26/12/2024

SHKRIMTARËT MARTIRË JANË STACIONE TË RËNDËSISHME MORALE TË SHQIPTARËVE

0
u6_Shahu-Havzi-Nela

(Fjala e mbajtur në promovimin e librit tim “Bisedë e përfytyruar me Havzi Nelën” me 21 shkurt 2020, në Hotel Tirana, në 86 vjetorin e lindjes së poetit martir.)

NGA REXHEP SHAHU

Kisha vendosur që ditën e promovimit të thoja vetëm fjalën Faleminderit dhe nuk do të tirrja asnjë fjalë tjetër. Sepse mendoja se kam folë mjaft në libër, kam folë e shkruar mjaft për këto histori, dhe kam filluar të besoj se fjalët e autorit në fund të promovimit të një libri janë kupë bezdie që pihet me zor.

Po kur u mbush salla me 134 njerëz, kryesisht autoritete të spikatura të fushave të ndryshme të jetës kulturore e politike të Tiranës dhe kur dëgjova fjalët e mira që u thanë për mua e librin tim prej Izetit, Besnik Mustafajit, Sadik Bejkos, Zija Çelës, Lekë Tasit, sepse ndjeva një detyrim shumë të madh për të falenderuar  secilin njeri në atë sallë dhe disa të tjerë jashtë asaj salle që më janë gjendur me prani, mendime, konsulta, debate gjatë dy viteve që u mora me aktivitetet për shkrimtarët martirë, me botimet për to.

Më sillej në kokë e doja ta fshija atë fjalën e njohur që miqtë shkëlqejnë me mungesë, dhe unë ia shtoja pjesën time që, edhe shndrijnë me prani, fjalë që e pata përdorë në promovimin e antologjisë “Puthje mbi Bosfor”, me 101 poetë turq, në këtë sallë…

Harrova çfarë i kisha premtuar vetes dhe, kur Izeti ka thënë, tani fjala për autorin, mora një gotë me ujë dhe dola në foltore. I papërgatitur, pasi kisha vendosë të mos flisja dhe i paorganizuar, pak nervoz nga vogëlsi të mëdha, thashë fjalët e mëposhtme:

Do të deshiroja secilit, emër për emër, me i thanë faleminderit që jeni këtu, faleminderit që keni ardhë, faleminderit që me keni dashtë.

Është hera e dytë, për këto vite që merrem me këto lloj aktivitetesh, që u drejtohem kaq shumë njerzve për me ardhë e me marrë pjesë në një aktivitet timin.

Në të njejtën sallë kemi bërë vjet një aktivitet për librin “Puthje mbi Bosfor” ku unë kam pas ftue nominalisht shumë njerëz. Edhe sot, kësaj radhe, unë kam ftuar shumë njerëz.

Kam ftue shumë njerëz sepse kam dashtë me pasë njerëz. Është një ngjarje kjo e sotmja, një ngjarje që dashtë e pa dashtë do të fillojë të japë dritë më vonë.

Për secilin prej jush, shumë faleminderit.

Edhe po kërkoj ndjesë nëse jam treguar agresiv dhe i jam drejtuar me ftesë gjithkujt.

Ajo që na mungon ne sot është se ne duhemi pak e urrehemi shumë. Sepse ne nuk i japim kohë vetes tonë me u njoftë me njëri – tjetrin, nuk kemi durim me e dëgjue tjetrin.

Sot po mbyllet një projekt. Unë do të falenderoj shkurt, pa thënë se pse, dy përsonazhe. Flamur Hoxhën që më ka thënë mos më falendero se më ofendon, dhe Bashkim Shehun.

Me 8 mars (2018), që është festa apo dita e grave, ka nisë kjo histori apo ky projekt. Atë ditë jam thirrë në punë në Bashkinë Kukës dhe fjala e parë me kryetarin, Bashkimin, ka qenë, të bëjmë bustin e Havzi Nelës.

Dhe nga dita që me Ilmi Hoxhën, skluptorin, e kam marrë bustin e Havzi Nelës në makinën time, e kam çue në Spaç, nga Spaçi në Kukës, në Kukës e kemi ngritë në piedestal. Pastaj kemi bërë shtëpinë e Havzi Nelës (e kemi bërë po them se kam qenë pjesë e ekipit por nuk e kam bërë unë). Pastaj filloi e u hap loja.

Nuk kam pasë përkrahje, mbështetje, më saktë nuk kam pasë besim, nuk kishte besim tek unë, nuk besonin shokët, miqtë, u dukej si shaka kjo punë.

Falenderoj në mënyrë shumë të përveçme secilin nga 41 shkrimtarët ndër më kryesorët shqiptarë. Havzi Nelën e kanë ngritë shkrimtarët. Havzi Nelën e pranuan shkrimtarët shkrimtar.

Havzi Nelën e kemi përdorë 30 vjet herë si kalë, herë si karrocë, po për ta ngritë këtu ku është, Havzi Nelën e kanë ngritë shkrimtarët shqiptarë.

Asnjë poeti të gjallë apo të vdekur nuk i kanë shkue në shtëpi osë në festë 41 shkrimtarë.

Për Havzi Nelën kanë shkue.

Kanë shkue dy herë, jo njëherë. Edhe kur i është vendosë busti në Kukës, edhe kur i është ndërtue shtëpia në Kollovoz të Kukësit.

Është mbajtë një sesion përkujtimor i papërsëritshëm, që nuk e mban dot as Lidhja e Shkrimtarëve as Komiteti Qendror me u ngjallë nuk e mban dot, nuk e organizon dot atë Sesion përkujtimor që është mbajtë nga shkrimtarët për Havzi Nelën në Kukës.

Pastaj me mbështetjen e Flamurit i kemi çue shkrimtarët në Tepelenë tek Trifon Xhagjika. Edhe ai është shkrimtar që nuk ka varr, që nuk dihet se ku është, a ia ka marrë eshtrat Vjosa apo ia ka marrë dreqi. Havzi Nela nuk e ka kokë, nuk e dimë se ku e ka kokën.

Pastaj i kemi çue shkrimtarët në Berzeshtë te Genci dhe te Vilsoni me mbështetjen e Flamurit.

Të gjitha këto veprimtari i kemi bërë me shkrimtarët por i kemi bërë edhe bashkë me Institutin e të përndjekurve politikë që drejtonte Agron Tufa, të cilin unë dua ta falenderoj shumë edhe pse nuk është këtu. Nuk e di a kanë ardhë sot këtu përfaqësuesit e Institutit.

Shkrimtarë martirë Shqipëria ka katër. Shkrimtarë që i ka vra partia pasi është bërë e fortë partia që kur ka nisë me Trifon Xhagjikën.

Pastaj partia ka mbytë e ka vra edhe disa të tjerë shkrimtarë priftërij, edhe disa shkrimtarë të tjerë nëpër burgje që janë martirë.

Por shkrimtarët martirë nuk janë anëtarë të shoqatave të të përndjekurve politikë të republikës së Shqipërisë. Ata janë shkrimtarë martirë.

Shoqatat janë të vogla për me nxanë Havzi Nelën e varur, është i vetmi i varur, është kampion. Me nxanë Trifonin, me nxanë Gencin, Vilsonin.

Kështu që për të mos u mbetë hatri shoqatave, unë kam bashkëpunue me Institutin e të përndekurve politikë, me Agron Tufën.

Ju kërkoj ndjesë se po zgjatem. Por botimi i librit tim “Bisedë e përfytyruar me Havzi Nelën”, është si të thuash një fund projekti.

Ne do të vazhdojmë të nderojmë shkrimtarët martirë. Sepse ata nuk janë, por kanë veprën.

Ne kemi nevojë ti nderojmë ata. Dhe besoj do ti nderojmë, e kam premtimin nga Flamur Hoxha. Ne do ti nderojmë shkrimtarët martirë aty ku janë. Edhe shkrimtarët martirë priftërij.

Sepse kujtoj se shoqëria po lan borxhet e veta. Shkrimtarët shqiptarë që nderojnë shkrimtarët martirë po lajnë borxhet e shoqërisë ndaj tyre.

Ne nuk po bëjmë kushedi se çfarë, por kam përshtypjen se po bëhemi më të mirë, shoqëria po bëhet më e mirë.

Duke dashtë të mos preket askush kur thashë se shkrimtarët martirë nuk janë anëtarë të shoqatave të përndjekurve politkikë, shoqatat le të bëhën copa dhe le ti marrin po të duan edhe eshtrat e Havziut, të Trifonit, Gencit e Vilsonit, por shkrimtarët martirë nuk janë heroj shoqatash.

Sot i falenderoj politikanët që janë këtu e që na kanë ardhë edhe në aktivitete të tjera, në aktivitete që janë të pasqyruara në librin tim që po promovojmë sot, libër që është kronikë edhe me fotografi, ka 540 fotografi. Të gjithja aktivietet me shkrimtarë që kanë ndodhë që nga vendosja e bustit të Havzi Nelës janë të përfshira në këtë libër kronikë me fotografi e fjalë.

Faleminderit shumë politikanëve.

Faleminderit shumë shkrimtarëve.

Faleminderit të gjithë njerzve që na kanë mbështetë ne.

E falenderoj Lekë Tasin që është këtu. Mund të mos vinte, mund të thoshte se nuk po vij. Por erdhi dhe unë ndjehem shumë i nderuar. Ka ardhë edhe në Tepelenë te Trifon Xhagjika, ka ardhë edhe në Berzeshtë te Genci e Vilsoni.

Shqipëria nuk ka shumë stacione morale, stacione të forta morale. Por këto katër shkrimtarë shqiptarë të varur e të pushkatuar janë stacione morale të shqiptarëve.

Ne, besoj do të fillojmë të ndalohemi te këtyo stacione morale.

Besoj fola tepër, por çfarë mund të kem lënë mangut, merreni me mend, sepse unë kam gjithë mirësinë për t’ju falenderue, për t’ju nderue dhe për të tregue se unë ndjehem shumë i respektuar prej jush. Edhe se ka ardhë nga Zvicra shkrimtari Arbër Ahmetaj që mund të mos vinte këtu tani. Edhe se ka ardhë nga Siria djali i xhaxhait tim Xhemil Shahu që është me shërbimm atje, ka ardhë këtu të më nderojë mua.

Ndjehem i përkëdhelur. Faleminderit Izetit për drejtimin e veprimtarisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok