22/12/2024

Shqipëria dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara

0
u1_Alfred_Papuciu

Nga Alfred Papuçiu

Nuk pretendoj të bëj një vlerësim të posaçëm dhe të hollësishëm lidhur me marrëdhëniet e Shqipërisë me Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Vetëm se si pjesëmarrës aktiv në tetë sesione të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, në komisionin e çarmatimit, në mbledhjet e shumta për këtë çështje të rëndësishme dhe të tjera, lidhur me problemet e zhvillimit, të organizuara në Gjenevë, Paris, Vjenë, Bruksel, Rhodes, Nairobi, Kajro, Bazel, etj., mendoj të shpreh mendimin se përmendja e Shqipërisë, një nga 187 vendet anëtare të OKB-së, dy herë në raportin e fundit të sekretarit të përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Kofi A. Anan, me titull: „Parandalimi i konflikteve të armatosura në kuadrin e projektit „armët kundër zhvillimit“, si një nga projektet kryesore për parandalimin e konflikteve dhe të ndihmës për zhvillim, është një vlerësim i veçantë për një vend të vogël. Dhe kjo nuk është e rastit. Kjo dëshmon për interesimin e Kofi Ananit dhe organizatës së tij me prestigj, për një vend anëtar të saj si Shqipëria, për rrugën e zhvillimit dhe të ecurisë drejt demokracisë.

Strategjia e Kofi Ananit
Me t’u zgjedhur sekretar i përgjithshëm i OKB-së, ganezi Kofi Anan, i vuri vetes si detyrë kryesore që t’i rigjallëronte Kombet e Bashkuara, nëpëmjet nje programi të tërë reformash, për të forcuar veprimtarinë tradicionale të OKB-së në fushat e zhvillimit, të ruajtjes së paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe zgjerimin e respektimit të ligjshmerisë dhe të vlerave universale të barazisë, të tolerancës dhe të dinjitetit njerëzor që figurojnë në Kartën e Kombeve të Bashkuara. Përballë konflikteve ndërshteterore që kanë shpërthyer shpesh këto vitet e fundit, për shembull në Ballkan apo në një sërë vendesh afrikane, OKB-ja i ka zhvilluar veprimtaritë e saj të ndermjetësimit midis palëve në konflikt. Gjithashtu, Kofi Anan është përpjekur të vendosë besimin në opinionin publik tek Organizata që ai drejton, duke e zgjeruar me partnerë të rinj dhe sipas fjalëve të tij duke “i afruar Kombet e Bashkuara me popujt”. Nuk është e rastit qe Kofi Anan, në një ceremoni të organizuar në Gjenevë, më 7 qershor 2002, në prani të ministrit të Jashtëm zviceran, Joseph Deiss, mori titullin “Doktor Honoris Causa” i Universitetit të Gjenevës. Nuk ështe e rastit që sekretari i përgjithshëm i OKB-së mori çmimin Nobël të Paqes 2001. Ganezi Kofi Anan ka lindur më 8 prill 1938 në një familje të shefave tradicionale të tribusë Fante. Ai vazhdoi shkollën në fushën e shkencave në Universitetin shkencor dhe teknologjik në Kumasi, kreu licencën për ekonomi në Macalester College në Sent-Pol (Minesota) të Shteteve të Bashkuara, në 1961. Në 1961 dhe 1962, ai vazhdoi studimet e ciklit të tretë për ekonomi në Institutin Universitar të Studimeve të Larta Ndërkombëtare në Gjenevë. Në 1971 dhe 1972, me cilësinë e”Sloan Fellow” në Massachusetts Institute of Technology, Kofi Anan mori diplomën e Mjeshtërisë në shkencat e administrimit. Në sistemin e Kombeve të Bashkuara hyri në 1962 si funksionar i administratës dhe i buxhetit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Gjenevë. Para se të zgjidhet sekretar i përgjithshëm i OKB-së, më 1 janar 1997, ai kishte funksionet e nën-sekretarit të përgjithshem (mars 1992-shkurt 1993), pastaj zv-sekretar i përgjithshem për veprimet për ruajtjen e paqes (mars 1993-dhjetor 1996, prill-dhjetor 1996). Këto funksione përkuan me një rritje të veçantë të efektivave dhe të zgjerimit gjeografik të veprimeve për ruajtjen e paqes të Kombeve të Bashkuara. Në 1995, ato përfshinin afro 70.000 ushtarakë dhe civilë që vinin nga 77 vende. Në veprime të tilla paqeje kanë marrë pjesë edhe trupa nga Shqipëria. Midis nëntorit 1995 dhe marsit 1996, pas Marrëveshjes së paqes së Dejtonit, që i dha fund luftës në Bosnje-Herzegovinë, Kofi Anan ishte përfaqesues i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm për ish-Jugosllavinë, duke vëzhguar me këtë rast kalimin në Bosnje-Herzegovinë të Forcës mbrojtëse të Kombeve të Bashkuara, në një forcë multinacionale të venies në jetë të paqes nën drejtimin e NATO-s. Shkurt, më 29 qershor 2001, me rekomandim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e zgjodhi njëzëri Kofi Ananin për një mandat të ri si sekretar i përgjithshëm i saj, duke filluar nga 1 janari 2002 deri në 31 dhjetor 2006. Kolegët dhe funksionarët që kanë punuar me Kofi Ananin në Kombet e Bashkuara vlerësojnë sidomos cilësitë e tij si njeri që i dëgjon bashkëbiseduesit dhe prirjen e tij për ujdi. Nuk është e rastit që ai shprehet me një përfundim logjik, në këtë sentencë: “Kurrë nuk duhet zbarkuar diku duke menduar se di më tepër se vendasit”. Pra, edhe nëse shprehet dy herë për Shqipërinë në raportin e tij “Parandalimi i konflikteve të armatosura”, në kuadrin e projektit “armët kundër zhvillimit”, Kofi Anan thekson rolin që duhet të luajë qeveria kombëtare, shoqëria civile e çdo vendi qoftë që e ka kërkuar realizimin e një projekti të tillë, për të parandaluar konfliktet dhe për të konsoliduar aftësitë kombëtare. 
Siç thekson sekretari i përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan, në fjalimin e tij me rastin e dhënies së çmimit Nobël të Paqes: “Ne duhet, më tepër se kurrë, t’i vëmë vetes si detyrë të përmirësojmë kushtet e jetesës së individëve, burrave dhe grave, që përbëjnë pasurinë e një Shteti apo të një kombi dhe që i japin atij karakterin unikal”.

Shqipëria
Në këtë drejtim, vendi ynë, si anëtar i Kombeve të Bashkuara që nga viti 1955 dhe shoqëria jone civile kanë bërë hapa përpara. Por pa dashur të bëj një bilanc të hollësishëm dhe të jap vleresime të përgjithshme, si një qytetar i thjeshtë, dua të theksoj se shoqëria jonë aktuale duhet të mësojë, t’i përmbahet parimeve të Organizatës me prestigj të Kombeve te Bashkuara, të përfitojë sa më tepër nga programet dhe projektet e OKB-së dhe organizmave të tij, për të mirën e kombit tonë. Shqipëria është anëtare e një numri të konsiderueshëm organizmash ndërkombëtare të sistemit të Kombeve të Bashkuara. Një numër instrumentesh ligjore të këtyre organizmave janë ratifikuar edhe nga Shqipëria. “Karta e Kombeve të Bashkuara dhe Statuti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtesisë” është botuar në shqip, si dhe botime të tjera të organizatave ndërkombëtare me karakter politik, social, ekonomik, sindikal, kulturor. Shqipëria merr pjesë cdo vit në dhjetëra e dhjetëra mbledhje e seminare ndërkombëtare ku përfaqësuesit e saj flasin për probleme që e shqetësojnë vendin dhe rrugët që mendojnë për të kapërcyer vështirësitë. Një numër përfaqësuesish të organizmave të OKB-së janë vendosur në Shqipëri ose shkojnë herë pas here atje dhe japin ndihmesën e tyre në fusha me interes si të burimeve njerëzore, të legjislacionit, të ekonomisë, problemeve sociale, etj, etj. Por mendoj të ngre vetëm një nga problemet e rëndësishme që do të ndihmonte shumë edhe Shqipërine në kuadrin e sentencës së mesipërme të Kofi Ananit. Do të ishte e volitshme në kohën e sotme që Shqipëria të ketë edhe njerëzit e saj në këto organizma, kudo ku gjenden ato, për të përfituar sa më tepër nga projektet e bashkëpunimit apo në fusha me interes për zhvillimin e demokracisë, ligjshmërise, punësimit, arsimit, kulturës në vend. Deri tani “me pikatore” mund të gjesh funksionarë shqiptarë në to. Do të ishte mirë që larg interesave partiake, në këto organizma të dërgohen kandidatura të të rinjve apo njerëzve me përvojë, në fushat që mbulojnë ato dhe që dijnë gjuhë të huaj. Nga përvoja ime personale në disa organizma të Kombeve të Bashkuara, edhe shqiptarët mund të kenë vendin e tyre më të madh në to. Ka ikur koha, kur vite më parë edhe pse Shqiperia kishte të drejtë të kishte përfaqësuesit e saj, si shtet anëtar, në organizma ndërkombëtare, nuk mund të ishe funksionar në to, pasi nuk ishte e lejuar të flisje me amerikanin, rusin, izraelitin apo afrikano-jugorin. Ka ikur koha kur në ndonjë përfaqësi të Shqipërisë, përfaqësuesi, duke kujtuar se një funksionar ndërkombëtar i vendit të tij “i kishte zënë vendin” (?!!!), në një organizëm ndërkombëtar, lëshonte anatema kunder bashkëpatriotit të tij, tek përfaqësuesi i lartë i atij organizmi, duke “nxirë” më tepër fytyrën e vet dhe duke lënë një përshtypje tepër të keqe… Natyrisht, nuk është fjala dhe koha për të bërë një dyndje me kandidatura të fushave të ndryshme nga Shqipëria, por për të patur edhe Shqipëria njerëzit e saj në organizmat ekonomike, politike, sociale, shkencore, kulturore, të të drejtave të njeriut, të tregtisë dhe zhvillimit, të bujqësisë, mjedisit, telekomunikacioneve, të pronësisë intelektuale, në biblioteka etj. Përvoja e viteve ka dëshmuar se shumë përfaqësues shqiptarë të aftë në fushën e tyre, me gjuhë të huaj, kanë përballuar me sukses pjesëmarrjen në mbledhjet apo seminaret e organizmave të sistemit të Kombeve te Bashkuara, si dhe punojnë me dinjitet në to, duke ndihmuar në ecurinë e projekteve dhe programeve të bashkëpunimit me Shqipërinë apo me vendet e rajonit të Ballkanit. Përfaqesues nga Shqipëria kane marrë pjesë në veprimet e ruajtjes së paqes në disa zona të botës, në vëzhgimin e zgjedhjeve në vende të ndryshme, në projekte bashkëpunimi rajonal etj. Edhe organizimi i veprimtarive për Shqipërinë në këto organizata do të ndihmonte për njohjen më të mirë dhe reale të Shqipërisë, të shqiptarëve, të kulturës, artit, zakoneve dhe virtyteve të tyre të mira, pasi disa herë me pa të drejtë Shqipëria megjithëse i përket gjeografikisht dhe si tërësi Evropës, “nxihet” nëpër televizionet e huaja apo shtypi i bulevardit. Mjafton të përmend vetëm një fakt domethënës se gjatë vitit 2001 dhe 2002, Shqipëria është përfaqësuar në Pallatin e Kombeve në Gjenevë me tre ekspozita pikture, të cilat e kanë rritur numrin e dashamirësve të saj. Vetëm në Gjenevë ka 19 organizata nderkombëtare, nga të cilat 8 i përkasin sistemit të OKB-së, si dhe më tepër se 170 organizata jo-qeveritare. 148 shtete kanë nga një përfaqësi në Gjenevë. Gjithsej janë mëse 30.000 vetë, diplomatë dhe funksionarë ndërkombëtarë dhe familjet e tyre që ndodhen në Gjenevë, ose 7 për qind e popullsisë lokale.

E ardhmja 
Shembulli i mësipërm, është vetëm një rast midis dhjetra e dhjetra të tjerëve ku Shqipëria eshte ndjerë me zërin dhe veprën e saj. Do të ishte gjithashtu e volitshme të ftohen akoma më tepër, herë pas here, funksionarë të lartë dhe përgjegjës të projekteve për zhvillim të organizmave të Kombeve të Bashkuara, vizita që mund të ndihmojnë në realizimin e projekteve me vlerë për vendin tonë, si dhe për të dhënë një imazh realist të mundësive dhe potencialit të Shqipërisë. Më kujtohet se si vite më parë “luftonim”, një grup i vogël punonjësish që merreshim me organizatat ndërkombëtare, për të siguruar bursa studimi për pasuniversitarët tanë në Paris, Trieste, Romë, etj., apo udhëtime studimore për mjekët tanë, për punonjësit e bujqësisë, blegtorisë, pyjeve, inxhinierët e naftës apo të telekomunikacionit, informaticienët apo punonjësit e fizikës bërthamore etj. Dhe kënaqësia jonë më e madhe ishte kur ata sillnin diçka të re nga pjesëmarrja e tyre në to, sillnin një të re në fushën e tyre. Më kujtohet nga puna ime në disa organizma në Gjenevë, kur kolegë të mij më ofronin mundësi për bursa e udhëtime studimore për specialistët tanë. Vetem se në këto raste duhej vepruar shpejt dhe jo të mendohej se do të shkoj “iks mik i filanit”, por njerëzit që e meritojnë dhe që mund të përfaqësojnë denjësisht vendin tonë. Mundësitë e sotme janë kolosale pasi edhe njerëzit tanë janë më të përgatitur për një botë të re, për Evropën, demokracinë dhe shtetin e së drejtës.

Në fund, desha të theksoj se gjithçka thashë më sipër jane vetëm mendimet e mija personale, që nuk angazhojnë kërkënd tjetër. Gjithçka e shpreha nisur nga dëshira e mirë që vendi ynë të meritojë atë që i takon në familjen e madhe të Kombeve të Bashkuara: Organizata e Kombeve të Bashkuara ka një buxhet vjetor prej rreth 1, 8 miliardë frangash dhe 3,2 deri në 3,7 miliardë franga për misionet e ruajtjes së paqes. Prandaj dhe vetëkuptohet pse kudo në botë flamuri i kaltërt i Kombeve të Bashkuara është një shenjëe shprese. Atë e sheh kudo në kamionet apo çadrat e mikpritjes së refugjatëve, në thasët me ushqime apo mjetet shëndetësore. Ato të kujtojnë se bashkësia e popujve është solidare me ata që vuajnë dhe janë në nevojë jetike.

Gjenevë, më 9 qershor 2002

Botuar në librin „Meditim për shqiptarët, Europën dhe Kombet e Bashkuara“ /Toena/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok