21/12/2024

Shkrimtari Pajtim Xhelo, është mishërim i thjeshtësisë, i dinjitetit dhe i krenarisë kombëtare

0
Pajtim-Xhelo

Shkrimtari dhe poeti i talentuar Pajtim Xhelo, Vlorë

PROFIL SHKRIMTARI

Nga Fran Gjoka, Lezhë

U lind në qytetin e Vlorës, në një familje shumë të hershme qytetare me tradita intelektuale dhe atmëmëdhetare nga të dy prindërit. Që në vitet e para të shkollës shquhej për një përqëndrim të pazakontë në marrjen e dijeve. Mësuesit e tij thonin që ky djalë nuk studionte për të marrë nota të mira. Ai studionte për njohuri të qëndrueshme, me piksynyme të qarta, që të njihte sa më mirë botën që e rrethonte. Ishte ndër nxënësit e rrallë, me formim të përgjithshëm, i vlerësuar me notën 10 në letërsi dhe lëndët shoqërore dhe me 10 në matematikë dhe shkencat  e përpikta. Kish prirje të veçantë për gjuhët e huaja, të cilat më vonë e ndihmuan në studimet e tij në shkencat albanologjike.

Shquhej për një pjekuri të parakohshme, seriozitet në çdo hap që hidhte, këmbëngulje, etje për dije. Mësuesit  dhe shokët e tij trgonin se ai nuk mësonte kurrë përmendësh, pa e zbërthyer dhe kuptuar në thelb gjithçka të re.

Pasioni për letërsisnë u vu re që në moshë të re. Në klasën e pestë mësuesja e gjuhës ruse, Mjaftime Gorishti, duke parë që njohuritë e tij ishin më të përparuara se ato të moshatarëve të tij, e ngarkoi me mbarëvajtjen e bibliotekës së shkollës Nr. 2 (Naim Frashëri). Kjo bëri që ai të niste të lexonte me një etje të jashtëzakonshme që në atë moshë (11–12 vjeç) autorë të dëgjuar, si Tolstoi, Dikensi, Viktor Hygoi, Balzak, Stendal, Xhek London, Gorki, Turgenjev, Gogol, Pushkin, Lermontov, Majakovski, Dikens, Shollohov, Migjeni, Mjeda, Noli,  Çajupi e shumë të tjerë. Siç tregon edhe vet, nuk i duhej të studionte shumë në shtëpi, sidomos në matematikë. Cili qe sekreti? Kishte një vëmendje të jashtëzakonëshme në shpjegim. Shokët e tij thonë që kur mësuesit shpjegonin, ai nuk shkëputej nga dëgjimi, sikur bota të përmbysej rreth tij. Mbase do duket e pabesueshme, po në moshën 13 vjeçare, Pajtim Xhelo shkruajti një novelë me temë nga jeta shkollore, novelë që u vlerësua nga një shkrimtar vlonjat, mësues letërsie, Miliano Stefa. Që kur ishte në vitin e parë të gjimnazit, mësuesi i letësisë, Daut Shtino u thosh të gjithëve që Pajtim Xhelo e njihte drejtshkrimin e gjuhës shqipe më mirë se  vetë mësuesit e gjuhës. Një ngatërresë e sajuar në biografi bëri që të mos shkonte në universitet në degën që donte. Shkoi me dy muaj vonesë për agronomi. Nga letërsia dhe arti nuk u shkëput. Luajti teatër, këndoi, ishte atlet cilësor… Një djalë me prirje, që mbase, në parim, edhe kundërshtonin njëra-tjetrën.

Në pesë vitet studentore shkroi dhe botoi heraherës në gazetën STUDENTI e më pas në gazetën lokale të qytetit. E emëruan në Shkollën e Mesme të Llakatundit (Teknikum Bujqësor), nga ku, për shkak të asaj përbërje politike të sajuar e larguan me shkakun që lexonte libra të ndaluar. Pas 13 orë mbledhje, ku u mbrojt nga të 59 mësuesit (me përjashtim të Sekretarit të Partisë dhe drejtorit dhe spiunit) shpëtoi nga dënimi me burg, po mori një goditje që e deyroi të heshtte për disa vite. Deri atëhere kish gati për botim dy novela, tre vëllime me tregime dhe dy vëllime me poezi. I pushtuar nga paniku dhe frika mos e përndiqnin, i dogji të gjitha dorëshkrimet në sobën e drurit. Nga shkrimet nuk hoqi dorë, por fshehur, pa ia treguar askujt.

Gjatë kohës, studionte autodidakt për  historiografinë e lashtë të popullit tonë, e cila i dha dorë të përfundonte romanin e tij historik “Mallkim i përjetshëm”, të cilin e aprovoi për botim Shtëpia Botuese “Naim Fr4ashëri” në vitin 1988, ku ishte nëndrejtoreshë Iskra Tata Thoma. Recensenti historik, Myzafer Korkuti e vlerësoi me notat më të larta jo vetëm nga ana  e vërtetësisë historike, por edhe si lexues i kualifikuar. Po kështu edhe recensenti tjetër, Arben Xoxe. Romanin nuk pranoi ta linte për botim, sepse nuk ra dakord që të ndryshonte një fakt historik… Donte  t’i përmbahej me përpikmëri vërtetësisë historike. E botoi në vitin 1997, nëpër plumbat e marsit të tmerrshëm të atij viti të mbrapshtë. Në vitin 1992 nxjerr gazetën “Zgjimi” si gazetë e vetme në Vlorë, sepse  gazeta “Vlora” tashmë ishte mbyllur. Po atë vit çel Shtëpinë e parë dhe të vetme Botuese në Vlorë me emrin “Flamuri”. Nisi botimin e një Almanaku letrar me titullin “Aulona”, por për shkak të vështirësive financiare dhe teknologjisë shumë të vjetër të

makinerive të shypshkronjës, dolën në dritë vetëm tre numra. Po kështu boton një gazetë të dytë dyjavore me titull “Ekartshkin” (ekonomi, art, shkencë, informacion). Edhe ajo pasoi almanakun, dolën vetëm tre numra dhe nuk jetoi më. Siç thotë edhe vet Pajtimi, nëse do  t’i presësh rrugëtimin një artisti krijues, vëre në drejtim dhe ia ke arritur qëllimit. Ato vite për Pajtimin ishin një zbrazëtirë, pa  krijimtari. Në të vërtetë, nga viti 1990, deri në vitin 1997, duke qenë Drejtor në dy ndërmarrje, nuk pati mundësi të merrej me krijimtari.

Botimet i nisi në vitin 1997 dhe 1998. Për shkak të një diabeti shumëvjeçarë (që në moshën 18 vjeç, kur nuk i doli e drejta e studimit), pati probleme të rënda me sytë. Bëri 9 ndërhyrje në klinikat ruse dhe deri në vitin 2015 nuk mundi të shkruante. Pas këtij viti, edhe pse duke sakrifikuar shëndetin e të parit, vijoi të shkruante dhe të botonte me një vullnet dhe frymëzim të jashtëzakonshëm. Vetë Pajtimi thotë: -Mund të duket çudi, po Zoti ma ktheu borxhin e viteve që heshta. Ka botuar dy romane dhe të tretin e ka gati për botim, 10 vëllime me lirika, dy vëllime me novela, në bashkautorësi me Iskra Tata Thomanë, një vëllim tjetër me novela në bashkautorësi me Iskrën, një novelë xhepi, një vëllim me tregime, një libër me studime albanologjike dhe librin e fundit, në bashkpunim me Iskrën, me “Shprehje frazeologjike” përmes rrëfenjave. Edhe pse me probleme të rënda shëndetësore, ai po vijon krijimtarinë. Ja si shprehet Iskra  për mikun e saj, Pajtimin: “Pajtim Xhelo, si shkrimtar, ka arritur në majën e Olimpit në të gjitha gjinitë e prozës, që nga tregimi i shkurtër, novela, romani (madje edhe romani historik, që është aq i vështirë, sidomos kur flet për lashtësinë). Më duhet të theksoj faktin, që, edhe pse nuk është çam, ka shkruar aq shumë tregime për Çamërinë, aq sa kanë shkruar të gjithë krijuesit çamë të marrë së bashku. Disa nga shokët, me shaka, i thonë: “Ti je çam.” E kam të vështirë ta them me siguri nëse Pajtimi ka lënë pa na sjellë në tregimet e tij ndonjë krahinë të Shqipërisë Natyrore apo, siç i quan ai, Epirit, Iliirisë dhe Maqedonisë me origjinë pellazge, duke nisur që nga Trieste, në Mitrovicë, në Ulqin, në Folorinë, Kostur, Konicë, Grebene, Selanik, deri në Artë dhe Prevezë. Them se na i ka sjellë të gjitha trevat pellazge në krijimet e tij. Nuk mund të lë pa përmendur këtu edhe disa rrëfenja impresioniste të tpit të Kafkës etj. Shpesh, madje mund të them pa frikë, rëndom, në përshkrimet kthehet në prozë poetike të mirëfilltë, me të gjithë bukurinë e këtij stili, veçanërisht me mendimin e thyer dhe tingullin ngacmues për shpirtin. Si poet, më duhet të pranoj se i ka kaluar përmasat mbarëkombëtare, madje i ka kapërcyer edhe këto kufij. Në një kohë kur poezia, jo vetëm te ne, por edhe në botë, është zbehur, është bërë thjeshtë një prozë e zhveshur nga melodia, flladet dhe aromat e vesës nektarore, lirikat e Pajtim Xhelos të rrëmbejnë shpirtin, për të të çuar në yllësitë e përfytyruara të legjendave hyjnore. Edhe  poezia e tij epike të rrëmben në krahë, për të të çuar mysafir në botën burrërore të nderit, besnikërisë, bujarisë dhe trimërisë. Poezia e tij është gati hyjnore, teknika ka arritur përsosmërinë, Shpirti i tij i madhërishëm na flet me gjuhën e Perëndive përmes vargjeve brilante. Gjuha e poezive të tij (natyrshëm, edhe e prozës) është shqipja e kulluar, larg huazimeve dhe ndikimeve. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe. Ai ka bërë një punë të palodhur për të përzënë nga fjalori fjalët “ardhacake”, si i quan fjalët e panevojshme që kanë pushtuar fjalorin (leksikun) e gjuhës shqipe. Ai ka studiuar historiografinë e lashtësisë së popullit tonë, ka arritur në përfundime me vlera të pamohueshme, që hedhin dritë mbi të vërtetat që na i kanë rrëmbyer padrejtësisht fqinjët tanë.

Natyrisht, nuk kish si të ndodhte ndryshe, që një njeri me një kulturë kaq të gjerë e të thellë në të gjitha fushat e jetës, një intelektual i mirëfilltë si Pajtim Xhelo, të mos ishte edhe një poet dhe shkrimtar me përmasa të pakufishme, të pakonturuara. Ky është shoku dhe miku im, Pajtim Xhelo, njeriu me një përvojë jetësore të jashtëzakonëshme, që po na e lë këtë përvojë si margaritar për brezat që do vinë. Dhe të mendosh që ky njeri, deri para pesë viteve, nuk tha kurrë me gojën e vet: “Jam poet apo shkrimtar, apo studiues”. Po thoshte gjithmonë: “E dua vendin tim, e dua kombin tim, e dua qytetin tim mbi jetën time fizike”. Një njeri me të tilla vlera, që nuk thotë: “Jam poet, jam shkrimtar, jam studiues” është mishërim i thjeshtësisë, i dinjitetit dhe krenarisë që hesht, por që flet me gjuhën e një shpirti të shenjtë. I kujtoj qeverisë e sidomos pushtetit lokal të Vlorës që t’i krijojë kushte minimale këtij njeriu me përmasa të jashtëzakonshme, që ka pranuar të digjet pa flakë, pa bujë dhe zhurmë për të mirën e kombit, të atmëmëdheut dhe Vlorës sonë. Edhe pse me probleme të rënda me shëndetin, sidomos me sytë, për të cilët mjekët e kanë këshilluar të mos lexojë e të mos shkruajë, pasi bëri nëntë ndërhyrje për të ruajtur këtë pakëz dritë, ky njeri ka vendosur të sakrifikohet për atë qëllim madhor që i ka vënë vetes. Të lerë trashëgim krijimet e tij perla për të gjithë ne, edhe për fëmijët e tij, se tjetër pasuri ai nuk ka. I uroj me zemër jetë të gjatë këtij njeriu të thjeshtë, të heshtur, që nuk e ka njohur egoizmin dhe egocentrizmin, kësaj blete që ka mbledhur për vite të tëra nektarin e jetës për të na sjellë mjaltin e shpirtit. Që në gjimnaz, e thërrisnin Esenin. E them pa e tepëruar, që Vlora ka fat të ketë një Esenin të ri. Ku ka poet tjetër që ka shkruar për Vlorën 22 poezi perla, që nuk ngjajnë aspak me njëra-tjetrën. Ku ka poet tjetër, që në të dhjetë vëllimet e tij me poezi të na sjellë njëlloj si në prozë, dashurinë, gëzimin, trishtimin, zhgënjimin, miqësinë e sinqertë, pabesinë, rrëzimin dhe ringritjen, merakun, dhëmbjen, fitoren dhe humbjen me një stil klasik mjeshtëror, ku rima, ritmi, figurat e mrekullueshme letrare, brishtësia dhe ëmbëlsia të të bëjnë të ndihesh në një lirishtë pylli, në një majë mali, të të puthin valët e detit, të të freskojë ujët kristal të një kroi, të këndosh me netët hënore, të vallëzosh me yjet… Shqipëria e ka këtë fat. Vlora  e ka këtë fat. Veç ne, shqiptarët, duhet të mësohemi t’i vlerësojmë njerëzit që i shërbejnë kombit me përkushtim, që kur ata janë gjallë. Një atmëmëdhetari si Pajtim Xhelo (po përdor fjalën atmëmëdhetar, një nga qindra fjalët e reja, me të cilën ka pasuruar gjuhën shqipe ai), duhet t’i afrojmë dorën e çiltërsisë për të na çuar në të gjitha burimet e shpirtit të kombit tonë. E them pa rezervë, që nuk kam njohur  asnjeri tjetër me vlera të pamohueshme, që të jetojë në varfëri dhe të ketë mendimin dhe shpirtin të pasur e të thellë sa nëntoka e Vlorës së tij, prej nga ai merr fuqi si Anteu. I pati të gjitha mundësitë që të largohej nga Vlora, po nuk e bëri këtë. E fundit, po kryesorja që do them, asnjë varg i Poetit Pajtim Xhelo nuk  ka nevojë për redaktim. Ai ka arritur përsosmërinë. Dhe mos harroni që këto i thotë Iskra Tata Thoma, që ka punuar redaktore në Shtëpinë Botuese më të mirë “Naim Frashëri” për 10 vite.

Që të flasësh për Pajtim Xhelon, nuk mund të mos thuash edhe pasionin e tij për gjuhësinë dhe historiografinë. Për gati 45 vite ai studio autodidakt për historinë e lashtë të popullit tonë. Deri në vitet 1985 iu desh të  përkthente nga italishtja, frëngjishtja dhe rusishtja, sepse në bibliotekat tona kishte pak materiale për historiografinë. Përfundimet e këtyre studimeve (jo të gjitha) i botoi në librin “Vëzhgime Albanologjike”, libër që u vlerësua nga Universiteti i Vlorës “Ismail Qemali”, rektori i të cilit organizoi edhe një simpozium në rang akademik. Një pjesë e mirë e materialeve të këtij studimi nuk e pa dot dritën e botimit, sepse Pajtimi i kish lënë në kompiuter, për t’i plotësuar me materiale të tjera, pastaj t’i botonte në një vëllim të dytë. Fare papritur, në 12 shkurt 2023 i bllokuan faqen e tij të facebook, të cilën nuk e hapi dot më, edhe pse bëri përpjekje kudo. Së bashku me këto materiale, humbi edhe 15 tregime dhe disa studime në gjuhësi (leksikologji dhe sintaksë si dhe krijimin e disa fjalëve të reja, duke përqasur ato të dialektit të veriut). Sidoqoftë, në bashkautorësi me miken e tij, Iskra Tata Thoma, ata botuan librin “Shprehje Frazeologjike, sjellë përmes rrëfenjave”, i cili u vlerësua edhe ky nga Universiteti i Vlorës “Ismauil Qemali” (falë iniciativës së Rektorit të këtij Universiteti, z. Roland Zisi.)  Edhe për këtë libër (me 430 faqe), i vetmi i këtij lloji në Shqipëri, Universiteti organizoi një simpozium shkencor, ku u dhanë vlerësime  nga pedagogë dhe akademikë me tituj shkencorë, si Bardhosh Gaçe, Ermir Xhindi, Mujo Buçpapaj, Albert Habazi, Aleksandër Çipa, Vllasova Musta e të tjerë. Ja disa vlerësime të Dr. Ermir Xhindit (pedagog në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë), një nga njohësit më të mirë të Letërsisë Shqipe. Tekstet që shkruan Pajtimi, sipas meje, u takojnë këtyre prirjeve, me gjuhën, poetiken, ndjeshmërinë e tyre, çka dëshmon jo vetëm talentin e shijen e njeriut qe nuk e ka humbur kurrë garën me kohën, por edhe etike intelektuale të nivelit të lartë, cilësi që ndeshet rrallë këto kohë kur konformizmi është kthyer në mënyrë jetese, madje kusht për të jetuar.

Sa i përket poezisë, Pajtim Xhelo duket se ka arritur majat e përsosmërisë në të gjitha drejtimet. Nuk po hyj në një analizë të detajuar, mjafton të them me bindje të plotë, pa asnjë rezervë, se poezia e Pajtim Xhelos të fton në magjinë e saj e lirë, e pa ngatërruar në sajesa të kota e të panevojëshme, të cilat dobësojnë efektin estetik, shpirtëror e psikologjik, aspak imponuese, larg empirikes, të rëndomtës, larg “të të shkruarit poezi për poezi”. Poezia e tij rrjedh natyrshëm, e pa sforcuar, siç zbret ujët e një përroi malor, fëshfëritës dhe i kulluar, që të përfton qindra melodi hyjnore, të papërsëritëshme, të cilat të mbajnë shpirtin peshë dhe të qetësojnë e të qartësojnë mendimin. Ajo që e bën më të pranueshëm nga të gjitha moshat dhe kategoritë shoqërore Pajtimin si poet është tematika e gjerë, e pafundme e poezisë së tij. Nuk gjen në poezinë e Pajtim Xhelos trajtesa pa kuptim, fare të rëndomta të natyrës, si yjet, hëna, bilbili, trëndafili, etj., siç i gjen te poetët e tjerë. Asgjë nuk shkruhet për asgjë. Gjithçka ka përmbajtje, ka lëndë. Ka jetë njerëzore, shpirtërore, ka mendim të thellë, psikologjik. E ndërsa përfytyrimi i poetit pushton të padukëshmen, të paarritëshmen, qielloren, gjykimi dhe arësyeja i zbresin ato në tokë, bashkë me hapat e kujdesëshme që ai hedh me urtësinë dhe mençurinë e tij. Pajtim Xhelo nuk fluturon, ai është ectar i përditshëm, i zakonshëm, në jetën e përbashkët me njerëzit e tjerë. Nuk është nevoja të përmend emra poetësh, mjafton të them se lirikat e Pajtim Xhelos mbajnë aromën Eseniniane. Kjo besoj mjafton.

Nuk mund të anashkaloj prozën e Pajtimit, e cila është një “Prozë Poetike” e pandarë nga poezia e tij. Për këto dy elemente, dekonstruksionin si parim krijues dhe ndershmërinë intelektuale që i jep funksion veprës se Pajtimit. Përkatësisht, po flas shkurt për “Gruaja dhe Vdekja”, “Testamenti i Aleksandrit të Madh”, “Doktori i Vdekjes”. Tregimet i lidh filli i vdekjes, por jo siç në kuptimin e fatalizmit. Është interesante se është zgjedhur vdekja, kjo rrafshuese e pamëshirshme e jetës, për të kryer të kundërtën: për të sublimuar kuptimin e një jete të plotë, të pashkatërrushmërisë së saj. Në kuptimin poetik, strukturor, vdekja e kushtëzon tregimin në çdo rast, me një dinamikë të detyruar veprimesh, zhdërvjelltësi në shpalosjen e karaketereve dhe fund simbolik të pashmangshëm. Padyshim zgjedhje e vështirë, por autori ka arritur që për çdo rast të kontrollojë ndërlikimet e kuptueshme. Unë besoj se janë njëlloj arkeologjie shpirtërore e psikologjike, në kohë e në hapsirë, njëlloj aventure e kujtesës, që shpie, si të gjitha aventurat e mëdha të njerëzimit, në zbulime të jashtëzakonshme. Në këtë pikë, për këtë shkak, tregimet që duket sikur i lidh vdekja, në të vërtetë i bashkon eksplorimi i fuqisë së jetës. Vërej me kënaqësi, tregimet e Pajtimit i përmbahen një rendi në sintoni me zhvillimet e sotme të letërsisë shqipe, siç e përmenda. Në njërën anë dramat urbane, në anën tjetër, kaosi i identitetit. Në ndonjë rast dëshmohet edhe një version i integruar i tyre.

Nëse do të duhej ta përkufizoja, në shërbim edhe të bindjes sime mbi llojin e letërsisë që shkruan Pajtimi, humanizmi, brishtësia emocionale, përkushtimi bindja e njeriut e shenjojnë atë pashlyeshëm.

Në tre tregimet e tij, Pajtimi ka eksperimentuar me të dyja, çka më shtyn të besoj praninë e një pune krijuese në kërkim të teknikave më të përshtatshme për shkrimin. Subjekti, pavarësisht nga fabula e thjeshtë, është pothuajse gjithmonë materie e përpunuar mirë, proporcionale – situatat, edhe për shkak të përzgjedhjes tematike, por kryesisht për shkak të ndërhyrjes autoriale, kanë tension të brendshëm, nuk bien në rrafshtësinë apo deklamacione sentimentale. Karakteret – këtu Pajtimi meriton vlerësim të veçantë – janë entitete shpirtërore e morale të krijuara përmes konfesionit. Mbi këtë skemë topik-mekanizëm poetik pra, vdekja–konfesion në prag të saj, ndërtohet tregimi, një lloji kodi origjinal, koherent, një lloji religjioni poetik në miniaturë.

Pa u zgjatur, për të mos e humbur interesin, për aq sa e njoh krijimtarinë e Pajtimit, qoftë në prozë, në poezi, në publicistikë, në interesimet historigrafike e gjuhësore, në albanalogji, përgjithësisht e shoh të mbushur me kode të tilla koherente, gjej shenjën e një njeriu plot pasion, kërshëri e dije. Edhe pse me probleme të rënda me shëndetin, sidomos me sytë, për të cilët mjekët e kanë këshilluar të mos lexojë e të mos shkruajë, pasi bëri nëntë ndërhyrje për të ruajtur këtë pakëz dritë, ky njeri ka vendosur të sakrifikohet për atë qëllim madhor që i ka vënë vetes. Të lerë trashëgim krijimet e tij perla për të gjithë ne, edhe për fëmijët e tij, se tjetër pasuri ai nuk ka. I uroj me zemër jetë të gjatë këtij njeriu të thjeshtë, të heshtur, që nuk e ka njohur egoizmin dhe egocentrizmin, kësaj blete që ka mbledhur për vite të tëra nektarin e jetës për të na sjellë mjaltin e shpirtit. I vetëdijshëm për këtë, me shembujt që solla, vlerësoj se krijimtaria e tij është një sistem vetjak i organizuar rreptësisht e i mirëmenduar, dëshmi e talentit e akumulimit të një jete plot punë, shenjë e një letërsie që është pjesë e një prirjeje të re letrare, të një letërsie që buron prej përgjegjësisë ndaj lexuesit e leximit e jo si sundim mbi të.

Tani nuk më mbetet gjë tjetër, veç të shpreh dëshirën që Pajtim Xhelo të ketë edhe shumë vite jetë, që të na lerë sa më shumë vlera të çmuara me krijimet e veta brilante.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok