentin e saj, Aleksandër Vuçiç?

0

Nga Enver Bytyçi

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, sulmoi të dielën e shkuar zotin Miroslav Lajçak, pse ky i fundit hoqi nga tryeza e bisedimeve me Kosovën çështjen e krijimit të asosacionit të komunave serbe. Ndërkaq presidenti Vuçiç u mburr me faktin që numri i qytetarëve serbë që kanë mendim pozitiv për SHBA-të është trefishuar. Dhe në Uashington presidenti Trump u shpreh se ishte i gëzuar që presidenti serb dhe kryeministri i Kosovës ishin përqafuar gjatë samitit në Shtëpinë e Bardhë.

Këto deklarime nuk janë shkruar në akull. Me këto ne kuptojmë se Beogradi ka vendosur të afrohet me Uashingtonin, me qëllim të realizimit të projekteve të Milosheviçit përmes diplomacisë së “paqes”! Vuçiç kuptoi se përmes “luftës” me amerikanët nuk mund të bëjë asgjë në adresë të Kosovës. Ndaj vendosi që të bëjë kthesë në marrëdhëniet serbo-amerikane. U duhej për këtë të rehabilitoheshin në sytë e administratës amerikane e kudo në Perëndim dhe e realizuan këtë lloj diplomacie.

Por si arritën serbët deri te kjo shkallë rehabilitimi në sytë e bashkësisë perëndimore e sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo ka të bëjë kryesisht me ndryshimet e mëdha të politikës amerikane pas ardhjes së presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë. Këto ndryshime sollën radikalizmin e qëndrimeve politike të SHBA-ve ndaj Europës e sidomos ndaj Gjermanisë dhe “normalizimin” e këtyre marrëdhënieve me Rusinë. Ky ndryshim i strategjisë amerikane për të ndërtuar një linjë tjetër marrëdhëniesh, më të afërta me Rusinë, më të ftohta me Europën dhe më të ashpra me Kinën, krijoi rrethana të favorshme që Serbia të shohë drejt një strategjie të re për arritjen e objektivave të saj anti-shqiptare.

Por që ta realizonte këtë lloj strategjie, e cila po i rezulton efikase dhe e suksesshme, presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe bashkëpunëtorëve të tij në qeverisje u duhej “të pajtoheshin” me liderët politikë shqiptarë në Shqipëri e në Kosovë. Keni parasysh, atyre nuk u duhej as nuk u duhet pajtimi me shqiptarët si popull e si komb. U mjaftonte dhe u mjafton pajtimi me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, që kjo të shitej në Uashington, Bruksel dhe kryeqytete të tjera si pajtim shqiptaro-serb dhe përmes këtij mekanizmi të ndryshohej imazhi i Serbisë.

Sigurisht që Akademia serbe e Shkencave në studimet e saj kishte arkivuar edhe raste të tjera të kësaj situate dhe evidentoi format, mënyrat, mjetet, metodat që do të përdoreshin për të “rekrutuar” në skenarin e “pajtimit” dy liderët shqiptarë të lartpërmendur.  Këto metoda ishin përdorur disa herë gjatë shekullit XX. Modeli për Ramën u gjet përmes përkthimit dhe botimit në gjuhën serbe të librit “Kurbani”, me të cilin ai u shpërblye me shumat e majme të krahasuara me shtëpitë botuese më të famshme në Europë e SHBA. Pastaj erdhi promovimi në Beograd i këtij libri, në të cilin flitet me gjuhë urrejtjeje kundër të gjithë politikanëve shqiptarë, një pjesë e të cilëve Beogradi i urren! Artifica e “Kurbanit” ishte maska për të ndërtuar urën e “bashkëpunimit” Rama-Vuçiç.

Rama kishte shpallur devizën e “Zero problemeve me fqinjët” dhe kjo devizë shërbeu si sinjal për politikën beogradase që ta hedhin karemin pa u mëdyshur dhe kështu kapën peshkun e madh me emrin Edi Rama. Me ndihmën e kryeministrit të Shqipërisë presidenti i Serbisë, si mik tashmë i shpallur publikisht i zotit Rama, peshkoi  presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Dhe me ndihmën e Ramës e të Thaçit u rehabilitua Vuçiç.

Dy liderwt shqiptarë  vendosën një marrëdhënie personale të ngushtë me presidentin e Serbisë. Kudo që shkonin, ata ishin bashkë. Bashkë në samite, në bankete, në pritjet protokollare dhe informale në kryeqytetet evropiane dhe në selinë e OKB-së. Ishin bashkë jo vetëm fizikisht, por edhe në ideimin dhe implementimin e projekteve të Serbisë në Kosovë e në Ballkan. U bënë njësh kur vendosën ta zhbëjnë shtetin e Kosovës dhe t’ia falin territorin e saj Serbisë. Bashkëpunuan pa asnjë lloj kushti për zbatimin e idesë së Jugoslllavisë së Re. Të tre bënë thirrje ose akuza të njëjta kundër politikanëve shqiptarë, të cilët kundërshtuan idetë dhe projektet serbe. Folën me një gjuhë para autoriteteve të rëndësishme ndërkombëtare. Shpalosën hartat e reja të kufijve të Ballkanit. Shkurt, e bindën presidentin amerikan dhe administratën e tij se presidenti i Serbisë dhe lidershipi serb ishte reformuar dhe është i përkushtuar për të punuar për paqen e stabilitetin në Ballkan. Ndërsa shkëmbimi i territoreve dhe ndryshimi i kufijve të shteteve të rajonit do të ishte në dobi të këtij stabiliteti.

Por nuk do të mjaftonte vetëm kjo që administrata e Trump të bindej për “paqe- bërësin”e Serbisë, Vuçiç, i cili dikur bënte thirrje për vrasjen e 100 myslimanëve në këmbim të një serbi. Rama dhe Thaçi u bënë kumbarë të pajtimit serbo-amerikan. E garantuan administratën e presidentit Trump se “Aleksandër Vuçiç do ta çonte trenin serb drejt integrimeve euro-atlantike”! Kjo garanci e Tiranës dhe e Prishtinës ishte domethënëse për ta bindur Amerikën se “Serbia do të bëhej aleate e saj”!

Vuçiç e dinte se vetëm përmes këtij kushti mundej që SHBA-të të investoheshin pro Beogradit dhe jo pro Kosovës. Interesat amerikane në Serbi natyrshëm që janë më të mëdha sesa në Kosovë. Por se do të arrihet kjo aleancë aq e lakmuar në Beograd dhe nga miqtë e presidentit serb në Tiranë e në Prishtinë, ende nuk është e sigurt. Nuk është e sigurt kjo edhe sikur rusët dhe amerikanët të krijojnë një aleancë të përbashkët, pasi kjo aleancë nuk do të thotë që Moska t’i dorëzojë vullnetarisht bastionet e veta në duart e një fuqie tjetër të madhe.  Prandaj dhe Vuçiç do ta ketë të vështirë ankorimin e vendit të tij në molin amerikan. Ai ka kundër autoritetin më të fuqishëm, Kishën Ortodokse Serbe. Ka kundër politikanë të të gjithë krahëve. Por edhe akademinë dhe shoqërinë civile. Prandaj duket e pamundur realizimi i një politike të tillë.

Megjithatë presidenti i Serbisë mundi që t’i pjekë gështenjat e tij me duart e Edi Ramës dhe të Hashim Thaçit. Se çfarë fituan këta të dy, thjesht mund të aludohet. Por derisa kryeministri i Shqipërisë dhe presidenti nën akuzën serbe të krimeve të luftës, edhe pse të tradhtuar prej Aleksandër Vuçiç, nuk guxojnë t’ia përmendin atij as emrin, jo më të kontestojnë ndonjë prej projekteve dhe ideve që ai shpalos. Të dy këta ishin shumë entuziastë për Marrëveshjen e Uashingtonit, sidomos për idenë serbe të Minishengenit, si dhe mirëkuptimin për ta nxjerrë Serbinë në Adriatik. Dhe këta të dy nuk do të jenë në gjendje sa të kenë jetë të kundërshtojnë projektet serbe kundër shqiptarëve dhe popujve të tjerë në Ballkan. Ata nuk kanë asnjë mundësi t’i ikin detyrimeve të përjetshme ndaj Beogradit, sepse ua ka zënë bishtin akulli i lumit Sava!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok