24/12/2024

Shumë debate, sa pak tema

0
u6_Sonila-Meco

Nga Sonila Meço

Në debatet publike në vend po mbizotëron një dëshirë e ngutshme për aktualitetin më shumë si nevojë fatesh personale politikanësh, provë force mes grupesh rivale brenda e jashtë llojit, duke dëshmuar edhe një herë sa sforco duhet, që ky debat të mbijetojë me axhenda të pavarura nga nevojat e politikës (i thënçin) së ditës.

Sot faqet e shtypit ndërkombëtar hapen me thyerjen e premtimit të kryeministrit britanik Boris Johnson mbi mos rritjen e taksave. Situata pandemike ka futur në krizë të thellë kujdesin social, me rritjen e papunësisë, zhvillimin jo të njëtrajtshëm të ekonomisë, dëmtimit të fortë të shumë sektorëve, kjo edhe nën hijen e gjatë të një pasigurie të frikshme mbi ecurinë e pandemisë. Dhe kjo ndodh në një kohë kur pabarazia dhe papunësia në vende edhe shumë të zhvilluara po shënojnë nivele rekord. Kur Boris Johnson u premtoi britanikëve se do zgjdhte krizën e kujdesit social pa rritur taksat, dikush e kish kuptuar se ky është problemi i premtimeve kontradiktore: do mundesh të mbash vetëm njërin.

Tani vijmë në mëmëdhe, ku megjithëse tregjet financiare ngjajnë dyqan lodrash në raport me Europën, ndikimi prej tyre ndihet fort nga përdorimi i madh i euros dhe luhatjet e ndjeshme të kurseve të këmbimit. Në një vend ku ndërtimi, tregëtia dhe emigracioni mbajnë ekonominë, një teshtimë në tregjet e zhvilluara financiare të fut plevitin në zgëqin tonë.

Dhe kur pasiguria e ecurisë së pandemisë, efikasitetit të vaksinimit, delirit të mutacioneve të virusit ka shkaktuar turbullirë në koke në Europë e botë mbi ecurinë e ekonomisë, rritjes së pabarazisë, shtimit të radhëve të papunësisë, këtu duhet të kish shkaktuar migrenë të fortë. Sepse Shqipëria nuk ka luksin të mbajë për gjatë prioritet këtë model ekzistues ekonomik mbi mbrojtjen e shëndetit nga pandemia (që për shumë shqiptarë qe zgjedhja e duhur për të mbajtur frymën gjallë të paktën nga njëra flegër), mbi të gjitha sepse kjo zgjedhje ndodh në kushtet e pabarazisë së lartë, borxhit publik në rritje, niveleve të varfërisë në rritje sipas Bankës Botërore, hapësirës së pamundur fiskale që nuk toleron dot më rritje taksash e tatimesh, çmimeve të larta në raport me të ardhurat, përfshi kujdesin për shëndetin, që është 34 herë më i shtrenjtë se mesatarja e 27 vendeve të Bashkimit Europian dhe shpenzimet për bukë dhe drithëra, më të lartat në Europë sipas publikimit të sotëm të Eurostat.

Atëherë kush do të paguajë për zgjedhjet ekonomiko-sociale e shëndetësore në vend?

Biznesi i madh, “oligarkët” e dendur me konçesione, biznesi i vogël që përpos pasojave të pandemisë po ngulfatet nga fiskalizimi dhe “gëlltitja” me “një çapë” nga biznesi i madh, konsumatori shqiptar, që po paguan çdo rritje çmimi e tashmë edhe atë në tregjet ndërkombëtare?

Të rikthehemi tek Boris Johnson, ai vërtetë nuk po mban një premtim, duke rritur taksa e tatime për të mbështetur kujdesin social, por situata ekonomike ia lejon, sondazhet dëshmojnë se pranohet në publik në emër të forcimit të njëtrajtshëm të ekonomisë e jo vetëm për një grusht njerëzish.

Dhe pasi u morëm me afganët, talebanët, numrin e grave në qeveri, me kryesitë respektive në partitë sa në të djathtë e sa në të mëngjër, pasi parlamenti nis më 10 shtator pa a me emra të caktuar, le t’i drejtojmë ministres së re të financave pyetjet, përgjigjet e të cilave do të dëshmonin më shumë se sa opinionet gender, patetike, personale a të përgjithshme mbi kabinetin e ri, hallet e opozitës, ruleta e politikës së ditës:

  • Do vijojnë bizneset e vogla dhe konsumatorët të shtrydhen e të paguajnë kostot e pandemisë në ekonomi?
  • Do vijojnë të shtrydhen fondet publike për PPP e konçesione duke majmur një grigjë e përballur tjetrën me çmimet gjithnjë në rritje, kostot e larta, paqartësitë e tregjeve ndërkombëtare?
  • Do sqarohet mbarë e saktë çështja e fiskalizimit, që ka shtuar kosto, ankth e pasiguri me nisjen e shtatorit, sepse mund të çojë deri në bllokim të aktivitetit?
  • Si do përballohet kujdesi social, shëndetësor me vijimin e valëve pandemike kur hapësira fiskale është ezauruar?

Se parlamenti, kryesia, vaksina, fati i këtij, i atij, midhja, peshku…po pabarazia në botë po bën kërdinë, kur mbi kokë kemi edhe pandeminë (pa hyrë në analizë për të se s’dalim dot si 25 milionë shikues në Francë të dokumentarit se Covid-19 është mjeti i establishmentit për rend të ri botëror).

Le t’i marrim me radhë gjërat. Se është edhe shtator, zien koka për faturat.

ttps://www.facebook.com/sonilamecoA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok