SHPELLA E PRIFTIT
(Tregim)
Nga Meti Rexhepi
Rrënjë e shtrirë tej Gjadrës e Përdrinit dhe tej Raguzës, me dije të nxënë në University of Padua, ishte e pararendësit të Gazullëve… Gjon Gazulli astronom, matematikan dhe diplomat shqiptar në Evropën e shekullit pesëmbëdhjetë. Fara e lozes së Gazullëve nisi rrënjëzimin dhe çeljen e lule-ëndjeve në Malësinë e Veriut, që rrethonte Shkodrën si shqiponjat krah hapura mbi antikën e qytetit, sogjetarë të çerdheve të veta. Loza e tillë kapi përmasën evropiane të çeljes… Farë e lakmuar për pastërtinë e gjenit dhe të trurit, për racën dhe besimin, për burimoren e dishepullit të krishterimit dhe të etnisë. Farë për kanosje të plotësisë… përballë shigjetave të zilisë, asimilimit e zhbërjes…
Ku mund ta takonte Kujtesa, vashë me mëtime virgjëreshe, Priftin e Shkrelit? Natyra për Kujtesën ishte e ashpër, shkëmbore, me shkurre dhe e zhveshur, me shtresime shkëmbinjsh dhe plasaritje kjasinash, vija gurrash për rrjedhje pas afshesh të avujve të deteve e të florës. Këndej ashpërsisë ngjit-zbrisnin malësorët nën shqiponjat sogjetare. Shtegtimeve të Priftit, si rëndomë, i dilnin para pjerrtësitë, tatëpjetat dhe djersë ece-jakësh, por para të gjitha lëvizjeve të gjymtyrëve, i ecte mendja. Ajo ia linte prapa fizikun e bukur… Mendja i vegjetonte për çdo grykë, për secilën tumë, për secilin patronim, për emërtim drurësh, për faunën në lëvizje dhe për harlisjet e florës. Ngjit-zbritjet atij relievi nuk ishin të mallkuara, as gjakohej ndonjë udhë tjetër e sheshtë mes shkrepave. Ai nuk bartte veçse peshën e trupit… Bartte farë mendjeje për t’ua kultivuar shpirtrave. Shpirtrat e malësorëve rronin sipërfaqësisht të lëvruar. Të pambjellë… Brenga e Priftit ishte: me se të lëvrohej, me ç`farë të bekuar të mbillej dhe, si të vilej fryti i shëndosh i besimit? Zoti nuk e kishte mallkuar krejtësisht Malësinë e Madhe, por një “murtajë” pritej t’i kalonte lugjet e grykat… Në lakadredhën e ecjes rridhte një krua i cemtë, një sy-mali i ftohtë, i hollë sikurse ajri që thithte Prifti dhe, ia freskoi parandjenjën ogurzezë të arritjes deri te kisha. Kambanorja, altari në brendi, simbolika e ikonave të sakrificës për paqen e tokës dhe të qiellit dhe sytë e lutësve, sapo u ndërvarën në dy pikat e tij të pamjeve dhe, ndërsjellash do të shkreheshin në pika shiu në atë kthjelltësi kaltërsie…
– Sa e mistershme kjo botë e urrejtjes dhe, me gjithë lutjet e të mirëve të botës nuk po mund të zbutet urrejtja ndërmjet njerëzve?!
Dendur i sillej e nuk i pushonin spiralet e një këso pyetjeje Priftit me llambën e iluminizmit përherë në mendje, zemër e në duar. Ishte pyetje që ngërthente përgjigje etike dhe jetësore. Përgjigjet nuk e shpinin në fundin fatlum.
– Çka t’iu them besimtarëve të devotshëm, që nuk ia them vetës?
Dom Nikolla gjithnjë i shmangej djerrinës në shpirt. Pos në lutjet dhe shërbesat e kishës për malësorët, nuk e takoje kot sa herë doje.
Vasha Kujtesë prore mëtonte ta ruante virgjërinë e vet, mirëpo gjithnjë vinte duke u plakur. Harresa, si një hajn i paskrupull, mund t’ia vidhte dëshmitë e t’i ruante për djallëzitë ose marrëzitë e veta. Mirëpo, Kujtesa vigjilonte: në cilin anames të shkelte pa u anatemuar shpirtërisht dhe politikisht? Matej të dëshmohej e pa-anshme, e panjollë, për të qenë dëshmitare dinjitoze për ndodhitë e murtajës, për piketimet e personazheve bartës tipikë të asaj murtaje gjakatare. Prifti mbetej i palëkundur: prore ishte në anën e filozofisë biblike dhe etnike! Lutësit e devotshëm deshën ta kishin para altarit dhe ikonave Priftin, si njeriun e flijim-ngërthesës së tyre:
“Ati ynë që je në qiell
bukën tonë të përditshme falna sot!”
Larg Kujtesës do të mbetej vetëm shqiptimi koral i kësaj formule, e cila për gjysmë shekulli u shqiptua nën kapakun e mbyllur të heshtjes. Me hiret e saj të kthjella, pas mjegullës së hirtë të diktaturës, Kujtesa, dukshëm e lënduar, e vëzhguar si e përdalë, dëshmoi për ajrin e thithur me pluhur kronikash, dorëshkrimesh e librash të Priftit në Bibliotekën françeskane. E ndjekur si lavire nga personazhet e aparatit shtypës, Kujtesa doemos hyri në qerthuj kokash për të mos u dukur prej syrit, për të mos u ndier prej veshëve përndjekësh, inkuizitorëve të njëmendësisë.
Kujtesa kishte pohuar me gojën e Benedikt Demës erudicionin e Priftit të Gazullëve: “N’dë Shkodër pamë Romën e Dytë”, një arkitekturë shpirtërore “Per Emnit t’Birit t’Atit e t’Shpirtit Shejt!” Hirësia e Tij zgjerohej sikurse retë e mbarsura me shi për t’i dhënë njomështinë Luginës së Përroit të Thatë në Shkrel. Hipur në piramidën e njërës prej kreshtave, dëshmitarja e ngazëllyer dëftoi:
– Lypeni “Fjalori toponomastikë”, mandej “Fjalorthi i ri” i Hirësisë Tij Dom Nikollë Gazulli, me pseudonimin “Galasius!”
Dom Nikollë Gazulli (mik i Joklit, i Shuflait, i Fishtës, i Mjedës, sikurse bashkëvëllai i tij prej Janjevës, Atë Shtjefën Gjeçovi), gjithnjë bartte mbi supe thesin për kërkim-gjetje dhe qërim të gjetjeve onomastike të folmes së lashtë të para-ardhësve ilirë. Gjëma e torturave mbi viktima të zbatuesve të murtajës, jehonte gjithandej larg, larg, shumë ma larg se kambanorja e Katedrales së Shkrelit. Dora e zgjatur sllavë-bizantine shtrihej për kapje të shpirt-bardhit Imzot Gazullit. Ajo dorë i kapërcente përmasat e dorës biologjike të gjymtyrës njerëzore. Kishte qindra-mijëra koka, qindra mijë gishtërinj e kanibalë dhëmbë-hienash… Prifti prej bibliotekës dhe meshës iu kthye grykave, shpellave, madje ishte fshehur në zgavër lisi! Me vete kishte fragmente bëmash të Jezuit; veshjen me sedrën e shqyer të teshave të etnisë, tërë urtësitë dhe psalmet e nëmura e të fyera… Kishte qiellin, bardhësitë dhe errësimet e kontrasteve, vështrimet e shqiponjave sogjetarë, kundërmimin e barit dhe të drurëve, larje të fytyrës prej vrushkujve të mjegullave bredharake, shkëlqimin vrastarë të borës nën diellin e brymtë. Kishte habinë e pa-rëndomtë të faunës bashkë-fqinje, shushurimën e kaheve të erës mbi trupin pa jorgan, i shndërruar në termometër, gjaku i të cilit shënonte ngritjen dhe uljen e skajshme të temperaturave të motit! Mizori e vetmisë, e aortave që ngrijnë e shkrijnë gjakun. Ëndrra me makthe kuçedrash e lugetërish…
Ishte vetëm një çast i shtytjes, për dalje prej ferrit të shpellës për në bujtinën e Kanunit: shtëpia asht e Zotit dhe e mikut. Mësymja tek oda e atij të zoti të shtëpisë, “mik-mirit”, tek ai i veshuri me tirq e xhamadan, me besën e pangjyrë… I tillë dukej i kamufluari i besëprerjes, i bukë-prerjes, i qafë-prerjes me thikë dhe, një klithmë: a-a-a-a-h-h!… Gejzer i shkulmave prej gjaku!…
Deri atëherë Dom Nikollën e ruajtën si dorëzanë: arinjtë e pas letargjisë dimërore, gjarpërinjtë e ndërrimit të dy lëkurëve, lukunia e ujqërve të uritur të kallnorit, qentë, stuhitë e acarta, mjegullat, rrebeshet e breshrit… Nuk e balsamosën akullsitë e kallnorit, as e thau shpirti asketik i shuarjes së epsheve njerëzore por, e vrau uria e besës?! Besa kishte pasur urinë më të tmerrshme të mundshme, porse fitoi krupën e përhershme të ndotjes prej saj! T(m)err e gërdi!…
Një qerre e heshtur druri, me ca malësorë të ngrysur, sikurse vetë vdekja, përcillte të Përndriturin Dom Nikollë Gazullin me pikëllimin e fshehur thellë në palcë në një varr të Stërkujes. Varri u rrethua me gurë, cekëtinë e shpifur për thellësi përpirësish. Le ta zbulonte era për aq sa rronte Kujtesa. Zoja Prendë do t’ua dëftojë gjëmën motrave të Nënës Terezë, e ëma e Don Pjetrit i dëftonte Prendës…
Po ashtu, Kujtesës i dëshmuan të vërtetën për shpellën e fshehjes së Dom Nikollës… Mirëpo, më parë se dëftimi i Prendës, një bariu nga tufa e deleve iu kishte shmangur një kec. Të nesërmen e lypjes për gjetjen e kecit, i futur në një shpellë, me blegërimën: be-be-be ishte identifikuar keci dhe shpella! Në shpellën prej pesëmbëdhjetë-njëzet metrash ishte parë një shtrat, një kovë uji dhe copa thëngjilli… Pikërisht këtu për katërmbëdhjetë muaj ishte fshehur eruditi, albanologu, etnologu, urtari i udhës së Zotit Atë Nikollë Gazulli!
Ndërmjet një të çare të gurit si dritësore, Dom Nikollë Gazulli shihte, pas çastesh të lëbyrjes, kontrastet e dritës të stinëve. Dalja e tërësishme në dritë i kishte ndjellë çastin fatal të jetë-fikjes prej bartësve të “murtajës…”
Pas shtatëdhjetë e pesë vjetësh në Vrith të Shkrelit, “Fjalorit onomastik” të Dom Nikollë Gazullit iu shtua toponimi “Shpella e Priftit”. Në këtë shpellë Ai gjalloi fillikat, i ruajtur prej fqinjësisë paqësore të faunës, i gjurmuar prej egërsirash të dykëmbëshave… Gjithsesi, nuk është thjeshtë një toponim, as shenjë abstrakte e onomastikës shqiptare. Është emërtimi i një toponimi të jetuar me trup e shpirt, me shpresë deri në skajin e lajthitjes saj!
Tashmë lotët mungojnë, i mori me vete Kujtesa e plakur.
Gjilan, prill 2022