08/10/2024

Shkodrani i harruem që shkroi një faqe të lumnueshme në librin e Radio Vatikanit

0

SHKODRANI I HARRUEM

QË SHKROI NJI FAQE TË LUMNUESHME NË LIBRIN E RADIO VATIKANIT

Dulcem et decorum est pro patria mori.

Nga Dom Anton Kodrari

E kam fjalen për meshtarin shkodran, dom Zef Shestani!

Lindi me 29 qershor 1912, një vit i shenum për Shqipninë, sepse në këtë vjetë vatani i shqipeve kremtonte për herë të parë mbas pesë shekujsh gëzimin e pamvarësisë prej thundres anadollake, ndërsa kisha në liturgjinë e saj si çdo vjet kremtonte memorien e dy kolonave të apostullimit sh’Pjetrit e sh’Palit.

E èndi shtatin në një familje të vendueme në Shkoder kahmot me prejardhje të kahèrshme prej fisit të Shestanit; si nga trungu i gjakut ashtu edhe nga lisi i tamblit i përkiste traditës së krishtënë. Luka, i ati nji zotni i nderuem Shkodret punonte në konsullatën franceze të gjytetit, kurse Gjystja e ama nji grue fisnike e fetare merrej me rrangët e shtëpisë e me rritjen e edukimin e t’katër fëmive që i kish falë Perendia.

Me të mbushun moshën e percaktueme për me nisë formimin shkollor rishtar, prindërit e tij e regjistruen në kolegjin Jezuit ‘ Françesk Saveri’, vatër e dallueme akademike që sherbej per dekada -e vazhdon edhe sot e kësaj dite- per formimin e fizionomisë kulturore e të identitetit kombëtar. Kolegji i jezuitëve bashkë më liceun françeskan ‘Illyricum’ per kohën ishin krahnori kryesor i mendimit filozofik e shkencor perendimor i Shqipnisë, e farka ma solide ku thadroheshin vlerat e patjetërsueshme njerzore, shpirtnore dhe intelektuale, me të cilat për vite me rradhë u vaditën gjeneratat e ndryshme që drejtuen popullin tonë nder shtigjet e lumnisë.

Mjafton me sjëllë ndërmend përcaktimin qe buon anima Faik Konica (ish nxanës) i bân shkollës në fjalë për me kuptue randësinë e saj në historinë e vëndit tonë: “…Me këto e të tjera Kolegji Saverian mbahet në një shkallë të lartë dhe të gjithë ata që kanë parë shkollat e Francës e të Europës munden të dëshmojnë se ajo e Shkodrës është e zonja për shumë punë, të vihet në një me to …”.

Ndërkohë që dom Zefi gjindej në po ata banka kù para tij ishin ulë Doçi, Mjeda, Konica,Gurakuqi, lëshonte shtat e burrnohej, stervitte arrsyen e formonte ndërgjegjën, i Tejetnalti Zot e thirri per me drejtue shpirtnat e njerzve në takimin me Të, në sofren e Jeruzalemit qiellor.

Dom Zefi, me thjeshtësinë, madhështinë e çiltërsinë e nji fëmijë t’papërlyem prej paudhësive e kobësive të shekullit, – ndoshta edhe pà e ditë çka âsht aspak sakramenti i meshtarisë e çfarë misterit hyjnor mbartë n’të- e pranoj thirrjen e Zotit, e me një dispozicion të mbrendshëm prej birit të perzgjedhun që n’krahnorin amnor, e nisi rrugen e gjatë e të bukur të formimit meshtarak, ju dorzue nanës kishë e e lejoj vetën të udhëhiqej prej Saj ndèr shtigjet e jetës deri sa i sosi ditët e tij n’kët dhè e i Tejetnalti e thirri per s’dytit të Vehtja.

Gatishmënia e mbrendshme për me bâ gjithmonë vullnetin e Zotit edhe në ato raste kur kërkohej mohimi i dëshirave dhe ideve personale âsht çelësi i saktë për me lexue dom Zefin në larmishmërinë e veprimtarisë së tij si, meshtar, patriot, muzikant, teolog e letrar, e mbi të gjitha Shqiptar nji Copet.

Kontributi i tij në raport me kishën si trupi mistik i Krishtit e si sakrament shëlbimi, thellësia e tij shpirtnore, dashnia sublime ndaj atdheut, shpirti artistik, qendrimi anti-komunist dhe anti-fashist, qasja në grupin e Ballit Kombëtar, relacionet me meshtar e me figura të politkës, me patriot e me diplomat të huej e vendas, nqs nuk lexohen e interpretohen në dritën e masiperme, prà në dritën e doktrinës së kishës që grishë secilin me ju besue pà kursim planit të Zotit e me u drejtue prej Shpirtit të tij të Shènjt, atëher âsht e pamujtun me e kuptue në thelb ontologjinë vokacionale e veptimtarinë atdhetare të dom Zefit, por vetëm me bâ interpretime e konstatacione subjektive t’pà tèmel.

Mbasi përfundoj fazen fillestare të formimit shkollor në qytetin e lindjes, formatorët e tij religjoz menduen me e çue per studime në Itali per me nxanë nji gramatikë fetare e shpirtnore oksidentale, nji kulturë mâ të gjanë humaniste dhe shkencore, njohje mâ të thellë të doktrinës teologjike e të principeve filozofike, me qellimin që kur të kthehej në vëndlindje ta pasunonte realitetin kishtar e civil me gjithë këtë koinoni vlerash që i shtoheshin vargut të gjatë të vlerave t’tjera autoktone të besës, bujarisë, fisnikrisë, e vllaznisë ndërfetare, tipike të natyrës arbnore.

Ishte viti 1935, në Shqipni qeversite Ahmet Zogu i cili, siç na e tregon historia, pak vite mâ perpara kishte vra pabesisht në Bari Luigj Gurakuqin, varë n’konop dom Gjon Gazullin, e denue me vdekje dom Loro Cakën, e po ashtu persekutue pà mëshirë katolikët e maleve të Dukagjinit në 1926 ; tue e njoftë mirë situatën e vështirë që po kalonin besimtarët e sivllaznit e tij katolik nèn këtë formë qeverisjeje tiranike anti-kishtare, e tuj kënë në dijeni të plotë per disa nga qëndrimet e mapërparshme të mbretit jo të ndershme e të përkora në rraport me klerin shqiptar, dom Zefi i formuem intelektualisht në katedrën e moçme akademike (teologjike) të Padovës, plot me energji e pâ u ligshtue asifije prej veprimeve t’Zogolljanit, por si çdo meshtar shqiptar tjeter para tij, – tuj u mbështetë e tuj e gjetë forcën e veprimit në drunin e kryqit që i ka prue botës shëlbimin- kthehet me punue pâ kursim në djepin e vet të lindjes, me dëshiren e mirë per me kontribue me forcën e Ungjillit e të arsyes në naltimin shpirtnor, moral e intelektual të çdo qytetari shqiptar pà dallim.

Me t’kthyemun në vëndlindje, ditën e shën Gjonit apostull me 27 dhetuer 1935 merr n’dhânti ministerin e Urdhnit të Shènjt prej duerve të mons. Gasper Thaçit, kryemeshtar i dioqezës së Shkodres, kurse me 1 kallnduer 1936 kremton meshën e parë në kishën e shën Kollit. Në ltèr të këtij tempulli fetar për herë të parë me duer të veta të lyeme me bajmin e shènjt shuguron bukën e vënën në korpin e gjakun e Krishtit e bashkë me sakrificën pashkvorë të Krishtit, në e nëpërmjet Shpirtit të Shènjt, i ofron Atit të gjithësisë lavdet, lutjet e zânin e çdo shkodranit.

Prej këtij çasti e deri n’ditën që kaloj në amshim nuk e hjeku kurr mâ prej qafet stolën e sherbimit. E nisi ministerin e tij presbiteral si zëvendës-famullitar i Shkodrës e si përgjegjës i grupit të të rinjëve të ‘Veprimit Katolik’ e pak vite mbas pervojës baritore në Shkoder kjè çue famullitar në Markolaj.

Në kohën që ishte zëvendës famullitar, sherbesën e famullitarit e kryente dom Mikel Koliqi, miku mâ i ngushtë i tij per sa kjè gjallë, njëkohësiht vëllau i fenomenit pluri-dimensional ‘Ernest Koliqi’, me të cilin dom Zefi do të bashkëpunonte herë mbas herë për çashtjet shqiptare në botën e lirë.

Në lamën kombëtare vijoj traditën që kishin përshkue perpara tij bashkëvllaznit e tij meshtar, të cilët me pendë e me gjak e èndën pëlhurën e jetës kishtare lokale simas principit “fe e atdhe”, tuj kënë të ndërgjegjshëm se kisha e konceptueme teologjikisht si bashkësia e besimtarëve që rrëfejnë besimin e tynë në Jezu Krishtin Zot e Njeri, e aktualizon dimensionin e universalitetit të misionit të saj tue veprue pàndashmënisht prej trupit dhe në trupin e kombit, i nènkuptuem jo vetëm thjeshtë si nocion gjeopolitik por mbi të gjitha si bashkësi personash të dukshem, bijsh e bijash të Zotit, me perkatësi të ndryshme religjose por të bashkuem nèn nji kulm falë dimensionit hyjnor të birësisë – dmth bij të të njâjtit e t’vetmit Atë (vllazën)- e falë dimensionit të përbashkët të antropologjisë kulturore dhe të unitetit gjeografik, gjuhësor e etnografik. Feja dhe kombi jane dy mushknitë që ndërtojnë anatominë shpirtnore dhe intelektuale të dom Zefit. Pader Danieli, mbas nji takimi vllaznor që kishte pasë me të në çelën e tij në kishë t’shën Kollit, na jep nji pershkrim plot vërtetësi të shpirtit të tij atdhetar e të frymës tradicionale që percjelltë asokohë në kishën e në qytetitn e Shkodres:

Në murin e qelës së famullisë së tij, kishte varë një sentencë, që do të bâhej lajtmotiv jete: “Dulcem et decorum est pro patria mori” – “Âsht gjâ e ambël dhe e bukur me dekë për Atdhé” [Galeria e Martirizimit II]. Shpirti i tij i skalitun me dashninë për vëndin e tij e forma mentis atdhetare njëkohësisht e njëqenësisht me tè e ngjizun, e shtyjnë pà prà me ju kundërvue pushtimit të Shqipnisë nga Italia fashiste, e komunizmit t’pàfe e t’pà atdhé. Në muejt e parë të okupimit të mbretnisë shqiptare nga Italia e Mussolinit pàt shkrue nji poezi fort të bukur me karakter kombëtar kù del ashiqare qëndrimi i tij i thukun antifashist e antikomunist.

Poezia në fjalë, do të kompozohej po prej tij e do të bâhej hymn per qytetin e Shkodres; do të këndohej për vite me rradhë me 2 nanduer ditën e t’shumvet të vorri i Dëshmorvet t’Atdheut ndèr vorrezat katolike t’Shkodres, prej djelmnisë së ‘Veprimit Katholik’ të qytetit të primë prej të riut Ndoc Jakova, per me përkujtue tanë ata djelm nanash shqiptar që ranë nèn plumin trathtar të dy diktaturave të urrejtuna prej popullit t’onë. Ky hymn per vite me rradhë kje zâni i ndërgjegjës se shkodranve të vuejtun, që me melodinë e bukur të skalitun në pentagramin e shpirtit ja naltonin Zotit në formë dënesë, me uzdajen e ngulitun në fenë e tyne se një ditë Shkodra e Shqinia kanë me gëzue lirine jetës, e në liri edhe i herë si atëher prej Sarrqit e deri n’Rrmaj, tanë sëbashku, në ndèr të martirve të fesë, kanë me rikëndue- të intonuem prej Ndoc Jakovës e dom Shetanit, tashmà prej qiellit, – pà frike e nji zânit :

O im bir o djalë i ri

Që jë ba fli për Shqipni

Për Shqipni t’pat rritun nana

Mos me t’gja kush n’kapidana!

Të bardh’çasin paska pritë

Jote nana në këtë ditë:

Djali im ramë për Atdhè

Nuk ka vdèk por sot ka lè!

O im bir o djal i ri

Thueja kangës t’asaj liri

Qi t’pat msuem nana jote

Tu’ t’përkundë kur ty ta k’ndote.

Thueja kangës n’at za që kè;

Sa të nxajë mosha e rè

Se si vdekë ke për Shqipni

Se si shkri je për liri!

O im bir o djalë i ri

Nana jote nuk mban zi,

Nuk mban zi as s’do t’vajtojë

Porsi n’darsëm do t’këndoj!

Sot ke marrë nji nuse t’rè

Nuse t’rè: t’bukren mbi dhè;

Sot je dhandërr ndër t’t’ù shokë

Si ma i lumi në kët tokë!

O im bir o djalë i ri,

Qi s’durove robëni,

robeni as flamur t’tjeter,

fàsh as hyll mbi flamur t’vjeter!

Ti ja bënë nan’s nji bè,

p’r’i kët qiell e p’r’i ket dhè,

p’r’i kët flamur kuq e zi,

nanë do t’vdes-o per Shqipni.

O im bir o djalë i ri

T’rriti nana hýll n’djelmi

Hýll n’djelmi e trim si zana

Djal nishan ndër djelm nishana!

T’i kam mblue sot me Flàmur

Dymb’dhet’ plumbat në krahnuer

Për m’ia ba t’rivet dishmi

Se s’vdes, kush vdes për Shqipni!

Dom Zefit, “dymb’dhet plumbat ne krahnuer, nuk ja mbuloj kush me flamur”, se s’patën nevojë, se si thotë populli ynë ‘jetë gjati nuk bâhet jetë shkurtë’ e shifet kjartë së i madhi Zot emnin e tij e kish pasë shkrue në librin e vazhdimit të jetës tokësore.

E kajherë për njerzit e kushtuem ndodhë pikërisht kështu, dmth për me ju përgjegjë planit të Zotit mohojnë dëshirat dhe mendimet, planet dhe projektet e veta, sepse bësojnë ngultësisht se në shumë raste planet e Zotit për njerin nuk përkojnë me deshirat e planet që bân njeri për vete. Keshtu që, si njerzit e fesë po ashtu edhe njerzit tjerë tuj mohue vetvetën e tuj ju përgjegjë planit të Hyjit Atë për ta, mund të japin për shoqninë shumë mâ shumë se sa ata mund të parashikojnë me mendjen e tyne racionale. Kështu ndodhi edhe me dom Zefin sepse puna e tij në përjetësimin e vlerave kòmtare kjè shumë mâ e madhe tuj u largue prej Shqipniet, sesa tuj qendrue në vendlindje e me shumë gjàsa tuj râ fli e komunizmit ashtu si sivllaznit e tij. Martirizimi do t’i kishte vnue mbi krye aureolen e martirit ‘in odium fidei’, por -n’krah tjetër- jeta i vnoj mbi krye aureolen e apostullit të ‘Lajmit të Mirë’ e e bâni simbol të dashnisë ndàj atdheut e ndaj njerzimit. Por gjithsesi, edhe pse jo i kanonizuem formalisht prej kongregatës së shèjtënve, dom Zefi âsht shèjt në bashkësinë e shèjtënve t’qiellës e sot e kësaj dite ndërmjetëson te i Lumi per popullin e tij.

Kështu tue ju përgjegjë vullnetit të Zotit por, me dhimtë të madhe në zëmer, në 1944 pà shkelë endè komunistat në qytetin e braktisun nga gjermanët, kaloj kufinin shqiptar me barkë e, nepërmjet Bunës, mbërrijti në Ulqin.

Prej aty ia doli mbanesh me kalue në Itali e nxuni vend në kryeqendrën e krishtënimit, ku rifilloi menjëherë edhe mâ me zéll punën në shërbim të idealeve të cilave ua kishte kushtue jetën.

Gjatë kësaj kohe në Shqipni nisen burgosjet, interrnimet e pushkatimet në masë, kryesisht në shënjestër ishin klerikët katolik, bashkvllaznit e tij në meshtari. U pushkatuen dom Ndre Zadëja e dom Lazër Shantoja, pader Gjon Shllaku e Mark Çuni, pader Dajani e pader Fausti, u burgosen pader Gegë Luma e pader Dionis Makaj e në këtë periudhë do të pushkatohej në Gjinokaster edhe vllau i gjakut i dom Zefit, mjeku veterinar, Paulin Shestani të cilit, -shkruen pader Danieli- kohe mâ vonë do t’i kushtonte poezinë e tij ma të ndieme të titullueme “Tèm vlla”.

Me zemrën e lëndueme prej këtyne ngjarjeve, i shoqnuem prej jehonës së tingujve të tmërrshëm të breshnive të batareve komuniste që zhbrazeshin pà prà në trupat e arkitektëve të qytetnimit arbnor, e mbi të gjitha me shpresën në Zotin e jetës, se një ditë do ta shihte vendin e tij të lirë e se do të bashkohej në mbretninë e qiellit me Paulinin e me bashkvllaznit meshtar e jetoj kalvarin e jetës së vet në mergimin e padishruem të perëndimit.

Dom Zefi, edhe pse i plagosun shpirtnisht prej këtyne ngjarjeve e të tjerave të s’njajtës natyrë që do pasonin në motmotet në vijim, tuj e njoftë mirë e tuj besue me mish e shpirt në vërtetësinë e mësimit të Krishtit Zot «Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim. Porse, as një fije floku s’do t’ju bjerë prej kresë» (Lk 21,17-18), vazhdonte porsi dishepull besinik e i palodhun me denue haptazi doktrinën komuniste e me i naltue uratën të Tejetnaltit Zot për shpëtimin e librimin e popullit të tij prej barbarizmave e frushkujve të tmërrshëm bolshevik. Deri sa i mbydhi sytë, u dhâ me hangër të vorfënve e i shujtoj me korpin e Krishtit,t’etunve pà prà ua shoj etjen me ujin e jetës/fjalën e Zotit, priti e percolli me bujari tipike shqiptarit e me dashni kristjane mikun e shtegtarin, t’vorfnin e t’pasunin, bashkëpuntorin e opozitorin, veshi me dashninë e ungjillit njerzit që u mungonte dashnia e familjarve e me petka e me stolì ata të cilve u mungonin teshat e shtatit, u hodhi mbi krahë sa e sa fëmive e t’rritunve n’vigjiljen e Pashkëve e gjatë ditëve të tjera të vjetit liturgjik petkat e bardha të pagzimit tuj u çelë rrugen e shëlbimit e t’takimit me Zotin e gjithpushtetshem, bekoj sa e sa kunora shènjte e mbarështoj pà dà sakramentet e tjera, vizitoj e ngushlloj vazhdimisht shqiptarët që asokohe gjindëshin nëper kampet e Italisë, levroj e promovoj gjuhën shqipe tue predikue, tuj shkrue e tuj trasmetue në shqip prej Radio Vatikanit.

Ndihmoj pà kursye, pà kqyrë a âsht natë a ditë, a âsht ditë punet a e krème (festë me kryq), a âsht vrantë a âsht diell, por taman me zemër të gjanë meshtarit shqiptar; kurr sa jetoj, në ushtrimin e bamirësisë e të shërbimit nuk bâni dallime mes muslimanit e katolikut, ballistit e bllokistit, shqiptarit e të huejit që gjindeshin në tokë të Latinit e që ja msynin derën e çelës pà prà. Dera e konakut të dom Zefit e mbi të gjitha dera e zëmrës ishin të hapuna për gjithkënd e sidomos për bashkëatdhetarët e tij të vuejtun që aty e kishin në çdo orë të ditës një strehë me shti kryet e nji kafshatë bukë për me mbajtë shpirtin gjallë [për shpirtin e bamirësisë së dom Zefit, shif: Ndue Prendushi, “Pace and Love”; po ashtu khr. Gjon Sinishta “Buletini Katolik”, v. 1985].

Gjo Gjomarkaj i familjes së kapidanëve të Mirditës e përshkruen bujarinë e dom Zefit me këto fjalë : “gjate jetës së mergimit, imzot Shestani jo vetem që përballoj e po perballon me sedren e nji meshtari edhe atdhetari veshtërsitë e jetës, po perkrah, u jep shprese e guxim të gjithë shqiptarve. Ndihmon me sa ka fuqi ata që nuk kanë, të vorfënit e të mjeruemit. Bujaria e rrallë e zemergjanësia janë cilësi që e dallojnë” [Flamuri, nr.257-260, v.1986 Romë].

Kurse nji shqiptar tjetër edhe ky aktivist i përmendun i çashtjes shqiptare, malcori i fisit të Dedë Gjò Lulit, Prenk Gruda, pershkruen nji moment të takimit me të në kanoniken e tij në Romë ku kishte shkue me e pà e me e ngushllue per t’vllanë që i kishin vrà komunistat:

Dom Zefi nuk paska ndryshue fort. Si gjithmonë âsht energjik e i vendosun, burr shqiptar i ndershëm” [Ditari i nji zemrës së lëndueme 1937-1975, Romë 1985, fq 650].

Selia e Shènjt tuj pasë parasysh të gjitha këto cillësi pozitive, ndërkohë që shërbente në Romë i besoj zyrën e ndihmës kishtare për të merguemit, detyrë të cilën e kreu me shumë përkpikmëni e me shumë përkushtim deri sa u ftue përsëri prej Selisë së Shènjt per me çelë seksionin shqip në Radio Vatikan.

Qellimi i themelimit të seksionit shqip ishte perkrahja shpirtnore, morale dhe fetare e besimtarëve të krishtënë në tëgjitha trojet shqiptare, informimi i kishës universale si edhe ndërgjegjësimi i bashkësisë ndërkombëtare për gjëndjen e kobshme që Shqipnia po kalonte ndër ato vite. Radio Vatikani (selia qëndrore) u inaugurue prej Atit të Shènjt Pio XI me 12 shkurt 1931, kurse fiks 20 vjet mâ vonë, me 3 tetor 1951 dom Zefi nisi programin në gjuhën shqipe, e po në atë datë në oren 21.00 – shkruen pader Danieli- “zâni i dom Zefit fluturoj drejt Shqipnisë tue trasmetue një Udhë Kryqi – që simbolizonte atë udhë në të cilën po ecshin besimtarët katolikë e mbarë populli shqiptar.

Nuk pat frikë dom Zefi me e nisë këtë përshtegtim të ri në jetën e tij edhe pse tuj e dite se ishte nji veper e padëshirueshme e në kundërshtim të hapun me politikën e vendit të tij, e se po ashtu mund të kishte pasoja të tjera në pjestarët e familjes se tij të gjakut, perveç t’vllaut Paulinit tashma në jetën e përtejme. S’i ra syni qerpik as edhe per një sekond të vetëm se ndonji sejmen i sigurimit mund ta vriste nepër rrugët e Romës njashtu si nji prej hipotezave na e paraqet vrasjen e prof. Zef Palit, tu dalë prej Radio Vatikanit në 1977 [khr. Flamuri 1977], por i zhytun me mish e me shpirt në misionin e thirjes së tij me ju çue fjalën e Zotit, forcën e qëndresës e shpresën e nji jete të re shqiptarve në t’katër anët e botës, udhëtoj me zanin e tij nepermjet valeve të rradios nëper gratat e hekurta të burgjeve kumuniste, tu ngushllue zemrat e t’burgosunve me lajmin e mirë se heret a vonë e mira kà me ngallnjye mbi të keqën e jeta mbi vdekjen, e se një ditë të gjithë kanë me gëzue t’lirë afër t’dashtunve të tyne në një Shqipni demokratike e europjane. Besoj se edhe dom Zefin po ta pyeste ndokush, se cila ka kënë kënaqësia mâ e madhe e tij gjatë shërbimit në radio, do te parafrazonte fjalët e pader Danielit: “Çka më ka dhânë një farë kënaqësie, po kje se kënaqësí mund të thirret shfrimi në váj para një fatkeqësie, âsht se për vjet me radhë, me anën e valëve të Radio-Vatikanit, jam bâ zâ i bashkatdhetarëve të mi, që nèn diktaturën e Enver Hoxhës, s’kishin zâ. E bashkatdhetarët e mi fisnikë, ma kanë dijtë për nderë e më kanë ndigjue me ande“.

Per aq kohë sa e çoj para misionin e RadioVatikanit bashkëpuntor të jashtëm fort të ngushtë e përzemërsisht të dashtun pàt bashkëvllaun e tij meshtar, fratin shènjt Daniel Gjeçaj, kurse bashkëpuntor të mbrendshëm eruditin e patriotin shkodran prof.Zef Palin, Andrea Shulin e motrën ëngjëllore Luçie Laca. Aq mir punoj dom Zefi saqë në meshën që u kremtue në sheshin e sh’Pjetrit në perkujtimin të 30-të vjetorit të themelimit të Radios, që përkonte edhe me 10 vjetorin e parë të sesksionit shqip, “Ati i Shènjt falenderoj dom Zef Shestanin per punen që bante, e njëherësh per mes tij u-interesue për gjëndjen e mjerueshme të Shqipnisë edhe i dërgoi popullit shqiptar bekimin e Tij Apostolik” [ Z.K.SH.M, v.1961]. Për shèjtninë e jetës e për punen e vazhdueshme e shërbimin baritor, Selia e Shènjt, ditën e këshndellave 1986 e nderoj me titullin Monsinjor- [shif: Koha e jone 28-11-1987, nr. 261-264; dhe Buetini Katolik, v. 1986-’87] kapelan i Shëjtnisë së Tij, titull nderi që i akordohej meshtarve shekullar si shperblim e mirnjohje për punen e mirë e shërbimin e pervujtë që bânin ndaj grigjës së besimtarve që kisha universale u kishte besue.

Këtu punoj deri sa për shkak të shëndetit e prej 76 shën Gjergjave që i rândonin mbi shpatulla u terhejek në 1988 e po në këtë vjetë ja lëshoj drejtimin Mark Gjomarkut

[khr. Koha e Jonë, v. 1988, n.7-8-9, fq. 39].

Jeta tokësore nuk i dhâ aman me e pà të realizueme andrrën tij të vetme: Shqipninë e lirë – Kishën Shqiptare të Ringjallun.

Nuk mbërriti me pritë kremtimin e meshës së parë prej dom Simon Jubanit e as me e çue i buçetë lulesh t’ freskta prej oborreve shkodrane të kryet e vorrit t’vllaut në fushë t’Rrmajt; nuk i premtoj koha me ja besue Zoj’s Shkodres vllaznit e tij meshtar të pushkatuem tuj celebrue meshën për shpirt t’tyne n’rrazë t’Rozafës, se me 16 mars 1990 kaloj në krahët e Atit të amshuem n’lumni t’parrizit. Dom Zefi lindi në vjetin e lirisë 1912 e ndërroj jetë në vjetin e lirisë 1990, e kjo nuk besoj se kjè thjeshtë rastësi, por siç thotë Bibla: “aty kù âsht Shpirti i Zotit, aty âsht edhe liria ( Kor 3,17).

Riti i Salikimit u përmbush më 17 mars në kishën e Shën Marisë në Traspontina, dy hapa larg Radio-Vatikanit, ku kishte kalue pjesën mâ të mirë të jetës. Në meshën e dritës e në percjelljen drejtë banesës së fundit tokësore kjèn të pranishëm nji numer i madh shqiptarsh prej t’katër anëve të diasporës, por perveç bashkësisë shqiptare, ranë në sy edhe rreth 40 anëtar të selisë qëndrore të Radio Vatikanit që e nderuen kolegun e tynë për herë t’fundit tuj recitue requiem aeternamper shpirt të tij e tuj hedhë mbi dërrasë t’vorrit kunora lulesh të shoqnueme me lot e me kujtimet e bukura të jetës në radio .

Por perveç radio vatikanit, dom Zefi themeloj edhe revisten ‘“Zani i katholikëvet shqiptar ne mergim (ZKSHM), rivista religiosa culturale: organo ufficiale delle forze cattoliche albanesi nel mondo ” në të cilën publikoj vazhdimisht shkrime e studime historike e teologjike, kulturore e shkencore, e përmes së cilës denoncoj para opinionit botnor krimet e regjimit komunist në Shqipní. Si stemë të revistës kishte vù kryqin e Krishtit e në qënder të kryqit shqiponjen dy krenare, praktikisht me nji kreativitet unik, kishte mbërritë me gërshetue ngjyrat e flamurit, të zezën e shqiponjës me të kuqen e gjakut të Krishtit e të martirve të fesë, e po ashtu me shprehë me anë të simbolikës se krahëve të hapun të shqiponjës të mbështetun në krahët e hapun të kryqit dashninë e madhe që kâ pasë e që kâ edhe sot e kësaj dite kleri katolik për tokën shqiptare e kisha n’sà nânë e njerzimit për bijt e saj kùdo nepër botë. Në mëndjen e n’shpirtin e dom Zefit, sì kur ishte në atdhè e sì tash n’dhè t’Italisë, kishte unitet absolut mes kishës dhe atdheut, dy realitete të pandashme prej shoqja-shoqes, e si të tilla jua predikonte besimtarve e miqve të tij e mbi të gjitha si të tilla i jetonte aj vetë in primis. Gjatë këtyne viteve të qëndrimit të tij në perendim bashkëpunoj me shumë meshtar e me shumë laik shqiptar sidomos për problemet që drejtpërsëdrejti o tërthorazi preknin vëndin e tij e kishën e tij të heshtimit:- kështu e quante kishën shqiptare të atyne viteve. Ndër meshtarët me të cilët bashkëndau momentet e gëzueshme e të vështira të jetës në dhè t’huej kjèn: dom Lazer Sheldija, dom Fran Karma, dom Injac Perolli, pader Danjel Gjecaj, Pader Jak Marlekaj, Pader Paulin Margjokaj, dom Zef Oroshi, pader AndreaNargaj, pader Jak Gardini, kurse ndèr laik: prof. Zef Pali, Ernest Koliqi, Martin Camaj, Lin Delija, prof.Karl Gurakuqi, Petro Vuçani, Mithat Frasheri, Dhimiter Berati, Vasil Andoni, Namik Resuli, prof. Mhill Marku, Ndue Prendushi, Zef Logoreci, Arshi Pipa, Sami Repishti e shumë e shumë të tjerë që gjindeshin të interrnuem nëpër rrugët e mërgimit.

Me klerikët i lidhi ministeri priftëror e dëshira e perbashkët me percjellë Shqipninë e shqiptart në gurrën e jetës s’amshueme, ndërsa me shekullarët i bashkoj shërbimi ndaj atdheut, e ndër këta me një grup mâ të vogël e lidhi edhe bashkëndamja e një pjesë të idealeve të platformes politike të Ballit.

Qysh në Shqipni me pushtimin e Italisë fashiste kishte shprehë haptazi qëndrimin e tij kundër fashizimit e pro Ballit Kombëtar që asokohe propozohej si forca e vetme politike kunder ideologjisë fashiste, kështu që me të ardhun në botën perendimore ju ribashkue persëri qelizës së Ballit qe vepronte atje. Po të njàjtën linjë veprimi ndoqën dhe intelektual t’tjerë para dhe mbas tij në botën e perendimit, dikush prej të cilëve ju ri-bashkue Ballit, dikush Bllokut Indipendent( krijue në Romë me 6 nëntor 1946) e të tjerë Legalitetit. Me Ballin e lidhte bashkëndamja e disa principeve politike sidomos qëndrimi i tyne kundër fashizmit si doktrinë politike në dàm të Shqipnisë, prà me fjalë tjera e lidhte dashnia për lirinë e prosperitetin e popullit të tij. Por për më kënë objektiv në këtë pikë lypet të jemi të kujdeshem, e të mos ngutemi me bâ konsiderata pà baza historike e me efuri emotive sepse para së gjithash duhet të kuptohet saktësisht roli i meshtarit dhe i kishës në politikën e një vendi, e atëher i njàjta analizë mund të shtrihet edhe në rastin e dom Zefit ose meshtarëve të tjerë që gjatë shekujve morën pjesë në politikën e vendit, e për kët edhe pse duhet të dalim prej objektit tonë material e shof të arsyeshme me nxjerrë në pàh dy tri dimensione të relacionit ‘kishë – shtet’ me qellimin që të kuptohet objektivisht qasja, roli dhe kontributi i dom Zefit në grupimin politik të Ballit.

Historia na tregon se entiteti i vetëm i gjertanishëm që kà mbajtë dhe vazhdon ende me mbajtë të bashkuem këto dy realitete (Zotin/politiken, besimin/arsyen) âsht kisha, e cila ndërhyn në artin civil tuj nènvizue të drejtën hyjnore/natyrore që âsht burimi i së drejtës pozitive (ligjet e shtetit, e drejta civile dhe penale), tuj mbrojtë dinjitetin e mâ të dobtëve e tuj i dhâne zâ atyne që s’kanë me qëllim krijimin e qytetënimit të dashnisë e të rrespektit të ndërsjelltë mes gjinisë njerzore. Jo veç kaq, kisha ndërhyn në politikë edhe për me zgjanue platenë e bartësve të të drejtave (prsh. çdo njeri ka dinjitetin e plotë të personit njerzor që n’krahnorin e nanës, parim ky që i bjen ndesh legjislacioneve të disa shteteve që lejojnë abortin); ndërhyn në politikë për me e ndihmue e me e futë këtë të fundit në hullinë e sherbimit ndaj njeriut e jo anasjelltas, në skllavizimin e tij. Kisha në esencën dhe dëshminë e saj i tregon politikës se njeriu dhe ndergjegjia e tij kanë mâ vlerë e peshojnë mâ rândë se çdo pushtet i kësaj toke, prà me fjalë të vorfna kisha âsht aj institucion hyjnor, i vetmi i tillë në këtë botë, që âsht totalisht në shërbim të personit, të cilin e percjellë gjatë shtegtimit tokësor drejt të vërtetave eskatologjike që do te zbulohen në fundin e kohnave.

Nderhymja e saj në politikë âsht ‘e drejtë’ dhe njëkohësisht ‘detyrë’ që i vjen asaj drejtëpërsëdrejti prej Sovranit Suprem e jo prej pushtetit të përkohshëm tokësor.

Në këtë optikë duhet të interpretohet edhe pjesmarrja e dom Zefit në Ballin Kombtar, misioni i tij në politikë njipërnjisohet në misionin e nalpërmëndun të kishës. Nuk u muer me politikë me komandue, por si meshtar i pervujtë me sherbye; nuk kqyri me dhanë urdhna, por me mjekue varrët e me u thâ lott shqiptarve; nuk u muer me politikë me xanë karrige e ufiqe, por n’g’jùj para t’Shejtnushimit Sakrament e kamkryq n’sofrën e t’vorfënve e të aneksumve t’shoqnisë; nuk u muer me politikë me u pasunue, se pasunia e tij mâ e madhe ishte gëzimi që shihte në fytyrat e shqiptarve mbasi delnin duerplot prej çelës së tij; nuk u muer me politikë per me formulue shkresa, statute e traktate e aq mâ pak me luftue kundërshtarin politik por, me formue ndërgjegjën e shqiptarve për me e dashtë kundërshtarin si qënje njerzore por tuj luftue ose mâ mirë tuj mos pranue doktrinën e gabume – mkatin pse n’kundërshtim me Zotin e robin, n’sa gjenerues i vdekjes shpirtnore e trupore. Nuk e dënoj njeriun komunist apo atë fashist n’sà person njerzor e n’sà vëllau i tij por doktrinën që ato perfaqësonin sepse n’kundërshtim ekzistencial me lumtuninë e njerzimit, me perparimin e kombit e të kulturës. Mâ mirë se kerrkush rrolin e ndjenjat politike të dom Zefit i manifeston hymni i Ballit që aj vetë shkroi e kompozoj me duer t’tija për shokët e Ballit:

Thrret gjaku i vllazënvet,

Që po shkon rrkè,

Zâni i dëshmorvet,

Që shkrihet në dhè.

Kudo flitet gjuh’ e t’parvet,

Bij shqiponjash neve jem’

Asht “Shqipnija e Shqiptarvet,

E kërkojm e do ta kem’.


Dy hymnet e naltpërmenduna janë një pjesë e vogel e materialt muzikor dhe e  kangëve me natyre fetare e shekullare që là pas si trashigimi dom Zefi. Disa kangë të tjera janë: “Besa-besë”, “Karajfil në kodër”, “Kanga e Flamurit”, “Te kështjelli i bardhë(melodramë e shkrueme prej prof. Zef Palit e kompozue prej dom Zefit)”, këto e të tjera besoj se shkodranët e nji farë moshet i kanë ndigjue prej Marie Krajës e Luçie Milotit.

Por perveç thirrjes teologjike, pasionit për muziken, e aftësive të pashoqe per politiken të konceptueme në termat që e kam spjegue mâ sypri, i madhi Zot kish mbjedhë në zëmren e tij edhe faren e dashnisë për historinë, për artin e për shkencat humane. Tana këto shkënca i kultivoj per sa kjè gjallë, e studimet e tij në këto lamie herë mbas heret i botoj në gazetat dhe revistat e kohës që qarkullonin në diasporën shqiptare, kryesisht në fletorën e Ballit ‘Flamuri’, në ‘Buletini Katolik’ që e drejtonte Gjon Sinishta, në revistën ‘ZKSHM’ që e drejtonte aj vetë dhe në ‘Shëjzat’ e Koliqit.

Disa prej këtyne studimeve janë: Kisha e Lindjes” artikull me natyrë teologjike, “Vëlla Gjon Pantalija, S.J” studim historiko-agjeografik për martirizimin e jezuitit Pantalia, “Vatikani dhe Shqipnia” studimi historik ku paraqet raportin në nivel religjos/shpirtnor dhe diplomatik mes Vatikanit e Shqipnisë, artikulli biografik kushtue Èmzot Lazër Mjedës e Èmzot Gasper Thaqit, “Kossova e Çiamerija” studim i shkurtë historiko-sociologjik, flet per tensionet e vazhdueshme politike dhe ushtarake mes Kosovës e Serbisë e per Lidhjen e Kosovarvet të krijueme në mergim.

Këto e shumë studimë të tjera që nuk i kam lakue në këtë artikull modest per shkodranin e harruem kanë si qëllim të edukojnë gjeneratat e ndryshme shqiptare me dashninë për Zotin, per robin/njerin dhe për atdheun. Ky kjè misioni i tij!

Dom Zefi per aq sa jetoj kjè një fragment i çmueshem i mozaikut që u themelue në shekuj mbi kolonat e dashnisë e të shërbimit prej shumë, dom Zefave e dom Gjonave, pader Françeskave e pader Gjergjave, Jeronimave e Luigjave, Kavaliotash e Boçaresh, Nolave e Negovanëve, Faikave e Naimave, Arshive e Myzaferëve. Kjo koinoni vlerash e shprehun në maksimumin e estetikës artistike prej këtij kombinacioni piktoresk intelektesh e shpirtnash, pigementesh e ngjyrash, guralecash e teserash landore, logjikash e metodash i hapi shqiptarit rrugën e ‘njohjes intelektive’ e të pervetsimit të ‘drites shpirtnore’ e njeherësh i shtini tèmele t’perjetshme Shqipnisë.

Perparimi i një kombi vjen si rezultat i të gjithë atynë që pranojnë me peshue jetën e tyne në kondarin e dashnisë e me e matë veprimin me metrin e sherbimit.

Një komb i themeluem mbi vyrtytet e dashnisë e t’sherbimit âsht i destinuem me e ndërtue t’ardhmen e tij mbi tèmele t’pà lëkundshme e t’pà tjetersueshme prej murlanit e rrëbesheve të motmoteve të këtij shekulli t’rrëjshëm e me lulëzue gjithmonë i bukur në t’gjitha stinët e jetës n’kët e n’àt dynja.

Sot dom Zefi nuk âsht veç nji gur i mozaikut të historisë shqiptare por edhe i atij qiellor, e prej atjèhit ndërmjetëson per secilin prej nesh e e bekon rracën e shqiptarit tue derdhë mbi tà kelkun e bekimeve të Zotit, Njini e Trini.

PS. Artikulli âsht perpilue simas disa dokumentave të pàra viteve ‘90 që autori i ka gjetë në Biblioteken Nacionale të Firenzes dhe në Biblioteken e Seminarit të Triestes, e po ashtu edhe simas dëshmisë gojore të z.Ndue Prendushi nji ndèr miqt mâ të ngushtë të dom Zefit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok