SHPËTIMTARE ËSHTË POEZIA… EDHE KUR NJERIU TRADHTOHET NGA NJERIU…
Nga Visar Zhiti
Poezia është shpëtimtare… – shkruan dhe thotë gazetaria italiane Marzia Borzi, ajo lexon poezi sidomos kur ndjehet e stresuar nga koha, – poezia m’i bën mirë shpirtit, – shpjegon, – më duhet dhe kur përfshihem nga misteret e vdekjes… – dhe rendit librat me poezi që ka lexuar së fundmi, madje nga secili libër lexon një poezi, me pasion të thjeshtë dhe ia këshillon lexuesit miqësisht t’i lexojë gjatë këtij nëntori…
Ajo, pa bërë kritikun akademik, kompetentin e kompleksuar, eruditin e shtirur, që na ka ndodhur të njohim përreth, që pasi ka dështuar në krijimtarinë e tij të mirëfilltë apo letërsia e Realizmit Socialist që i ishte përkushtuar, i mbetur në masë me ushtën e urrejtjes, sulmon kuturu si një don Kishot modern, kështu i duket, apo si ca të tjerë që u kujtuan të lexojnë tani për militantizëm ideologjik a llapaqenër të vënë, të përndjekur nga marrëzia e tyre e pistë e që janë në shërbim ende dhe s’durojnë dot lirinë e tjetrit, pa le arritjet dhe çmaskohen dhe nga dashamirësia e shtirur dhe vreri u nxin buzëve ashtu si në shkrime…
Por më mirë le të dëgjoj gazetaren italiane, poezitë që lexon që të shpëtoj dhe unë nga s’e di çfarë, nga ca gjendje të së kaluarës që duan të bëhen dhe të së tashmes, i përsërisin shqiptarët dhe në metropole, janë praktika dhe bëma të mbartura, mendësi dhe shije neveritëse që i sollën kontrabandë këtej, për t’i përzjerë me përfitimet kapitaliste, por kjo është çështje tjetër, madje e tyrja, etj, etj.
Unë po ndal te gazetarja italiane Marzia Borzi, po dêgjoj poezinë e radhës… e pesta, e gjashta.. më befason aty nga pasminuta e 7-të, kur merr librin tim, që ka dalë këtë vit në Itali, “Rrugë që rrjedhin nga duart e mia/ Strade che scorrono dalle mie mani” dhe lexon me zërin kumbues në italisht poezinë:
VAZHDIMISHT TRADHTOHET NJERIU
– nga Visar Zhiti –
Vazhdimisht tradhtohet njeriu,
nuk e kam fjalën për ditën e tij
që befas bëhet mbrëmje,
as për mbrëmjen e flokëve të tij
që zbardhet e bëhet ditë e heshtur
pleqërie.
Tradhtohet njeriu
S’e kam fjalën që dhe varri i tij vdes dhe emri
Shndërrohet në barë të kalbur
harrese.
Por njeriu tradhtohet vazhdimisht
nga njeriu.
Dhe kur gjysma ha gjysmën
S’bëhet më e tëra,
Më tha një plak që u plak burgjeve.
Faleminderit gazetares italiane! – them me vete. Dhe të mendosh që këtë poezi e kam shkruar në burg, dikur, fshehurazi, pa besuar se do të lirohej ndonjëherë, poezia kështu, që do të dilte nga telat me gjëmba, pa le të përkthehej e të botohej në një vend tjetër, aq poetik si Italia dhe që një gazetare do ta lexonte si terapi shpirtërore dhe unë do ta dëgjoja sot.
Dhe askush nuk është ngritur deri më tani kundër saj, të shkruajë a të komentojë siç mund të ndodhte ndër ne, se ku i gjeti ata emra e ata libra, që s’i kemi lexuar, kur ne kemi vlerësuar të tjerë, ou, paske dhe një shqiptar, pse na i kundërvë këta etj, etj, kur ajo vazhdon të lexojë poezi.
Po si kështu, u dashkan ende dhe poezitë e burgut? – pyes veten. Ndoshta janë si përgjigje ndaj atyre që kanë burg brenda kokave të tyre, pa qenë në burg dhe që e donin aq shumë për të tjerët, por edhe s’ja u durojnë dot sot, se shquhen siç nuk duan ata, etj, etj.
Por bota di ta lexojë poezinë. Edhe kur nuk është e shkruar, – shtoj. Dhe sa shumë duhet ajo.