Shkodra hap dyert fjalës dhe zemrës, Festivali Letrar “GEGNISHT” vjen në edisionin e tij të pestë
Nga Albert Vataj
Në Shkodër, gegnishtja nuk është vetëm një mënyrë të foluri dhe të shkruari, por edhe këndim i hyjshëm i zëshmërisë së korifejve, atyre që e mbrujtën shqipen e shpirtshme dhe e lartësuan të perëndishmen e harmonisë melodike, përmes mendimit dhe fjalës.
Në këtë qytet, zellet e eshkura me dritë dhe mylmyera me tëmbëlsim, e shndërruan gegnishten në monumentet që rrokaqielli kujtesën dhe vlerën me vepër shqiptarie. Në muret e saj rrënjëzuar thellë në epikë dhe hershmëri, gegnishtja i ka bërë qëndresë rrëmeteve, për të mbetur një histori e gdhendur në shkëmb dhe amanet. Fjala e saj, ardhur nga udhëlargiet, ka mbijetuar për të qenë penë dhe parmendë në ëndjen e ngulmët krijuese. Një shpirt i diellt ka ditur të këndojë përmes saj, të vuajë, të kundërshtojë, të lutet, të dashurojë dhe, mbi të gjitha… të shkruhet, për të ardhur tekkëtu, ende shkëlqimtare.
Këtë fundjavë, më 3 dhe 4 tetor 2026, Shkodra do të bëhet edhe një herë vendi ku fjala nuk vjen thjesht për t’u dëgjuar, por për t’u ballafaquar me kohën dhe për të dëshmuar një prani që përmes zbulesës së frymshme guxon ta ndjej, si gjëndje, si përjetim.
Festivali Letrar “GEGNISHT”, në edicionin e tij të pestë, rikthehet si një nga ato ngjarje që nuk mund të maten vetëm me numrin e autorëve, çmimeve apo aktiviteteve. Sepse një festival i tillë nuk është thjesht një program kulturor. Është një përpjekje për ta mbajtur ne jetë një trashëgimi, për ta çliruar fjalën nga pluhuri i kohëikjeve dhe shpërfaqur, për ta sjellë atë përsëri në qarkullimin e gjallë të mendimit bashkëkohor.
Gegnishtja është këtu jo si një relike gjuhësore, as si një nostalgji muzeale, por si një univers kulturor, si tabani ku kjo kështjellë kulmoi lartësitë, ku janë shkruar faqet më të rëndësishme të letërsisë, publicistikës, mendimit dhe përkthimit shqiptar.
Në të kanë jehuar zërat e Fishtë, Mjedës, Koliqit, Migjenit, Shllakut, Pipës, e të shumë të tjerëve që e kanë dëshmuar se gjuha nuk është vetëm mjet i të shprehurit. Ajo është shtëpia ku një kulturë ruan kujtesën e vet, për ta predikuar si një besim.
Dhe pikërisht për këtë, “GEGNISHT” është më shumë se një festival i gjuhës së letërstolisur, është një festë e kujtesës së shkruar, një kremte, me ideatore dhe udhëprirëse, Denata Rroji, dhe, Arlinda Çausholli, skenariste dhe prezantuese. Por jo vetëm kaq, këtë frymë që zgjon të gjithëjetshmen e kësaj përkatësie fjale dhe këndimi, do ta finsikërojnë dy instrumentistë të spikatun të skenës së jazz-it, me veprimtari në skenat shqiptare dhe evropiane, kitaristi Kejdi Barbullushi dhe pianisti Endri Fusha.
Në një kohë kur fjala po përshpejtohet deri në humbjen e kuptimit, kur komunikimi i menjëhershëm shpesh e zëvendëson mendimin dhe kur mijëra fjalë kalojnë çdo ditë përpara syve tanë pa lënë gjurmë, një festival letrar bëhet një akt i vogël, por i rëndësishëm, rezistence.
“GEGNISHT” na kujton se fjala nuk është vetëm ajo që thuhet, është edhe ajo që mbetet.
Në këtë edicion të pestë, pena, krijues, lëvrues të gjuhës dhe përkthyes do të përballen me një sfidë që është njëherësh artistike dhe kulturore, si të ruhet një pasuri e ardhur nga shekujt pa e mbyllur atë në të kaluarën?
Sepse një traditë që nuk hyn në të tashmen, rrezikon të kthehet në memuar. Ndërsa një traditë që vazhdon të krijojë, të frymëzojë dhe të debatojë, mbetet jetë. Prandaj “GEGNISHT” nuk e sheh trashëgiminë si një arkiv të mbyllur, por si një dialog ndërmjet atyre që ishin dhe atyre që janë.
Dhe Shkodra është vendi më natyrshëm i përshtatshëm për këtë dialog, për këtë kushtrim të ligjërimit shqip, asaj shqipe që u mëkua me dritë e diejve të shpirtrave që ju blatuan kësaj të perëndishmeje.
Kol Mjeda, kujtesa që kthehet në gur
Sot, 3 tetor 2026 në orën 18:00, në shtëpinë e tij në rrugën “Filip Shiroka”, do të zbulohet pllaka memoriale kushtuar Kolë Mjedës. Ky është një akt i thjeshtë në pamje të parë, një pllakë mbi një shtëpi. Por kujtesa nuk matet me madhësinë e monumentit. Mjafton një emër i gdhendur në mur që një jetë e tërë të dalë nga heshtja e historisë dhe t’i rikthehet qytetit.
Kolë Mjeda nuk ishte vetëm një emër i lidhur me jetën politike të kohës së tij. Ai ishte aktiv në publicistikë, drejtoi të përjavshmen “Zani i Popullit” dhe bashkëpunoi me revista të tjera, ndër to edhe “Leka”. Ishte gjithashtu i angazhuar në jetën shoqërore dhe ekonomike të qytetit, duke u bërë një nga figurat e hershme të lëvizjes sindikaliste në Shkodër.
Por historia e tij mori një kthesë tragjike me ardhjen e regjimit komunist. Në fund të vitit 1944, Kol Mjeda u arrestua. Në vitin 1946, Gjykata Ushtarake e Shkodrës e dënoi me burgim të përjetshëm. Jeta e tij u mbyll në Burgun e Burrelit, në prill të vitit 1951. Dhe ja ku qëndron një nga kuptimet më të thella të këtij nderimi. Një njeri që dikur u mbyll pas mureve të burgut, sot rikthehet në kujtesën publike pikërisht përmes një guri të vendosur mbi shtëpinë ku jetoi. Muri që dikur ndante njeriun nga liria, sot bëhet mur kujtese. Kjo është një nga mënyrat më fisnike se si kultura i përgjigjet harresës, jo me hakmarrje, por me kujtesë.
Pesë çmime, pesë udhë të fjalës
Pas këtij momenti memorial, festivali do të vijojë me ceremoninë e ndarjes së çmimeve, ku fjala do të shpërblehet në disa prej formave të saj më të rëndësishme.
Çmimi “Arshi Pipa”, për esenë më të mirë, i kushtohet mendimit kritik, atij zhanri ku letërsia dhe filozofia takohen dhe ku fjala nuk mjafton të jetë e bukur, ajo duhet të jetë edhe e kthjellët, e guximshme dhe depërtuese.
Çmimi “Ndre Mjeda”, për poezinë më të mirë, i kushtohet vargut, asaj forme të rrallë të gjuhës ku pak fjalë mund të mbajnë një botë të tërë.
Çmimi “Gjon Shllaku”, për përkthimin më të mirë, nderon një prej veprimtarive më të vështira dhe më fisnike të kulturës, t’i sjellësh një populli zërin e një bote tjetër pa ia humbur gjuhës së origjinalit shpirtin e vet.
Përkthyesi është, në një kuptim të thellë, një urë. Ai nuk e zhvendos vetëm një tekst nga një gjuhë në tjetrën, ai zhvendos përvojën njerëzore, nga një realitet në një dimension.
Çmimi “Ernest Koliqi”, për prozën më të mirë, nderon rrëfimin, artin e krijimit të botëve përmes fjalës, aftësinë për ta kthyer jetën në histori dhe historinë në përjetim.
Ndërsa mbi të gjithë këta qëndron Çmimi i Festivalit Letrar “GEGNISHT” 2026 “Kolë Mjeda”, si vlerësimi kryesor i këtij edicioni. Është domethënëse që çmimi kryesor mban emrin e një figure që historia e la për shumë kohë në anën e errët të kujtesës.
Sepse festivali nuk shpërndan vetëm çmime. Ai rikthen emra. Dhe ndonjëherë rikthimi i një emri është më i fuqishëm se çdo monument.
Dita e dytë e “Gegnisht”, kur letërsia hyn në dialog me qytetin, kujtesën dhe të nesërmen
Nëse dita e parë e Festivalit Letrar “GEGNISHT” e vendos fjalën përballë kujtesës, ditën e dytë festivali e nxjerr atë nga faqja e librit dhe e vendos në dialog me qytetin, historinë dhe të tashmen. 4 tetori 2026 vjen kështu si një kapitull tjetër i kësaj ngjarjeje, ku gegnishtja nuk mbetet vetëm një trashëgimi për t’u ruajtur, por bëhet një hapësirë për të menduar, debatuar dhe krijuar.
Në orën 11:00, në sallën e Bibliotekës së Universitetit “Luigj Gurakuqi”, dita e dytë nis me një kumtesë që e zgjeron horizontin e festivalit përtej letërsisë së mirëfilltë. Me temën “Qytetari progresist dhe politikani vizionar”, kumtesa e Prof. As. Dr. Pranvera Teli (Dibra), historiane dhe diplomate, aktualisht Ministre Këshilltare në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, sjell në hapësirën e festivalit një vështrim mbi marrëdhënien ndërmjet qytetarisë, vizionit dhe përgjegjësisë publike.
Ky është një zgjerim domethënës i vetë konceptit të “GEGNISHT”. Sepse letërsia nuk jeton e shkëputur nga shoqëria që e lind. Ajo është dëshmi e mënyrës se si një qytet mendon, si një brez e përjeton kohën dhe si një shoqëri përfytyron të ardhmen. Fjala letrare dhe fjala qytetare, ndonëse i përkasin rrafsheve të ndryshme, takohen në të njëjtin vend: te përgjegjësia për ta bërë kohën më të ndërgjegjshme.
Dhe Shkodra, qyteti i cili prej shekujsh e ka lidhur kulturën me jetën publike, arsimin, shtypin, artin dhe mendimin, është një skenë natyrore për një dialog të tillë.
Gegnishtja, një gjuhë që mbart një qytet
Ka diçka të veçantë në gegnishten e Shkodrës. Ajo nuk dëgjohet vetëm me vesh. Në të ka një ritëm, një muzikalitet, një mënyrë të veçantë të menduari. Ka në të rrugët e gurta të qytetit, kumbimin e kambanave, këngën e ahengut, drithërimën e jareve, zërin e sofrës, jehonën e oborreve, aromën e luleve dhe librave të vjetër, dhe një histori të tërë njerëzore që ka kaluar brez pas brezi.
Prandaj të flasësh për gegnishten vetëm si për një variant gjuhësor do të ishte ta zvogëloje atë. Ajo është edhe kujtesë kulturore, përkatësie identitare, flamur në fushëbetejat e qëndrësës. Është gjurma e një qytetërimi të shkruar. Është një nga mënyrat përmes të cilave shqiptarët e veriut i kanë treguar vetes dhe botës se kush janë.Dhe “GEGNISHT” ka meritën ta vendosë këtë pasuri përballë një pyetjeje të kohës sonë, çfarë bëjmë me trashëgiminë që kemi marrë?
E ruajmë si relike?
Apo e bëjmë të flasë përsëri, të këndojë dhe të kushtrojë, të bëhet i dëgjueshëm?
Shkodra, qyteti që nuk e ka harruar fjalën
Shkodra nuk është thjesht vendi ku zhvillohet ky festival. Ajo është pjesë e vetë kuptimit të tij. Në këtë qytet fjala ka pasur gjithmonë një fat të veçantë. Është shkruar, kënduar, përkthyer, polemizuar, vuajtur dhe mbrojtur. Këtu letërsia nuk ka qenë gjithmonë një luks estetik. Shpesh ka qenë mënyrë mbijetese e shpirtit. Prandaj, kur “GEGNISHT” hap siparin e edicionit të pestë, Shkodra nuk pret vetëm shkrimtarët, por i bën vend shpirtrave që rivijnë për t’u shtruar në këtë sofër kremtimi, për të kuvenduar dhe gazmuar.
Shkrimtarët kthehen te një qytet që i ka pritur gjithmonë me gjuhën e vet. Kthehen te një truall ku fjala ka lënë gjurmë dhe ku librat kanë qenë, në shumë raste, më të fortë se rrethanat, më të pashpërbëshëm se muret që u ndeshën me hordhitë asgjesese.
Fjala që nuk vdes
Në fund, çdo festival letrar është një përpjekje kundër harresës. Sepse koha është një lexues i pamëshirshëm. Ajo i gris emrat, i zbeh portretet, i rrënon muret dhe i largon njerëzit nga kujtesa. Por letërsia ka një privilegj të rrallë, mund ta vonojë harresën.
Një varg mund të mbijetojë më gjatë se zëri që e tha. Një libër mund të udhëtojë më larg se këmbët e autorit që e sollën. Një emër i gdhendur në një pllakë mund t’i tregojë një brezi të ardhshëm se dikur, në atë shtëpi, jetoi një njeri që historia nuk duhet ta humbasë.
Kjo është arsyeja pse “GEGNISHT” nuk duhet parë vetëm si një festival. Është një ritual i kujtesës përmes fjalës. Është një takim i së shkuarës me të tashmen, i autorit me lexuesin, i gjuhës me kohën. Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron misioni më i bukur i tij, të na kujtojë se një gjuhë nuk jeton vetëm sepse flitet. Ajo jeton kur shkruhet. Jeton kur lexohet. Jeton kur përkthehet. Jeton kur trashëgohet. Jeton kur e rrok dëshirimshëm për ta mëkuar me përjetësi. Dhe përmbikrejt, jeton kur një brez i ri gjen brenda saj diçka që ende i përket shpirtit të vet.
Më 3 dhe 4 tetor, Shkodra do të flasë sërish në gjuhën e saj të kujtesës. Dhe nëse një festival arrin të bëjë që një fjalë e vjetër të tingëllojë e re, që një emër i harruar të rikthehet në dritë dhe që një brez të dëgjojë zërin e një brezi tjetër, atëherë ai festival e ka përmbushur misionin e vet. Sepse kulturat nuk vdesin atëherë kur pushojnë së foluri, ato japin shpirt atëherë kur askush nuk dëshiron më t’i dëgjojë.
Në Shkodër, fjala ende dëgjohet. Dhe këtë fundjavë, ajo do të ketë emrin e vet, GEGNISHT.
