SHQIPTARËT NË STUDIMET GJERMANE
Shkencëtarët gjermanë ishin Prometheu që nxori dritën e së vërtetës nga terri i mosdijes. Para monumentit që ata kanë ngritur në fushën e historisë dhe të gjuhës shqipe, shqiptarët vënë lule dhe tregojnë mirënjohje të përhershme.
Nga Prof. Xhelal Zejneli
Historia dhe gjuha e shqiptarëve, një terra incognita për Evropën shkencore të periudhës së Rilindjes evropiane, u bë relativisht vonë objekt i një interesimi të gjallë dhe hetimi shkencor, për arsye se Shqipëria ende nuk ishte një shtet i pavarur ose autonom, e rrjedhimisht, historia dhe kultura e saj u pa vetëm në kuadrin e një entiteti më të gjerë politik, të Perandorisë Osmane. Për shkak të mungesës së të dhënave për Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë një periudhe të mesjetës (shekulli VI deri XI), prejardhja e shqiptarëve, në studimet gjermane, u bë objekt i një debati të gjatë shkencor. Studimi i gjuhës shqipe për të arritur në përfundime mbi prejardhjen e saj e të shqiptarëve filloi qysh me filozofin dhe matematikanin gjerman Vilhelm Gotfrid Lajbnicin (Gottfried Wilhelm Lajbniz, 1646-1716) dhe me historianin suedez Hans Erih Tunman (Hans Erich Tunmann, 1746-1778), profesor në universitetin e Halles në Gjermani).
Tunmani është një nga albanologët e parë. Në veprën e tij Hulumtime për historinë e popujve të Evropës Lindore (1774) bëhen orvatjet për të shpjeguar prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre. Sipas tij, bazuar në dokumentet e lashta greko-latine e bizantine, del se shqiptarët mesjetarë janë vazhdues autoktonë të ilirëve. Studimi i parë gjerman, e njëkohësisht evropian, rreth prejardhjes së gjuhës shqipe e të shqiptarëve i takon filozofit më të madh të kohës së tij – Lajbnicit. Këtë përpjekje ia kishte kërkuar bibliotekari i Bibliotekës Mbretërore të Berlinit, ku tanimë ishte themeluar Akademia e Shkencave e Prusisë. Për prejardhjen e gjuhës shqipe Lajbnici bën fjalë në tri letra që tanimë njihen si “Letra shqiptare” të cilat ai i dërgonte bibliotekarit të Bibliotekës Mbretërore të Berlinit.
Në letrën e dytë të datës 10 dhjetor 1709 Lajbnici e quan shqipen “gjuhë e ilirëve të lashtë”. Enciklopedisti i gjuhëve – Lajbnici – thotë se kishte shtënë në dorë një libër dhe një fjalor të gjuhës shqipe, të cilët dihet se janë “Doktrina e kërshtenë” (1618) e Pjetër Budit (1566-1622) dhe “Fjalori latinisht-shqip” (“Dictionarium latino-epiroticum”) (1635) i Frang Bardhit (1606-1643). Filozofi i madh, në etimologjinë e fjalëve shqip operon me një koncept që do të formulohej shkencërisht rreth një shekull më vonë.
Shekulli XVIII është shekull i iluminizmit. Më 1774 u botua në Lajpcig libri i Tunmanit “Kërkime për historinë e popujve të Evropës Lindore” kushtuar historisë dhe prejardhjes së shqiptarëve dhe të rumunëve. Tunmani del si eksploruesi i parë i Evropës shkencore në historinë e shqiptarëve. Tunmani kishte vënë në dorë “Fjalorin latinisht-shqip” të Frang Bardhit dhe përkthimin shqip të “Katekizmit të Belarminit” nga Pjetër Budi.
Koncepti i familjes gjuhësore indoevropiane në formën e tij embrionale u parashtrua së pari nga matematikani uellsian Uiliam Xhons (William Jones; Llanfihangel Tre’r Beirdd, Anglesey, Wales, 1675 – Londër, 01.07.1749) rreth 80 vjet pas letrës së Lajbnicit. Gjuhëtari gjerman, një nga themeluesit e linguistikës si shkencë e pavarur Franc Bop (Franz Bopp, 1791-1867) është i pari që argumentoi se shqipja bën pjesë në trungun e gjuhëve indoevropiane.
* * *
Filozofi gjerman, shkrimtar dhe teoricien i historisë së shekullit XVIII Johan Gotfrid Herder (Johann Gottfried Herder, 1744-1803) në veprën e tij “Ide për historinë e njerëzimit”, 1784-1791), bën fjalë edhe për popujt e sotëm të Evropës e të botës. Herderi në këtë vepër thotë: “Shqiptarët nuk janë aspak të huaj, por një popull i lashtë i familjes evropiane”. Kjo ide e Herderit pohon autoktoninë e popullit shqiptar. Për Herderin, shqiptarët janë popull me histori të lashtë dhe rrjedhin prej ilirëve.
Në vitin 1850, profesori i Universitetit të Berlinit August Shlajheri (August Schleier, 1821-1868) vërtetoi karakterin indoevropian të shqipes. Në veprën e tij “Gramatika krahasuese e gjuhëve indoevropiane” u përpoq të rindërtonte gjuhën proto-indoevropiane. (Compendium der vergleichenden Grammatik der indogermanischen Sparchen; Comparative Grammar of the Indo-Europian languages).
Studiuesi dhe albanologu gjerman Jozef Riter fon Ksilander (Josef von Ritter Xylander,1794-1854) është autor i veprës “Gjuha e shqiptarëve” (Die Sprache der Albanesen oder Schkipëtaren,1835). Në kohën kur është botuar vepra në fjalë e Herderit, për Evropën shkencore ishte bërë e njohur edhe pikëpamja që mohonte autoktoninë e shqiptarëve (rrjedhimisht edhe prejardhjen ilire të tyre) nëpërmjet autorëve bizantinë Laonik Halkokondilit (rreth 1425-1490, i vetmi athinas të cilin e njeh historia e letërsisë bizantine) dhe historianit kishtar dhe teologut dominikan francez Mishel Lë Kyen (Michel Le Quein; Boulogne-sur-Mer, 08.10.1661 – Paris, 12.03.1733) dhe historianit kishtar Assemani-t, që i bënin shqiptarët të ardhur gjatë mesjetës, i pari nga Alba e Italisë, kurse dy të tjerët – nga Albania e Kaukazit.
Johan Gotfrid Herderi është autori i tretë gjerman ( njëkohësisht edhe evropian) që shprehet në favor të prejardhjes ilire të shqiptarëve.
Studimet rreth Shqipërisë e shqiptarëve hyrën në një fazë të re pas themelimit të pashallëqeve autonome shqiptare, sidomos të pashallëkut të Janinës, udhëheqësi i të cilit, Ali pashë Tepelena (1740-1822), një nga figurat më madhore dhe më komplekse të kombit shqiptar, synoi jo vetëm autonominë nga Porta, por edhe krijimin e një shteti të pavarur që do të shtrinte sovranitetin e tij mbi të gjitha trojet e banuara nga shqiptarët.
Ekzistenca e pashallëqeve faktikisht autonome i dha një impuls të fuqishëm zgjimit të vetëdijes kombëtare të shqiptarëve dhe idesë së një shteti kombëtar shqiptar dhe bëri të njohur Shqipërinë si një entitet i veçantë politik brenda Perandorisë Osmane, si një objekt hetimi për Evropën shkencore.
Në pashallëkun e Ali pashë Tepelenës u vendosën për herë të parë përfaqësues diplomatikë të fuqive të mëdha, fillimisht të Francës e të Anglisë, të cilët u morën me problemet shqiptare të bashkëkohësisë dhe të kaluarës, duke lënë vepra interesante.
Konsull i përgjithshëm i Francës në Janinë u emërua Pukëvili. Ky ndoqi nga afër e për shumë vite veprimtarinë politike të Ali pashë Tepelenës. Në veprat e tij jepen të dhëna të shumta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Vepra e tij përshkohet nga një admirim për grekët dhe nga njëfarë denigrimi për shqiptarët.
Përfaqësues politik i Anglisë në Janinë u emërua Uilliam Martin Lik. Me këto punime bota shkencore evropiane mori në dorë një informacion të pasur për Shqipërinë si dhe nxitje për studimin e këtij vendi dhe të historisë së tij. Për qëllime njohëse dhe studimi do të shëtisnin në Shqipëri që nga poeti romantik anglez Xhorxh Gordon Bajroni (George G. Byron, 1788-1824) dhe miku i tij Baroni Xhon Kameron Hobhaus* (John Cameron Hobhouse, Lord Broughton, 1786-1869) deri te etnografi, natyralisti dhe udhëtari francez Ami Bue (Ami Bué, 1794-1881) dhe arkeologu francez Leon Hëzej* (Léon Heuzey, 1831-1922). Në këngën e dytë të poemës së vet “Shtegtimet e Çajld Haroldit” (1812-1818) Bajroni vlerëson traditat burrërore, trimëritë, fisnikërinë dhe mikpritjen e shqiptarëve.
Shënim: 1. Baroni Xhon Kameron Hobhaus (John Cameron Hobhouse, Lord Broughton, 1786-1869) ishte një personalitet politik dhe letrar, mik i ngushtë dhe shoqërues i poetit romantik anglez Xhorxh Gordon Bajronit gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri. Hobhaus është autor i librit “Një udhëtim nëpër Shqipëri dhe provinca të tjera të Turqisë në Evropë dhe Azi, deri në Kostandinopojë”, botuar për herë të parë në 1817.
- Në vitin 1861 Leon Hëzej (Léon Heuzey) vizitoi Shqipërinë për të studiuar terrenin ilir dhe maqedonas të përshkuar nga Cezari* në luftë me Pompeun*.
- Gaj Jul Cezari (Gaius Julius Caesar, 100-44 para K.) – një nga ushtarakët dhe burrat e mëdhenj shteti në botën antike.
- Pompeu i Madh (Gnaeus Pompeius Magnus, 29.09.106 p. K. – 28.09.48 p. K.) – gjeneral dhe burrë shteti romak i shquar në dekadat e fundit të Republikës Romake. Si i ri, ai ishte partizan dhe i mbrojtur nga diktatori Sulla, pas vdekjes së të cilit ai arriti shumë sukses ushtarak dhe politik vetë.
* * *
Rreth problemit të prejardhjes së shqiptarëve u shprehën vetëm historiani dhe arkeologu francez Fransua Pukëvil (François Charles Henry Louis Pouqueville, 1770-1838) dhe ushtaraku anglez, përfaqësues politik i qeverisë angleze pranë oborrit të Ali pashë Tepelenës në fillim të shekullit XIX; Uiljam Martin Lik (William Martin Leake, 1777-1860). Qëndrimet e tyre janë krejtësisht të kundërta. Studiuesi francez pranon pikëpamjen fantastike të shprehur nga historianët kishtarë Le Quien dhe prefekti i Bibliotekës së Vatikanit Josif Simon Asemani (1687-1768) nga mesi i shekullit XVIII.
Në fillim të shekullit XIX Anglia dhe Franca kishin interesa politike, ekonomike dhe ushtarake në Mesdhe dhe në perandorinë Osmane, duke përfshirë edhe provincën shqiptare të saj. Në atë kohë Rajhu gjerman ende nuk kishte interesa të këtilla ekspansioniste në rajon. Por në “klubin” osman të fuqive evropiane shpejt do të futet Austria. Që nga vitet ‘40 të shekullit XIX edhe Austria do të kishte në Janinë përfaqësuesit e saj konsullorë.
Në fillim të shekullit XIX çështja e prejardhjes dhe e gjuhës së shqiptarëve u bë objekt i hetimit shkencor për arbëreshët e Italisë, të cilët tani kishin hyrë në etapën e një zgjimi të vetëdijes për kombësinë e lashtë së cilës i përkisnin.
Së pari Nikollë Keta (1742-1803) në veprën “Etimologji të gjuhës shqipe” argumentonte autoktoninë e shqiptarëve dhe prejardhjen ilire të tyre. Në “Annales des Voyages” (vol. III, 1809) (Analet e udhëtimeve) të botuar nga gjeografi dhe gazetari danez-francez Konrad Malte-Brun, studiuesi arbëresh Engjëll Mashi (1758-1821) botoi punimin “Ese për prejardhjen e zakonet dhe gjendjen aktuale të kombit shqiptar” duke argumentuar prejardhjen ilire dhe autoktoninë e shqiptarëve.
Shënim: Konrad Malte-Brun (Conrad Malte-Brun, Thisted, danimarkë, 12.08.1775 – Paris, 14.12.1826)
* * *
Kur më 1835 ushtaraku anglez Uilliam Martin Lik (William Martin Leake, 1777-1860) nisi të botonte në Londër veprën e tij “Udhëtime në Greqinë e veriut”, në Frankfurt-mbi-Majn doli nga shtypi libri i gjuhëtarit bavarez Jozef Riter fon Ksilander “Die Sprache der Albanesen oder Schkipëtaren” (Gjuha e shqiptarëve, 1835) në të cilin duke u mbështetur në 3500 fjalë të shqipes solli argumente themelore në të mirë të prejardhjes së lashtë indoevropiane të saj, duke hedhur poshtë pikëpamjen për prejardhjen tartare ose kaukaziane të saj dhe duke u shprehur se shqipja është bijë e ilirishtes dhe shqiptarët – pasardhës të ilirëve. Ai argumentoi se shqipja nuk ka lindur nga ndonjë përzierje mekanike e gjuhëve romane. Ksilanderi studimin e gjuhës shqipe arriti që ta vërë në nivelin e gjuhësisë krahasimtare bashkëkohore. Me Ksilanderin përfundon etapa e parë e studimeve gjermane mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Ksilanderi ishte oficer bavarez në shërbim të mbretit të Greqisë. U mor edhe me studimin e gjuhës shqipe.
Studiuesi dhe albanologu gjerman, njëri nga themeluesit e shkencës së albanologjisë Johan Georg fon Han (Johan Georg von Hahn, 1811-1869) i lindur në Jenë, gjatë udhëtimit në Shqipëri dhe Greqi, njohu shqiptarë dhe arbëreshë. Emërimi i tij si konsull i Austrisë në Janinë në vitin 1847, i dha atij mundësinë që t’i kushtojë thuajse tërë jetën e tij aktive si studiues i popullit shqiptar nga i cili ishin shkëputur arbëreshët në mesjetë. Hani është autor i veprës monumentale për historinë dhe botën shqiptare në përgjithësi “Studime shqiptare” (Albanesische Studien, Jenë, 1954). Më vonë botoi veprën “Udhëtim nëpër viset e Drinit e të Vardarit” (1867-1869).
Në veprën “Studime shqiptare” Hani thotë: “Meqë shqiptarët nuk janë sllavë dhe nuk lidhen ngushtë me ndonjë nga popujt e tjerë që njohim, meqë burimet fare të pakta që kemi nuk flasin për ndonjë shtegtim tjetër (veç atij sllav), i cili të ishte aq i madh sa të krijonte një popull të madh, duhet pranuar se shqiptarët e sotëm janë banorët e hershëm parasllavë të atij vendi.”
Më 1868 Hani boton në Vjenë veprën Udhëtim nga Beogradi në Selanik. Ai riformulon pikëpamjen e tij për autoktoninë e shqiptarëve. “Ne mund të pranojmë në mënyrë të padiskutueshme se shqiptarët e sotëm janë pasardhës të ilirëve dhe të epirotëve të lashtë” (vepra e cituar, f. 228). Në këtë vepër ai përshkruan vise të banuara nga shqiptarë në Kosovë, Maqedoni e Serbi, njeh prejardhjen dardane të kosovarëve, njeh autoktoninë e shqiptarëve në trevat e banuara prej tyre në Maqedoni në shekullin e kaluar. Argumentimi i autoktonisë së shqiptarëve nga Hani ngjalli një reagim të menjëhershëm nga ana e kundërshtarëve të autoktonisë.
Më 1855 u botua teza e doktoratës e studiuesit Nikokles në Universitetin e Hajdelbergut në të cilën nga pozita antishkencore ai përpiqet të argumentojë pikëpamjen mitike të ardhjes së shqiptarëve nga Albania e Kaukazit në periudhën e mesjetës, që ishte paraqitur së pari nga historianët kishtarë një shekull para tij.
Punimi i Nikoklesit mori përgjigje shkencore në vitin 1857 nga historiani dhe helenisti i shquar gjerman i mesit të shekullit XIX – Jakob Filip Falmerajeri (Jakob Philipp Fallmerayer, 1790-1861), i cili tregoi karakterin antishkencor dhe fantastik të punimit në fjalë. Në veprën e tij në tri pjesë Elementi shqiptar në Greqi, 1857, Falmerajeri përshkruan situatën e studimeve rreth historisë dhe prejardhjes së shqiptarëve, duke na dhënë tablonë në të cilën duket qartë dominimi i pikëpamjes së autoktonisë mbi atë të aloktonisë, një dominim në nivel shkencor të argumentimit.
Falmerajeri zbulon vitalitetin e lartë të popullit shqiptar, qëndresën e tij të jashtëzakonshme ndaj asimilimit kulturor dhe etnik dhe e konsideron popullin shqiptar si një shembull të gjallë të faktit që një popull luftarak është në gjendje të mbijetojë edhe përballë rrebesheve më të egra të historisë. Falmerajeri është edhe autor i veprës Historia e gadishullit të Moresë. Ky ishte i pari që dëshmoi në mënyrë shkencore praninë e elementit shqiptar në Greqi.
Në vitet 40 të shekullit XIX gjuha shqipe u bë objekt studimi për figura të tilla të shquara botërore të gjuhësisë krahasimtare siç ishin Franc Bopi (Fraz Bopp, 1791-1867), profesor në Universitetin e Berlinit dhe August Shlajheri (1821-1868). Më 1843 Franc Bopi shqyrtoi numërorët dhe përemrat e shqipes dhe arriti në përfundimin mbi karakterin indoevropian të shqipes, duke konfirmuar përfundimin e gjuhëtarit bavarez Jozef Riter fon Ksilander (Josef Ritter von Xilander, 1794-1854).
Shënim: Franc Bopi (Franz Bopp, 1791-1867) është gjuhëtar gjerman, albanolog, themelues kryesor i gjuhësisë krahasuese historike indoevropiane, profesor në Universitetin e Berlinit.
* * *
Më 1850, gjuhëtari gjerman August Shlajheri*, i njohur si themelues i teorisë së pemës gjenealogjike në gjuhësinë e krahasuar indoevropiane dhe rikonstruktuesi i gjuhës protoindoevropiane, kishte provuar karakterin indoevropian të shqipes, duke i dhënë asaj një vend të afërt me greqishten. Më 1855 Bopi e hodhi poshtë pikëpamjen e Shlajherit rreth lidhjeve të ngushta të shqipes me greqishten. Ky ishte një përfundim i rëndësishëm edhe për lëvizjen patriotike shqiptare gjatë Rilindjes sonë Kombëtare, sepse sillte një argument shkencor kundër propagandës së megali idesë rreth një lidhjeje të lashtë prejardhjeje të përbashkët e kulturore të shqiptarëve me grekët.
Qysh në vitin 1861 arkeologu francez Lëon Hezej (Léon Heuzey) vizitoi dhe përshkroi një sërë qendrash të lashta, ish-koloni greke të lashtësisë. Edhe studimet për gjuhën shqipe filluan të dalin përtej kufijve të Gjermanisë.
Shënim: August Shlajher (August Schleicher; Meinigen, Gjermani, 19.02.1821 – Jena, Gjermani, 06.12.1868) – gjuhëtar gjerman; studioi gjuhën proto-indoevropiane dhe shpiku teori lidhur me gjuhësinë historike. Është autor i veprës “Përmbledhje e gramatikës krahasuese të gjuhëve indoevropiane” në të cilën u përpoq të rindërtonte gjuhën proto-indoevropiane.
* * *
Gjuhëtari slloven Franc Miklosiç (1813-1899), profesor në Universitetin e Vjenës, nga vitet 60-70 të shekullit XIX u mor me historinë e shqipes (së cilës ai i njohu prejardhjen ilire) dhe me problemet e marrëdhënieve të shqipes me gjuhët e tjera në fushë e leksikut.
Po kështu nga vitet 80 të shekullit XIX gjuhëtari çek Jan Urban (1848-1923) u mor me problemet e gjuhës e të folklorit shqiptar.
Nga mesi i shekullit XIX në historiografinë gjermane dhe atë botërore po ngrihej figura e njërit prej historianëve më të mëdhenj të kohëve moderne, Teodor Memzen*. Në punimin e vitit 1850 “Dialektet e Italisë së Jugut” ai arriti në përfundimin mbi lidhjet e mesapishtes me ilirishten dhe me shqipen. Në veprën madhore të tij “Historia e Romës”, epirotët e lashtë të prirë nga Pirua ai i mbiquan “shqiptarë të lashtësisë”.
Jemi tani në kohën kur gramatikanët e rinj (Junggrammatiker) kishin formuluar ligjet e përgjithshme të evolucionit fonetik të gjuhëve.
Shënim: Teodor Momzen (Christian Matthias Theodor Mommsen, 30.11.1817 – 01.11.1903) – studiues i klasikëve, historian, jurist, gazetar, politikan dhe arkeolog gjerman. Konsiderohet si një nga studiuesit më të mëdhenj të klasikëve. Në vitin 1902, për shkrimet e tij historike, përfshirë edhe historinë e Romës, mori çmimin “Nobel” për letërsi. Ishte i nominuar nga 18 anëtarë të Akademisë së Shkencave të Prusisë.
* * *
Për shqipen ky moment arrin kulmin me botimin në vitin 1891 të “Fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe” nga profesori dhe albanologu austriak Gustav Majer (1850-1900).
Majeri hapi rrugën e studimit të fonetikës historike të gjuhës shqipe në të cilën më vonë do të jepnin kontribute themelore figura të tilla të gjuhësisë si: gjuhëtari dhe dijetari danez, albanologu Holger Pedersen (1867-1953; pedagogu dhe studiuesi austriak, albanologu Norbert Jokli (1877-1942; deri te Eqrem Çabej (1908-1980) dhe studiues të sotëm, si gjuhëtari amerikan, një nga indoevropianistët e sotëm më në zë, keltologu dhe albanologu Erik P. Hemp* (Eric P. Hamp, 1920/21-2019), Martin Huldi etj. Në vitin 1877 në Gjermani del studimi i parë antropologjik për shqiptarët. Fillon antropologjia e shqiptarëve. Udhëhapës në këtë degë të albanologjisë do të jetë një figurë e shquar e shkencës së shekullit XIX, patologu dhe antropologu gjerman Rudolf Ludvig Karl Virhov* (Rudolf Ludwig Carl Virchow,1821-1902) i njohur si themeluesi i patologjisë qelizore. Ai botoi në Berlin punimin “Mbi kraniologjinë e ilirëve”. Shqiptarët, kafkat e të cilëve i pat studiuar, Virhovi i identifikon me ilirë.
Shënim: Erik P. Hemp* (Eric P. Hamp; Londër, 16.11.1920/21 – Grand Traverse Pavilions, Traverse City, Michigan, ShBA, 17.02.2019), gjuhëtar amerikan, autoritet kryesor në gjuhësinë indoevropiane me interes të veçantë për gjuhët kelte dhe për shqipen. Ka qenë anëtar i jashtëm i AShSh dhe i AShAK.
Rudolf Ludvig Karl Virhov (Rudolf Ludwig Carl Virchow, 1821-1902) – mjek gjerman, antropolog, patolog, studiues i parahistorisë, biolog, shkrimtar, redaktor dhe politikan.
* * *
Nga fundi i shekullit të kaluar, arkeologu gjerman Volfgang Helbig (Wolfgang Helbig, 02.02.1839 – 06.10.1915) zbuloi se emrat e njerëzve që hasen në mbishkrimet mesape në shumë raste janë thuajse të njëjtë me antroponimet ilire të bregdetit lindor të Adriatikut. Mesapët ishin një fis joitalik që në Italinë Jugore, në pjesën lindore të siujdhesës apenine, kishin emigruar nga Epiri dhe Iliria. Ata ishin një degëzim i trungut të popullit ilir. Për t’i deshifruar mbishkrimet mesape, dijetarët vendosën ta shfrytëzojnë shqipen.
Shënim: Volfgang Helbig (Wolfgang Helbig; Drezden, 02.02.1839 – 06.10.1915) – arkeolog klasik gjerman. Është i njohur për studimet e tij që përfshijnë pikturat murale të Pompeit.
* * *
Studiuesi gjerman S. Buge në vitet 90 të shekullit XIX botoi punimin “Mesapishtja dhe shqipja” ku ai, në evolucionin fonetik dhe në leksik, midis gjuhës së mesapëve të lashtë dhe shqipes së sotme zbulon një sërë përputhjesh.
Në fillim të shekullit XX pasuan studime të tjera si ai i glotologut dhe arkeologut italian Françesko Ribeco (Francesco Ribezzo; Francavilla Fontana, 08.05.1875 – Lecce, 19.10.1952 ).
Në vitet ‘30 të shekullit XX pasuan studimet e gjuhëtarit gjerman Albreht fon Blumental (Albrecht von Blumenthal; Staffelde në Vorpommern, 10.08.1889 – 28.03.1945), kurse në vitet ‘60 të atij shekulli – studimet e O. Has-it.
Historia dhe gjuha e ilirëve u njoh me një konsensus të kënaqshëm ndërkombëtar si histori dhe gjuhë e paraardhësve të shqiptarëve. Kërkimet në këtë fushë, duke nisur nga fillimi i shekullit XX formojnë një fushë të veçantë të dijes, të njohur si ilirologji.
Një ndër përpjekjet më të hershme për ta parë gjuhën e ilirëve në një kontekst të dyfishtë, si paraardhëse të shqipes dhe në marrëdhëniet e saj indoevropiane, u bë nga gjuhëtari i shquar gjerman, indoevropianist dhe helenist i madh – Paul Kreçmer (Paul Kretschmer, 1866-1956) në kryeveprën e tij “Hyrje në historinë e gjuhës greke” (1896), ku problemet e ilirishtes trajtohen në unitetin e tyre me shqipen dhe mesapishten.
Shkencëtarët gjermanë ishin Prometheu që nxori dritën e së vërtetës nga terri i mosdijes. Para monumentit që ata kanë ngritur në fushën e historisë dhe të gjuhës shqipe, shqiptarët vënë lule dhe tregojnë mirënjohje të përhershme.
SHQIPTARËT DHE AMI BUE, FRANSUA PUKËVIL, MARTIN LIK
Me shqiptarët dhe me Shqipërinë janë marrë edhe studiues të tjerë, si për shembull etnografi, natyralisti dhe udhëtari francez Ami Bue (Ami Boué, 1794-1881). Ky bëri udhëtime në Evropë dhe në Ballkan, e në veçanti në Shqipëri. Me interes për çështjet shqiptare janë veprat: “Turqia evropiane”, Paris 1840 (Esquisse géologique de la Turquie d’Europe) në katër vëllime dhe “Përmbledhje udhëtimesh në Turqinë evropiane”, Vjenë 1854, në dy vëllime.
Në to paraqet të dhëna për historinë politike dhe ekonomike të Shqipërisë si dhe për demografinë, për veçoritë e kulturës materiale dhe shpirtërore të shqiptarëve. Ndonëse ka dhënë disa vlerësime të diskutueshme, të dhënat e tij kanë vlerë njohëse historike.
Me shqiptarët dhe Shqipërinë është marrë edhe ushtaraku anglez Uilliam Martin Lik (William Martin Leake, 1777-1860). Ky ishte përfaqësues politik i qeverisë angleze pranë oborrit të Ali pashë Tepelenës në fillim të shekullit XIX. Është autor i dy veprave në gjuhën angleze: “Kërkime në Greqi” (Researches in Greece, 1854) dhe “Udhëtime në Greqinë e Veriut” (Travels in Northern Greece, 1835) në katër vëllime. Në veprën e parë, përveç materialeve të ndryshme me karakter ekonomiko-shoqëror dhe politik, me interes për Shqipërinë, jep edhe shënime mbi gramatikën shqipe në bazë të një punimi të hartuar nga mësuesi Jan Evstrat Vithkuqari (1755-1822) si dhe mbi një fjalor të gjuhës shqipe.
“Udhëtime nëpër Greqinë e Veriut” e Likut është një vepër themelore për historinë e Shqipërisë jugore, nën sundimin e Ali pashë Tepelenës, me informacione historike, gjeografike, ekonomike, gjuhësore, etnografike, arkeologjike etj. që shtrihet në kohë – nga e sotmja deri në lashtësinë klasike. Këtu bie në sy njohja e burimeve të lashta greke e romake lidhur me trojet e Shqipërisë së jugut.
Liku arriti në përfundimin se shqiptarët janë autoktonë në trojet e tyre qysh nga fillimi i epokës historike.
Shqiptarët kanë qenë objekt interesimi i studiuesit francez Fransua Pukëvilit (François Charles Hugues Laurent Pouqueville, 1770-1838). Ky ishte mjek, natyralist, diplomat, historian dhe arkeolog. Ishte konsull i përgjithshëm i Perandorisë e më pas i Mbretërisë franceze në Janinë dhe në Patra. Ndoqi nga afër veprimtarinë politike të Ali pashë Tepelenës. Njihet si historiani më i rëndësishëm i çerekut të parë të shekullit XIX për pashallëkun e Janinës. Vizitoi edhe një pjesë të madhe të Shqipërisë, duke udhëtuar nga Janina në Shkodër.
Në veprat e tij “Udhëtim nëpër Greqi” (Voyage de la Grèce, Paris 1820) dhe “Historia e ringjalljes së Greqisë” (Histoire de la regénération de la Grèce) jep të dhëna të çmueshme për vendin, për popullin si dhe për shtresat shoqërore të Shqipërisë jugore. Ndonëse armik politik i vezirit të Janinës, provoi më së miri synimet e Ali pashë Tepelenës për shkëputje nga Perandoria Osmane.
Duhet shtuar se vlerësimet e Pukëvillit që nxin personalitetin e vërtetë të Ali pashë Tepelenës nuk i kanë qëndruar kritikës bashkëkohore dhe asaj të mëvonshme. Pukëvilli ishte një filogrek apo grekoman i përbetuar. Me shkrimet e veta ai e mbështeti pavarësinë e Greqisë nga Perandoria Osmane dhe u konsiderua si arkitekt i filohelenizmit në Evropë e sidomos në Francë.
* * *
Më 26 dhe 27 tetor 2017 u mbajt në Prishtinë Konferenca shkencore e studimeve albanistike ku u trajtuan studimet e studiuesve gjermanë dhe të studiuesve në vendet ku flitet gjermanisht.
* * *
Me studimin e gjuhës shqipe janë marrë edhe albanologë të tjerë, si:
Historian dhe albanologu hungarez Ludovik Talloçin (Ludwig Thallóczy; Buda, 1854 – Herceghalom, 1916). Në bashkëpunim me historianin çek Konstatntin Jireçek (1854-1918) dhe me historianin kroat Milan Shuflaj përgatiti dhe botoi veprën madhore me dokumente në dy vëllime “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia” (Akte dhe dokumente që ilustrojnë punët e Shqipërisë mesjetare); albanologu dhe diplomati austro-hungarez Teodor Anton Ipen (Theodor Anton Ippen, 1861-1935); artistja, antropologia dhe shkrimtarja britanike Meri Edit Durham (Mary Edith Durham, 1863 – 1944); gjeologu, paleontologu, dhe etnografi hungarez, Baroni Franc fon Nopça (Baron Franz von Nopcsa, 1877-1933); historiani kroat, studiues i historisë mesjetare shqiptare Milan Shuflaj (Milan Shufflay, 1879-1931); gjuhëtari, ballkanologu dhe albanologu italian Karlo Taliavini (Carlo Tagliavini, 1903-1982); studiuesi gjerman me prejardhje kanadeze, i specializuar në letërsinë dhe në folklorin shqiptar, Robert Elsie (Vankuver, 29.06.1950 – Berlin, 02.10.2017); filologia ruse Agnia Vasiljevna Desnickaja* (Sednev , 23.08.1912 – Shën Petersburg, 18.04.1992)
Shënim: Agnia Desnickaja – linguiste ruse e ish-Bashkimit Sovjetik, pedagoge, specialiste e disa fushave të gjuhësisë, sidomos e gjuhësisë krahasimtare-historike dhe e gjermanistikës, albanologe, njohëse e mirë e literaturës dhe e folkloristikës shqiptare, e ballkanologjisë dhe e shumë gjuhëve indoevropiane. Themeluese e shkollës së albanologjisë në ish- Bashkimin Sovjetik.
