26/12/2024

SHPËRFAQJE INTRIGUESE PËRMES KUJTESËS HISTORIKE

0
Mehmetali-Rexhepi-Lekura

Mbresa leximi nga romani “Lëkura e gurit” të Mehmetali REXHEPIT

Nga Xheladin MJEKU

Përvoja e dëshmuar narrative e Mehmetali Rexhepit në krijimtarinë e deritashme reflekton ngritje cilësore të vazhdueshme. Ky reflektim del i pandryshueshëm edhe në këtë prozë, ku përjetohet po ai vëllim foljor dhe shtjellim tematik cilësor i ngjarjeve si modele të përvetësuara mirë, që ngërthejnë një tërësi të motiveve në konstruktimin e fabulave të veprës. Romani “Lëkura e gurit” si përcaktor tematik dhe si simbolikë e qëndrueshmërisë së vazhdueshme kundruall çdo sprove tronditëse në  jetë, me plot rreziqe, por vazhdimisht i përshkuar nga vrulle jete të krye-protagonistit Moti, defilomi i tij i kujdesshëm në çdo situatë, me shkathtësitë në përballjen me ngjarje të shumta që do t’i imponohen; ndërtojnë ngjarjen të konceptuar në një periudhë të gjatë kohore. Këto veprime të paramenduara apo episodike shpërfaqen si një spektër i kompozuar ngjarjesh në boshllëkun e zhvillimeve të kohës.

Ndërtimi i kompozicionit nga dhjetë pamjet-kapituj në roman, si një fushë-arenë e përhershme, ku defilojnë protagonistë e dytësorë të shumtë, pasqyrojnë një kohë relativisht të gjatë të shtjellimit të ngjarjeve biografike-historike në rrugëtimin e mundimshëm e plotë krajata të Motit. Këto dhe shumë përvoja tjera do t’i shërbejnë për përballjen dhe tejkalimin e intrigave jetësore, që e përshkojnë zhvillimin e ngjarjeve në vazhdimësi.

“E doja mësuesin Cen. Ishte nga ata mësues të menjëhershëm të pas Luftës së Dytë Botërore. Trup shkurtë e thatanik. As i bardhë, as i zeshkët. Jo mjaftueshëm i qeshur. Dukej se kishte moshë vjetërsie dhe nuk pritej t`i shkëlqente secilën herë fytyra. Diçka si ndrojtje e pa dëftuar e rrethonte…”  Shpalos kujtimet për mësuesin, që i trason rrugën e jetës, ku shqetësimet i vijnë paralelisht të pandryshuara me kohën, me zymtësinë, frikën, rreziqet, por edhe me krenarinë që e përvetëson pikërisht nga mësuesi i tij, si një model shkëmbor i të pamposhturit në situata të tilla.

Shtjellimi veprues i ngjarjeve vazhdon të jetë në qendër të ndërtimit të kompozicionit të veprës, prej nga përvijohen situata e personazhe të shumtë. Në këto relacione Motit do t’i ”përfytyrohej babai, një kosëtar bari, të shumtën i ngrysur,” ku pasqyrohet ”zymtësia e vijueshme”, si identifikim me kohën dhe situatat e krijuara. Trajtimi i fenomeneve të ndryshme që perceptohen, këtu vijnë të shtjelluara me kujdes, meqë autori, që në nismë do të vejërojë shumë devijime shoqërore.

“- Nga të gjitha këto kategori frymorësh, e di ti Vijon kush di dhe, kush ankohet më së shumti e më së prekshmi për dhimbjen? Hë:

– S`do mend, njeriu. – Ishte më se e qartë për Vijonin. Madje Vijoni sikur ia përcaktoi kahen e drejtimit të Motit në ligjërimin e tij.” Transformimi i ngjarjeve në përditshmërinë e zhvillimeve e bëjnë interesante jetën e Motit, i cili me kujdes ndjek çdo zhvillim, i shtrënguar të përballet me pengesat që do t’ia parashtrojë koha.

Invencioni organizativ i romanit në fokusin përmbajtësor, sa vjen e merr formën e tij, ku gërshetim ngjarjesh në transformimin e tërësisë narrative krijojnë relacionet e mëtutjeshme të veprimeve të Motit, tashmë i përcaktuar të ndërtojë “një shtëpi prej vargjesh”, si do të shprehet pastaj: “Përjetësisht u lidha me shkrola, me këto hulli të zeza, me të cilat mëtoja të mbillja diçka nga dhimbjet e ngazëllimet, nga fati im i pleksur me fatet e të tjerëve. Fatet nuk ishin të ngjashme, por, meqë ishin të një relievi njerëzor kishin puqjet e tyre”. Në këtë prizëm ngjarjesh do ta gjejë veten, për ta vazhduar rrugën e tij prej krijuesi, me përballjet e shumta në jetë, që herë akuzohet për bashkëveprim me të tjerët për shpërndarje afishesh, herë ndiqej si i dyshimtë për veprimtari armiqësore ndaj pushtetit, etj… Kështu ai po bënte punën e tij prej njeriu të vendosur në rrugëtimin e përcaktuar, që në rininë e tij të hershme, ku liria individuale, liria e popullit dhe e atdheut ishin pikëtakimi i përbashkët në çdo segment të jetës. Ai tashmë po ndërtonte “Poemën e gjallë”, i ndrojtur, por vendimtar në rrugëtimin e tij të pandalur, pavarësisht nga sprovat që ia sillte ajo kohë skëterrë.

Romani, ”Lëkura e gurit”, prek kujtesën historike dhe ndërlidhjen e tërësisë zhvillimore të ngjarjeve deri në ditët e sotme, që përkufizojnë jetën e larmishme të Motit, duke ruajtur frymën moderne të narracionit, që e karakterizon krijimtarinë e Mehmetali Rexhepit, i dëshmuar denjësisht edhe në veprat e tij të mëparshme.

Prishtinë, gusht 2024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok