23/12/2024

‘Shqipnia e Vogël’

0
Shqipnia-e-Vogel

Nga Blerim Latifi

Kjo është harta e asaj që quhej “Shqipnia e Vogël”, ose “Zona e Lirë e Komunës së Prekazit”. Hasan Prishtina, në një gazetë të Tiranës, e quante “Republika e Prekazit”. Për një vit rresht ajo qëndroi në këmbë duke mbajtur jashtë ushtarët, xhandarët dhe taksidarët e Serbisë. Gazetat e Beogradit shkruanin se aty vepronin mbi 300 burra të armatosur deri në dhëmbë, me armë të siguruara prej Italisë, nga Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, me seli në Shkodër. Në krye të tyre ishin Azem Bejta dhe Mursel Ahmet Delia.

Kur në qershor të vitit 1924 në Tiranë u rrëzua Zogu dhe në pushtet erdhi një formacion politik pjesë e të cilit ishte edhe Komiteti në fjalë, qeveria në Beograd, e frikësuar se Zona do të shërbente si pikënisje për organizimin e një kryengritje të re në gjithë Kosovën kundër pushtetit serb, vendosi ta zhdukte  Zonën e Lirë me dhunë.

Me 15 korrik 1924 disa formacione ushtarake të ardhura nga garnizonet e Nishit e të Shkupit e rrethuan gjithë Zonën, e cila brenda një dite u shndërrua në tokë të djegur nga artlileria dhe ushtria serbe. Rreth 100 njerëz u vranë dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur. Në mesin e tyre edhe Azem Bejta, i cili ia doli të dilte nga rrethimi i afërt dhe të strehohej në shpellat e Çyqavicës. Duke qenë i plagosur rëndë, ai do të binte në duart e serbëve nëse nuk do të vinin nga larg Bajçinovcët e Popovës së Llapit, të cilët atë dhe luftëtarët e tjerë të plagosur arritën t’i nxjerrin jashtë rrethimit të përgjithshëm të Zonës.

Më pas serbët nuk u mjaftuan me rrënimin dhe masakrimin e këtyre fshatrave. Ata filluan edhe politikën e ndryshimit të përbërjes etnike të tyre. Në oborrin e kullës së rrënuar të Azem Bejtës sollën një familje malazeze për të jetuar aty, ndërsa në një pjesë të madhe të territorit të Prekazit e Mikushnicës sollën qindra familje tjera serbe të cilave u dhanë toka e pyje. Në afërsi të tye e ndërtuan një shkollë në gjuhën serbe. Fëmijët e shqiptarëve detyroheshin me dhunë që të shkonin aty për të mësuar gjuhën dhe historinë serbe. Aq brutal ishte trajtimi i tyre saqë, siç tregonin ata që e mbanin mend atë kohë, me të hyrë brenda oborrit të shkollës nuk guxoje të nxirrje asnjë fjalë shqipe nga goja. Në të kundërtën pasonte ndëshkimi. Gjuha shqipe lejohej vetëm për përdorim familjar.

Kjo ishte fytyra e vërtetë e regjimit serb të asaj kohe. Pothuajse e njëjtë me atë të regjimit të Milosheviqit në vitet ’90 të shekullit të kaluar. Sot të shumtë janë ata që nuk e kuptojnë se pse shqiptarët e Kosovës e pritën me gëzim pushtimin fashist. Jo se ishin fashistë, apo se e simpatizonin atë, sepse as që ia kishin idenë se çfarë ishte fashizmi, por, thjesht dhe vetëm, se pushtimi fashist ua hoqi nga qafa një regjim që i konkuronte fashizmit me brutalitetin dhe racizmin që ushtronte mbi shqiptarët.

__________

Kur jemi tek problemi aktual me Manastirin e Deçanit dhe Kishën Ortodokse Serbe, ja një fakt historik shumë domethënës, të cilin e sjellin Bernd J.Fisher dhe Oliver Jens Schmitt në librin e tyre ma të ri “ Një histori koncize e Shqipërisë” : “Në vitin 1557 Perandoria Osmane e rivendosi Patriarkanën serbe në Pejë si mburojë kundër ndikimit habsburg dhe venedikas në Ballkanin perëndimor”.

Por në çka konsistonte kjo lloj mburoje?

Është krejt e qartë: në luftimin e kishës katolike shqiptare, e cila nga Sulltani konsiderohej si agjenturë e armiqve europianë brenda Perandorisë.

Për dy shekuj më pas, nën presionin strukturor sllavo-ortodokso- otoman, krishterimi katolik në Kosovë do të kthehej në një gërmadhë të plotë. Kjo është arsyeja pse sot në Kosovë manastiret ortodokse janë në gjendje shumë të mirë, ndërsa kishat katolike të mesjetës jo më shumë se një grumbull gërmadhash të mbuluara nga dheu dhe vegjetacioni.

Krejt çfarë ka mbetur prej tyre është një kujtesë e vagullt popullore në formën e toponimeve.

__________

Momenti kur kërset grushti e dajaku për mënyrën se si duhet t’i lutemi Zotit, është momenti kur para një shoqërie çelet dera e një bote të errët, të cilën Europa e ka jetu në mesjetë, e vende të Lindjes, si Afganistani, po e jetojnë sot.

Krejt ata që heshtin, që i mbyllin sytë e veshët dhe e kthejnë kokën në anën tjetër, në një apo tjetër mënyrë, i ndihmojnë ecjes drejt kësaj bote të errët.

__________

Në një katund, diku në Drenicë, në kohën e Turqisë, jetonte një burrë i fort i bezdisshëm dhe agresiv. Nuk linte njeri pa i rënë në qafë. Një ditë bashkëfshatarët e tij e pleqnojnë punën e tij dhe vendosin ta dërgojnë me paret e tyre në haxhillëk në Mekë, të nisur nga ideja se mbase kjo punë do ta zbus disi. Kur kthehet nga atje, me idenë se tani duhet të ketë ndryshuar për mirë, ata e presin në mënyrë festive, por ai, pa një pa dy, ua kthen: Ngoni knej, ju m’keni çu n’Qabe, por unë hala ai thiu i moçëm jam!

__________

Në kohën e shokut Tito me qenë jugosllav besnik në Kosovë ka nënkuptu:

– me besu verbërisht në mitin jugosllav të Bashkim-Vëllazërimit,

– me ditë serbishten mirë,

– me besu se nacionalizmi serb dhe nacionalizmi shqiptar janë njësoj të kqinj, dhe

– me e sha Shqipërinë kah të sillesh.

__________

Ne jemi ba një shtet i çuditshëm.Askush ma nuk mundet me na ra në fije.Me u çu Shqipëria me folë për ne, i çojmë hundët, pse foli? Mos me folë, pse nuk foli? Në njërën anë nuk jemi në gjendje me ba kurgjo t’hajrit për veten, e në anën tjetër na vjen mërzi kur Shqipëria bën diçka për ne. Kjo është politikë infantilësh, që u ka humbë rruga në oborr.

__________

Historia ma e bukur që tregohet për faktin se si shqiptarët i banalizojnë dhe i përdorin vend e pa vend akuzat për tradhti, është ajo e Preng Bibë Dodës, kapidanit të Mirditës.

Çohen peshë një ditë disa malsorë dhe ia zënë derën kapidanit. Kemi marrë vesh qe je tue dashtë me na shitë kapidan, e akuzuan ata. Kapidani i kqyri njëherë me sy, pastaj duke i ra ballit të vet me shuplakë, ua  ktheu: – O i mjeri unë për ju, po kén e kanë lanë mend me ju ble juve!

__________

“Unë jam mirë kur asht mirë Shqipnia!”

Nuk jam i sigurtë në e ka thënë me të vërtetë apo jo këtë frazë Isa Boletini, por sido që të jetë ajo e shpreh, në mënyrën më të drejtpërdrejtë, thelbin e lidhjes emotive që shqiptarët e Kosovës e kanë pasur me Shqipërinë, qysh nga koha kur midis saj dhe Kosovës u vendos dhunshëm njëri nga kufijtë më të poshtër në historinë europiane.

Prandaj, sot, secili shqiptar i Kosovës duhet të ndihet mirë për faktin se Shqipëria filloi negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Gëzuar!

__________

Ndalimi absurd i studentëve ndërkombëtarë të universitetit veror të Prishtinës që të vizitojnë Kompleksin Memorial “Adem Jashari’ në Prekaz, na e tregon një problem serioz: Memoriali më i rëndësishëm kombëtar i historisë moderne të Kosovës nuk është nën kujdesin e duhur të shtetit. Aty paska mundësi që secili kapadai e patriot i rremë të bëj ligjin dhe të vendosë se kush mund të hyjë apo të mos hyjë aty.

E turpshme dhe e patolerueshme!

Edhe studentët serbë është dashur të lejohen, sepse kështu ata, do të kishin mundësi me pa me sytë e tyre se çfarë ka bërë aty para 24 vitesh shteti i tyre. Po ashtu edhe mundësinë me u bindë se versioni që shteti serb vazhdon me e tregu për Adem Jasharin është një gënjeshtër makabre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok