20/02/2025

Shtjefën Gojçaj, mërgimtari malësor me zemër bujare që ëndërron bashkimin e trojeve shqiptare

0
Shtjefen-Gojcaj

Nga Gjekë Gjonaj

Çdo punë e mirë, çdo vepër e madhe, çdo detyrë e rëndësishme, kur kryhet me vullnet e ndërgjegje të pastër shpirtërore, pa dyshim, sjell gëzim në mendje, zemër e shpirt të çdo personi. Kështu mund të thuhet edhe për  mërgimtarin malësor me zemër bujare , Shtjefën Gojçaj,  i cili  dëshiron  bashkimin  e trojeve shqiptare. Ai u lind  në vitin 1948 , në fshatin Skorraq – Traboin  të krahinës së Hotit, në një familje të thjeshtë, me prindër dhe paraardhës  që janë dalluar për  trimëri, atdhetarizëm, mikpritje, ndershmëri dhe ndjenja përparimtare. Fëmijërinë e kaloi në vendlindje ndërmjet   varfërisë, vështirësive  familjare dhe  rrethanave  jo të favorshme  politike të kohës për shqiptarët, por me përkujdesjen dhe dashurinë prindërore, që nuk ia zëvendësoi asgjë në botë. Ai  ka një përvojë,   pjekuri   dhe   veprimtari  atdhetare   mbi 50 vjeçare  të grumbulluar  në mjedisin e tij të lindjes , në shkollimin fillor   në  Arzë dhe në Tuz , në shkollën e mesme profesionale ekonomike në Gjakovë  dhe në vazhdimin e studimeve me korrespondencë në Prishtinë.

Ka qenë ekonomisti i parë i diplomuar  në Malësi. Ka punuar si sekretar në Shkollën Fillore  “ Jedinstvo” ( Bashkimi) në Arzë, pastaj në Kombinatin e Aluminit  në Podgoricë dhe  së fundi në bankë. Gjendja jo e lakmueshme ekonomike dhe situata e tensionuar politike e regjimit të atëhershëm titist  e shtynë që të largohet nga vendlindja, më 11 tetor 1984. Prej atëherë  jeton në Detroit me  fëmijët, Antonin, Artën dhe Arianën  dhe bashkëshorten, Gjysten.

Është njeri i edukuar me frymën e pagëzimit kombëtar, misionar i thjeshtë, njeri i aksionit dhe i sfidave, duke e ruajtur dinjitetin e shembujve të ndritshëm të paraardhësve të vet, të cilët  nuk kursyen as gjënë më të shtrenjtë- jetën për mbrojtjen e tokave shqiptare nga zaptuesit e kohës.

Kontributet në vendlindje

Në çdo  fazë të jetës së tij , përveç  edukimit familjar në frymën e vlerave  dhe traditës shqiptare , mirëqenies   dhe arsimimit të tyre, ka  kontribuar  për transformimin dhe zhvillimin e  vendlindjes   dhe  është angazhuar  në aktivitete dhe veprimtari  të ndryshme  kombëtare.

Ky biznesmen  punëtor dhe veprimtar i palodhur    u angazhua me zell e përkushtim të rrallë në të gjitha aktivitetet  për ringjalljen e jetës në  Hot. Ai refuzoi punën  në Gjykatën  Komunale në Gjakovë dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme në  Beograd,  për t’u ndihmuar   bashkëfshatarëve ( popullit)   të vetë të shumëvuajtur, asokohe pa  kushte elementare për jetesë.  Në moshë të re, 18 vjeçare,   rikthehet në vendlindje. Falë  aftësive   të tij profesionale dhe  gatishmërisë    në organizimin e   aktiviteteve  të shumta infrastrukturore  dhe arsimore  ka zgjedhur bashkëpunëtorë dhe miq, me të cilët ka ndarë ide dhe veprime të përbashkëta. Ndjehet  krenar dhe i privilegjuar që  pati rastin të bashkëpunojë me  burrat ( figurat)   më të shquar të Hotit të asaj kohe,  Nikollë Lucë Keqin  Gjonaj, Rrok Pjetër Gilën Gojçaj, deputetë në Kuvendin e Malit të Zi,   pastaj me intelektualin, mësimdhënësin, drejtorin, gazetarin, studiuesin  dhe  mbledhësin e    krijimtarisë gojore të Malësisë, Mirash Lucë Gojçaj, Martin Gjonaj, Luigj Junçaj, Nua Gojçaj e shumë veprimtarë të tjerë,   që lanë gjurmë të pashlyera në fusha të ndryshme të jetës.

Shtjefën Gojçaj  punoi    në vendlindje vullnetarisht  pa asnjë kompensim  me shumë pasion e përpikëri plot 14 vite ( 1970-198). Numri i aktiviteteve dhe kontributeve të  Shtjefën Gojçajt  në vendlindje janë të shumta, por ne po përmendim vetëm disa prej tyre, siç janë: ndërtimi i shkollës fillore në Arzë,  elektrifikimi i fshatrave të Hotit,  zgjerimi dhe asfaltimi i rrugëve  lokale  deri në qytezën e Tuzit, hapja e linjës së autobusit Hot – Titograd (  sot Podgoricë) , themelimi i bashkësisë lokale të Hotit, etj.

Ka pasur  rast dhe mundësi të aktivizohet në rrjedhat politike të  Malit të Zi ,   ndoshta më shumë se të tjerët që pranuan poste të ndryshme. Moto e jetës së tij  ishte dhe mbeti : “ Të mos gënjejë, të mos  vjedhë dhe të mos spiunojë për asnjë përfitim personal”. Duke e njohur si  të tillë strukturat malazeze e   kanë lënë rehat.

Nuk kurseu asgjë  për të ndihmuar të tjerët

Malësorët  e kanë pasur traditë ndihmën ndaj  njëri -tjetrit. Këtë tipar ( virtyt)   nga prindërit ( familja) e ka trashëguar edhe Shtjefën Gojçaj .  Çdoherë ka pasur  dëshirë të ndihmoj njerëzit në nevojë. Për këtë  gjë   nuk ka kursyer kohën  as paratë.  Nuk kam qenë i pasur, thotë ai,   por natyra e punëve që kryeja   më mundësoi të  njihem  me të gjitha punët administrative dhe financiare  ku jetoja   dhe veproja. Në këtë drejtim, shton ai,  kam qenë i interesuar që brenda mundësive të mia   të ndihmoj   njerëzit pavarësisht se kush janë.

Gjithmonë është përpjekur të kujdeset  të gëzojë dhe të bëjë të lumtur shumë njerëz. Ai kurrë nuk i ka  ndarë njerëzit  përveç nëse janë të mirë apo të këqij.  Të mirëve t’u ndihmojë që të jenë edhe më të mirë, kurse të këqijtë të përpiqet t’i udhëzojë në një mënyrë të këndshme dhe të mirë që të pendohen dhe të ndryshojnë .

Të gjitha kontributet, të cilat ai i quan simbolike,  në të vërtetë janë të mëdha, sepse janë  dhënë me shumë dëshirë e vullnet, prandaj ato i sjellin  kënaqësi.

Person i nderuar në komunitetin shqiptar në Amerikë

Shtjefën Gojçaj njihet në komunitetin shqiptar në Amerikë si njeri fisnik me shpirt njerëzor,  me zemër bujare , biznesmen i ndershëm , atdhetar i palëkundur dhe ithtar i bashkimit kombëtar.  Ai ishte  pjesëmarrës në shumë protesta e fushatave lobuese   antiserbe    të organizuara për lirinë  dhe pavarësinë e   Kosovës , jo vetëm në Detroit por edhe në  Çikago, Nju-Jork, Uashington e  vende të tjera. Asohere ishte mjaft e vështirë për të marrë pjesë në to, ngase para Ambasadës jugosllave shqiptarët i merrnin ( inçizonin ) me   kamera, dhe regjimi i atëhershëm jugosllav nuk lejonte udhëtimin e këtyre njerëzve në vendlindje , mbase ka pasur raste që disa nga ata të arrestohen dhe keqtrajtohen nga ajo qeveri.

Përveç kësaj është mbështetës dhe kontribuues financiar i  fondit “ Vendlindja thërret”. Nuk ka munguar në aktivitetet e ndryshme  që ka organizuar komuniteti shqiptar në Amerikë. Është njëri ndër themeluesit e  Shoqatës Shqiptaro – Amerikane  “ Malësia e Madhe” në Michigan.  Ka ngritur zërin për përparimin ( avancimin )  e të drejtave  të shqiptarëve dhe padrejtësive që u bëheshin  atyre në  trojet stërgjyshore. Po ashtu ka qenë organizator  i Simpoziumit shkencor  “ Hoti në rrjedhat e  shekujve”, organizator për grumbullimin e  kontributeve  financiare për të ndihmuar vendlindjen,  dhe  koordinator  për grumbullimin e mjeteve financiare  për ndërtimin e  shtëpisë muze të heroit tonë kombëtar , Dedë Gjo’ Lulit në Bardhaj të Hotit.

Kështu i ka diktuar zemra dhe nuk kërkon kurrfarë privilegji. Ai , siç e njoh unë, i do shqiptarët. Dëshiron ta shohë mirë  Malësinë.  Kur  populli shqiptar  është  mirë,   kam përshtypjen se,  ndjehet i përmbushur  dhe  pushon pa shqetësime.

Aspirata për bashkimin kombëtar

Për Shtjefën Gojçaj bashkimi i shqiptarëve  është  dhe mbetet  një ëndërr që nuk shuhet.  Ai dëshiron dhe shpreson që shqiptarët  të festojnë një ditë bashkimin kombëtar nën flamurin e Gjergj Kastriotit -Skënderbeut brenda kufijve të vet natyror,  në paqe dhe bashkëpunim me fqinjët e tyre dhe si pjesë e integruar dhe e pandarë e Evropës, aty ku historikisht e ka vendin kombi shqiptar. Në pyetjen time  se  a  do të rikthehet përgjithmonë  në Malësi, që e mbanë në zemër dhe në mendje ditë dhe natë,  u përgjigj:   “Do të kthehem vetëm nëse   ndodh  bashkimi i trojeve shqiptare në një  Shqipëri etnike”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok