26/12/2024

SHKËMBIMI (‘’TRAMPI’’) I POPULLSIVE MIDIS TURQISË E GREQISË (1923 – 1926)

0
Adil-Fetahu

Nga Adil FETAHU

Paradigma e shkatërrimit të korpusit musliman në Ballkan

Kriza lindore e shkaktuar me luftën ruso-turke dhe të shteteve të Ballkanit kundër Perandorisë Osmane (1876-1878); Kongresi i Berlinit (1878) që njohu pavarësinë e shteteve të reja të krijuara në territoret e Rumelisë (Evropës Osmane); pastaj  Lufta Ballkanike (1912-1913) dhe në vazhdim Lufta e Parë Botërore (1914-1918); rënia e tri perandorive (Osmane, Sovjetike dhe Habzburge), përveç vrasjeve e plagosjeve në masë të forcave ushtarake edhe më shumë të popullsisë civile,- kanë shkaktuar zhdukjen, dyndjet dhe dëbimet e popullsive prej një vendi në tjetrin. Në tërë proces të luftërave dhe dëbimeve, më së keqi dhe më së shumti,  e ka pësuar popullsia muslimane e Ballkanit, e çfarëdo etnie qoftë: shqiptare, turke, boshnjake, pomake etj. Sepse, shtetet e reja kombëtare të krishtera:  sllave, greke e rumune e shfrytëzuan rastin për pastrimin etnik nga elementet e hueja etnike.

Për golgotën e popullsisë muslimane në Luftën Ballkanike dëshmojnë raportet e LeonTrockit, LeoFreundlichtit,  të Komisionit Carnegie,të DimitrijeTucoviqit dhe të gazetarëve, reporterëve, misionarëve dhe diplomatëve të kohës.

Sipas statistikave turke të viteve 1905 dhe 1911, para Luftës Ballkanike në pjesën europiane të Perandorisë Osmane popullsia muslimane, e të gjitha etnive, përbënte 51-55% të popullsisë së gjithmbarshme të kësaj treve. Në fazën e fundit të Krizës Lindore (1912-1926), popullsia muslimane e Rumelisë humbi 27% të korpusit të saj, të vrarë në luftëra dhe të masakruar nga bandat kriminale të shteteve ballkanike.

Publikimet që merren me analizën e procesit të zhdukjes së popullsisë muslimane të Ballkanit, mbështeten në statistikat zyrtare të regjistrimeve të shtetit Osman, ndërsa statistikat greke, bullgare e serbe i falsifikojnë ato dhe i paraqesin si statistika të tyre, pa bërë kurrëfarregjistrimi të popullsive.

Sipas statistikave turke, në vitin 1911, në pjesën europiane të Perandorisë ishte kjo strukturë e popullsive (sipas besimeve fetare):

Muslimanë 51%

Grekë                    25%

Bullgarë                19%

Të tjerë                   5%

Serbët nuk i përmend, por ata janë të përfshirë në rubrikën e grekeve dhe bullgarëve. Statistika turke jep edhe numrat absolute të përkatësisë së popullsive, gjithnjë sipas besimeve fetare, për të gjitha krahinat e Rumelisë: Këtu po japim vetëm numrin e përgjithshëm dhe numrin e Muslimanëve për secilën krahinë:

1)Krahina e Edirnës (pa Stambollin)        1.426.632

Muslimanë                                   759.706

2) Selaniku                                                   1.347.955

– Muslimanë                                          604.780

3) Janina                                                          560.835

– Muslimanë                                          244.638

4) Manastiri                                                 1.064.789

-Muslimanë                                           455.720

5) Shkodra                                                         349.455

– Muslimanë                                                   218.089

– Katolikë                                                         120.611

– Grekë (ortodoksë)                                            10.755

6) Kosova                                                               1.602.949

– Muslimanë                                                   959.175

Gjithsejt(së bashku të gjitha besimeve)    6.352.575

Muslimanë                                         3.242.101

Katolië                                                              148.281

Grekë                                                            1.557.536

Bullgarë                                                        1.220.211

Armenë                                                               33.746

Jevrejë                                                                89.162

Të tjerë                                                               61.531

Shkëmbimi i popullsive midis Greqisë e Turqisë

Pas Luftës së Parë Botërore, në gusht të vitit 1920, u nënshkrua Marrëveshja e paqes, e njohur si Marrëveshja e Sevros, që u nënshkrua midis qeverisë së Perandorisë Osmane nga njëra anë, dhe fuqive të Antantës nga ana tjetër. Me atë Marrëveshje u copëtuan territoret osmane midis fuqive të mëdha dhe shteteve të ballkanit. Ndër të tjera, Marrrëveshja e Sevros kishte paraparë që territoret e pushtuara nga Greqia t’i mbetën asaj. Ndër to ishte Anadolli dhe Izmiri, qytet me rrethinë që kishte një popullsi të përzier,që të dy palët (edhe pala turke edhe ajo greke) pretendonin se kishin mbi 51% tëpopullsive të tyre. Prandaj me Marrëveshje ishte paraparë që Izmiri të mbetet nën okupimin e Greqisë edhe 5 vjet, e pastaj mund të organizohej referendum për t’u deklaruar populli nëse do t’i bashkohet Greqisë apo Turqisë.

Marrëveshjen e Sevros nuk e kishte ratifikuar Asambleja nacionale e udhëhequr nga MustafaKemal-pasha (më vonë i quajtur: Ataturk).

Por, ‘’Megaliidea’’ greke, që Greqia e udhëhequr nga kryeministri EvangelosVenizellos, të shtrihej në dy kontinente dhe pesë dete:Jon, Mesdhe, Egje, Marmara dhe Detin e Zi, i kishte rritur apetitet për pushtime të reja, bile pretendonte të merrte edhe Stambollin, Konstantinopojën e dikurshëm të Bizantit. Natyrisht, me ndihmën e fuqive të mëdha të Europës. Por, interesat e fuqive të mëdha nuk i shkonin përshtati pretendimeve greke, prandaj Greqia veçse iu hyri aventurave për taksiratin e vet në marshimet drejt Ankarasë, por  në gusht-shtator 1921, thyhen keq te lumi Sakarji, rreth 100 km.larg Ankarasë. Lufta vendimtare midis Turqisë e Greqisë u zhvillua nga 30 gushti deri 9 shtator 1922, kur forcat turke e pushtuan Izmirin dhe e shkërmoçën ushtrinë greke e cila,  në një kaos të paparë,u detyrua të tërhiqet nga Azia e Vogël.Me anije e barka, bashkë me ushtrinë greke, ikën edhe mijëra grekëtë Izmirit dhe rretheve tjera. Më 13 shtator 1922, Izmirin e kaploi zjarri, ku u dogjën kuartet greke e jermene. Kështu, megali-idea greke u bë hi e pluhur në Izmir, dhe Greqia pas më se 2500 vjetëve u detyruar të tërhiqet përgjithmonë nga Azia e Vogël. Për këtë shkak, viti 1922 konsiderohet viti më i keq në historinë e Greqisë.

Marrëveshja e Llozanës dhe shkëmbimi i popullsive

Pas triumfit të forcave turke, të udhëhequra nga MustafaKemal-pasha, qeveria britanike inicoi bisedime të reja për arritjen e paqes. Konferenca e paqes u mbajt në Llozanë (Zvicër),prej nëntorit 1922, deri në korrik 1923, kur u arrit marrëveshja, sipas së cilës u anuluan të gjitha fitoret territoriale greke që kishte arritur me Marëveshjen e Sevros.

Në kuadër të Marrëveshjes së paqes të Llozanës, më 30 janar 1923,  ishte nënshkruar Konventa për këmbimin dhe shpërnguljen e detyrueshme të  popullsive midis Greqisë e Turqisë, ashtu që të gjithë Muslimanët e Greqisë të shpërnguleshin për në Turqi, ndërsa ortodoksët grekë të Azisë së Vogël të shpërngulen në Greqi. Shpërnguljet dhe këmbimi i popullsive sipas Marrëveshjes së Llozanës ka vazhduar deri në vitin 1926. Pretendohet se me këtë shkëmbim, më se 1 milion ortodoks grekë u shpërngulën nga Azia e Vogël në Greqi, dhe 380.000 Muslimanë u shpërngulën nga Greqia në Azi të Vogël. Statistika turke jep numrin e saktë:  398.849  Muslimanëve të shpërngulur prej Greqie në Azi të Vogël.

Me qenë se Konventa për shkëmbimin e popullsive bazohej vetëm në përkatësinë fetare, pushteti grek e shfrytëzoi atë formulim për t’i shpërngulë me dhunë të gjithë Muslimanët, pavarësisht nga etnia e tyre, që përveç Turqëve,  më të shumtit ishin Shqiptarë të Çamërisë, Epirit dhe Maqedonisë së Egjeut, por kishte Muslimanë edhe të etnive tjera. Nga Kosturi e Follorina dhe 14 fshatra të tyre, u shpërngulën rreth 35000 shqiptarë, dhe shumë të tjerë nga Epiri e Çamëria. Falë angazhimit të Mit’hatFrashërit që ishte ambasador i Shqipërisë në Ahtinë, në vitin 1926, u ndërpre shpërngulja e Shqiptarëve, në saje edhe të mirëkuptimit të kryetari të Greqisë, arvanitasit EvangellosPangallos.

Dëbimin e Shqiptarëve nga Greqia, në bazë të Konventës së Llozanës, shkrimtari Arben Kondie ka trajtuar hollësisht në romanin e tij historik ‘’Dëbimi’.

Por, ndërprerja e dëbimit të Shqiptarëve Muslimanë nga Çamëria,u vazhdua gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore (1944), deri sa nuk mbeti anjë Shqiptar Musliman në Çamëri, veçse tash nuk u shpërngulën për në Turqi, por në shtetin amë, në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok