SHQIPTARËT DUHET T’I TREGOJNË BOTËS SE JANË POPULL POLITIK

0
Xhelal-Zejneli1

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Shqiptarëve nuk u nevojiten liderë dhe politikanë autokratë, autoritarë, despotë, tiranë diktatorë, narcis. Shqiptarët janë kundër ideologjisë totalitariste, kundër stalinizmit. Shqiptarët janë për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Shqiptarët duhet të ndërtojnë dhe të ndjekin politikë të jashtme të pavarur dhe sovrane. Shqiptarët duhet të ruhen prej ndikimeve të huaja antishqiptare që pretendojnë të penetrohen në botën shqiptare në format nga më të ndryshmet. Institucionet arsimore dhe shkencore më të larta të kombit duhet të zgjohen nga gjumi dimëror, nga letargjia, nga indolenca.

Shqiptarëve nuk u nevojiten politikanë dhe liderë të shtyrë në moshë, politikanë dhe liderë me ambicie karrieriste irracionale. Politikanët e moshuar janë déjà vu (tashmë të parë). Duhet hapur rrugë të rinjve. Në zhvillimin e vendit duhet të përfshihen të rinjtë. Politikanët e harxhuar duhet t’ua lënë pozitat të rinjve. Zgjedhjet nuk fitohen me politikanë tanimë të parë.

Partitë politike shqiptare duhet ta dinë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK-ja) nuk është pronë e një partie, Kosova nuk është pronë apo mall babe i një partie. Liria e Kosovës, sovraniteti dhe pavarësia e saj nuk janë meritë vetëm e një partie. Kosova është pronë e popullit shqiptar. Liria e saj është meritë e popullit të saj.

Deputetët shqiptarë duhet ta dinë se nxënësit shqiptarë në Maqedoni dhe ata të Kosovës, në testin PISA renditen ndër të fundit në botë. Për këtë, ata fare nuk çajnë kokën. Në botën shqiptare ka njerëz nëpër pozita që kanë marrë tituj akademikë në mënyra të dyshimta, përfshi edhe plagjiaturën. Arsimi cilësor është conditio sine qua non i zhvillimit dhe i përparimit të një kombi.

Shqiptarët duhet t’i kushtojnë rëndësi forcimit të ndërgjegjes kombëtare, ngritjes së vetëdijes kombëtare. Shqiptarët duhet ta mësojnë gjuhën shqipe, gramatikën e shqipes, folklorin shqiptar, historinë kombëtare, gjeografinë kombëtare, artin figurativ kombëtar, artin muzikor kombëtar. Vlerat e sipërthëna janë lënë pas dore. Vlerat e lartpërmendura mësohen në shkollë, që nga klasa e parë e arsimit fillor deri në universitet. Shqiptarët duhet të krenohen me të qenët shqiptar, popull ky i vjetër sa legjendat e lashtësisë. Shqiptarët janë bijë të ilirëve, janë rrënjës në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit, janë racë e pastër, racë ariane, janë popull vital, u kanë bërë ballë stuhive të kohërave, i kanë luftërat e Gjergj Kastriotit, periudhën Rilindjes Kombëtare, Lidhjen e Prizrenit, Kongresin e Manastirit, Vlorën e Ismail Qemalit, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftën epike të legjendarit Adem Jashari kundër hordhive të egra barbare klerofashiste serbe, çlirimin e Kosovës dhe shpalljen e pavarësisë. Faleminderit Amerikë!

Kosova duhet t’i tregojë botës se ka aftësi politike për ta ndërtuar shtetësinë. Vonimi dhe zvarritja e Kosovës në ndërtimin e institucioneve kombëtare, në arenën ndërkombëtare reflektohet negativisht. Partitë politike të Kosovës duhet ta dinë se interesi i shtetit është mbi interesin partiak. Partitë shkojnë e vijnë, kurse shteti mbetet, u mbetet brezave.

Kosova është shtet demokratik, aty luftohet korrupsioni, organizohen zgjedhje të lira mu si në vendet e BE-së, pakicat gëzojnë liri dhe të drejta si në asnjë vend të BE-s. Kosova ndjek politikë paqeje dhe qëndrueshmërie apo stabiliteti. Pasaporta e Kosovës pranohet nga shumë vende të rruzullit, përfshi edhe vendet që s’e kanë njohur pavarësinë e saj.

Shpopullimi i trojeve arbërore është akt i dhimbshëm. Ardhja në Shqipëri e fuqisë punëtore nga vende të ndryshme të botës, është akt që nuk do të duhej mbështetur.

Çdo vit vijnë në Shqipëri mbi dhjetë milionë turistë. Ata vijnë nga shumë vende të botës. Të gjithë, për një, prononcohen:

“Shqipëria është vend i bukur. Në të, kemi shumë për të parë. Bregdet i bukur, plazhe të bukura, klimë e mirë, ushqimi tej mase i mirë, njerëzit janë bujarë, fisnikë, natyrë e bukur, lumenj, liqene, peizazhe, mjedise fshati me bukuri magjepsëse, ujëvara, kreshta, gërxhe, zabele, florë dhe faunë. Gërmadha qytetesh të lashtësisë, të antikitetit, amfiteatër të vjetër 2500 vjet që ta përkujtojnë botën homerike, kështjella dhe kala që t’i përkujtojnë mitet dhe legjendat e së shkuarës”.

Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2025, brenda një viti, Shqipërinë e vizitojnë mbi 4.6 milionë shtetas nga Kosova.

Politika shqiptare duhet ta depolitizojë arsimin, administratën publike dhe institucionet në përgjithësi. Si do të hyjmë në BE kur edhe pas 37 vjet të pluralizmit nuk e kemi zgjidhur çështjen e depozitimit të hedhurinave. Në botën shqiptare ende flitet për mungesë të ujit të pijshëm, për mungesë mjetesh të shuarjes së zjarreve gjatë muajve të stinës së verës, për mungesë barnash nëpër spitale. Në reparte të caktuara të spitaleve në Maqedoni pacientit i duhet të presë gjashtë-shtatë orë për t’iu nënshtruar kontrollit mjekësor. Si do të hyni në BE kur s’keni numër të mjaftueshëm parkingjesh. Duam në BE, përkundër faktit se jemi ndër të parët në botë me aksidente rrugore, ndër të parët në botë me vrasje, me plagosje. Thua ti se jemi në vendet e Amerikës Latine të viteve ’30 të shekullit XX. Duam BE-në në një kohë kur burgjet i kemi të mbipopulluara. Me institucione indiferente, neglizhente dhe indolente siç janë Avokati i Popullit apo Komiteti i Helsinkit, nuk shkohet në Evropë. S’ka përparim me përqindje të frikshme të shkurorëzimeve, të ndarjeve të bashkëshortëve, të divorceve. Braktisja në rrugë e fëmijëve na e përkujton romanin “Të mjerët” (Les Misérables, 1862) të Viktor Hygoit. Nuk arrihet përparim me mungesën e kodit etik në shoqëri. Mungesa e moralit shoqëror shpie në degjenerim. Ndodhemi në një kohë kur hajdutët nuk i nënshtroheni drejtësisë. Mund të vijë dita që vjedhësit, në vend që të dënohen sipas ligjit, të shpërblehen. Çfarë gjykate është ajo që një proces gjyqësor e zvarrit me vite. Edhe lënda gjyqësore më e ndërlikuar mund të përfundojë dhe të mbyllet brenda tre muajve. Zënkat midis deputetëve të partive oponente që ndodhin në Kuvendin e shtetit, ndodhin në rrallë vende të botës. Por përplasje midis subjekteve kundërshtare që zgjasin me vite, si në botën shqiptare, nuk kemi në asnjë vend të rruzullit.

Shteti s’ka mjete ajrore për shuarjen e zjarreve, kurse ti i vjedh paratë e shtetit për të blerë vilë për vete, në mos edhe për tët bir. Dhe i thua vetes shqiptar! A ke ndërgjegje ti, o i mjerë? Digjen malet, pyjet, pishat dhe stanet. Digjen edhe kafshët, kurse ti o sankilot i djeshëm, brenda natës na u bëre milioner!

Verën që lamë pas, Shqipëria suksesshëm u ballafaqua me zjarret. Për shuarjen e gjuhës së flakëve shteti përdori edhe mjete ajrore. Zjarrfikësit e Shqipërisë, përfshi edhe të tjerët që ndihmuan për shuarjen e prushit zhuritës, janë heronj të kombit.

Deputetet shqiptare vishen me rroba më të shtrenjta se deputetet e Dhomës së Lordëve (House of Lords) të Parlamentit Britanik. Në një vend ku nëpërkëmben normat etike, rrënohet edhe institucioni i familjes. Pa familje të shëndoshë, shteti shkon në dekadencë.

Shqipëria nuk duhet të bëjë politikë të madhe, politikë botërore. Politikë të madhe mund të bëjnë fuqitë globale siç janë ShBA-ja, Kina dhe Rusia dhe askush tjetër. Shqipëria nuk duhet të lejojë të shndërrohet në instrument të BE-së për ta sulmuar agresionin rus në Ukrainë. Këtë e bëjnë Fuqitë e Mëdha. Serbia, edhe pse e mbështet Rusinë, gëzon mbështetje të plotë nga fuqitë perëndimore, sidomos nga BE-ja. Nuk ekziston subjekti politik evropian, se po të kishte ekzistuar, Ivica Daçiqi nuk do të mund të deklaronte se flamuri serb përsëri do të valojë në Prizren. Kjo tregon se Serbia nuk është mbushur me mend. Ajo vazhdon me pretendimet territoriale. Si të mos vazhdojë kur Vuçiqi dhe bashkëpunëtorët e tij janë epigonë (pasardhës, imitues) të Sllobodan Millosheviqit dhe të Vojisllav Sheshelit. Përkundër kësaj deklarate të kriminelit të sipërthënë, Brukseli si deri tani, do të vazhdojë ta mbështesë Beogradin, do t’i japë ndihma financiare, do të investojë në ekonominë serbe, do të çelë në Serbi vende të reja pune në mënyrë që kryekrimineli i rajonit Aleksandar Vuçiq të vazhdojë t’i kanoset Kosovës, Kroacisë, Malit të Zi, Bosnjës dhe Hercegovinës, Maqedonisë. Ndaj Serbisë nuk u mor kurrfarë mase ndëshkuese, përkundër faktit se krimineli i luftës Ratko Mladiq u varros në Beograd me nderime shtetërore. Serbia në Kosovë dhe në BH ka kryer gjenocid. Si e tillë, ajo nuk mund të rehabilitohet, siç pretendon BE-ja. Regjimi komunist i Shqipërisë bënte politikë të madhe. E sulmonte ShBA-në si fuqi imperialiste, Rusinë si fuqi social-imperialiste, Kinën – revizioniste, Gjermaninë – militariste, Izraelin – sioniste. Luftë me mullinjtë e erës. Regjimi komunist i Shqipërisë me dekada e mbrojti kauzën palestineze, duke sharë njëherazi sionizmin çifut. Sot autoritetet palestineze vazhdimisht prononcohen kundër pavarësisë së Kosovës, duke zhvilluar në të njëjtën kohë marrëdhënie vëllazërore me Beogradin dhe Vuçiqin.

Shqipëria dhe Kosova duhet t’i harmonizojnë politikat e veta me politikën e BE-së, por jo edhe të bëhen instrumente të verbëta të Brukselit. Shqipëria dhe Kosova janë vende përmasash jo të mëdha, ndaj nuk mund të mbajnë mbi supe detyrime të rënda.

Shqipëria duhet të konsolidohet dhe të zhvillohet ekonomikisht në mënyrë që të mund t’i dalë zot edhe Kosovës. Një Shqipëri në konflikt me vetveten s’i del zot dot Kosovës. Filozofi dhe poeti gjerman Fridrih Niçe (Friedrich Nietzsche, 1844-1900) thotë:

“A je skllav, ti nuk mund të jesh mik, a je tiran, ti nuk mund të kesh miq”.

Shqiptarët duhet t’i japin fund shpërnguljes nga vatrat. Guri është i rëndë në vendin e vet. Shoqëria shqiptare s’ka nevojë për demagogji, për oportunizëm, për konformizëm. Shqiptarëve nuk u nevojiten poltronë. Çfarë akademiku është ai që s’e ka çelur gojën kundër partisë së vet, udhëheqësit e së cilës kanë abuzuar me pasuritë e popullit dhe të shtetit, sa kanë mundur. Çfarë intelektuali është ai që e mbyll gojën para ligësisë së hajdutëve, të vjedhësve, të vjedhacakëve?! Shqiptarët duhet t’i tregojnë botës se janë popull me aftësi shtetformuese. Shqiptarët duhet t’i tregojnë botës se janë popull historik dhe popull politik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok