SHKRIMTARËT I DUAM PAS VDEKJES
![Kadare-Vepra](https://merbraha.com/wp-content/uploads/2022/10/Kadare-Vepra.jpg)
– Kadare dhe “apologjia” e të mëdhenjëve –
NGA NDUE DEDAJ
“Unë dua poetët e vdekur”, thotë Lida Snjegina, vajza ruse e novelës “Muzgu i perëndive të stepës”, që nënkupton se ajo nuk i donte shkrimtarët e gjallë. “Ajo don kryesisht shkrimtarët e vdekur”, përforcon Kadare. (I. Kadare, “Onufri”, Vepra, v. VIII, f. 66.) E sollëm këtë detaj për të thënë se tash që nuk e kemi Kadarenë, do ta duan dhe ata që nuk e deshën në të gjallë. Ky është zakoni ynë, nuk mund t’i duam sa janë mes nesh shkrimtarët, për njëqind mos – arsye. E megjithatë ata janë që në gjallje ata të pasvdekjes. Në një intervistë dhënë Alketa Spahiut, Kadare do të thoshte: “Do apo nuk do shkrimtari, vdekja bën pjesë në dosjen e tij. Nuk ka në këtë shprehje asgjë patetike… Përparësia e letërsisë, e artit dhe e çdo krijimi vlerash shpirtërore, qëndron pikërisht te lidhjet e tij me të ardhmen”. (“ExLibris”, 25 janar 2025.)
Kadare nuk ishte natyrë e afrueshme, këtë ia vinin re të gjithë atij, por jo një njeriu tjetër të zakonshëm. Te ky i fundit do të na dukej normale, pasi kështu i kemi tipat në jetë, kurse Kadarenë e donim me doemos që të na begeniste, bile dhe të na “donte”. Kadare ishte vlerësues për secilin shkrimtar, edhe për një letrar të ri, kur ai ishte i talentuar, por mbase pa shumë fjalë. Ai, si gjithë të mëdhenjtë, nuk e njihte gjuhën e lajkave. Ai të pranonte dhe çfarë duhej më tepër. Ishte kënaqësi e veçantë kur ai të thoshte “Të kam lexuar”…
1
Bash për keqkuptimin që kanë të gjallët me të mëdhenjtë, gjithmonë ka qenë nevoja e një apologjie ndaj tyre. Gjergj Kastrioti ishte ai që ishte, ama Frang Bardhi u dëtyrua të shkruante një apologji të gjatë dhe të argumentuar rreth origjinës së tij shqiptare. Edhe poemat e Rilindjes kushtuar figurës së tij kanë qëllimin e ringjalljes së epokës lavdimadhe. “Pështjelloheshim” disi në rini kur lexonim në librat e letërsisë se Noli ishte nga Qyteza e Kolonjës, dhe pse kishte lindur në Ibrik-Tepe, diku mes Greqisë e Turqisë. Ka pasur zhurmë për origjinën e Nënë Terezës, derisa u zbuluan dëshmitë e pagëzimit të saj në kishën katolike të Shkupit etj. Por nuk është vetëm origjina që ka nevojë për apologji, e nuk janë vetëm të huajtë që ngrenë hipoteza, alibi, qenka edhe biografia, si ajo e Kadaresë. Ata që nuk kanë mundësi të flasin për personazhet e Kadaresë, e kthejnë atë vetë në “personazh” të tyre, duke i numëruar kinse cenet. Si është e mundur që të hidhet baltë sy në sy. Shkrimtarit të madh i shpifën se kishte thënë një fjalë të rëndë për ikësit e ambasadave të korrikut 1990, ndokush duke bërë be e rrufe se kjo gjë ishte botuar në gazetën “Drita” në maj të atij viti, kur ikja do të ndodhte dy muaj më vonë në korrik (!?). Kadare e përgënjështron disa herë me gojë dhe me shkrim, por askush nuk ia vë veshin, pasi për ata qe nuk janë seriozë dhe nuk lexojnë veprën e autorit, legjendat urbane janë një argëtim delirant. Ata që e mbajnë mend atë verë të nxehtë e të thatë, duhet të arsyetojnë, si ka mundësi që në mitingun e madh të gjëmës komuniste në sheshin “Skënderbej”, i vetmi që mungoi ishte Ismail Kadare! Ky është lajmi dhe jo thashethemnaja rreth tij. Sepse Kadare nuk mund të ndodhej në vendin e gabuar, në kohën e gabuar.
Ndërkohë ka marrë më shumë vëmendje sa duhej dhe qendrimi i Kadaresë ndaj Fishtës deri në krijimin e një “dueli” të pakuptimtë se cili nga ata të dy ishte më i madh. Ka ndodhur vetëm njëherë dhe ndoshta nuk do të kishte ndodhur, nëse Kadaresë nuk do t’i kërkohej të fliste në nëntorin e vitit 1973, në Konferencën Kombëtare të Talenteve të Reja, në Korçë, që ishte një kongres i mirëfilltë shkrimtarësh, me praninë e sekretarit të KQ për ideologjinë dhe shefes së Institutit të Studimeve ML, ku ai do të thoshte se Fishta kishte qenë konservatori më i madh i letërsisë shqipe dhe po ashtu liberali më i madh i saj, fjalim që pas disa muajsh u botua si artikull në “Zëri i Popullit”. Autori i këtyre radhëve, asokohe gjimnazist në Mirditë, ka qenë në sallë. Duhet ditur se Konferenca, ku Kadare nuk shpëtoi dot pa u “lagur” me diskutimin e tij retorik, u mbajt në frymën e Plenumit IV të KQ të Partisë të atij viti, që ishte armiku më i madh i letërsisë dhe arteve në gjithë historinë e tyre. Komentuesit e sotëm populistë duhet të dinë se vetëm një vit më pas Partia do ta kurorëzonte aksionin e saj ideologjik varrmihës të letërsisë dhe arteve me fjalimin e 20 dhjetorit 1974, ku Enver Hoxha do t’i emërtonte shkrimtarët dhe artistët “ndihmës besnikë të Partisë në edukimin komunist të masave”. O tempora, o mores. Kësisoj, ç’kuptim ka që ky sakrilegj i një shkrimtari të madh ndaj një tjetër shkrimtari të madh, të rimerret dhe të bëhet çështje dite pas një gjysmë shekulli? Le të trajtohet nga biografët letrarë në kontekstin e dhënë dhe kaq është e mjaftushme.
Me sa duket gjenitë nuk mund ta kalojnë “Rubikonin” pa i paguar një çmim të lartë bashkëkohësisë së tyre mospranuese. Kadaresë i është bërë objekt sulmi ideologjik gjer romani kryevepër i tij “Pallati i Ëndrrave” në vitet ’80 të shekullit të kaluar. Po sa e sa shkrimtarë të shquar janë bërë “problem” për shkak të keqkuptimit të (krye)veprave të tyre në kohën kur ato u botuan, duke u (para)gjykuar për thyerje të tabuve morale, fetare, ideologjike, biografisë së papërshtatshme për regjimet etj., si Sharl Bodler me “Lulet e së keqes”, Xhejms Xhojs me “Uliksin”, Scott Fitzgeraldi me “Getsbi i madh” etj. Shkurt, të mëdhenjtë, si në mesjetë, si në kohë moderne, këtë fat paskan, të mbrohen për atë çka ata janë. Apologjia e të mëdhenjëve është mjerimi i të vegjëlve.
2
Një nga “arsyet” e mosdashjes së shkrimtarëve sa janë gjallë është mallkimi i biografisë, sidomos i atyre që kanë jetuar në regjimin komunist. E kemi shtjelluar këtë argument në një artikull të gjatë në gazetën “Shqip” më 2006, pikërisht me objekt Kadarenë dhe i rikthehemi pasi dhe sot shkrimtarët gjykohen jo për veprën, por si i kanë pasur raportet me regjimin e kaluar, jo vetëm të anatemuarit e vdekur e të gjallë si Fishta, Konica, Koliqi, Kokalari e Haxhiademi, por dhe Malëshova, Marko, Trebeshina etj.
Nga ana tjetër, kur sheh sot bërllokun e fjalëve me të cilin sulmohen shkrimtarët, thua kanë qenë me fat ata autorë që kanë vdekur jo në kohën e internetit, pasi kanë shpëtuar nga jargët e sharjeve dhe “biografizimi” i tipit bolshevik, si dhe nga “klasifikimi” popullor kush është i pari, kush i dyti, kush i treti, a thua se bëhet fjalë për krushq të një dasme që shkojnë të marrin nusen. Është po ajo mendësi që për gjysmë shekulli Fishtën e denigronte për vargjet “Le ta marrë vesh gjithë bota mbarë…”, pa ua ditur kuptimin. Puna është se mosleximi i veprës këtë “çmim” ka, atë të përçmimit të autorit me anë të biografisë. Po e gjitha kjo është një kotësi, ata tashmë rrojnë përtej vetes dhe kohës. Sa i përket Kadaresë, janë vetëm gjashtë shkronja, për të thënë të gjithin atë, qoftë dhe pa emrin Ismail përpara, si në rastin e De Radës, Fishtës, Migjenit, apo Kafkës, Kunderës, Borgesit etj. I takoi gjeneratës sonë, apo më saktë dy-tri gjeneratave të fundit, për ta përcjellë në amëshim, por shkrimtari i përket lexuesit shqiptar prej shtatëdhjetë vjetësh, që nga viti 1954, kur solli “Frymëzimet djaloshare” gjirokastrite, që parathoshin një talent të madh të letërsisë shqipe. I llogarisni vetë lexuesit e tij, prej atëherë, këtu dhe në Kosovë, ku ato gjeneratat e para që e njohën atë si krijues, janë shuar. Por llogarisni dhe lexuesin e tij shqiptar të nesërm, që nuk do të jetë i dyzuar si një pjesë e lexuesit të sotëm, që e sheh shkrimtarin mes letërsisë dhe biografisë, duke i mëshuar kësaj të fundit, a thua se Kadare duhej të ishte një gjysmëperëndi në tokë! E ky është vetëm njëri, lexuesi i gjuhës dhe i gjakut të tij, por është dhe ai lexuesi i huaj i dyzet e pesë gjuhëve të botës, që vetëm sa shtohen. Pra, mjaftojnë vetëm ato gjashtë shkronja, me theks në të fundit, dhe s’ka nevojë për tjetër, si “gjeniu i letërsisë shqipe”, “shkrimtari shqiptar me përmasa botërore” etj. Ai do të jetë dhe letërnjoftimi ynë jashtë vendit. Ju jeni të… Kadaresë? Dmth vini nga vendi i tij? Nga gjuha shqipe? Kaloni!…
Ndokush nesh, që është duke kaluar nëpër atë “aeroportin” pa ulje dhe ngritje avionësh, mund të ngurrojë për një çast. Si? Ju po thoni Kadareja është një mit i gjallë? Po ai… nuk foli për shembjen e Teatrit, nuk e kritikoi qeverinë për pazotësinë në luftën kundër e kanabisit, as atë tjetrën dje për lejimin e “piramidave”! Nuk mori kazmën të shembte me rropamë kampin socialist! Ka aq shumë mëkate. Nuk i shkruam më kot ne të tijtë Stokholmit që të mos i jepej “Nobeli”.
Ai, i huaji, atje përtej shtetit tënd, që është duke të dëgjuar ty e ka gati përgjigjen, por nuk ngutet. Në fund të le pa fjalë: “A ishte ai një shkrimtar?” Ti sigurisht që nuk mund të thuash se nuk ishte… A, po, vijon ai “apologjinë” për Kadarenë, kam dëgjuar se ju shqiptarët bëni një dallim të çuditshëm, mes shkrimtarit dhe njeriut, thoni se si shkrimtar është i madh, kurse si njeri jo!? Po ku tjetër ndodh kjo ndarje mes krijuesit dhe njeriut? Ju dini se Shekspiri është i madh si shkrimtar, por nuk dini asgjë se si ishte ai si njeri! Apo Balzaku, Dostojevski, Zvajgu. Mos duhej ta modelonit ju shkrimtarin tuaj si karakter, sa i censhëm të ishte? Atëherë ai nuk do të ishte ai që ishte dhe për rrjedhojë do të mungonte vepra e tij!… O Zot kanë guxuar gjer hierarkë të lartë tuajt në demokraci ta cilësojnë “shkrimtar oborri”, për të qitur vetën më lart se shkrimtari. Por, më thoni, ku janë ata tani? E ku do të jetë nesër, kur nuk do të jenë më presidentë, ministra? Nuk është kjo ajo çfarë dua të të nënvizoj unë i huaji, si një qytetar i botës, për shkrimtarin tuaj të madh dhe njëherësh tonin, Kadarenë. Ka një kontradiktë që ju bën qesharakë. Nuk mund të rrijë një shkrimtar i madh në lëkurën e një njeriu të vogël!? Një shkrimtar i madh është njëherësh një njeri po aq i madh. Nguliteni këtë njëherë e përgjithmonë në vetëdijën tuaj të lodhur. Mirëpo ka gjasë që ju të mos çliroheni lehtë prej sindromit të biografisë, vijon ai “zëri” nga jashtë. Për një gjysmë shekulli keni bërë biografinë e njëri-tjetrit me një zell të madh, atë bëni dhe sot dhe ku ta gjenit një “peshk të madh” si Kadarenë që t’ia numëronit një më një të gjithë mëkatet e detit. Por jeni ju të gabuar, ngaqë jeni të ideologjizuar deri në palcë. Ju duhej të dinit se ndërsa Kadare shkruante “Dosjen H”, duke shtegtuar nëpër gjurmët e dy studiuesve amerikano-irlandezë, që në vitet ’30 të shekullit të kaluar endeshin në Alpet shqiptare, në kërkim të bardëve të fundit të eposit të kreshnikëve, në labirintet e errëta të sherbimit sekret shqiptar gatuhej dita-ditës “Dosja K”, që nuk kishte asgjë homerike. E nuk do të ishte rasti i parë në historinë totalitare të Europës kur një shkrimtar do ta shpëtonte “llogaria” e famës, pushteti më shumë fitonte apo humbte me martirizimin e tij?…
Kadare është cilësuar nga të huajtë si “rapsod i Europës” dhe kjo ka logjikën e saj, edhe pse dihet se ai ishte një shkrimtar modern dhe jo një rapsod. Por në fillim ishin rapsodët ata që e qitën katundin e tyre përtej malit tjetër, me fjalët dhe zërin e tyre mbi lahutë. Pastaj përtej nëntë maleve, në popuj të tjerë ballkanas e europianë. Ideali i tyre ishin kreshnikët, që përballeshin në një mënyrë apo në një tjetër me krajlitë. Kjo ishte dhe saga moderne kadareane, me romanet: “Kështjella”, “Dimri i Madh”, “Koncert në fund të dimrit”, “Ura me tri harqe” etj. Ky “rapsod” i madh bashkëkohor i përcolli Europës baladat shqiptare të besës dhe ringjalljes së njeriut për shkak të saj – romani “Kush e solli Doruntinën”, siç pëmes “Prillit të thyer” evokoi kanunin e shqiptarëve, as pa e glorifikuar si në të kaluarën e as pa e denigruar siç ishte vija politike e kohës. Ndërkohë që “Pallati i Ëndrrave” ishte mënyra se si shkrimtari e pau botën, pa ëndrravrasës të asnjë stine. Përmbledhur në një fjali të vetme, merita e shkrimtarit është se shkroi letërsi të lirë të nivelit europian në diktaturë. Gjuha e magjishme e shkrimtarisë, stili i tij thellësisht origjinal dhe kreativ, optika dhe opusi krijues i pazakontë, përqeshja e marrëzisë së botës etj. e bëjnë Kadarenë të parë mes të parëve të letërsisë botërore. Ai iu qas me germa të mëdha dhe me një metaforë sipërore të vetmit fenomen letrar shqiptar të shekullit XX, që ishte Migjeni, duke e quajtur “uragani i ndërprerë”, çka e lartëson personalitetin e tij, ashtu si esetë (sprovat) kushtuar Dantes, Shekspirit etj.
Lexuesi shqiptar, jo ai i ri, ka një marrëdhënie të veten me këtë shkrimtar qysh nga fëmijëria, si me asnjë tjetër, ia ka lexuar poezitë e romanet, ka folur për to në shkollë, ka shkruar në shtypin letrar etj. Një bashkërrugëtim i gjatë me shkrimtarin, që kur në duart e mësuesve të tu shihje romanet e tij të sapobotuar në mijëra kopje, si “Kështjella”, “Kronikë në gur” etj. Më vonë jemi përpjekur dhe ne ta themi ndonjë fjalë për veprën e tij., romanin “Prilli i thyer”, librin me novela “Tri këngë zije për Kosovën” etj.
Qysh herët, në poezinë “S’lindëm ne princa”, Kadare do të shkruante: “Dhe ne të gjithë jemi / Drurë të mbjellë në udhëkryqet e historisë”. Dy vargje që të bëjnë të mendohesh thellë, drurë të drejtë dhe drurë të shtrëmbër në një barrë, drurë që kalbën dhe drurë që bëhen eshkë për të ndriçuar netët, drurë – rrape shekullorë dhe drurë – shkurre përtokëse. Të gjithë në udhëkryqet e historisë, ndërsa kujtesa e saj ka punë vetëm me “drurët” përrallorë të pavdekësisë.