05/12/2025

Shenjtëria e shnjtëreshës shqiptare, Nënë Tereza, përmes shenjtërisë së fjalës dhe diellit të mendimit

0
Nene-Tereza

Nga Albert Vataj

Nënë Tereza në rrugëtimin e saj për në thellësi të shpirtit njerëzor dhe në shenjtërinë e përkushtimit, driti në terrin e botë, jo vetëm me veprën e bamirësisë, por edhe me diellin e mendimit.

Çdo përkufizim, ashtu si çdo vepër e Nënë Terezës është një dritare ku hyn një rreze drite që na ndriçon shpirtin dhe dëshmon fuqinë e vullnetit të besimit për të mëkuar mirësinë e Zotit përmes aktit të devocionit.

Ajo, mes të tjerash tha:

– Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe.

– Nëse i gjykoni njerëzit, nuk keni kohë t’i doni ata.

– Ngaqë nuk mund ta shohim Krishtin, nuk mund ta shprehim dashurinë tonë për Të, por fqinjët i shohim gjithmonë, prandaj mund të bëjmë për ta çfarë do të donim ta bënim për Krishtin, nëse do ta shihnim.

– “Do të jem shenjte” do të thotë ta zhvesh vetveten nga çdo gjë që s’është e Zotit; t’i shkul nga zemra të gjitha gjërat e kësaj bote; të jetoj në varfëri dhe mënjanim; të heq dorë nga dëshirat, prirjet, tekat, idhujt e mi e ta bëj vetveten, me dëshirë, skllave të vullnetit të Zotit.

– Mos i prisni kryetarët. Bëjini gjërat vetë, njëri për tjetrin.

– Fjalët e mira mund të jenë të shkurtra dhe të lehta për t’u thënë, por jehona e tyre është vërtet pa fund.

– Nganjëherë, ne mendojmë se varfëri do të thotë vetëm të jesh i uritur, i zhveshur e pa shtëpi. Varfëria e të qenit i padëshiruar, i padashur, pa njeri që të kujdeset për ty, kjo është varfëria më e madhe. Ne duhet të fillojmë nga shtëpitë tona për t’i dhënë fund kësaj lloj varfërie.

– Vuajtja është dhuratë e madhe e Zotit.

– Të gjithë e provojmë në jetë dhimbjen, vetminë. Duhet të kemi guxim e t’i njohim kur vijnë. Të varfërit mund t’i keni edhe në familjen tuaj. Gjejini. Duajini.

– Duhet të flasim më pak. Një vend për t’u lutur nuk është vend për thashetheme.

– Në Perëndim ka vetmi, të cilën unë e quaj “gërbula e Perëndimit”. Në shumë mënyra, kjo është më keq se ajo e të varfërve tanë në Kalkutë.

– Të varfërit na japin shumë më tepër nga sa u japim ne atyre. Ata janë kaq të fortë, jetojnë çdo ditë pa ushqim e nuk mallkojnë kurrë, nuk ankohen. S’kemi nevojë të tregojmë mëshirë apo simpati për ta. Kemi kaq shumë për të mësuar prej tyre.

– Unë nuk lutem për sukses. Kërkoj plotësinë e fesë.

Këto thënie të Nënë Terezës janë si gurë themeli të një morali që nuk njeh kufij kohe apo hapësire. Ato përbëjnë një testament shpirtëror ku e madhja lind nga e vogla, ku dashuria nuk matet me madhështinë e veprës, por me thellësinë e zemrës që e përmban.

Në to ndjehet një kontrast i fuqishëm mes botës moderne dhe shikimit të saj hyjnor.

Ajo na mëson se shenjtëria nuk është privilegj, por mundësi që lind nga përulësia dhe dhurimi i vetvetes.

Comments (0)

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok