Shkollat e braktisura!
Shkruan: Florim Zeqa
Arsimi është një ndër hallkat kryesore të ndërtimit dhe së ardhmes së një shteti, andaj s’ka si të mos jetë ndjenjë e mirë ndërtimi i shkollave të reja dhe universiteteve në vendin tonë, por gjithnjë numri i tyre duhet të jetë në përputhje të plotë me numrin e banorëve dhe nevojave zhvillimore të vendit e të mos degradohet sistemi.
Hapja e Universiteteve (politike) Private, hapje e vendeve të reja të punës
Hapja e Universiteteve (politike) Publike dhe Private pa kritere nga ana e pushtetarëve, nuk e kishte qëllim parësor arsimimin, por punësimin e të afërmve dhe militantëve partiakë në ato universitete.
Kjo logjikë e mbrapshtë e hapjes e ‘vendeve të reja të punës’ është logjikë e shkuarjes mbrapa e jo e ecjes përpara, ngase kuantiteti nuk e përcakton asnjëherë kualitetin në arsim.
Produkt i këtyre universiteteve dhe sistemit të inkriminuar arsimor është fabrikimi i ‘kuadrove gjysmanalfabetë’, ku të diplomuarit kanë fare pak njohuri profesionale, e aq më pak për nevojat dhe konkurrencën e tregut të punës në sistemin aktual shoqëror (kapitalist).
Problemi është se pasojat e nivelit të ulët arsimor barten në sektorët e tjerë, si në shëndetësi, ekonomi, tregti, diplomaci, kulturë, sport etj.
Në mungesë të një strategjie nacionale për arsimin e lartë, për çka çdo vit kemi rritje të titujve ‘akademik e shkencor’, dhe rënie të cilësisë e të kualitetit në arsim dhe shkencë.
Kolegjet dhe Universitetet Private sikurse objektet fetare
Kosova është një vend i vogël për shtrirjen gjeografike të universiteteve e kolegjeve, që janë bërë sikurse objektet fetare të pasluftës, të cilat mbinin ngado e kudo, edhe aty ku nuk kishte fare nevojë për to!
Niveli ulët arsimor në Kosovë është rezultat i qeverisjeve të inkriminuara të pasluftës, e në veçanti të katandisjes në trevjetëshin e fundit, ku askujt nuk i intereson cilësia në arsim, por vetëm paqja sociale në vend.
Edhe pse kanë kaluar dy dekada e gjysmë nga përfundimi i luftës, Kosova ende nuk ka arritur të ndërtojë një sistem cilësor arsimor, por gjatë tërë kësaj periudhe janë vjedhur paratë përmes tenderëve të kriminalizuar për ndërtim të shkollave, duke iu dhënë tenderët si gjithnjë vetëm mafio-oligarkëve të njëjtë, pa procedura tenderike dhe me çmime astronomike e deri tek botimi i librave shkollorë, edhe atë për 24 vjet rresht!
Kështu, politikanët gjysmanalfabetë dhe të inkriminuar e kanë rrënuar në themel shkollën shqipe kosovare, duke e shfrytëzuar e zhvatur vetëm për përfitime personale dhe partiake klienteliste.
Gjatë periudhes së paspavarësisë janë vjedhur pa mëshirë paratë e buxhetit të shtetit përmes tenderëve të kriminalizuar për ndërtim të shkollave pa asnjë kriter, duke iu dhënë tenderët si gjithnjë vetëm mafio-oligarkëve të njëjtë, pa procedura tenderike dhe me çmime astronomike për përfitime personale dhe partiake klienteliste.
Emigrimet familjare të viteve të fundit dhe zbrazja në heshtje e Kosovës, ka bërë që në shumë zona rurale prej vitesh të mbyllen shkollat shkaku i mungesës së nxënësve, sa të tjera janë në procedura të mbylljes. Nuk ka trishtim më të madh sesa të shohësh shkolla të mbyllura dhe shtëpi të braktisura pas 24 viteve në liri.