SHKOLLA DHE SHAMIA
Nga Xhelal Zejneli
Çështja shqiptare në Ballkan është çështje kombëtare dhe jo çështje fetare. Ata që ka sunduar mbi shqiptarët gjatë shekullit XX, kurrë s’ua kanë ndaluar shqiptarëve të drejtat apo liritë fetare islame. Shqiptarët kanë qenë të lirë të quhen myslimanë dhe të ndërtojnë objekte fetare të fesë islame. Madje kanë qenë të nxitur dhe të motivuar të ndërtojnë sa më shumë xhami. Përse?! Duke qenë se nëpër xhami lutjet fetare janë realizuar në gjuhën arabe, pushtuesit dhe kolonialistët serbë, prej tyre nuk kanë parë kurrfarë rreziku. Në Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve (1918-1929), e cila më vonë u quajt Mbretëria Jugosllave (1929 – nëntor 1945), në të cilën sundonte oligarkia serbomadhe në krye me dinastinë serbe të karagjorgjeviqëve, shqiptarët as që kishin të drejtë të quhen si të tillë. Ata përfshiheshin në grupin e bashkësive myslimane. Nuk kishin të drejtë të shkolloheshin në gjuhën amtare, d.m.th. në gjuhën shqipe. Kjo nuk ishte politikë asimiluese por strategji asimiluese dhe shkombëtarizuese shtetërore. Kjo strategji antishqiptare asimiluese ishte përpunuar prej akademikëve serbomëdhenj. Një prej tyre është edhe akademiku Vlladan Gjorgjeviq (Vladan Đorđvić / Владан Ђорђевић, 1844-1930). Ishte kirurg, kurse në vitet 1897-1900 ishte kryetar i Këshillit të Ministrave të Mbretërisë së Serbisë. Me librin e vet “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha” (Arnauti i Veilke sile, Beograd, 1913, 188 faqe) flet zi e më zi për shqiptarët, saqë bën edhe dehumanizimin e tyre. Ky ua çeli rrugën akademikëve të tjerë serbomëdhenj që të hartojnë projekte antishqiptare. Një prej tyre është edhe akademiku Vaso apo Vasa Çubrilloviq (Vaso Čubrilović, 1897-1990), autor i elaboratit famëkeq “Dëbimi i shqiptarëve” (Iseljavanje Arnauta) që e lexoi më 7 mars 1937 në Klubin Kulturor Serb në Beograd. Në këtë elaborat, midis tjerash thotë se shqiptarëve duhet t’u lejojmë sa më shumë xhami, por asnjë shkollë.
Me këto projekte, serbët synonin:
– t’i asimilojnë shqiptarët;
– t’i dëbojnë prej trojeve etnike:
– të kryejnë pastrimin etnik të trojeve shqiptare; dhe
– të dalin në det, në Adriatik.
Në vitin 1924 u çel në Shkup “Medreseja e Madhe e Mbretit Aleksandri I” (Velika Medresa Kralja Aleksandra I). Ishte shkollë e mesme fetare. Ata që e kryenin, merrnin titullin e klerikut mysliman. Më 1940 u promovua në shkollë të mesme shtetërore në të cilën mësoheshin lëndë të caktuara gjimnazi dhe mësimi fetar islamik, gjuha arabe dhe ajo turke.
Sikundër shihet, shqiptarët s’kishin dot të drejtë shkollimi në gjuhën amtare. Duhet shtuar se në trojet shqiptare në Jugosllavinë e karagjorgjeviqëve kishte edhe popullsi shqiptare katolike dhe ortodokse. Sikundër ka dhe sot.
* * *
Ideologjia serbomadhe e shfarosjes së shqiptarëve nëpërmjet pastrimit etnik u konkretizua me Rregulloren sekrete për shpërnguljen e shqiptarëve në Anadoll, të hartuar në Beograd më 28.XI.1933 ndërmjet Mbretërisë Jugosllave, në një anë dhe Republikës së Turqisë, në anën tjetër. Kjo marrëveshje famëkeqe imitonte Marrëveshjen e Lozanës të viti 1923, sipas të cilës Greqia dëboi për në Turqi çdo familje myslimane, pjesa më e madhe e të cilëve ishin shqiptarë.
Diplomatët dhe politikanët serbë shkonin nëpër kancelaritë e Evropës dhe thoshin: “Në Jugosllavi s’ka shqiptarë, ka myslimanë”.
Politikë shkombëtarizuese ndaj shqiptarëve, duke i paraqitur dhe duke i regjistruar si myslimanë dhe jo si shqiptarë, kanë ndjekur edhe malazeztë, sllavo-maqedonasit dhe grekët. grekët. Një politikë e tillë – shkombëtarizuese, në zonat ku shqiptarët nuk kanë qenë shumicë, është ndjekur edhe në Jugosllavinë e Titos. Si mysliman, nuk ke paraqitur rrezik për shtetin, si shqiptar – po.
* * *
Nëpër shkollat shqiptare nuk ka përse të përdoren shamitë. Shqiptarët janë popull evropian, properëndimor dhe proamerikan. Më proamerikani në botë. S’janë as turq, as arabë dhe as persianë. Ka politikanë të Turqisë që thonë se shqiptarët dhe turqit na qenkëshin vëllezër. Kjo s’është e vërtetë dhe s’mund të jetë e vërtetë. In ultima linea, shqiptarët s’mund të jenë vëllezër me turqit, përpos tjerash edhe për faktin se u përkasin tri feve – katolike, ortodokse dhe islame. Duke qenë popull evropian, shqiptarët s’mund të jenë edhe popull aziatik.
Gjuhëtari gjerman, albanolog, themeluesi i gjuhësisë krahasuese historike indoevropiane, profesor në Universitetin e Berlinit Franc Bop (Franz Bopp, 1791-1867), që në vitin 1843 dëshmoi karakterin indoevropian të shqipes. Në studimin “Mbi gjuhën shqipe në lidhjet e afrisë së saj” (Uber das Albanesische in seinen verwandtschaftlichen Beziehungen) vërtetoi në mënyrë përfundimtare se shqipja bën pjesë në familjen gjuhësore indoevropiane, ku zë një vend të veçantë si gjuhë më vete. Gjuha turke ndërkaq i takon familjes së gjuhëve uralo-altaike.
Si një popull evropian, shqiptarët funksionojnë me sistem evropian vlerash. Shamia, e këtillë siç kërkohet, nuk i përket sistemit evropian të vlerave. Shamia, e këtillë siç kërkohet, i përket Turqisë, botës arabe, Iranit. Shqiptarët s’janë as turq, as arabë dhe as iranianë. Shamia, e këtillë sikundër kërkohet, ka ardhur ndër shqiptarë nëpërmjet Turqisë, gjatë sundimit turk. Me fjalë të tjera, atë ua kanë sjellë shqiptarëve sundimtarët e tyre.
Shqiptarët nuk do të mundë të integrohen në gjirin e Evropës me sistem joevropian vlerash.
Shqiptarët janë popull me tri fe. Kërkesat për të mbajtur shami në shkollë, në shoqërinë shqiptare mund të shkaktojnë përçarje. Kjo do të ishte tragjike dhe fatale për kombin. Përçarjet në botën shqiptare mund të shpijnë në prishjen e harmonisë fetare, ndërsa disharmonia fetare do të çonte në konflikte mbi baza fetare. Si rrjedhojë, do kishim bosnizimin e kombit shqiptar.
Arsimi në botën shqiptare është shekullar. Por, hapësirat shqiptare ka edhe shkolla fetare, katolike, ortodokse dhe myslimane. Këtë ua mundëson ligji dhe kushtetuta.
Askush nuk i ka ndaluar nxënëset dhe studentet shqiptare të fesë islame të mbajnë shami nëpër medrese dhe në fakultetet teologjike islame. Shami mbajnë edhe vajza të moshës së mitur që ndjekin mësimin fetar nëpër mektebe. Askush nuk i ka ndaluar femrat shqiptare të fesë islame të mbajnë shami – ato që duan – në jetën private. Në një klasë shqiptare mund të mësojnë nxënës shqiptarë të të tri feve – katolike, ortodokse dhe myslimane. Si do të përjetohej shamia apo mbulesa te nxënësit shqiptarë që nuk i përkasin fesë islame?!
Propaganduesit e islamit politik një ditë do të kërkojnë që vajzat dhe djemtë shqiptarë të mësojnë nëpër shkolla të veçanta, si në Iran. Shqiptarët nuk jetojnë, as në Azi, as në botën arabe, as në Afrikë. Jetojnë në Evropë. Në shumë shkolla të vendeve me popullsi feje islame vajzat shkojnë në shkollë pa mbulesa apo shami. Shqiptarët s’ka përse të bëhemi më katolikë se papa.
Nëpër shkollat shqiptare, publike apo private, parashikohet me ligj mbajtja e uniformave. Ka nxënës, si djem ashtu edhe vajza, shkojnë në shkollë në kundërshti me normat etike apo me kodin etik. Ndaj tyre nuk merret kurrfarë mase, as pedagogjike, as administrative. Ndaj tyre nuk reagon as shkolla, as prindërit, as shoqëria. Shkolla nuk është disko klub. Është institucion edukativ dhe arsimor. Në kundërshti me normat etike apo me kodin etik, i ndjekin studimet edhe një numër i caktuar i studentëve. Nga kjo del uniforma nuk respektohet sa duhet, për të mos thënë fare, si në shkollat fillore dhe të mesme, ashtu edhe në arsimin universitar. Mbajtja e uniformës vlen – me akt normativ – edhe për mësuesit, për arsimtarët, për profesorët dhe për ligjëruesit universitarë. Në shumë raste kjo nuk respektohet gjithaq, në mos hiç. Po qe se mësuesi nuk e respekton kodin etik të profesionit të vet, atëherë mos prit më shumë prej nxënësit të tij apo të saj. Ka nxënëse që shkojnë në shkollë me grim. Madje edhe nxënëse të shkollës fillore. Ç’pret prej asaj shkolle dhe prej asaj shoqërie?!
* * *
Në një shkollë me rreth 1.000 nxënës, mbi 550 mund të jenë vajza. Prej tyre, shami në klasë mbajnë jo më shumë se 10 deri 15 sosh. Me fjalë të tjera, edhe pse shkolla nuk e ndalon mbajtjen e shamisë në klasë, numri i vajzave që e mbajnë atë është minimal. Vajza shqiptare nuk është e interesuar për shami. Përpos kësaj, shumë të rinj dhe të reja, sapo e kryejnë shkollën, ikin për në Perëndim, kryesisht në Gjermani nga ku nuk kthehen dot. E në Gjermani s’ka pse shkohet me mbulesë apo me shami – mendojnë ato.
* * *
Sot e kësaj dite diplomacia serbe, greke dhe ruse shkojnë nëpër kancelaritë evropiane dhe thonë: “Mos i mbështetni shqiptarët, ngase ata janë përçues të interesit turk, arab dhe iranian në Evropën e krishterë. Mos e mbështetni Kosovën për arsye se shqiptarët funksionojnë me sistem oriental, pra joevropian të vlerave. Duke mbështetur Kosovën ju krijoni një shtet islamik në Evropë”.
Me kërkesat për mbajtjen e shamisë nëpër shkolla, shqiptarët me vetëdije apo pa të, e çojnë ujin në mullirin e Serbisë, të Greqisë dhe të Rusisë. Këta që kërkojnë mbajtjen e shamisë nëpër shkolla duhet ta dinë se shumë vende me popullsi myslimane, jo vetëm që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, por kanë lidhje të ngushta me Serbinë. Vendet e tilla votojnë edhe kundër anëtarësimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare.
Kosova sot ka probleme serioze me Beogradin. Para pak ditësh, në hapësirën ajrore afër kufirit të Kosovës, Vuçiqi i solli aeroplanët luftarakë. Të mos ishte Amerika, një Zot e di se ç’do të ndodhte. Kosova nuk përplaset vetëm me Serbinë, por edhe me Rusinë.
Parësore për shqiptarët duhet të jetë kombi, d.m.th. interesi kombëtar. Në Kongresin e Berlinit (1878) shqiptarët u shpërfillën. Të vonuar, s’i bëri kush llogari. Nuk duhet lejuar përsëritjen e historisë.