SHPENDI TOPOLLAJ FTON MIQTË NË KUVEND!
“Nëse kombit tim i humbin shpresat, atëherë do t’i jap të miat”. – Branko Merxhani
Libri “Flisni miq”
Nga Kadri Tarelli
Pak dit më parë, në javën e dytë të vjeshtës së tretë, 2021, Shpendi Topollaj botoi librin e tij “Flisni miq”. (Kritikë letrare, publicistikë), i fundit në radhën e botimeve që nuk rreshtin, si në kohë qetësie aq më shumë tani në rrëmujë pandemie.
I mirënjohuri kritik Fatmir Minguli, njëkohësish edhe redaktor i librit, e quan Shpendin “Një shkrimtar i çuditshëm”. Ai e shtjellon gjerë e gjatë mendimin e tij, sa krijues aq edhe interesant. Por unë sapo përmenda radhën e botimeve që s’kanë të sosur, si një vrull rinor në shkrime e fjalime pa fund, në shtyp e veprimtari të ndryshme, këtu në Durrës, Tiranë, Vlorë, Berat, Shkodër, madje edhe në Dardani, në Strugë, Peje, Prishtinë, Prizren, etj, etj.
Që në ballinë më zgjon fantazinë, një gjetje e çuditshme, piktura ilustruese e Andre Martines De Barros, një portret i përkryer mendimtari apo filozofi, ndërtuar veç me libra, që nga kapelja, balli, sytë, hunda, faqet e mustaqet e trasha, e deri te mjekra e dendur. Aq fantastike është, sa mendon se nuk është Shpendi, por “portreti” që fton miqtë të ulen shtruar, për të folur në këtë kuvend të diturish, shkrimtarë, poetë, dramaturgë, historianë e studiues, ushtarakë, mjekë, sportistë, etj. Një galeri e tërë krijuesish, ku secili ka fytyrën e tij të ndërtuar mbi mendimin dhe fjalën e mençur.
Kjo është ndeshja e parë dhe sipërfaqësore me ballinën, por kur hyn në brendësi të librit, thua: O zot! Sa e larmishme është jeta, por po aq e madhërishme është edhe bota e shkrimeve! Çdo libër apo krijim është një univers më vete, siç është edhe shpirti e mendja e çdo krijuesi. Askush nuk i ngjan njëri-tjetrit. Më kot mundohemi t’i grupojmë apo t’i përgjasojmë me të tjerë, qofshin këta edhe më të shquarit e botës.
Si zot kuvendi në “Odë burrash”, Shpendi e merr i pari fjalën për të hapur bisedën me miqtë e tij të shumtë, duke i ftuar të flasin me librat dhe nëpërmjet librave të tyre. Ai e nis kështu bisedën: “Pak fjalë si përshëndetje për Vilhelme Vranarin”. “Vivra”:
“Ndofta ka ardhur koha që qytetarët dhe pushtetarët e këtij qyteti heroik, (Vlora), që gjithmonë kanë ditur të vlerësojnë kontributet kombëtare, t’i ngrenë asaj një të tillë statujë, në nderim të përpjekjeve të pareshtura, si për të përjetësuar mjaft figura të lëna në harresë. Gjerdani saj janë librat që ka botuar”. Bukur! Por mjafton vetëm një pyetje e thjeshtë nga unë: – Vetëm për kaq? – Dhe Shpendi të hapë kompjuterin e kujtesës, e do më thotë: “Ti vetë e ke quajtur “Vivra je Vullkan që shpërthyet vonë”, sepse filloi të botojë kur mbushi 55 vjet moshë, pasi më parë i ndalohej, meqë ishte e fisme nga një derë fisnike. Më pas ai do më rendisë çmimet dhe vlerësimet e shumta, si këtu në Shqipëri, ashtu edhe nëpër botë, duke vazhduar me pyetjen që vetë i jep përgjigje: – Pse pak të duken ty?: “Mjeshtre e Madhe e Penës” dhe “Medalje ari”, dhënë nga Presidenti i Republikës, ose “Ikonë e letërsisë botërore”, nga Akademia e Shkencave, Letërsisë dhe Arteve Indiane, “Pena e kristaltë” në Suedi, etj, etj. Veç këtyre është anëtare e “Akademisë Shqiptaro-Amerikane e shkencave dhe arteve”, me seli në New York. Mos harrojmë veprat studimorë për historinë dhe filozofinë, ku disa kanë kërkuar 15, madje edhe 25 vjet punë të mundimshme kërkimore. Po marr të fundit libër, që porsa doli nga shtypi “Kanina e Lashtësisë dhe Princi Gjergj Arianiti”. (Studim) me mbi 400 faqe, me dokumente dhe foto.
E di që Shpendit do t’i vijë mirë kur t’i them fjalët e të madhit Viktor Hygo, sepse edhe vetë ai, i përdor me shumë mjeshtëri mendimet e çudibërësve të botës, i cili diku thotë: “Njerëzit e mëdhenj e bëjnë vetë piedestalin, e ardhmja u ngre përmendore”. Përgjigja do të jetë e beftë: – E vërtetë! Vivra e ka ngritur vetë piedestalin dhe përmendoren, por deri tani ka mbetur vetëm nëpër letra, shkrime e libra, që mbushin raftet e bibliotekave dhe i këndojnë vetëm ata që merren me lexime e studime, ndaj duhet bërë më shumë. Meriton një përmendore që ta shikojë i madh e i vogël, ta njohë për fytyrë dhe të frymëzohet. Më e pakta një emër shkolle, meqenëse është diplomuar për mësuese.
Nëse do ta vazhdoj kështu bisedën, më duhet t’i them Shpendit, të bëj unë një libër të dytë, sepse janë edhe shumë bashkëbisedues të tjerë, autorë librash me vlerë. Lexuesi këtu në libër i ndesh kështu me radhë, emrat: Halil Rama, “Mjeshtër i madh”, në librin plot mirësi “Fluturojnë shqipet mbi Korab”, Pol Milo, një shkrimtar me të ardhme, Thanas Gjika, shkrimtari që edhe atje larg jeton me hallet e atdheut të tij, Ja dy fjalë të tij, që lenë shenjë në kujtesë: “Intelektuali i përgjegjshëm, edhe në hënë po të jetë, sytë e mendjes dhe të zemrës te vendlindja do t’i ketë. Atdheu gjithmonë të ndjek pas si hije”.
Shpendi e vazhdon “bisedën” me Mumin Shutaj nga Dardania, poet, studiues dhe folklorist i shquar atdhetar, Viktor Canosinaj me romanin “Hija e mbretit”, Bashkim Hoxha në romanin me frymë filozofike, më tej Rezo Çulli, labi që rend pareshtur drejt nektarit të poezisë. Në bisedë bashkëngjitet durrsakja Teuta Dhima, që flet me natyrën si me shoqet e saj, Bashkim Kadiu, durrsaku që harton librin madhor “Enciklopedi e vlerave”, beratasi Dritan Çoku me “Kullat e sahatit në Shqipëri”, libër me temë krejtësisht të veçantë, që ju deshën plot 14 vjet punë, detari Dashamir Janina, me librin dinjitoz për detin dhe njerëzit e tij. Më tej kënaqet me sarkazmat therëse të Dorian Agalliut, që demaskon veset e shoqërisë. Autori ndryshe flet me veprimtarin Koçi Tahiri, hartues i disa librave, ku ndeshim dashurinë e madhe për njerëzi dhe krahinën e Gorës, pa lënë jashtë kuvendit edhe mësuesin dhe drejtuesin veteran Besim Dema, që shpalos dashuri për nxënësit, kolegët dhe vendlindjen, etj, etj.
E veçanta e këtij libri “Flisni miq”, që s’të lëshon nga dora, qëndron gjetkë: Jo shumë te harmonizimi i rrëfimit me ndodhi nga mitologjia, si kur do të na mbushë mendjen, se jeta kështu ka rrjedhur që në lashtësi, veç me pak ndryshim: në kohë të tjera, në vende të tjerë dhe me njerëz të tjerë. Mendoj se e papritura qëndron te ftesa për polemikën e ditës, si në politikë dhe në përditësinë e jetës sonë qytetare. E gjitha e trajtuar në formën e letrave dërguar personaliteteve, por edhe opinionit shoqëror, si kambanë alarmi, për t’u ngritur të lebetitur, duke bërtitur: “Ç’do të thotë sot Faik Konica për shqiptarët?”.
Gati të gjitha këto shkrime janë publikuar në shtypin e ditës, për të mos mbetur vetëm pronë e librit dhe e pak lexuesve. E thënë më shkoqur: Kudo ndjehet guximi i Shpendit për ta thënë me forcë mendimin e tij, drejtpërdrejt, pa dyzime e zbukurime që ngjallin dyshime e hamendësime, duke kërkuar ballafaqim e rrahje mendimesh mbi të vërtetën e hidhur. Nuk gaboj të them se është një guxim i këtij autori, që rrallë e ndeshim në jetën publike, e thënë dhe shpërfaqur nga një shkrimtar dhe njeri i letrave shqipe. Me bindje them se kjo e vendos Shpendin në një pozitë të lakmueshme, nderimi dhe vlerësimi të admirueshëm.
Në fund të librit, gjykimi ynë si lexues për vlerat e tij, është fare i thjeshtë për të nxjerrë përfundime, mjafton të rishikojmë titujt e shkrimeve: “Vrasja e pabesë e Mustafa Gjinishit, ende akuzon”, “Letër e hapur z. Rustem Peçi: Të bashkohemi!”. Është një shqetësim i kahershëm i autorit, si i mjaft intelektualëve të tjerë, me ide për bashkimin kombëtar, si një plagë e pa mbyllur në trupin e kombit. Vetë Shpendi para do kohësh, i paraprin këtij synimi, me romanin “Pajtimi”. Në vazhdim janë disa shkrime mjaft të mprehta që godasin politikën dhe politikanet e sotëm: “Askush nuk ka të drejtë t’i ngatërrojë më tej Shqiptarët dhe të sillet si padron i tyre”, “Lërini talljet me këtë popull që u besoi sinqerisht”, “Deri kur o politikanë të paaftë, do e lini Shqipërinë vasale të të huajve?”, “Unë jam me ty Limoz Dizdari”, etj, etj.
Libri nuk mbyllet këtu dhe kështu, sepse shpalos edhe anën tjetër të Shpendit, si qytetar e krijues me shpirt human dhe vlerësues për jetën dhe veprat e artistëve, piktorëve, mendimtarëve, sportistëve, historianëve, pa harruar edeh njerëzit hallexhinj, etj. Lexoni pak tituj shkrimesh, për t’u bashkuar plotësisht me mendimin e këtij autori me prodhimtari të begatë dhe të pasur me kolorit frymëzimi, mbështetur mbi vlera njerëzore të vërteta, të jetuara, të prekura e të dëgjuara, të thëna e të paharruara. Lexo: “Urime Prof. Dr. Nuhi Vinca, në 90-vjetorin e lindjes”, “Faruk Kalleshi një emër i madh i sportit shqiptar”, “Arben Kristani, piktori dhe njeriu i respektuar”, Ruzhdi Rraklli, njeriu dhe piktori që nderon qytetin”, “Vlerësim i merituar për Doktorin e shkencave Sali Hidri. Më pas, për të falur e ngjallur pak dhembëuri: “Të verbrit meritojnë gjithë vëmendjen e shoqërisë tonë”, etj, etj.
Duke përfunduar, unë i bashkohem mendimit të poetes Myzejen, qëndisur me fjalë arti dhe përcjellë në hyrjen e këtij libri, ku shprehimisht, thotë: “Shihni pak ato katër a pesë librat e trashë, që janë shkruar për të dhe veprën e tij, ku ai fluturon në një qiell të lirë dhe të trazuar njëkohësisht, midis dëshpërimit për ato që nuk shkojnë si duhet dhe thirrjes optimiste për pajtim”
Urime Shpendi! Prodhimtaria juaj letrare nuk reshtet këtu.
Të bindur presim edhe shume libra të tjerë me po kaq vlerë.
Kadri Tarelli
Durrës. Vjeshta e tretë, 2021.