22/12/2024
Ndue-Dedaj

Tregim

NGA NDUE DEDAJ

– Si e kishit emrin?

– Mua po më pyesni, zoti Kryetar?!…

– Ndjesë, po nuk po më vjen ndërmend emri juaj!

– Të thuash për mua që jam plak, hajde de?…

Nit Historikun e përshkoi një e therur nga koka te këmbët, iu rrotullua një çast tavani plot llambadarë të shndritshëm, por e mbajti veten. Sapo kishte mbushur 81 vjeç dhe nuk priste të luante fati me të. Ishte moti i fundit i shekullit XX dhe ai tashmë ndihej i “motshëm”, siç thoshte kur kërkonte ndihmë financiare për botimet, në kuptimin se nesër bëhej vonë. Ndonjëri, që e njihte mirë dhe nuk ua përtonte hokave, ia priste: “Fiks, pellazg je…”

Po nuk ishte shaka. Sapo kishte botuar veprën e tij të jetës në tre vëllime dhe kryetari i Akademisë së Shkencave, një profesor i njohur i Semiotikës, nuk ia mbante mend emrin?!… Doli i turbulluar nga ai sallon hijerëndë, ku ishin mbledhur gjithë akademikët e vendit për një urim të përbashkët me rastin e ditës së shkencës. Nuk kishte pasur ndonjë ftesë dhe u habit kur pa se ata të tjerët aty brenda kishin ftesa, bile dhe për drekën që do të shtronte ministri i Arsimit me atë rast. Çfarë duhej më shumë se vepra prej 900 faqesh për ta quajtur dhe atë akademik, si gjithë të tjerët? Ndërkohë që tre muaj më parë një akademi shqiposh andej nga Amerika, e kishte shpallur akademik nderi. Ata, mendjehapurit e Perëndimit, dinë se ç’bëjnë, kurse këta trutharët e këtushëm kanë përlarë gjithçka për vete! Ndaj nuk bëhet ky vend…

Ashtu, duke fryrë e shfryrë, u ul në një stol në parkun e Akademisë, ku cicerimat e zogjve sikur ia davaritën disi atë dufin e brendshëm. Ku kishte humbur gjithë ato vite, që nuk i kishte dëgjuar këta zëra gazmorë? I hodhi një sy çantës së rëndë prej meshini ngjyrë kaf, ku gjendej vepra e tij madhore dhe e kaploi sërish zëmërimi me shefin e Akademisë. Deshi të kthehej me turr në atë sallon dhe t’ia plaste në sy ata libra me kapakë të trashë, që ta shihte mirë ai se me kë kishte të bënte, por iu duk diçka fshatareske dhe u tërhoq.

Një mendje i thoshte se emrin e tij e dinte i madh e i vogël, kurse i pari i shkencës, e kishte bërë se nuk ishte? Vajmedet. Vetëm arkëtarja e KESH-it e pyeste “si e ke emrin”, sa herë shkonte të paguante dritat në sportel…

Nuk diti se çfarë t’i thoshte të shoqes në telefon, – që ia kishte merakun plakut se mos e zinin makinat, apo rrëzohej shkallëve me gjithë atë çantë në dorë, sa një samar kërriçi, siç kishte ironizuar një herë ajo, – se ai kishte ikur nga ceremonia, sapo ajo kishte filluar dhe tash po sodiste si një të huaj Fan Nolin në bronz…

“As ky nuk ishte Akademik!…” – foli më vete.

*

Aranit Bërxulla (nofkën Historiku ia kishte ngjitur pa të keq një dashamir, duke dashur të thoshte Historiani) ishte marrë me punë të ndryshme në jetë, argat te pasanikët para çlirimit, pas një kursi pedagogjik në fillim të viteve ‘50, mësues filloreje, kurse me mbarimin e Institutit Pedagogjik, ishte emëruar mësues historie në shkollën profesionale. Pasi kreu shkollën e Partisë, nisi ngjitja në karrierë, në fillim përgjegjës kuadri në uzinën mekanike, pastaj shef propagande në sektorë civilë dhe ushtarakë. 1990-a e zuri në pension dhe e shoqja e nxiste që t’i ktheheshin fshatit, as dhjetë kilometra larg nga qyteti, shkohej e vihej me urban, mirëpo Nitit ia kishte prishur mendjen një shok i tij i fëmijërisë, ish – drejtor shkolle, edhe ai pensionist:

– Ç’më rri si të kesh qenë askushi, shkruaj një monografi për krahinën tonë, kemi qenë lokalitet në zë, kush më mirë se ti do ta bënte! Unë për vete i kam hyrë punës për një libër për rolin e gruas në socializëm. Të gjithë po shkruajnë libra! Pse më pak se të tjerët jemi ne? Nasi sapo e nxori librin për gjyshin e tij patriot. Leci do ta nxjerrë muajin tjetër për minierat e qymyrgurit. Selimi i është vënë punës për një album për çetat vullnetare.

– Unë nuk bëj të këtilla, një shkrimtar këto i quan libra katundarie, do të bëj një gjë që të tundet shkenca! O do t’iu shkoj në rrënjë Albanëve, o mos më thënshin Aranit Bërxulla!

– Shih, shih! Nuk thonë kot në ferrën e vogël fle lepuri i madh!…

Dhe pa humbur kohë iu fut punës studimore, ditë – natë. Do të reviziononte në më pak se një vit gjithë tezat për Albanët, duke kritikuar historianët, që sipas tij kishin shkruar dokrra. Kishte shkuar disa herë në Zgërbonjë, duke këqyrur rrënojat antike, por nuk ia kishin mbushur mendjen. Duke e parë ashtu me kapele republike në kokë dhe çantën e stermadhe, fshatarët e kishin marrë për ndonjë arkeolog të huaj, por kishte qëlluar një ish-zborist i kohës kur shërbente në ushtri, që e kishte njohur dhe ai kishte bërë të habiturin se si komisari tash na qenkësh bërë historiak. Apo nuk thoshtë asokohe Partia se në socializëm njeriu duhet me qenë specialist për gjithçka? Me siguri fjala kishte qenë që një tornitor të ishte dhe saldator, një shofer dhe pak mekanik, po asesi që një kuadrovik administrate të turrej me pahir kah labirintet e shkencës!?…

Dhe kishin ardhur kumtesat e para dhe gjer librat në formë broshurash të tij për Albanët, që historiani i kohëve të vona me pasion djaloshar i nxirrte jo më nga rajonet e përmendura deri atëherë, por në një krahinë gjysmëmalore, as veriore e as jugore, as qendrore e as periferike, që për rastësi, dhe aspak për fajin e tij, përkonte me vendlindjen e historian Nitit. Shtysë e gjithë kësaj kishte qenë një toponim në katundin e tij, Arbena, që i kishte mbetur peng që në fëmijëri. Ishte një rrënojë e vockël gurësh në një kodër, që deri atëherë studiuesit e kishin quajtur një fortifikatë mesjetare jo kushedi.

Tashmë kur mbaheshin konferenca në Tiranë për historinë e mesjetës, Nit Historiku dilte në podium, pa ia dhënë kush fjalën, rrëmbente mikrofonin dhe iu vinte hakut akademikëve, aq sa ata lusnin Zotin që veç ai të mos shkilte më në tubimet e tyre. Arbena i tij ishte kthyer në makthin e tyre. Donte patjetër t’i përfshinte në debat, por ata nuk e hanin atë kokërr ulliri të debatonin me një amator, siç thoshin mes tyre, ndërkohë që mendonin se ai ishte jo vetëm amator i rëndomtë, por një sharlatan që guxonte të përdorte shkencën për ambiciet e tij delirante.

“Nuk shkëlqeu dot si komisar, dashka të ndrisë si shkencëtar!”…

Mirëpo Nit Historikut aq i bënte për ta. Ai do t’i mundte dhe pikë. Le të mbaheshin për ajka e historiografisë. Në arkiva s’kishte hyrë ndonjëherë dhe as e dinte se nga binin, por ai gjurmonte në popull, sajonte gojëdhëna, i rrotullonte gjërat andej e këndej, vetëm e vetëm që ta shpallte Arbenën e tij qendër të Albanëve… dhe të botës. Vendalinjtë e tij do të thoshin një ditë se heroi i tyre kishte qenë ai, që i kishte nxjerrë në dritë dhe për këtë ata do t’ia bënin shtatoren mu aty mbi gërmadhat e vjetra më të madhe se të Marin Barletit. Ky nuk kishte shkruar asgjë për kalanë e Arbenës, kurse “Barleti” i tyre, domethënë Nit Historiku, kishte sjellë argumente se ajo kishte qenë një nga kështjellat skënderbegiane. Shkurt, i kishte futur në histori si katund e si fis, kinse duke vërtetuar se Arbena ishte jo vetëm qytetërim ilir i padiskutueshëm, por dhe pellazg.

Ia kishte dalë që gjatë një fushate elektorale tek ajo rrënoja të sillte dhe vetë kryetarin e Bashkisë, i cili duke mos pasur kurrëfarë haberi nga këto punë, i kishte rrahur shpatullat Nit Historikut. Fotografitë nga ajo vizitë i tregonte në çdo tubim “shkencor”, duke kujtuar se kështu do të tërhiqte vëmendjen e atyre të Akademisë, por ata as që donin t’ia dinin për qokat e kryetarllëkut të provincës, që veç vota donte. Kërkesës me shkrim të kryetarit të Bashkisë për të organizuar një simpuzium në Arbenë, ata iu përgjigjën me shpërfillje. “E po kanë kunj me mua. Janë bërë xhelozë me zbulimin tim! Ata, historianë me demek, rrinë e ngrohin vezët në Bibliotekën Kombëtare, kurse unë prek me dorë çdo gur të Arbenës, që më shpie te pellazgët! Le ta dinë të gjithë se nga mitra e Arbenës sonë të vogël kanë dalë kolosët e njerëzimit. Edhe Aleksandri i Madh… Edhe Pirro i Epirit… Edhe Teuta… Edhe Progoni… Edhe Topiajt… Edhe Kastriotët… të gjithë ishin nga këtu… Po, po, thoni sa të doni  me ironi, nga tri pëllëmbë vend!?…”

Kishte pasur një polemikë të ashpër me një historian të njohur mediavelist, aty në korridoret e Institut të Historisë. Hisoriani në fillim ishte përpjekur ta largonte më të mirë, por kur Nit Historiku i kishte sulmuar si të paaftë në çështjet e mesjetës, ai kishte shpërthyer duke dalë jashtë natyrës së tij dhe sidomos etikës së institucionit: “Po kush na qenke ti, mor shoku historuc, që nuk di nga bie shkenca e historisë dhe dërdëllit si dijetar i madh. Ti nuk ke asnjë të dhënë shkencore, asnjë skedë e referencë tëndën, nuk ke shkelur kurrë në arkiv, nuk ke metodike kërkimore, nuk di t’i kryqëzosh e parashtrosh të dhënat edhe sikur t’i keshë ato… As grada e as tituj shkencorë! Asgjë. Nuk e kupton se je duke rrëmihur në të huajt?!”

Por nëse në Institutin e Historisë në Tiranë i kthenin shpinën, kishte shoqata atdhetare – kulturore shqiptarësh në diasporë me të cilat e kishte ujdisur që të mbante kumtesa për këndvështrimet e tij të reja historike dhe sidomos për zbulimin e tij, Arbenën. Mirëpo pasi e dëgjonin njëherë Nit mavrinë, që nuk pushonte për tri orë të mira, ata bënin qejf si me thana dhe nuk iu përgjigjeshin më ftesave të tij për ta pritur përsëri vitin tjetër, më ditën e flamurit.

Ata që e kishin njohur dikur Komisar Nitin, nuk e njihnin Nit Historikun. Nuk ishte më ajo koka e bëshme e ushtarakut faqekuq, sikur do të pëlciste nga shëndeti, por një fytyrë e rreshkur, me flokët e kërleshur dhe mjekrën e bardhë si e Marksit. Fotografitë e tij ishin para rafteve të mëdha me libra. E kishte mbushur një ditë deng tavolinën e shkrimit me ato të uruar libra, si të ishte Nikolae Jorga dhe kishte thirrur të nipin t’i bënte disa shkrepje. “O gjysh, ç’është kjo rrëmujë kështu? Apo e ke bërë strofull për macet?!…”

*

Pas asaj ceremonisë nuk u kthye kurrë më në dyert e Akademisë. A thua nuk kishte vlejtur asgjë rropatja e tij me ditë e me net, me muaj e me vite, rretheqark zbulimit të tij misterioz, përderisa nuk kishte krijuar një emër që të mbahej mend nga të gjallët? Se nëse nuk mbahej mend sot, si do të mund të ishte i pavdekshëm nesër? Ku do të shkonin 900 faqe studime për Arbenën e tij pellazge? Mbase nuk do të harrohej atje mes dy grykash të nëmura, po ç’rëndësi kishte emri në një provincë të harruar, kur nuk të njihte kryeqyteti?…

Ndërkohë, shoku i tij, ish – drejtori i shkollës, kishte hequr dorë nga ai libri për emancipimin e gruas, iu ishte kthyer fletoreve të dikurshme me fjalë të rralla, që kishte mbledhur si mësues, i kishte rishikuar një për një, duke i ballafaquar me fjalorët dhe ashtu pa u ndjerë, kishte botuar një libërth gjuhësor me gjurmime nga terreni për trevën e tyre, dhe ja ku i kishte sjellë ftesën për në promovimin që do të bëhej pasnesër në vendlindje…

– Vij e të marr unë me makinë. Do t’i thuash dy fjalë për librin tim…, – i kishte thënë ai në telefon. – A, se harrova, do të jetë dhe kryetari i Akademisë së Shkencave! – kishte shtuar ai.

– Siii? Do të vijë për librushkën tënde, që do ta bënte çdo mësues fshati, e nuk ka ardhur njëherë për “Arbenën” time pellazgjike?…

– Mbase… ngaqë… siç i kishte thënë një gjuhëtar, unë paskësha sjellë një kontribut shkencor, sidomos sa i përket toponimisë së zonës me brumin e shqipes…

*

– Diku jemi parë? – iu drejtua kryeakademiku ditën e promovimit të asaj “librushkës” gjuhësore prej 90 faqesh.

Nit Historiku e vërejti nga këmbët te koka, se mos tjetri po tallej me të, por nuk iu duk ashtu. Megjithëse hante një inat të paparë, tha:

– Neee? Askund!…

Kur u kthye në shtëpi, nxori albumin fotografik nga komodina dhe grisi të gjitha fotot ku kishte dalë me VIP-at e shkencës, në kohën kur besonte se ata e njihnin e ishte dhe ai njëri nga ata.

“Vërtetë, si e kisha emrin?” – iu drejtua Aranit Bërxulla, me fjalët e atij tjetrit, vetvetes…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok