SHPALLJA E PAVARËSISË, AKT ME RËNDËSI HISTORIKE – 112-vjetori i shpalljes së pavarësisë
Nga Prof. Xhelal Zejneli
Fitoret e shteteve ballkanike i detyruan Fuqitë e Mëdha të rishikonin vendimin e tyre për të mos lejuar ndryshimin e status quo-së në Ballkan, në të mirë të aleatëve ballkanikë. Patriotët shqiptarë që ndodheshin jashtë atdheut vendosën të ndërmerrnin një veprim të ri politik, krahas atij të “Shoqërisë së zezë për shpëtim”. Duhej të mblidhej një kuvend kombëtar që do të parandalonte copëtimin e Shqipërisë dhe do të ruante tërësinë tokësore të saj. Nismën për këtë veprim e morën Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi, të cilët mendonin se do të kishin përkrahjen e Lidhjes Trepalëshe. Ata u nisën nga Stambolli dhe arritën në Bukuresht, ku më 5 nëntor 1912 organizuan mbledhjen e kolonisë shqiptare të atjeshme. Aty u vendos të themelohej një “komitet drejtonjës” që të merrte në dorë qeverinë vendi; të krijohej një komision që do të shkonte në Evropë për të mbrojtur përpara qeverive të Fuqive të Mëdha të drejtat kombëtare të popullit shqiptar. dhe një komitet në Bukuresht, që do të bashkërendonte veprimtarinë e komiteteve të tjera brenda dhe jashtë Shqipërisë. Mbledhja e Bukureshtit nuk përcaktoi qartë në do të kërkohej autonomi a pavarësi. Për këtë qëllim Ismail Qemali me shokë shkoi në Vjenë, ku bisedoi me ambasadorin Leopold Berhtold (Leopold Berchtold, 1863-1942) si dhe me ambasadorin italian.
Ideja për mbledhjen e një kuvendi në Shqipëri që do t’u paraqiste Fuqive të Mëdha kërkesat e popullit shqiptar, kishte gjetur përkrahjen e qeverisë austro-hungareze. Berhtoldi e njoftoi Ismail Qemalin se se Vjena ishte për një Shqipëri autonome. Por, autonomia në kuadrin e Perandorisë Osmane tashmë nuk kishte asnjë kuptim. Ushtria osmane në Ballkan ishte shpartalluar në të gjitha frontet. Trupat serbe, malazeze dhe greke kishin hyrë thellë në tokën shqiptare.
Në këto kushte e vetmja zgjidhje e drejtë e çështjes shqiptare ishte ajo e shpalljes së pavarësisë. Më 19 nëntor 1913 Ismail Qemali deklaroi në Trieste se “…sapo të mbërrinte në Shqipëri do të shpallej pavarësia dhe do të zgjidhej qeveria e përkohshme…”. Në Vlorë tanimë ishte formuar komisioni për përgatitjen e mbledhjes së kuvendit kombëtar. Ismail Qemali dhe bashkëpunëtorët e tij arritën në Durrës më 21 nëntor 1912. Bashkë me atdhetarët durrsakë vendosi t ngrinte në qytetet flamurin kombëtar. Kundër këtij veprimi reaguan autoritetet osmane të ndihmuar nga armiku i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, dhespot Jakovi.
Të shoqëruar nga delegatët e Durrësit, të Shijakut, të Tiranës dhe të Krujës Ismail Qemali me shokët u nisën për në Kavajë. Që andej kaluan në Fier, ku u takuan me delegatët e Kosovës. Më 25 nëntor arritën në Vlorë. “Një zjarr i shenjtë patriotizmi kishte pushtuar qytetin ku kisha lindur … “ shkruan Ismail Qemali në kujtimet e tij.
Më 26 nëntor 1912 ai ngriti një komision organizues dhe u dërgoi pleqësive të katundeve një qarkore, me të cilën porositeshin t’i mobilizonin njerëzit e aftë për armë dhe t’i mbanin në gatishmëri. Ndërkohë ushtria serbe i afrohej Durrësit, Tiranës, Krujës dhe Elbasanit. Më 25 nëntor Elbasani shpalli i pari pavarësinë. Të nesërmen atë e shpallën Durrësi dhe Tirana, ndërsa më 27 nëntor – Kavaja, Peqini dhe Lushnja. Në mbrëmjen e 27 nëntorit, delegatët që ndodheshin në Vlorë, vendosën të mblidhnin të nesërmen kuvendin kombëtar.
Më 28 Nëntor 1912, në orën 14, u hap në Vlorë Kuvendi Kombëtar. Në mbledhjen e parë të Kuvendit morën pjesë 37 delegatë, të cilët u shtuan gjatë ditëve që pasuan, duke arritur në 63 vetë, që përfaqësonin të gjitha viset shqiptare. Pjesa më e madhe e tyre ishin udhëheqës dhe veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Delegatët të Kuvendit ishin: nga Vlora: Ismail Qemali, Zihni Abaz Kanina, Aristidh Ruci, Qazim Kokoshi, Jani Minga, Eqrem Bej Vlora; nga Shkodra: Luigj Gurakuqi; nga Berati: Sami Vrioni, Ilias Vrioni, Taq Tutulani, Babë Dud Karbunara; nga Skrapari: Xhelal Koprenca, Hajredini Cakrani; nga Lushnja: Qemal Mullai, Ferit Vokopola, Nebi Sefa; nga Dibra: Myfti Vehbi Dibra, Sherif Lengu; nga Mati: Ahmet Zogu, Riza Zogolli, Kurt Agë Kadiu; nga Ohri dhe Struga: Zyhdi Ohri, Dr. H. Myrtezai, Nuri Soilliu, Hamdi Ohri, Mustafa Baruti, Dervish Hima; nga Durrësi: Abaz Celkupa, Mustafa Hanxhiu, Jahja Ballhysa, Dom Nikollë Kaçorri; nga Tirana: Abdi Toptani, Murat Toptani; nga Shijaku: Xhelal (apo Xhemal) Deliallisi, Ymer Deliallisi, Ibrahim Efendiu; nga Kruja: Mustafa Merlika-Kruja; nga Elbasani: Lef Nosi, Shefqet Daiu, Qemal Karaosmani, Dervish Biçaku; nga Peqini: Mahmud Kaziu; nga Gramshi-Tomorrica: Ismail Qemali Gramshi; nga Gjirokastra: Azis Gjirokastra, Elmaz Boçe, Veli Harxhi, Myfid Libohova, Petro Poga, Jani Papadhopulli; nga Përmeti: Veli Këlcyra, Syrja Vlora; Tepelenë: Feim Mezhgorani; nga Janina: Kristo Meksi, Aristidh Ruci; nga Çamëria: Veli Gërra, Jakup Veseli, Rexhep Demi, Aziz Tahir Ajdonati; nga Delvina: Avni Delvina; nga Korça: Pandeli Cale, Thanas Floqi, Spiro Ilo; nga Pogradeci: Hajdar Blloshmi; nga Kosova, Gjakova dhe Plava-Gucia: Rexhep Mitrovica, Bedri Pojani, Salih Gjuka, Mid’hat Frashëri, Mehmet pashë Derralla (i Tetovës), Isa Boletini, Riza Gjakova, Hajdin Draga, Dervish Ipeku, Zenel Begolli, Qerim Begolli; nga kolonia shqiptare e Bukureshtit: Dhimitër Zografi, Dhimitër Mborja Emanuel, Dhimitër Berati, Dhimitër Ilo.
Isa Boletini mbërriti me 400 luftëtarë kosovarë më 29 nëntor. Për shkak të rrethanave të luftës nuk mundën të merrnin pjesë Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi, Sait Hoxha etj. që ndodheshin në burgun e Beogradit, si dhe Bajram Curri, i cili, ndonëse u nis për në Kuvend, u pengua nga luftimet gjatë rrugës.
Pjesëmarrja në Kuvend e delegatëve nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, duke përfshirë edhe ato që ndodheshin të pushtuara nga ushtritë serbe, malazeze dhe greke, i dha atij karakterin e një asambleje kombëtare mbarëshqiptare. Kjo ishte shprehje e vendosmërisë së të gjithë shqiptarëve për t’u bashkuar në shtetin e vet kombëtar, në të cilin do të përfshiheshin të gjitha viset shqiptare.
KUVENDI KOMBËTAR I VLORËS – Kuvendi i zhvilloi punimet e tij nga 28 nëntori deri më 7 dhjetor 1912. Kuvendi mori vendime që ndërlidheshin me hedhjen e themeleve të shtetit shqiptar dhe me njohjen ndërkombëtare të tij. Duhej të zgjidheshin qeveria dhe Pleqësia. Duhej caktuar një përfaqësues që do të shkonte në Evropë, për të mbrojtur çështjen shqiptare. Detyrë parësore ishte njohja e pavarësisë.
Kryetar të qeverisë Kuvendi zgjodhi Ismail Qemalin, ndërsa nënkryetar dom Nikollë Kaçorin. Ismail Qemali vuri në dukje se në rrethanat e krijuara nga Lufta Ballkanike, e vetmja udhë shpëtimi ishte ndarja e Shqipërisë nga Turqia. Propozimi i tij u miratua njëzëri nga delegatët, të cilët nënshkruan dokumentin historik për Pavarësinë e Shqipërisë, ku thuhej: “Shqipëria me sot të bëhet më vehte, e lirë e mosvarme”. Pas kësaj u ngrit madhërisht flamuri kombëtar i Shqipërisë përpara mijëra njerëzve që ishin mbledhur jashtë selisë së Kuvendit. Oratorët atdhetarë, si Jani Minga, Murat Toptani etj. me fjalime të zjarrta evokonin luftërat e popullit shqiptar për liri.
* * *
Në shpalljen pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Deklarata e Pavarësisë u nënshkrua nga 40 delegatë. Pas shpalljes së pavarësisë, Kuvendi i Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së pavarur, të drejtuar nga Ismail Qemali si dhe Pleqësinë.
Pjesën në gjuhën shqipe të deklaratës e hartoi Luigj Gurakuqi. Deklaratën e shkroi Shefqet Dajiu. Deklarata është e shkurtër dhe është shkruar me dorë. Deklarata e Pavarësisë ka këtë përmbajtje:
“Në Vlonë më 15/28 të Vjeshtës së Tretë 1328/ 1912. Pas fjalëve që tha z. Kryetari Ismail Kemal beu, me të cilat tregoi rrezikun e madh në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një za venduan që Shqipëria më sot të bahet në vehte, e lirë e mosvarme”.
Nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë kanë qenë:
Ismail Qemal Vlora (1844-1919) – Ngriti flamurin në Vlorë. Kryetar i Qeverisë së Përkohshme, ministër i Jashtëm, diplomat, guvernator. Më 28 nëntor, ngriti flamurin shqiptar në Vlorë. Shpalli në Vlorë pavarësinë e Shqipërisë. Nënshkroi i pari Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Ismail Kemal”. U zgjodh kryeministër Qeverisë së Përkohshme Ndihmoi lëvizjen e armatosur të shqiptarëve në kryengritjet e përgjithshme të viteve 1910-1912. Më 22 janar 1914 jep dorëheqjen dhe pushtetin ia dorëzon Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Largohet nga Shqipëria për në Itali ku edhe vdes në rrethana të dyshimta më 24 janar 1919.
Dom Nikollë Kaçorri (1862-1917) – Klerik i lartë, atdhetar dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare. Mori pjesë në lëvizjen politike, kulturore dhe kombëtare. Gjatë kryengritjes së Kurbinit të viteve 1905-1907, hyri si ndërmjetës midis popullsisë dhe administratës osmane që të shmangte gjakderdhjen. Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit (1908) dhe në Kongresin e Elbasanit (1909). Përfaqësues i krahinës së Durrësit në Kuvendin Kombëtar të Vlorës ku u zgjodh nënkryetar i qeverisë së përkohshme. Deklaratën e Pavarësisë e nënshkroi me siglën ”Kaçorri“.
Vehbi Dibra Agolli (1867-1937) – Klerik i lartë, veprimtar i lëvizjes kombëtare shqiptare. Në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin e Dibrës, mbështeti alfabetin me shkronja latine të Kongresit të Manastirit. Më 28 nëntor 1912, në krye të delegatëve të Dibrës, mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës ku u zgjodh kryetar i Pleqësisë. Ka luajtur rol të rëndësishëm në organizmin e kryengritjes shqiptare të vitit 1913 kundër pushtimit serb në zonën e Dibrës. Në vitin 1920 mbështeti përpjekjet për rimëkëmbjen dhe demokratizimin e shtetit të pavarur shqiptar.
Jorgji Karbunara (Bab Dud Karbunara) (1842-1917) – Atdhetar dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare. Punoi për hapjen e shkollave shqipe në Berat. Në Kuvendin Kombëtar të Vlorës ishte përfaqësues i Beratit. Deklaratën e Pavarësisë e nënshkroi me siglën ”J. Karbunara“. Në këtë Kuvend, u zgjodh anëtar i Pleqësisë.
Elmas Boçe (1850-1925) – Në vitin 1880 mori pjesë në organizimin e degës së Lidhjes së Prizrenit në Gjirokastër. Ndihmoi në hapjen e shkollës shqipe të Gjirokastrës “Liria”. Në nëntor të vitit 1912 u zgjodh delegat i Gjirokastrës në Kuvendin e Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e nënshkroi me siglën ”Elmas Boce”
Qazim Kokoshi (1882-1945) – Veprimtar për përhapjen e gjuhës shqipe, atdhetar, njeri me pikëpamje demokrate. Zgjidhet delegat i Vlorës në Kuvendin e Gërçes në vitin 1911. Në nëntor 1912 mori pjesë në Kuvendin e Vlorës. Aktin e Pavarësisë e nënshkroi me siglën ”Qazim Kokoshi”. Në vitin 1921 u zgjodh deputet i qarkut të Vlorës në Këshillin Kombëtar. Regjimi komunist e arreston dhe burgos. I izoluar në hetuesinë e Vlorës, vdes nga torturat.
Jani Minga (1872-1947) – Veprimtar i shkollës shqipe, i Rilindjes Kombëtare dhe i lëvizjes demokratike të viteve 1920-1924. Ishte ndër nismëtarët e hapjes së klubit patriotik ”Labëria” dhe i shkollës së parë shqipe në Vlorë (1908). Në nëntor të vitit 1912 u zgjodh delegat i Gjirokastrës në Kuvendin e Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e nënshkroi me siglën ”J. Minga”.
Rexhep Mitrovica (1888-1960) – Veprimtar i lëvizjes kombëtare, intelektual, deputet, ministër, kryeministër. Në Kuvendin Kombëtar të Vlorës mori pjesë si delegat i Pejës. Ishte një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë. Një nga themeluesit e Partisë Kombëtare (1914), anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. U zgjodh senator i Kosovës në Këshillin Kombëtar të Lushnjës.
Dhimitër Tutulani (1875-1937) – Veprimtar i lëvizjes kombëtare. Në nëntor të vitit 1912, zgjidhet delegat i Beratit në Kuvendin historik të Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e nënshkroi me siglën “Dh. Tout.”. Në vitin 1918 ishte delegat në Kongresin e Durrësit. Në vitin 1920 – delegat në Kongresin e Lushnjës. Në vitin 1925 ushtroi detyrën e kryetarit të Bashkisë së Beratit.
Abas Dilaver (Çelkupa) (1850 – 1926) – Veprimtar i lëvizjes kombëtare. Në vitet 1905-1907 u lidh dhe bashkëpunoi me atdhetarët e njohur të asaj kohe si Dom Nikollë Kaçorri etj. Priti në Durrës Ismail Qemalin e më pas, bashkë me delegatët që e shoqëronin atë, mori pjesë – si delegat i Durrësit – në mbledhjen e parë të Kuvendit të Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e firmosi me siglën “Abas Dilaver”.
Shefqet Dajiu (1882-1946) – Veprimtar i përhapjes së gjuhës shqipe dhe i lëvizjes kombëtare. Në nëntor të vitit 1912, zgjidhet si përfaqësues i Elbasanit në Kuvendin e Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e nënshkroi me siglën “Shefqet Daji”. Në vitet 1920-1923 ishte deputet i Elbasanit në parlamentin shqiptar. Në vitin 1945 arrestohet. Vdes në burg në vitin 1946.
Xhelal Koprencka (1876-1919) – Nismëtar për hapjen e shkollave shqipe në vitin 1908 në Skrapar, veprimtar i lëvizjes kombëtare për pavarësi. Zgjidhet delegat i Skraparit në Kuvendin e Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e firmosi me siglën “Xhelal Ko.”. Zgjidhet anëtar i Pleqësisë.
Hajredin Cakrani (1860-1940) – Në vitet 1908-1909, bashkëpunoi ngushtë me klubet atdhetare ”Labëria” të Vlorës dhe të Filatit. Delegat i Mallakastrës në Kuvendin e Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e firmosi me siglën “Hajredin Cakrani”. Pjesëmarrës në luftën e Vlorës kundër pushtuesve italianë.
Iljaz Vrioni (1882-1932) – Nënkryetarit i Lidhjes së Prizrenit, deputet, ministër, kryeministër. Delegat i Beratit në Kuvendin e Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e firmosi me siglën “Iljas Vrijon”. Në vitin 1920 zgjidhet delegat i Beratit në punimet e Kongresit të Lushnjës. Katër herë kryeministër i Shqipërisë dhe disa herë si ministër i Jashtëm, ministër i Plotfuqishëm i Shqipërisë në Paris.
Murad Toptani (1867-1918) – Poet dhe publicist. Delegat i Tiranës në Kuvendin e Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e firmosi me siglën “Murad Toptani”. Pas rënies së qeverisë së Vlorës, kushëriri i tij, Esat pashë Toptani, ia dogji shtëpinë dhe gjërat që ndodheshin brenda si: librat, korrespondencën, antikuarë.
Luigj Gurakuqi (1879-1925) – Veprimtar i lëvizjes kombëtare, ministër, deputet, gjuhëtar, poet, publicist. Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit (1908), ku u zgjodh edhe anëtar Komisioni për njësimin e alfabetit. Pjesëmarrës në kryengritjen e malësorëve të Mbishkodrës. Bashkë me Ismail Qemalin hartoi Memorandumin e Greçës ose “Librin e Kuq” (1911). Memorandumi i hartuar shqip dhe frëngjisht, përmbante 12 kërkesa për vendosjen e një vilajeti shqiptar autonom brenda Perandorisë Osmane. Më 1912 ishte ndër organizatorët e kryengritjes së përgjithshme. Përfaqësues i Shkodrës në Kuvendin e Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e nënshkroi me siglën ”Luz Gurakuqi“. Ministër i Arsimit në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës. Anëtar i delegacionit në Konferencën e Paqes në Paris. Deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar. Përfaqësues i Shkodrës në Kuvendin Kushtetues në vitin 1924. Ministër i Financave në qeverinë e Nolit. U vra në Bari të Italisë më 2 mars 1925.
Spiridon Ilo (1876-1950) – Atdhetar. Shoqëroi Ismail Qemalin në udhëtimin Trieste-Durrës-Vlorë. Deklaratën e Pavarësisë e nënshkroi me siglën “Spiro T. Ilo”. Në vitin 1914, përfshihet në çetën e Themistokli Gërmenjit në luftimet kundër shovinistëve grekë.
Thanas Floqi (1884-1945) – Jurist, veprimtar i lëvizjes kombëtare, publicist, gjuhëtar, botues, kompozitor, përkthyes. Deklaratën e Pavarësisë e nënshkroi me siglën ”Thanas V. Floqi“. Më pas punoi si jurist në administratën shtetërore në Vlorë.
Lef Nosi (1873-1946) – Veprimtar i lëvizjes kombëtare, albanolog, studiues, deputet, ministër. Delegat i Elbasanit në Kuvendin e Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e nënshkroi me siglën ”Lef Nosi“. Në qeverinë e Ismail Qemalit, caktohet në detyrën e ministrit. Anëtar i delegacionit shqiptar pranë Konferencës së Paqes në Paris. Në vitin 1945 u burgos dhe dënua me vdekje. U pushkatua në vitin 1946.
Nuri Sojliu (1870-1940) – Mbështeti Kongresin e Elbasanit dhe atë të Manastirit, ku mbështeti alfabetin latin të gjuhës shqipe. Delegat i Strugës në Kuvendin e Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e nënshkroi me siglën ”Nuri“. Mbështeti lëvizjet politike me frymë demokratike të viteve `20.
Ferit Vokopola (1887-1967) – Teolog, ekonomist, poet, publicist, ministër, deputet. Delegat i Lushnjës në Kuvendin e Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e firmosi me siglën ”M. Ferit Vokopola“. Në vitet 1923-1939 përfaqësues i Beratit në Kuvendin e Shqipërisë. Ministër i Bujqësisë në kabinetin e Iljaz Vrionit (1927-1928).
Ymer Deliallisi (1873-1944) – Delegat i Shijakut në Kuvendin e Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e firmosi me siglën ”Ymer“. Në vitin 1920, përfaqëson nënprefekturën e Shijakut në Kongresin e Lushnjës, ku edhe zgjidhet senator.
Xhemal Deliallisi (1880-1941) – Delegat i Shijakut në Kuvendin e Vlorës. Deklaratën e Pavarësisë e nënshkroi me siglën ”Xhemmalyyddin bej“. Ngarkohet me detyra në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës dhe më pas në administratën e Princ Vidit (Wilhelm Friedrich Heinrich Princ zu Wied, 1876-1945).
Mustafa Merlika Kruja (1887-1958) – Deputet, ministër, kryeministër, albanolog. Delegat i Krujës në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Aktin e Pavarësisë e nënshkroi me siglën “Mustafa Asim Kruja”. U zgjodh dhe anëtar i Pleqësisë. U caktua nënprefekt në Vlorë dhe më pas sekretar i parë i Qeverisë së I. Qemalit. Më 1919 ishte sekretar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Ishte deputet i Kosovës në zgjedhjet e para parlamentare të vitit 1921. Me ardhjen e komunizmit u detyrua të arratisej. Vdiq në ShBA më 27 dhjetor 1958.
Abdi Toptani (1864-1942) – Ministër. Në vitin 1902 organizoi kryengritjen e armatosur të malësorëve të Shëngjergjit dhe të Shupalit kundër dhunës së administratës osmane. Aktin e Pavarësisë e firmosi me siglën “Abdi”. Ministër i Financave në Qeverinë e parë shqiptare.
Veli Harxhi (1850-1914) – Intelektual i formuar. Veprimtar i klubit patriotik të qytetit. Në Kuvendin e Vlorës përfaqësoi Gjirokastrën. Aktin e Pavarësisë e nënshkroi me siglën “Veli Harçi”.
Nebi Sefa (1861-1942) – Atdhetar. Mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të viteve 1911 dhe 1912. Delegat i Lushnjës në Kuvendin e Vlorës. Aktin e Pavarësisë e nënshkroi me siglën “Nebi Sefa Lushja”. Në vitet `20 përkrahu kursin politik të ndjekur prej forcave të Fan Nolit.
Mid’hat Frashëri (1880-1949) – Intelektual, deputet, atdhetar, ministër. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit (1908) ku u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit të hartimit të alfabetit. Delegat i Elbasanit në Kuvendin e Vlorës. Aktin e Pavarësisë e nënshkroi me siglën “Mid’hat Frashëri”. Në qeverinë e Ismail Qemalit zgjidhet ministër i Punëve të Përgjithshme. Në periudhën janar 1923 – dhjetor 1925, ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë. Më 1941 është një nga themeluesit e organizatës nacionaliste – Balli Kombëtar. Në nëntor 1944 u detyrua të largohet nga Shqipëria dhe të vendoset në Itali. Komunistët e detyruan të birin e Abdyl Frashërit (1839-1892), të ikte nga Shqipëria. Vdiq në Nju-Jork, më 3 tetor 1949.
Zihni Abas Kanina Hamzaraj (1885-1957) – Atdhetar, ministër. Mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1911. Në Kuvendin e Vlorës, delegat i Vlorës. Aktin e Pavarësisë e nënshkroi me siglën “Zihni Abbas Kanina”. U zgjodh drejtor i përgjithshëm në ministrinë e Punëve të Jashtme. Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, u bë pjesë e Ballit Kombëtar, përkrah Mid’hat Frashërit. Në vitin 1951 u arrestua dhe u burgos, derisa vdiq, më 1957.
Qemal Karaosmani (1875-1949) – Atdhetar, deputet. Delegat i Elbasanit në Kuvendin e Vlorës. U caktua të shoqëronte Ismail Qemalin nga Durrësi për në Vlorë. Aktin e Pavarësisë kombëtare e nënshkroi me siglën “Qemal Elbasani”. Mbështeti qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës dhe për disa vite ishte asamblist. U persekutua nga regjimi komunist.
Sali Gjuka (1876-1925) – Atdhetar. Mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të viteve 1910-1912. Në Kuvendin e Vlorës mori pjesë si përfaqësues nga Kosova dhe si delegat i Pejës, i Gjakovës, i Plavës e Gucisë. Deklaratën e Pavarësisë e nënshkroi me siglën “Salih Gjuka”. U zgjodh këshilltar i Pleqësisë. Në janar 1913 filloi punën si drejtor i arsimit për qarkun e Beratit.
Dhimitër Berati (1888-1970) – Diplomat, ministër. Në Kuvendin e Vlorës mori pjesë si delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit. Aktin e Pavarësisë e nënshkroi me siglën “D. Beratti”. U emërua sekretar i kryetarit të Qeverisë, anëtar i Pleqësisë. U caktua drejtor i përgjithshëm në gazetën e qeverisë së Vlorës. Më 1919 ishte delegat i shqiptarëve të Bukureshtit në Konferencën e Paqes në Paris.
Dhimitër Mborja Emanuel (1884-1945) – Mori pjesë në Kuvendin e Vlorës në emër të kolonisë së Bukureshtit. Aktin e Pavarësisë e nënshkroi me siglën “Dh Emmanuel”. Në shkurt 1915 zgjidhet këshilltar pranë shoqërisë “Komuniteti ortodoks shqiptar i Bukureshtit”. Më 1924 mbështeti qeverinë e Nolit. Ishte kundër regjimit komunist.
Dimitër Zografi (1878-1945) – Atdhetar. Delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit në Kuvendin e Vlorës. Vendimin e Pavarësisë e firmosi me siglën “Dimitri Zografi”. Anëtar i Pleqësisë. Kundërshtoi vendimet e padrejta të Konferencës së Parisit në kurriz të popullit shqiptar dhe nënshkroi protestat drejtuar kryesisë së saj në qershor 1919.
Pandeli Cale (1879-1923) – Atdhetar, ministër, deputet. Në kryengritjen e përgjithshme të viteve 1910 – 1912 drejtoi çetat e zonës së Korçës. Mori pjese në mbledhjen e Bukureshtit të mbajtur më 5 nëntor 1912. Shoqëroi Ismail Qemalin për në Shqipëri. Delegat i Korçës në Kuvendin e Vlorës. Aktin e Pavarësisë e nënshkroi me siglën “Pandeli Cale”. Zgjidhet anëtar i qeverisë së parë shqiptare. Mori pjesë në lëvizjen patriotike që çoi ne Kongresin e Lushnjës më 1920. Po atë vit ishte prefekt i Korçës, ndërsa në shkurt 1921, deputet në të parin parlament të Shqipërisë.
Qemal Mullaj (1881-1966) – Atdhetar, deputet. Delegat i Lushnjës në Kuvendin e Vlorës. Aktin e Pavarësisë e nënshkroi me siglën “Qem. Mullaj”. Pas rënies së qeverisë së Vlorës dhe me nisjen e Luftës I Botërore, u largua nga Shqipëria. U kthye në atdhe më 1920, për t’u rimarrë me politikë. Deputet në parlamentin e parë të Shqipërisë.
Bedri Pejani (1885-1946) – Delegat në Kongresin e Dytë të Manastirit (1910) dhe sekretar i Komitetit të Kosovës (1918-1924). Përfaqësues i Plavës, i Gucisë, i Gjakovës dhe i Pejës në mbledhjen e Vlorës. Aktin e Pavarësisë e nënshkroi me siglën “Bedri Pejan”. Në vitin 1943 ishte nga nismëtarët për krijimin e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit” dhe deri në vitin 1944 – kryetar i saj. Pas luftës u arrestua në Shqipëri. Vdiq në vitin 1946, sapo doli nga burgu.
Dr. Myrteza Ali Struga (Dibra) (1876-1937) – Mjek, atdhetar. Dr. Myrteza Ali Struga, së bashku me Zyhdi Ohrin dhe Nuri Sojliun u zgjodhën delegatë të Ohrit dhe të Strugës për në Kuvendin e Vlorës. Aktin e Pavarësisë e nënshkroi me siglën “Dr. H. Myrteza Aliu”. Përsëri si përfaqësues i Ohrit dhe i Strugës ishte delegat në Kongresin e Lushnjës më 1920.
Aristidh Ruci (1875-1950) – Atdhetar. Mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme më 1911. Delegat i Vlorës në Kuvendin që shpalli pavarësinë. Aktin e pavarësisë e nënshkroi me siglën “A. Ruci”. Më 1937 u zgjodh anëtar i kryesisë së Bankës Kombëtare Shqiptare.
Zyhdi Ohri (1872-1938) – Atdhetar, senator. Në vitet 1898-1900 u përfshi në veprimtarinë e Lidhjes Shqiptare të Pejës. Delegat i Ohrit në Kuvendin e Vlorës. Aktin e Pavarësisë e nënshkroi me siglën “Zuhdi Ohri”. Ishte pjesë e Senatit të dalë nga qeveria e Ismail Qemalit. Në janar 1920 mori pjesë në Kongresin e Lushnjës.
* * *
QEVERIA E PËRKOHSHME E VLORËS – Pasi u zgjodh në detyrë të re, I. Qemali dha dorëheqje nga posti i Kryetarit të Kuvendit. Në vend të tij u zgjodh myftiu i Dibrës, Vehbi Agolli, ndërsa nënkryetar Lef Nosi. Nga Kuvendi i Vlorës, më 4 dhjetor 1912 doli edhe qeveria e përkohshme. Anëtarë të qeverisë u zgjodhën Luigj Gurakuqi – ministër i Arsimit, Myfit Libohova – ministër i Punëve të Brendshme, Mehmet pashë Derralla – ministër i Luftës, Abdi Toptani – ministër i Financave, Mithat Frashëri – ministër i Punëve Botore, Petro Poga – ministër i Drejtësisë, Pandeli Cale – ministër i Bujqësisë dhe Lef Nosi – ministër i Postë-Telegrafëve. I. Qemali mbajti edhe portofolin e ministrit të Punëve të Jashtme.
Pas kësaj Kuvendi zgjodhi Pleqësinë e cila do të kishte 18 anëtarë. Kryetar u zgjodh Vehbi Agolli.
Për shpalljen e Pavarësisë, Ismail Qemali i njoftoi Fuqitë e Mëdha, shtetet ndërluftuese ballkanike dhe qeverinë e Rumanisë. Ai kërkoi largimin e ushtrive të shteteve të Aleancës Ballkanike nga trojet shqiptare. U deklarua qëndrimi asnjanës i shtetit shqiptar në Luftën Ballkanike.
* * *
Shpallja e pavarësisë ishte një akt me rëndësi jetike për popullin shqiptar. Ajo mbylli një epokë luftërash e përpjekjesh shekullore për t’u liruar nga zgjedha e huaj, për të ruajtur tërësinë territoriale të atdheut dhe për të formuar shtetin e lirë kombëtar shqiptar duke kurorëzuar synimet e rilindësve. Hapi edhe një epokë luftërash dhe përpjekjesh të tjera për ta mbrojtur pavarësinë e fituar nga fqinjët grabitqarë, për ta siguruar bashkimin kombëtar të gjymtuar rëndë dhe për të vendosur rendin demokratik.
Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë përfaqësonte fitoren e përbashkët të të gjitha trevave shqiptare prej Rrafshit të Dukagjinit në veri deri në Çamëri në jug, prej brigjeve të Adriatikut e të Jonit në perëndim deri në fushat e Kosovës, të Tetovës, në pellgun e Shkupit, në luginën e Preshevës e të Kumanovës, në lindje, për të vazhduar në Ulqin, në Tivar, në Tuz, në Plavë e Guci, në Hot e Grudë, deri në Malësi.
Kuvendi i Vlorës e shpalli pavarësinë në emër të të gjithë shqiptarëve, të të gjitha trevave që i dërguan përfaqësuesit e tyre në të. Ai e trajtoi Shqipërinë një e të pandarë. Qeveria shqiptare e Ismail Qemalit doli në rrafshin ndërkombëtar si përfaqësuese e gjithë popullit shqiptar dhe e të gjitha trojeve shqiptare.
Me aktin e 28 Nëntorit 1912 sanksionohej e drejta historike e kombit shqiptar për të qenë i bashkuar, i lirë dhe i pavarur në trojet e veta, krahas popujve të tjerë të Gadishullit Ballkanik. Kjo e drejtë buronte nga qenia e tij si popull me gjuhën, me kulturën, me individualitetin dhe me historinë e vet. Këtë të drejtë populli shqiptar e kishte fituar me sakrifica të mëdha në llogoret e luftës. Ishte një e drejtë që i takonte për ndihmesën e vyer në dëbimin nga Ballkani të sunduesve të huaj osmanë.
Shpallja e autonomisë nga Lidhja e Prizrenit (1878) dhe ajo e pavarësisë nga Kuvendi i Vlorës më 1912 janë dy hallkat themelore të zinxhirit të ngjarjeve të lëvizjes kombëtare. Shqipëria ishte vendi që u çlirua i fundit nga sundimi osman. Kjo vonesë u shkaktua nga faktorë ekonomikë, shoqërorë dhe politikë të brendshëm dhe të jashtëm, që vepruan ndërsjelltas mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, duke determinuar ritmet e zhvillimit të saj. Ngecja ekonomike dhe shoqërore e Shqipërisë ishte një faktor që e vonoi shtrirjen e forcave organizuese dhe drejtuese të lëvizjes kombëtare që si pasojë e vështirësoi dhe vonoi shpalljen e pavarësisë. Fuqitë e Mëdha gjatë shekullit XIX përkrahën popujt e krishterë të Ballkanit – serbët, grekët, rumunët dhe bullgarët për t’i formuar shtetet e tyre të pavarura, ndërsa ndaj çështjes shqiptare mbajtën një qëndrim mospërfillës.
Shqiptarët janë popull me tri fe, me shumicë myslimane. Por i bashkon një ndërgjegje e vetme kombëtare. Ndarja në tri fe, me shumicë myslimane ndikoi që Evropa e krishterë t’i shohë si një popull i huaj për të dhe i afërt me turqit myslimanë. Këtë fakt e shfrytëzonte sidomos Rusia para kancelarive perëndimore.
Shqiptarët mund ta arrinin qëllimin duke u bazuar në forcat e veta dhe kur të krijohej një koniunkturë ndërkombëtare e favorshme për ta. Me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike u ndeshën interesat e kundërt të Fuqive të Mëdha. Atdhetarët shqiptarë, nga platforma politike për autonomi kaluan në atë të pavarësisë. Kjo u realizua kur Turqia po dëbohej nga Ballkani, kur Fuqitë e Mëdha hoqën dorë nga ruajtja e status quo-së në gadishull dhe kur planet e fqinjëve grabitqarë për ta zhdukur Shqipërinë, të përkrahura edhe nga fuqitë Antantës, u kundërshtuan nga fuqitë e Lidhjes Trepalëshe.
Vendimi historik i shpalljes së pavarësisë drejtohej jo vetëm kundër politikës së fuqive të Antantës (Anglisë, Francës, Rusisë) dhe grabitqarëve ballkanikë, por edhe planeve të caktuara të fuqive të Lidhjes Trepalëshe (Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Italisë). Austro-Hungaria dhe Italia, në atë kohë ishin për autonominë e Shqipërisë nën sovranitetin e sulltanit. Pavarësinë e saj e shihnin si një variant të mundshëm të zgjidhjes së çështjes shqiptare dhe e kuptonin nën prizmin e interesave të vet. Ata e shihnin popullin shqiptar si gardh kundër shtrirjes së shteteve sllave drejt perëndimit të Shqipërisë, drejt Adriatikut dhe si mbështetje për depërtimin dhe shtrirjen e tyre në Ballkan.
Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, siç u pa nga vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913) të gjashtë Fuqive të Mëdha, nuk arriti të bashkonte në një shtetet të vetëm të gjitha territore etnike dhe historike shqiptare dhe popullsinë shqiptare. Megjithëkëtë, shpallja e pavarësisë pas pesë shekujsh robërie nën sundimin osman, përbën ngjarjen më të madhe në historinë e kombit shqiptar gjatë shekullit XX.
Sundimi pesëshekullor osman në Shqipëri, kishte për pasojë:
– copëtimin e trojeve shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve (1913);
– ngecjen ekonomike të Shqipërisë gjatë gjithë shekullit XX;
– lindjen e regjimeve antidemokratike dhe diktatoriale;
– shtypjen e shqiptarëve të mbetur jashtë Shqipërisë – në Greqi, në Serbi, në Mal të Zi dhe në Maqedoni, përfshi edhe gjenocidin dhe pastrimin etnik të trojeve shqiptare.
Me formimin e shtetit të pavarur shqiptar u krijuan premisat dhe baza shtetërore dhe politike për ta mbajtur gjallë çështjen e çlirimit dhe të bashkimit të trevave shqiptare dhe për zgjidhjen përfundimtare të kauzës shqiptare në Ballkan.
* * *
Konferenca e Ambasadorëve (17 dhjetor 1912 – maj 1913) – Me fillimin e konfliktit ballkanik çështja shqiptare u vu në qendër të luftës diplomatike ndërmjet Fuqive të Mëdha. Austro-Hungaria dhe Italia ishin për një Shqipëri autonome ose të pavarur dhe me kufij sa më të gjerë, por nën ndikimin e tyre. Për Austro-Hungarinë Shqipëria do të ishte një gardh që do të pengonte shtrirjen e sllavizmit në gadishull dhe si një urë për të dalë në Selanik. Për Italinë, Shqipëria do të ishte si një bazë për depërtimin drejt Lindjes. Në anën tjetër, Rusia përpiqej për shtrirjen e ndikimit të vet në Ballkan nëpërmjet zmadhimit të shteteve sllave. Ajo ishte për një copëtim të ri të tokave shqiptare dhe për ndarjen e tyre ndërmjet shteteve fqinje.
Të shqetësuara për “paqen evropiane”, Fuqitë e Mëdha zhvilluan bisedime të fshehta për afrimin e pikëpamjeve dhe për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme.
Më 17 dhjetor 1912, përfaqësuesit e gjashtë Fuqive të Mëdha – Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Italisë, Anglisë, Francës dhe Rusisë u mblodhën në Londër për të shqyrtuar problemet e shtruara nga Lufta Ballkanike (1912). Konferenca u drejtua nga ministri i Jashtëm anglez Eduard Grej (Edward Grey). Që në ditën e parë, konferenca mori në shqyrtim çështjen shqiptare: e ardhmja politike e Shqipërisë dhe caktimi i kufijve.
* * *
Grabitqarët ballkanikë (Serbia, Greqia, Mali i Zi) – Që në fund të dhjetorit dhe në fillim të janarit, shtetet aleate të Ballkanit i paraqitën Konferencës pikëpamjet e tyre për ndryshime territoriale, që duhej të bëheshin në gadishull pas lufte. Përveç krahinave greke të Thesalisë, Greqia kërkonte edhe vise të Shqipërisë së Jugut (të vilajetit të Janinës), të banuara nga popullsi shqiptare, kompaktësia e së cilës nuk cenohej nga grupet e vogla grekofone të rretheve të Delvinës dhe të Dropullit, edhe këto të përziera me popullsi vendase. Qeveria serbe përfshinte në listën e kërkesave të saj edhe krahinat shqiptare të Kosovës si dhe tokat e banuara nga shqiptarë në Maqedoni. Mali i Zi ngulte këmbë për aneksimin e Shkodrës me rrethe dhe kërkonte që si kufij të tij me Shqipërinë të caktohej lumi Mat, ose të paktën Drini, deri te derdhja e tij në Adriatik.
Konferencës së Londrës i paraqiti një memorandum edhe Qeveria e Vlorës. Kufijtë e rivendikuar nga pala shqiptare niseshin nga kufijtë e atëhershëm të Malit të Zi dhe do të përfshinin, bashkë me rrethet përkatëse, Pejën, Mitrovicën, Prishtinën, Preshevën, Kumanovën, Shkupin, Tetovën, Gostivarin, Dibrën, Manastirin, Kosturin, Mecovën dhe Janinën. Në jug do të mbaheshin kufijtë ekzistues (me Turqinë) deri në Prevezë. Memorandumi hedhtë poshtë tezën e aleatëve ballkanikë se Shqipëria ishte e lidhur me Turqinë dhe, për pasojë, trojet shqiptare do të shërbenin si “kompensim territorial” për aleatët që fituan në luftë. Theksohej edhe fakti se kryengritjet shqiptare kundër sundimit turk ishin një kontribut i rëndësishëm në çështjen e përbashkët të popujve të Ballkanit. Kombi shqiptar nuk mund të vuante fatin e sundimit turk në Ballkan.
Lufta diplomatike në Konferencë u zhvillua ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Monarkia e dyfishtë doli në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve. Ajo synonte ta përdorte shtetin shqiptar si faktor të ekuilibrit të ri në Ballkan. Duhet theksuar se në raste të caktuara, për kompromise në dëm të shqiptarëve ishte edhe Vjena. Ajo i paraqiti Konferencës një projekt-hartë të Shqipërisë.
Një projekt-hartë e dytë iu paraqit Konferencës edhe nga Rusia, e cila parashikonte një cungim edhe më të madh të tokave të Shqipërisë. Sipas këtij projekti, jashtë kufijve të shtetit shqiptar mbeteshin Shkodra dhe e gjithë treva veriore e Shqipërisë deri në kufirin me Malin e Zi. Mbeteshin jashtë edhe të gjitha qytetet dhe tokat me popullsi shqiptare të vilajetit të Kosovës dhe të Manastirit deri në liqenin e Ohrit. Në jug mbeteshin jashtë Shqipërisë Korça, Delvina, Saranda dhe gjithë Çamëria.
Kërkesa e Vjenës për t’ia lënë Shkodrën Shqipërisë ndeshi në kundërshtimin e vendosur të Rusisë, të përkrahur nga Franca dhe nga Anglia. Në shenjë proteste, Vjena i njoftoi Fuqitë e tjera se do të largohej nga Konferenca. Tani Italia u rreshtua në anën e Vjenës.
Shënim: Në vitin 2014, busti i kontit Leopold Berhtold u vendos pranë bashkisë së Shkodrës.
* * *
Konferenca e Ambasadorëve nuk e pranoi si bazë për zgjidhjen e çështjes së kufijve të Shqipërisë parimin etnik. Ajo vendosi të mos përfillte asgjë sa mund të bëhej brenda në Shqipëri për organizimin e shtetit shqiptar me forcat e vendit. Nuk i përfilli aspiratat dhe interesat e popullit shqiptar. Tokat shqiptare u përdorën nga Fuqitë e Mëdha si monedhë këmbimi për të fashitur kontradiktat e tyre në këtë zonë dhe për të kënaqur pretendimet hegjemoniste dhe ekspansioniste të shteteve ballkanike. Me kufijtë që u caktuan në Londër, jashtë Shqipërisë mbeti më tepër se gjysma e trojeve dhe e popullsisë shqiptare. Nga trungu i saj u shkëputën krahina të tëra: Kosova në veri, Çamëria në jug, të cilat jo vetëm përfaqësonin trevat bujqësore më pjellore me nëntokë të pasur, por edhe kishin qenë vatra të rëndësishme të lëvizjes kombëtare dhe kishin dhënë kontribut të madh në luftën me armë për çlirimin e vendit nga zgjedha osmane.
Më 12 gusht 1913 Eduard Grej deklaroi: “… kjo zgjidhje do të japë shkas për kritika të mëdha… kufijtë e Shqipërisë u caktuan kësisoj në të mirë të paqes në Evropë”. Me fjalë të tjera, Konferenca e Ambasadorëve në Londër flijoi Shqipërinë dhe shqiptarët “për hir të paqes në Evropë”. Hipokrizi dhe qyqari e paparë në historinë e botës. Pas një viti shpërtheu Lufta e Parë Botërore. Ç’u bë me paqen në Evropë?! Ku mbeti, zoti Grej, paqja në Evropë?!
* * *
ÇËSHTJA SHQIPTARE SOT – Sot shqiptarët ballafaqohen me çështjen e ndërtimit të shtetësisë së Kosovës. Për ta zgjidhur drejtë këtë çështje, duhet të marrin mësim nga e kaluara. Duhet t’ia bëjnë me dije Perëndimit se janë popull perëndimor, madje jo me fjalë por me vepër. Duhet të funksionojnë me sistem perëndimor të vlerave. Sot e kësaj dite Beogradi, Athina dhe Moska u thonë kancelarive perëndimore: “Mos i mbështetni shqiptarët. Ata janë përçues të interesit turk, arab dhe iranian në Ballkan dhe Evropë”. Vlera kombëtare shqiptare me përmasa botërore janë Gjergj Kastrioti, Nënë Tereza, Ismail Kadareja.
Aleate e përjetshme e bijve të Ilirisë dhe të Arbërisë është Amerika. Shqiptarët janë populli më proamerikan në botë. Çlirimi i Kosovës nga UÇK-ja, me ndihmën e Amerikës, është rast që ndodh në mbarë rruzullin tokësor, një herë në dy mijë vjet. Kosova është zemra e shqiptarizmit dhe dhimbja e shqiptarizmit. Kosova është tokë e shtrenjtë dhe e shenjtë e kombit shqiptar. Ajo s’ka për t’u shtruar kurrë para hordhive të egra barbare serbe, të mbështetura nga Rusia. Kosova, sa më parë duhet të bëhet anëtare e NATO-s. Në Kosovë duhet të vendoset sa më parë një bazë ushtarake e fuqishme dhe e përhershme e ShBA-së. Gjatë gjithë historisë politike të kohës më të re (1850-2021), Rusia vepron kundër interesave jetikë të kombit shqiptar.
Shqiptarët duhet të dëshmojnë para ShBA-së se posedojnë aftësi për të ndërtuar shtet ligjor dhe demokratik. Dielli shqiptar lind në Perëndim.