22/12/2024

Shqipëria mesjetare

0
u1_Milan-Sufflay

Das mittelalterliche Albanien

Nga Dr. Milan v. Šufflay

Në shqip nga Lindita Komani

Për të arsyetuar aspiratat e Serbisë ndaj Shqipërisë, sidomos ndaj porteve të Durrësit dhe Lezhës, shtetarët serbë sjellin në lojë në radhë të parë çastin historik. Sipas Pašić dhe Gruić Shqipëria nuk ka të drejtë për autonomi, malësorët shqiptarë janë në fakt serbë, Shqipëria i përkiste vetëm perandorisë së Dushanit, Durrësi, Lezha dhe Shëngjini ishin dikur veçse porte serbe. Shkurt e thjesht, Europa tërë duhet ta dijë që serbët duan nga Shqipëria veç atë që dikur u përkiste atyre.

Nuk është vendi këtu që të hulumtohen arsyet psikologjike të parapëlqimit ndaj historisë tek politikanët sllavojugorë e as të provohen dhe të kritikohen metodat e përdorura nga sllavojugorët për ndërtimin e titujve të së drejtës historike. As nuk duam të merremi me çështjen se si çasti historik do të merret parasysh në ndarjen e ardhshme të Turqisë europiane. Qëllimi i këtyre rreshtave, është të skicohet një pamje objektive e Shqipërisë mesjetare (paraturke), përmes së cilës gjithsecili do të mund të shohë qartë. Së pari, që serbët nuk janë të vetmit që mund të ngrenë të drejta ligjore ndaj Shqipërisë; së dyti, që në historinë e Shqipërisë ka edhe çaste, që mund të sillen në lojë si për anektimin ashtu edhe për autonominë e saj; së treti e së fundmi, që shtetarët serbë më mirë të mos kishin folur për të drejtë historike pikërisht teksa flasin lidhur me portin kryesor shqiptar (Durrësin) të synuar për pushtim.

*

Shqipëria mesjetare sikurse edhe e sotshmja nuk përbënte një koncept të ngurtë gjeografik. Fillimisht (deri në shekullin XIII) e lidhur me një zonë të vogël në qytetin e Krujës në qendër, emri i Shqipërisë u rrit nga kjo zonë e ngushtë deri në Vlorë e malet e Himarës në jug dhe deri në Bar, madje deri në Kotor në veri. Në shkencën e historisë Shqipëria është pra një koncept konvencional dhe nënkupton rajonin malor në katërkëndëshin Bar – Prizren – Ohër – Vlorë. Këto janë hapësira, në të cilat shtresat primare etnike (ilire, trake) të bregdetit adriatik thuajse plotësisht të zhveshura nën ndërtimet e reja sekondare dhe terciare greke, romane dhe sllave ngrihen njëjtë si një monolit graniti i rrethuar nga dredhka i popullit dikur të madh ilir. Në kryqëzimin e diagonaleve të katërkëndëshit të sapopërmendur emri i Shqipërisë ishte i pranishëm që në kohët e ilirëve të lashtë; këtu ndodhej qendra e fisit me të njëjtin emër me qytetin Albanopolis (tek Ptolemeu), prej nga ku ky emër sidomos në gjysmën e dytë të mesjetës si pasojë e lëvizjeve ekspansive të barinjve shqiptarë të maleve gjithmonë e më shumë u përhap në mënyrë homogjene etnike por të shpërndarë,dhe prej Arbanonit të Bizantit, Rabanit te serbëve, Regnum Albanie të Anzhuinëve krijoi Shqipërinë e Dalmatëve dhe Venecianëve e deri Shqipërinë e sotshme, një koncept më shumë etnografik me përmasa shumë domethënëse, por mjaft të pacaktuar nga ana jugore.

Kjo zonë ishte gjithmonë një rajon kufitar par excellence, një kufi i gjuhëve, feve dhe fuqive. Produkti i kulturës së Lindjes dhe Perëndimit: bota greko-latine, gjithashtu bizantine-romane e qyteteve bregdetare vjen këtu në afëri të madhe me përzierjen barbare të elementit autokton shqiptar dhe atij serb të depërtuar. Njërin pranë tjetrit, tek drejtuesit e fiseve shqiptare ndeshim titullin bizantin protosebastos, sebastos, titullin latin comes dhe miles, atë sllav kaznac dhe vojevoda. Në rajonin e Durrësit kufizohen tre zona të mëdha të gjuhëve mesjetare të dokumentave: latinishtja, greqishtja dhe sllavishtja, sikurse edhe sot në vilajetin e Shkodrës ndeshen të gjithë tipet e kostumit popullor ballkanas: greku, rumano-bullgari, boshnjako-dalmati dhe serbo-malazezi. Katolicizmi gjendej këtu në luftë të vazhdueshme me ortodoksinë. Ndërkohë që metropoliti i Durrësit merr pjesë në sinodin e Kostandinopojës, peshkopi i tij ndihmës, peshkopi i Krujës, shfaqet në rajonin e brendshëm si një i besuar i Papës në kryengritjen e princit shqiptar kundër mbretit përçarës serb (1319). Krerët e dinastive shqiptare lëkunden shpesh mes dy kishave, më vonë mes katolicizmit dhe islamit.

Ndaj nuk është çudi që përmes perceptimit të këtyre hapësirave si orientale ashtu edhe oksidentale, tema Dyrrahium në kohën e fuqisë botërore bizantine u kthye në qendër të intrigave dhe sipërmarrjeve si kundër verilindjes sllave ashtu edhe kundër Italisë. Por pikërisht për këtë arsye Shqipëria mesjetare përbënte gjithmonë bazën e operacioneve të fuqive perëndimore kundër Bizantit. Mbi të u përqendruan fillimisht edhe sulmet e normanëve dhe napolitanëve. Në kohën kur nën Papën Johan XXII Europa ëndërronte për një kryqëzatë drejt Palestinës, në Bar ndodhej një arqipeshkv, domenikani Guillelmus Adae, një eksplorues perëndimor, i cili vëzhgimet e tij politike, në të cilët Shqipëria luan një rol për të mos u nënvlerësuar, i përmblodhi në “Directorium ad passagium faciendum” (1332). Pra më shumë se njëqind vite para luftës së madhe të Skënderbeut kundër turqve, ideja e rëndësisë të pozicionit të Shqipërisë aty-këtu ka përshkuar mendje të caktuara; në mënyrë të përgjithshme dhe të plotë ndërgjegjësimi ndodhi përmes luftës së përmendur, në të cilën Europa tërë u përfshi pjesërisht me interes të lartë, pjesërisht në mënyrë aktive. Shqipëria atëherë u bë e famshme dhe për këtë famë i detyrohet pozicionit të saj gjeografik. Lufta e Skënderbeut ishte epopeja e një vendi të spikatur kufitar, për këngën e fundit të të cilit punon pikërisht e tashmja…

Por Shqipëria nuk është thjesht një vend kufitar; në vetvete Shqipëria është monada e Ballkanit, në të cilën pasqyrohet krejt kozmosi i Ballkanit me nuancat e tij latine, greke, romane, bizantine, italiane dhe sllave, në të cilin ende sot shkëlqejnë kristale të shumtë të gjendjes fillestare, në të cilin ende sot është e dukshme ajo histori bazë e gadishullit Ballkanik, këmbëngulja e të cilit gjuhëve të Ballkanit iu nguliti një fizionomi të njëtrajtshme dhe ndikoi në krijimin e një karakteri të njëtrajtshëm të kulturës gadishullore mesjetare.

*

Karakteristika e mësipërme e Shqipërisë mesjetare është ende e pranishme sot, dhe pikërisht atributet e vendit kufitar dhe te monadës së Ballkanit, pra çastet etnike dhe kulturore, janë ata, të cilët nga një këndvështrim historik flasin për autonominë dhe neutralizimin e këtij vendi.

Por edhe vetë historia politike e Shqipërisë paraturke përmban disa shfaqje të cilat pa frikë mund të perceptohen si bërthamë e një trajte autonome, dhe të mëvetësishme. Nga njëra anë, tema bizantine Dyrrahium, që në shekullin XI mbretërohet nga një dukë dhe që nga venecianët (1204) u kthye në dukatën Dyrrahi e më pas nga anzhuinët (në 1272) u kthye në Regnum Albaniae. Lufta e Skënderbeut zgjoi në krejt Europën konceptin e Shqipërisë së mëvetësishme, dhe ka dëshmi që ideja e një Regnum Albaniae në tokën shqiptare deri në shekullin XVII ka mbetur në këmbë. Por nga ana tjetër shohim që në shekullin XIII në zonën e Krujës (1200 deri 1250) një dinasti drejtuese shqiptare (princa), në shumë breza (Progoni, Gjini, Dhimitri, Golemi) zhduken nën presionin e fuqive të huaja (por ndoshta vetëm për sytë tanë), por për t’u shfaqur menjëherë me fillimin e rënies së perandorisë serbe, tashmë nën emër të ri (Topia, Dukagjini, etj.)

Por ndërsa në përgjithësi edhe mund të pranohet që Shqipëria (e sotshme) asnjëherë nuk është njohur si tërësi politike, është po aq e vërtetë, që historia Shqipërinë në të njëjtën kohë e njeh vetëm në dy madje tre tërësi të mëdha, kështu që, nga një këndvështrim historik asnjë nga fuqitë e sotshme nuk mund të ngrejë një të drejtë ekskluzive mbi Shqipërinë.

Luhatjet e sferave të veçanta të fuqisë në Shqipërinë mesjetare mund të vëzhgohen më së miri, nëse kuptohen kthesat kryesore në fatet politike të qyteteve të veçanta shqiptare. Por ndoshta ky nuk është vendi për të bërë një paraqitje tabelare të këtyre kthesave. Do të mjaftonte të konstatohej që Shqipëria e veriut me qytetin Shkodër dhe portin e saj shumë të vizituar S. Sergius në grykëderdhjen e lumit Bunë, më tej me qytetet Bar, Ulqin, Shas, Drivost, nga shekulli XI deri në shekullin XV në të gjithë nuancat e mundshme, e pikërisht si regnum Diocliae, si mbretëri e pjesshme nën mbretin e ri (reges iuniores), pjesërisht (Dulcigno) edhe si pronësi e gruas së sundimtarit, më vonë nën familjen malazese Balšić, ndodhej nën pushtetin e serbëve. Por në të njëjtën kohë bërthama e Shqipërisë rreth Durrësit (qyteti në vitin 1040 u ndodh përkohësisht në duart e bullgarëve) sikurse edhe jugu rreth Vlorës u ndodh fillimisht nën bizantinët, më pas për një kohë të shkurtër (1204 deri në 1213) nën Venedikun, më pas nën despotët epirotë, të cilët këto qytete ia dhanë si prikë Manfredit të Siçilisë (1258), deri kur ajo ra nën pushtetin e Anzhuve napolitanë. Mbreti serb Dushani pushtoi krejt zonën e thellë me qytetin e Krujës (1343), gjithashtu edhe jugun me Vlorën dhe Janinën, por Durrësi mbeti në duart e anzhuinëve. (Por në këtë kohë shtrihej edhe pushteti nominal i mbretit hungarez Ludwig mbi Durrësin.) Në vitin 1368 ra edhe Durrësi, por jo në duart e serbëve, por të dinastit shqiptar Karl Topia. Më vonë, por kjo vetëm për një çast, Durrësi gjendet në pronësinë familjare të Balshajve armiq me Topinë dhe Balsha II mban titullin e kontit të Durrësit në vitin 1385, por Durrësi në vitin 1392 i dorëzohet Venedikut jo nga Balshajt por nga Gjergj Topia. Nga Balshajt Venedikut në vitin 1396 iu ofruan qytetet Shkodër dhe Drivost, dhe republika u mendua për një kohë, nëse me pranimin e këtyre qyteteve paqja me Hungarinë do të prishej ose jo (si intromittendo dicta loca contrafaceremus paci Hungariae). Lezha, për fatet e mëhershme të së cilës nuk kemi informacion të saktë, kalon në gjysmën e dytë të shekullit XIV në dorë serbe dhe shqiptare, por i shkon Venedikut (ngjashëm me Durrësin) jo nga dora serbe, por nga dora e familjes fisnike Dukagjini. Më vonë ishte në dorë të Kastriotëve, të cilët sipas origjinës dhe mjedisit të tyre sigurisht që nuk ishin serbë. Qyteti i vetëm, i cili si një mbetje direkte nga kohët e Dushanit, nga duart serbe bie direkt në ato turke (1417) është Vlora (Shëngjini thuajse nuk përmendet nga Skënderbeu në burime; në mesjetë ai nuk ishte një port shumë i vizituar) dhe qyteti i vetëm, i cili për ta thënë kështu nuk i ka përkitur kurrë serbëve, është Durrësi, pikërisht ai port, të cilin Serbia sot kryesisht duke iu referuar së drejtës historike do që ta pushtojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok