26/12/2024

SHKRIMTARI HAJDUT, APO HAJDUTI SHKRIMTAR…!?

0
Kadri-Tarelli1

Kadri Tarelli, shkruan:

Skicë. Për të qarë e për të qeshur….!

Titulli këtij shkrimi duket sikur ngjason me lojë fjalësh. Edhe unë kështu mendoja para ca ditësh, por duke e pjekur pak nga pak, arrita në përfundim, se pavarësisht nga dukja, në kuptimin më të gjerë nuk janë një lloj.

Deri diku, lexuesi ka të drejtë, pasi hajdutëria është e vjetër sa bota. Është sa e shëmtuar aq edhe e dënueshme nga shoqëria, aq më shumë kur bëhet fjalën për racën e shkrimtarëve, poetëve dhe artistëve, të cilët ne i vendosim në fron të perëndisë, për fjalët, veprat dhe kumtin që përcjellin.

Ju thashë se kam një mendim disi ndryshe….! Le t’i marrim shtruar:

“Shkrimtari hajdut”, duket i fisëm, si nga emri që mban “Shkrimtar”, ashtu edhe nga pozicioni i intelektualit që shet moral te të tjerët që e rrethojnë, përfshi këtu edhe mua, që jam në shoqërinë e tyre. Me një fjalë ka veshur qyrkun e shtrenjtë, të bukur, të ndritur e të shenjtë, që e mban aq ngrohtë, aq sa askush nuk mund të mendojë, jo më të dyshojë në ndershmërinë e tij. Ai mburret, mban fjalime në krye të sofrës dhe muhabetit, pa ju dridhur qerpiku, për vesin e shëmtuar dhe karakterin e ulët, ndaj miqve dhe shokëve që e rrethojnë dhe e dëgjojnë me adhurim.

Kam përshtypjen, qofsha i gabuar, se atij i është mbushur mëndja, se i takon atij dhe vetëm atij, vendi ku e vendos shoqëria e shkrimtarëve dhe lexuesve, pasi është “i pari”, që ka zbuluar se edhe në lëndinat e shkrimtarisë, paska vend për të vjedhur pa u dukur dhe pa u ndëshkuar. Këtu nuk bëhet fjalë për redaktime, korrektime dhe shkrime për librin dhe autorin, pasi është marrëveshje mes dy individëve, që bien në ujdi: njëri punon dhe tjetri paguan. Madje, unë i pari e vlerësoj këtë përvojë pune. Por…., gjetkë e kam llafin: Ai të vjedh ashiqare, si hajdut ordiner dhe pa pikë turpi të shikon në sy, aq sa, as skuqet e as zverdhet.

Ndryshe qëndron puna me “Hajdutin shkrimtar”, pavarësisht se vesi është i njëjtë: hajduti lind hajdut, vetëm rrethanat mund ta  kufizojnë. Ai vjedh në rastin më të parë që i jepet mundësia. Përvoja mbarë njerëzore na tregon, se hajdutin çoje ku të duash, ai mbetet hajdut. E them këtë, pasi ky hajdut mund të bëhet shkrimtar si në rastin e mikut tonë, por mund të bëhet, kryetar bashkie, deputet, ministër, që vjedh dikasterin që mbulon, kryeministër që nuk kursen edhe thesarin e shtetit. Mund të bëhet mbret e perandor që vjedh kombin dhe kombet që sundon. Besoj këtu nuk ka vend për hamendësim dhe mëdyshje. Historia jonë dhe e botës është e mbushur me shembuj të tillë të neveritshëm.

“Hajduti shkrimtar”, ka një përparësi të madhe, në krahasim me të tjerët, pasi bashkon në një të vetme, zgjuarsinë që nuk i mungon, me qyrkun që vesh, apo postin që zapton. Kështu që ve në punë përvojën që vazhdimisht e shton. Madje kam përshtypjen se, as nuk fshihet dhe as tutet nga frika e moralit shoqëror.

Unë mendoj se ky tip hajduti, ka mundësi t’i japë shoqërisë një lloj letërsie të re: të rrëfejë letrarisht, si të mundë të mashtrojë e të vjedhë botën, duke mbetur i nderuar dhe i pa u ndëshkuar.

Unë shpesh e përdor një shprehje nga mençuria e popullit: “Frika dhe turpi e mbajnë nën kontroll shoqërinë”. Dhe tani po i bëj pyetje vetes dhe për ju shkrimtarë e poetë: Po kur hajduti nuk ka as frikë dhe as turp? ……. Ç’ bëhet më tej? – Ndodh ajo që na ndodhi ne, pak kohë më parë:

Që thoni ju lexues, rreth dy muaj më parë, një miku ynë studiues, më shumë filozof se shkrimtar, erdhi në qytetin tonë dhe bëri një përurim libri. Folëm 2-tre persona të përgatitur me shkrim. Veprimtaria kaloi bukur. U ndamë si miq e shokë të mirë. Fjalën tonë e botuam në gazetat tona, ku Bashkimi nuk përton t’i përmendë edhe emrat tanë në programin e mëngjesit.

Pas ca ditësh, miku ynë i nderuar, njofton Kolonelin (Meqë ka qenë ushtarak), tashmë shkrimtar shumë i njohur: – “Unë nuk mund të vij në qytetin tuaj se kam shumë punë, ndaj po ju dërgoj një shumë të vogël “Euro”, sa për një drekë, së bashku: Ju, Kadriu dhe Inxhinieri,  që unë po e pagëzoj “Shkrimtari hajdut”. Kundërshtoi koloneli ynë, por këmbëngulja ishte shumë e madhe, ndaj e pranoi, duke i thënë: “Sapo kam dalë nga spitali, nga një operacion, ndaj dërgoji në adresë të Inxhinierit, (Hajdutit). Deri këtu jemi në paqe me veten.

Unë, si për dreq, kur i thonë fjalës, dola për kafe dhe siç e kam zakon, pas porosisë, mora në tel. Kolonelin e operuar, që më thotë: “Nuk do të dilja sepse plaga më dhemb, por kam një porosi”. E prita, por jo me shume kuriozitet, nuk jam tip që gërmoj të di gjithçka. Shoku ynë, sapo u ul më tregon për porosinë, duke më thënë, – “E lamë që ta dërgojë në adresë të Inxhinierit.  Nuk e di si më erdhën në majë të gjuhës këto fjalë, sepse u zhvillua një dialog i shpejtë:

– Mos se do na turpërojë. Drekën nuk kemi për ta ngrënë…!”.

– Jo… jo, …. unë nuk mendoj se Inxhinieri do të arrijë deri në atë shkallë siç mendon ti. Është njeri publik dhe shoku ynë. E njoh prej kohësh!.

– Kolonel i nderuar! Atë drekë harroje. S’kemi për ta ngrënë! Po si do t’i themi mikut tonë, që do mendojë se ata miqtë e mi të rinj, qenkan shoqëri hajdutësh.

Të them të drejtën, në fillim mendova se u nxitova pa arsye, pa prova. Megjithatë nuk kërkova falje. Ndjeja se diçka më shtynte të besoja në veten time. Dhe fjala ime doli e vërtetë. Sepse “Shkrimtari hajdut”, i mori paratë dhe shkoi drekoi me dy shokë të tjerë, pa na thënë e pa kërkuar falje për veprimin e tij. U zhgënjeva tërësisht. E paskam nderuar më shumë se ç’i takon.

U zgjata pak në hollësi të kësaj ndodhie të shëmtuar mes shokësh, aq më tepër edhe si shkrimtarë të njohur në mjedisin qytetar. Më vjen keq përsa ndodhi, por ngushëllohem, duke menduar:

. Ishte shumë e vogël, por veprimi dhe turpi nuk maten dhe as peshohen me kandar. Vaj halli të ishte shumë e madhe…….‼‼‼???

. Më tej i them vetes: Kur u mashtrua Koloneli, shkrimtar, publicist, dramaturg i njohur, i cili më parë ka provuar mashtrime të tjera më të mëdha, madje ka bërë edhe rreth 70 libra e romane….  Po unë ç’jam para tij, me pesë-gjashtë libra?

Në përfundim, i dhashë zgjidhje pyetjes në titull të shkrimit. Inxhinieri hajdut, është shkrimtari hajdut, që livadhis në mjedisin e shkrimtarëve, poetëve dhe krijuesve të qytetit tonë. Mjerr ata që nuk e njohin……!

Kadri Tarelli

Janar 2024.

Shënim: Shkrimi u mbështet në një ngjarje të vërtetë. Emërtimet janë rastësore.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok