05/03/2026

Shkretimi i Kosovës

0
Ndue-Ukaj

Nga Ndue Ukaj

Kosova sot i ngjan një tokë të lënë djerrë, ku sundon politika e egër, si egjra, e ku, pakkush shqetësohet për kulturë politike. Dhe sa herë mendoj për raportet e politikës me kulturën, më kujtohet Branko Merxhani, që thoshte se “politikë s’ka, vetëm kulturë”. Ai shkruante kështu në vitin 1936, në një tekst të botuar te revista që e drejtonte atëherë, “Përpjekja Shqiptare”, duke u përpjekur t’i ndriçonte shqiptarët e dalë prej gjumit të gjatë të robërisë, në një tokë që për shekuj ishte lënë djerrë, siç thoshin mendjendriturit e asaj kohe.

Vërtet, tokat shqiptare për shekuj ishin lënë djerrë, shqiptarët jetonin përkundrejt kulturës, pa shkolla, pa art, pa libra, thjesht, të këputur nga të gjitha të mirat e civilizimit.

Dhe kjo gjendje, ishte nxitëse për shumë atdhetarë intelektualë, që të behnin çmos e ta iluminonin popullin – ta nxirrnin nga prapmabeturia – dhe tokat e lëna djerrë, t’i mbillnin me pemë kulturore, frytet e së cilës do të kthenin politikën në dobiprurëse.

Shqiptarët, të lodhur, të dërmuar, në fundin e shekullit XX, u bënë një me idealet perëndimore, pas shekuj e shekuj robërish, dhe për rrjedhojë, fati i tyre historik ndryshoi aq shumë sa shekuj e shekuj me radhë, ata nuk mund të gjejnë një kohë më të bukur e më të volitshme historike, provë të zhvillimit të tyre të gjithmbarshëm.

E shoh tani Kosovën, si vogëlohet, përditë e më shumë, si bëhet përditë e më të zymtë e më të egër, se nuk ka asnjë ide përbashkimi, se ka politikë dhe jo kulturë, se politika, me gjembat e saj të egra, përditë ngulet në zemrat e njerëzve të pafajshëm, i nënshtron, duke iu vjedhë ëndrrat, e shoh si injoranca përparon, pa i dalë kush që t’i thotë stop fytyrës së saj të shëmtuar e egërshane. E shoh si pabesia banon mes nesh, si një pemë, që mirëmbahet më së shumti e më së miri.

Dihet, asnjë shoqëri nuk mbahet në këmbë pa një ideal të madh, nuk ec përpara pa një ide të shëndoshë dhe nuk zhvillohet pa ndjesi solidare mes njerëzve të saj, sepse, solidariteti e dialogu janë motorë të zhvillimit.

Vendi ynë, mjerueshëm, sot, asnjërin prej këtyre idealeve nuk i ka në veprim.

Është përlyer edhe kujtimi më i bukur i shqiptarëve: aleanca natyrale me perëndimin, që ngadhënjeu mbi shekuj egërsie në këtë rajon gjaknxehtë, plot ngatërresa e mosmarrëveshje.

Dhe tani, përkundrazi, në vendin tonë, shoh cektësi, njerëz që e mundojnë gurmazin e jo mendjen, turma budallenjsh që betejat politike i mendojnë si arenë xhungle, hipokritë të shkallës brutale, që parimet i mendojnë si perime.

Vendi ynë, para pak dekadash, kishte një shkollë demokracie autentike, me Ibrahim Rugovën në krye, ndaj u bë tfilluese e proceseve të tilla në Europën Juglindore, kishte ide e ideale, prandaj, Kosova e vogël, falë vullnetit të madh, u bë e madhe. U bë e madhe në sytë e Europës e të botës së qytetëruar, se kishte ide të mëdha. Dhe këtë Kosovë të madhe, sot, udhëheqës mendjeshkretë e të egër, e kanë bërë çështje periferi, të vogël, aq sa më nuk duket për asgjë të mirë në hartën e popujve të përparuar. E kanë zymtuar aq shumë, sa në të nuk shihet asgjë pozitive, pos mjegull e një gjuhë me tipare politike barbare.

Sot, shoh përditë, si njerëzit shndërrohen e bëhen aq të panjerëzishëm sa të kap trishtimi kur e kupton se krijesa të tilla kanë fuqi të përcaktojnë fatet e një populli, duke e lënë vendin tonë, tokë të lënë shkretë, për brezat që vijnë.

Mjerisht, Kosova po vogëlohet përditë e më shumë, sepse, në krye të saj ka njerëz me mentalitet të vogël e të cektë, njerëz pa formim kulturor, që e matin realitetin, me fuqinë e tyre reprezentuese, thënë me terma konkret, gjithçka e matin me fuqinë e kontrollit e të pushtetit.

Ndoshta shpjegimet ma të duhura për gjendjen tonë të mjerë, mund t’i gjejmë te raporti ynë me kulturën, dhe më saktësisht, te raporti ynë me librin.

Shkrimtari i madh, nobelisti Mario Vargas Llosa, thoshte se një shoqëri pa letërsi është e dënuar të bëhet shpirtërisht barbare dhe madje të rrezikojë lirinë e saj.

Kosova është në prag të këtij kufiri, për çka paralajmëronte Llosa.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok