03/05/2024

SHQIPËRIA DHE BULLGARIA MUNDIN RUSINË NË ORGANIZATËN E KOMBEVE TË BASHKUARA!

0

Nga Frank Shkreli

Ka kohë që Rusia po zhvillonte një fushatë  serioze në radhët e diplomatëve ndërkombëtarë në Nju Jork për t’u kthyer në Këshillin e Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Njeriut – pasi antarësimi i Moskës në këte ent të OKB-ës ishte anulluar, vitin e kaluar, si shkak për invadimin e Ukrainës nga Rusia. Por, megjithë ato përpjekje skandaloze të Kremlinit, të martën që kaloi, një shumicë e vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara i dërguan një mesazh të fortë – në nivel ndërkombëtar — regjimit të Putinit. Rusia humbi në mënyrë dërmuese në votimin që u zhvillua në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të martën e kaluar. Një shumicë vendesh i thanë “njet” Moskës duke refuzuar të votonin regjimin rus të Putinit si anëtar të Këshillit të Drejtave të Njeriut të OKB-së, për shkak të invadimit të Ukrainës nga Rusia.

Si përfundim, duke filluar nga 1 Janari i vitit 2024, përfaqësues të Evropës Lindore në këtë Këshill do të jenë Shqipëria dhe Bullgaria, dy vende të kësaj zone gjeografike, që siguruan më shumë vota se Rusia në Asamblenë e Përgjithëshme të OKB-së. Sipas burimeve të OKB-së, në votimin e fshehtë të vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme, të martën që kaloi, Shqipëria siguroi 123 vota ndërsa Bullgaria mori 160 vota për antarësim në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, kundrejt Rusisë e cila — megjithë përpjekjet lobiste — siguroi vetëm 83 vota nga vendet anëtare të OKB-së.  Pa dyshim se kjo votë kundër antarësimit të Rusisë, nga shumica e 193 vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithme në Nju Jork, pasqyron moskënaqësinë, me pushtimin e vazhdueshëm të Ukrainës nga Rusia — të një shumice dërmuese të vendeve të botës.

Antarësimi i Rusisë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së është anulluar prillin e vitit të kaloi, menjëherë, pas invadimit të Ukrainës nga Rusia putiniste. Ambasadori i Polonisë pranë OKB-së, Krzysztof Szczerski u citua të ketë komentuar votimin e fshehtë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kundër antarësimit të Rusisë në këtë Këshill me vota dërmuese, si diçka që nuk mund të ndodhte ndryshe, duke marrë parasysh vazhdimin e invadimit rus të Ukrainës.

Ndërkaq edhe organizata jo qeveritare mbrojtëse e të drejtave të njeriut, me qendër në Nju Jork — Human Rights Watch – reagoi, nepërmjet një zëdhënsi (Louis Charbonneau), duke u shprehur në lidhje me refuzimin e vendeve anëtare të OKB-së për të votuar në favor të Rusisë, “Shtetet anëtare të OKB-së i dërguan autoriteteve ruse një sinjal të fortë: se nuk ka vend në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut – për një qeveri që është përgjegjëse për një numër të madh krime lufte, si dhe për krime kundër njerëzimit.”  Ndërkaq, agresioni rus në Ukrainë vazhdon, ndërsa një numër hetimesh të organizatave ndërkombëtare kanë akuzuar Moskën për abuzime dhe shkelje të drejtave të njeriut. Madje, Gjykata Ndrëkombëtare e Krimeve ka lëshuar një urdhër për arrestimin e Presidentit rus, Vladimir Putin, pikërisht, në lidhje me akuzat për deportimin e fëmijve ukrainas nga Ukraina në Rusi.

Sidoqoftë, tani dihet se janë Shqipëria dhe Bulgaria që do të përfaqësojnë (zonën  gjeografike), vendet e Evropës Lindore, në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, për periudhën 2024-2026.

Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB-së është enti kryesor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, përgjegjëse për të mbrojtur dhe për të avancuar liritë themelore të njeriut, në nivel botëror. Si i tillë, ky ent që përbëhet nga 47 vende anëtare të OKB-së që zgjedhen me votë të fshehtë nga shumica e vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme — është themeluar në vitin 2006.

Gjatë historisë së saj, Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe entet e saj ka patur mbështetsit por edhe kritikët e saj. Një prej kritikëve të OKB-së ka qenë ish-Presidenti i Shteteve te Bashkuara, Ronald Reagan i cili e akuzonte organizatën botërore si një vend-strehim për regjimet diktatoriale të botës dhe për shkelësit dhe abuzuesit e të drejtave bazë të njeriut. Një, ku kriminelët dhe abuzuesit e të drejtave të njeriut, mbikqyrin shkelsit e këtyre të drejtave dhe kriminelët e tjerë, ëshrë një shprehje që përdoret shpesh nga kritikët e këtij wnti të Kombeve të Bashkuara!

Njëri prej këtyre diktatorëve sot konsiderohet edhe Vladimir Putini i Rusisë i cili donte që vendi tij – megjithëse i akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerzimit — të gjente strehim edhe njëherë si anëtare, në një nga entet e të drejtave të njeriut të OKB-së, duke u përballur me Shqipërinë dhe Bullgarinë, si përfaqsuese të Evropës Lindore. Vota e pjesës dërmuese të përfaqsuesve të botës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, tregoi se lobimi i Kremlinit për të siguruar antarësimin në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, dështoi, në garën e Rusisë përball Shqipërisë dhe Bullgarisë. Në garën me Rusinë, me votë fshehtë, fituan Shqipëria dhe Bullgaria, për një mandat 3-vjeçar, si përfaqsuese të Evropës Lindore në Këshillin e të drejtave të Njeriut to OKB-së!

Vendet dhe diktatorët që abuzojnë dhe shkelin të drejtat e njeriut dhe që kryejnë krime lufte dhe krime kundër njerzimit nuk duhet nuk duhet kurrë të jenë anëtar të një enti që pretendon se mbron të drejtat universal të njeriut – qoftë ai ent edhe Këshilli i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut – misioni i të cilit është mbrojtja dhe promovimi i këtyre të drejtave të njeriut në nivel botëror nga abuzimet e regjimeve dhe diktatorëve sknadalozë të kësaj bote !

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok