24/12/2024

Shtjellimi i romanit “Zogjtë e qyqes”, i ngjan një filmi artistik

0
Mehmetaj-zogjte-e-qyqes

Nga Shaban Arifaj, shkrimtar

Krijimtaria letrare e Gani Mehmetaj, ngërthen në vete tre segmente të një krijuesi të shquar: rrëfimin, drejtpërdrejtshmërinë, stilistikën. Rrëfimi i Ganiut sa të magjeps me rrjedhshmërinë, aq të vendos në imagjinatë të rrëfimit, dhe duke lexuar, të shpërfaq një pamje të gjallë dhe të pa shkëputshme. Së fundmi me romanin “Zogjtë e Qyqes”, Ganiu ka arritur që në mënyrë të drejtpërdrejtë, të paraqesë një periudhë historike të Kosovës, në një mënyrë krejt të veçantë. Përmes gojës së kolonit serb, të cilin e paraqet në vetën e parë, ai arrin të vijëzojë tërë vrazhdësinë e kohës me copëza romantike dhe reale jetësore të kohës. Kolonët vijnë e shkojnë, por nuk mund të lëshojnë rrënjë në tokë të huaj. Privilegjet ndaj tyre janë të kota, sepse as qyqja në folenë e huaj, nuk mund të zërë vend.

Nga ana tjetër, dromcat e dashurisë të paraqitura me besnikëri nga shkrimtari, paraqesin jetën reale të kohës, po megjithatë si raste më të rralla, të cilat realisht kanë ndodhur sipas parimit: “dashuria nuk njeh kufij e racë”.

Kështu, shtjellimi i ngjarjes së romanit i ngjan një filmi artistik të metrazhit të gjatë, me të gjitha tatpjetat e kohës, të paraqitura me besnikëri. Ganiu e shtjellon aq rrjedhshëm ngjarjen, saqë lexuesi thellohet fuqishëm në brendinë e saj, dhe imagjinon vetën e tij si pjesë të romanit.

Ganiu ka stil të fuqishëm rrëfimi, dhe duke qenë redaktor i disa prej veprave të tij, e kam cilësuar si trashëgimtar të stilit kadarean të shkrimit prozaik.

Fondi i fjalëve, prej të cilave disa edhe nga rrënjët e gjuhës sonë të bukur shqipe, të cilat koha i ka lënë në harresë, apo janë zëvendësuar me fjalë të huaja,  stilin shprehës të shkrimtarit Mehmetaj e bëjnë me plot figura stilistike dhe përshkrime jashtëzakonisht të fuqishme. Edhe çmimin prestigjioz Kadare, e merr me plot meritë për një roman sa historik, aq dhe dokumentar, por artistik mbi të gjitha.

Ganiu, me energjinë e tij krijuese letrare e publicistike, shpresoj të na sjellë krijime të tjera letrare e publicistike, por edhe të dramës, të cilën e ka lëvruar me po aq sukses, duke dëshmuar se ai është dhe do të mbetet një emër i shquar në letërsinë dhe publicistikën tonë kombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok