22/12/2024

SHQIPTARJA E SHENJTE, SOT 7 VITE

0
u6_Nene-Tereza

Nënë Tereza, “Gruaja që kur t’i ngulte sytë, të shikonte në shpirt!”

Përgatiti Albert Vataj

Më 4 shtator 2016 Nënë Tereza u shpall shenjtore. 7 vjet pas kësaj ngjarjeje, bota vijon të pyesë: “E kush është kjo grua?”…. Kësaj pyetje po përpiqemi t’i japin përgjigje në tre vjetorin e shenjtërimit të Gruas më të përvuajtur, e njëkohësisht, më të famshme të gjakut shqiptar që, kur t’i ngulte sytë, të shikonte në shpirt.

“E kush ishte kjo grua?”….”Kush vallë e ndezi në zemrën e saj   shkëndijën e dashurisë për të varfërit, për të fundmit, për fëmijët e braktisur, për njerëzit, që nuk i do askush?” – pati pyetur e vijon të pyesë bota. Kush ishte kjo grua, që mund të shihej duke kaluar ndërmjet të mjeruarve  të braktisur, buzë gropave të hapura të gjirizeve, që i has kudo në lagjet e varfra rreth Kalkutës. Sillej si engjëll i vërtetë në gjirin e mjerimit më të zi.

Një herë, në “Shtëpinë e Zemrës së Papërlyer të Zojës”, në Kalkutë, sollën një burrë kockë e lëkurë, që i ngjiste një krijese sajuar me pergamenë. Ishte mbeturinë njerëzore, mumje që merrte frymë ende, ndonëse në sytë e tij jeta qe shuar qëkur.

Po ishte ende gjallë.

Krimbat lëviznin mbi lëkurën e tij gjysëm të ngrënë, për të depërtuar, më pas, në brendësi. Gratë e palodhshme me sari bardh e blu mundoheshin t’ia njomnin buzët e thara me lëng mishi të ngrohtë: po burri nuk ishte më në gjendje të kapërdinte asnjë lloj ushqimi, sepse i qe tharë plotësisht goja.  Ndërsa motrat ia lajnë trupin e zhigatur me baltë e jashtëqitje,  aty afrohet një grua në moshë, me një buzëqeshje plot dashuri e respekt, që burri  nuk e kishte provuar kurrë në jetën e tij.

Është Nënë Tereza, e dërguara e Mëshirës hyjnore.

Nis t’ia heqë krimbat nga plagët, që lëshojnë një duhmë të padurueshme. Një tjetre do t’i kishte rënë të fikët. Por jo asaj. Burri skeletik mrekullohet e pyet me një fije zëri: “Si mund ta durosh erën e qelbur, që del nga trupi im?”.

“Çka ndjej unë, nuk është asgjë, në krahasim me atë, që vuan ti!”.

“Ti sigurisht nuk je prej këtyre anëve. Njerëzit e këtushëm nuk e bëjnë, këtë, që po bën ti. Bekuar qofsh!”.

“Jo, i bekuar je ti, sepse vuan me Jezusin e si Jezusi”.

Këto, fjalët e fundit që dëgjon burri i ngrënë nga krimbat. Ky bekim e shoqëron në qiell, në krahët e Jezusit, ndërsa buzëqeshja e Zojës së Bekuar i zë vendin buzagazit të Shenjtes së Mëshirës Hyjnore.

Ajo nganjëherë i shkëpuste sytë nga mjerimi e shikonte indiferencën e njerëzve të ngopur e, megjithatë, të palumtur, të galdimtarëve të pakënaqur, të të pasurve krejt të varfër, pa pikën e ndjenjave njerëzore. E nga buzët, që kishin puthur vetë mjerimin, i dilte qortimi i natyrshëm: “Duhet të marrë fund kjo indiferencë: në botë po zhduket dashuria…e kjo është varfëria më e rrezikshme, sepse i vret njerëzit në shpirt, ua rrëmben gëzimin e të jetuarit. Kemi nevojë kudo për njerëz, që shpërvjelin mëngët  e nuk kanë frikë t’i ndotin duart me baltë, që përkulen mbi të varfërit, mbi  njerëzit në grahma të vdekjes, mbi ferishtet e flakura në kazanet e plehrave, parë si hedhurina nga bota e pasur, e ngopur, por gjithnjë e pakënaqur.

Dil nga vetvetja, kalo në anën e dashurisë! Eja, të presim, për të të bërë të lumtur. Sepse s’ka ndodhur kurrë në këtë botë që egoisti të jetë i lum. Të siguroj për këtë!

Kjo ftesë e Nënë Terezës e ruan tërë forcën e saj e, sidomos, tërë aktualietin dramatik.

Mos ta lëmë të shkojë kot!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok