SHQIPTARËT NË VENEDIK

Rrethimi i Shkodrës, memoriali në Venecia nga Viktor Karpaçi
Nga Sylejman Salihu
Ndonëse kishin një det në mes, shqiptarët nuk përtonin ta kalonin edhe detin për të shkelur token italiane. Kjo ndodhi madje herët , që në kohën e Renesansës ku disa nga këta kishin shkuar si kalorës a stratiotë e mercenarë, disa të tjerë kishin shkuar që të shkolloheshin për t’ u bërë pastaj edhe emra të mëdhenj të humanizmit evropian apo edhe shkrimtarë shqiptarë që do të shkruanin libra historie, letërsie e filozofie. Por Republika e Venedikut, që atëherë ishte shtet, ia kishte ënda që Arbërinë ta kishte nën sqetullën e vet. Madje flitet edhe për një Arbëri Venedikase, e cila ishte kryesisht në veri të Arbërisë, ku qytete të bukura bregdetare veçanërisht Durrësi, Shkodra e Ulqini ishin në varësi të saj për një kohë jo të pakët. “Qysh më 1418 Arbëria Venedikase qeverisej nga një bajloz (baiulus) dhe një kapedan venet”(www.sq.vikipedia.org, Arbëria Venedikase)Këto gjurmë të këtij sundimi nuk ishin vetëm në librat, por kishin mbetur edhe të kënduara në Eposin Kreshnik..” dalë zâni e paska marrun dhenë, Se i Bajloz i zi â dale prej detit”.Por i ardhur për pushtim,bajlozi ha kokën tij nga Gjergj Elez Alia, kënga e të cilit është një nga perlat më të bukura që ka eposi shqiptar. Prandaj, kur je në Venedik dhe ecën rrugëve tē tij, nis dhe përsëritet historia e saj në kokën tënde, jo me kalorës e tabore lufte dhe me shpatë në dorë, si atëherë, por me kujtime, që vijnë here më të zymta e here më të ndritura. Si shkuan shqiptarët në Venedik? Ka të dhëna të ndryshme, se ata shkuan si mercenarë, sepse trimëria e tyre epike, kishte bërë që ata të kryenin detyra të tilla nëpër Europë. Nga jugu ishte familja e madhe e Gjin Bua Shpatës, nga e cila kishin dalë pinjojë, që emrin e tyre të madh e çuan në Itali apo edhe në Francë e Gjermani gjithandej me trimëritë e tyre. Mjafton tē përmendim Pjetër Buan dhe Mërkur Buan, qē kishin shkelur token e Venedikut, për çka me bëmat dhe trimerite e tyre do të fitonin ndere dhe famë nëpër oborret e padronëve dhe mbretërve të tyre.
*
Të jesh në Venedik, nuk i shpëtojnë syrit tend gjurmët arbërore, me të cilat shqiptarët dëshmojnë praninë e tyre,jetën e tyre në krejt dinamikën e saj nder vite dhe shekuj. Pasi pushtuesi turk, kishte pushtuar Shqipërinë, bujarët shqiptarë u larguan në drejtim të Venedikut, për të mos pranuar pushtimin dhe poshtërimin turk.Por edhe këtu në Venedik, si emigrantē ata nuk ndejtën duarkryq, sepse zemra e tyre ende punonte me tiktakun e saj arbërisht. Prandaj si komunitet ata fillojnë të organizohen për të ruajtur atë çka është e mundur qē ta ruajnë nē distancē si: gjuhën, doket, zakonet, por edhe për t’ u shkolluar në atë gjuhë. Për këtë arsye shqiptarët e Venedikut kishin hapur një shkollë, ku në fasadën e saj shkruante me shkronja të mëdha “Shkolla e Shqiptarëve”(Scuola degli albanesi) .Në kētē shkollē do të mësoheshin zeje dhe zanate të ndryshme në gjuhën shqipe. Studiuesja kroate Lavorka Koralic ka treguar se shqiptarët kishin shumë profesione, të cilat i ushtruan në lagunën venedikase: “Dukshëm është spektri i gjerë i profesioneve artizanale në të cilat kanë qenë të përfshirë emigrantët de patribus Albanie. Burimet i përmendin ata si mjeshtër tekstili, përpunues-ndreqës të armëve, qirinjve, si kamerierë, lëkurëtarë, rrobaqepës, farkëtarë, mjeshtër gdhendës druri (marangozë), bukëpjekës, berberë etj”(https:// www.zemrashqiptare.net, Lavorka Koralic, Zagreb, Emigrantët shqiptarë në Venedik) Ata ishin edhe marinarë tē vyer, tē cilin zanatē e sillnin edhe nga vendi i tyre. Madje ndërtesa e kësaj shkolle është ende në këmbët e saj, ku ka edhe shenja dhe gjurmë të ruajtura mire dhe në fasadën e saj dallohet edhe një basorelief me motive atdhetare të Shkodrës dhe kalasë së saj, e cila u pushtua përfundimisht në vitin 1479 nga osmanët. Sepse nëse ata atdheun e kishin humbur fizikisht dhe gjeografikisht, shqiptarët këtë nuk e kishin humbur dhe nuk donin ta humbnin edhe shpirtërisht. Në këtë shkollë, ku veç shqiptarëve të Venedikut vinin edhe ata të Istrias përdoreshin librat e Marin Barletit dhe Marin Beçikemit, dy shkodranë të njohur të humanizmit shqiptar. Madje thuhet se ata ishin edhe pjesē e mësimdhënies, perderisa frekuentonin qytetin e lagunës. Edhe Leonik Tomeu, Gjin Gazulli, Martin Segoni, Lukë Paneti- Ulqinaku ishin pjesë e këtij aktiviteti iluminist. Pastaj edhe libri i Marin Barletit “Rrethimi i Shkodrës” ishte botuar në Venedik me 10 janar 1504 dhe duhet të jetë përdorur nga arbëroret. Veç tyre dallohej edhe skulptori dhe arkitekti i njohur Italian me origjinë nga Korça, Viktor Karpaçi, i cili kishte udhëhequr punimet rreth shkollës dhe e kishte stolisur shkollën me basorelief, në të cilin spikasin motivet e luftës së shqiptarëve në mbrojtjen e Shkodrës. Si dëshmohet prezenca e kësaj shkolle? Në “Gjurmë shqiptare” autori i emisionit Marin Mema, kishte intervistuar shkencëtaren italiane Luçia Nadin, e cila deklaronte se prania e dokumenteve në Venedik është aq e madhe ,sa figurativisht do të dilnin: “40 kilometra rafte”.(You Tube, Top Channel Albania, Shqiptarët e vjetër të Venedikut). Ajo ka punuar shumë në njohjen e Statuteve të Shkodrës, në të cilat paraqitej organizimi i jetës shoqërore të shqiptarëve në atë qytet. Pra në këto rafte kishte informata, të dhëna , dokumente edhe për shqiptarët, të cilët kundrejt etnive tjera të huaja, dukej se kishin një prezence më të madhe. Kjo mund të vërehet edhe te numri i rrugëve, i cili numër nuk është një a dy, por kapë madje dyshifrorin 11.(Calle dei Albanesi).Zonja Nadin, thoshte se mund të kishte një rrugë gjermane apo një rrugë greke, por nuk mund të kishte njëmbëdhjetë rrugë gjermane apo greke, siç i kanë shqiptarët në Venedik. Me këtë tregohet se sa e forte dhe sa e dukshme ishte prezenca e emigracionit shqiptar në jetën venedikase.
*
Por Venediku ruan për shqiptarët edhe gjurmë të artit kushtuar heroit kombëtar, Skënderbeut, të bëra me aq mjeshtri dhe me aq art. Në Kishën e Shën Sebastianit është një afreskë, të cilën e ka zbuluar studiuesja zonja Luçia Nadin dhe në të cilën paraqitet heroi ynë kombëtar, bashkë me flamurin e tij kuq e zi. Madje edhe koka e dhisë, simboli i heroit tonë kombëtar, nuk mungon në kēte veper arti. Kjo pikturë është punuar nga piktori i madh italian Paolo Kaliari-Veroneza, i cili është i njohur me famën dhe artin e tij në mesjetën italiane. Por për Skënderbeun ka edhe një Pallat i quajtur Molin, që u quajt edhe „Pallati i Skënderbeut” me rastin e shpalljes sē Skënderbeut “Qytetar Nderi”, që u ndërtua si rezidencë, të cilën mund ta përdorte ai ose familja e tij, në rast se ai do të vinte në Venedik, pas largimit të supozuar të tij nga Arbëria, nē rast tē pushtimit turk.
Skënderbeu në Venedik na vjen edhe me një befasi tjetër. Thuhet se vetë Skënderbeu kishte ardhur në Venedik, madje pak para vdekjes së tij, mē saktë në shkurt të vitit 1467 bashkë me gruan Donikën dhe djalin e tij 12 vjeçar, thesarmbajtësin Dhimitër Frangun, si edhe me shpurën e tij në të cilën ishin gjashtë kalorës arbër në muajin e karanavaleve. Kjo vizitë e „Atletit të Krishtit” ishte bërë edhe me sugjerim të Papa Palit të II. Por mrekullia do të jetë edhe më e madhe se ai do të portretizohej nga piktori i madh i kohës, Gentille Belini, që ishte piktor i Senatit të Venedikut, i cili kishte portretizuar Skënderbeun dhe mendohet se ky ishte edhe portreti më origjinal, që i përafrohet vetë figurës së Skënderbeut, madje vetëm disa muaj para vdekjes së tij. „Portreti origjinal i Skënderbeut është dhënë me saktësi të habitshme ravijëzimi portretual dhe me interpretim të thellë artistik , në periudhën kur kishte filluar të përdorej në pikturën italiane teknika e pasqyrave, e quajtur kamera luçida, si dhe teknika e pikturës në vaj mbi panel druri.”(https://www.dosja.al, Realizuar me 1467, zbulohet portreti origjinal i Skënderbeut). Ai, pra Skënderbeu, për të cilin, në maj të vitit 1448, në konfliktin rreth kështjellës së Danjes, pēr kokēn e tij siç shkruan historiani çek Kostantin Jeriçek „venedikasit shpallën si çmim një pagesë të përjetshme prej 100 dukatesh”,(https://www. gazeta-shqip.com, Jeriçek, Venediku donte kokën e Skënderbeut). Por tashmë Skënderbeu nuk ishte më armiku i tyre, por përkundrazi ishte miku dhe aleati më i mirë i venedikasve, sepse ai po e ndalonte invadimin turk në Itali dhe pastaj më përtej edhe në Europë. Madje Venediku ishte vendi prej nga Skenderbeu furnizohej me rroba, sepse Venediku ishte i njohur me industrinë e mēndafsheve dhe të tekstilit. Nga kjo ne mēsojmē edhe gjatēsinē trupore tē Skenderbeut, pēŕ çka ēshtē spekuluar shpesh nē ishte i gjatē apo i shkurtē. Disa të dhëna për këtë i jep albanologu Guissepe Valentini, i cili këtë e pohonte nē një artikull tē botuar në “Shejzat”. Le tē citojmē Valentinin sipas gazetēs ” Telegraf”! ” Në këtë artikull, Valentini citon një dokument të datës 8 korrik 1457, që Gjergj Kastrioti ia kishte shkruar Senatit të Venedikut, përmes të dërguarit të tij, priftit apostolik Xhorxhio Pelini, abat i Shën Marisë së Ratacit, pranë Antivarit (Tivarit).
Në këtë letër, Skënderbeu i drejtohej Venedikut me fjalët: “Në lidhje me rrobat, që siç na është premtuar do të na jepen dy herë në vit, ju lutem të më dërgoni rroba të përshtatshme për trupin tim, ashtu siç iu janë dhënë edhe zotërinjve të tjerë, sepse thonë që mund të më mjaftojnë 16 krahë (rroba) për dy palë veshje. Mirëpo zotërinj, llogarisni pak me kujdes se sa krahë më duhen për dy palë veshje e aq jepmëni”.Pra për Venedikun, 8 krahë rroba (stof) mjaftonin për të mbuluar një trup me shtat mesatar. Le ta marrim si gjatësi mesatare lartësinë trupore prej 1.75 m. Nëse Skënderbeut nuk i mjaftonin 8 krahë rroba, kjo do të thotë se ai ka qenë më i gjatë se 1.75 metra. Nëse ai ka kërkuar qoftë edhe vetëm një krah më shumë rroba, rezulton që ai ka qenë goxha shtatlartë, sepse nëse për një trup 1.75 m., mjaftonin 8 krahë rroba, atëherë me 9 krahë rroba mund të mbulohet një trup prej 1.98 m. Kjo do të thotë që Skënderbeu, duhet të ketë qenë rreth 2 metra i gjatë.(https://www.telegrafi.com, Sa i gjatë ishte Skenderbeu)
*
Pas vdekjes së Skenderbeut, familjet e mëdha dhe kreret e tyre u larguan per në Venedik, duke dashur qē t’ i iknin pushtuesit turk.Keshtu atje shkuan arianitet, kastriotët, muzakajt, engjëllorët, dukagjinët, të cilēt nē truallin e ri u shkrinē nē rrjedhë të shekujve.