30/12/2024

SHËNIM PAS URIMIT TË DITËLINDJES, KADARESË…

0
Kadare1

Nga Ndue Dedaj

Dje, me 28 Janar 2021, ua kursyem rrjeteve sociale ndonjë foto dalë me Kadarenë, vite më parë, në një panair Libri në Tiranë, jo se do të kishte diçka që nuk i shkonte ditës së tij. Thjeshtë bëmë diçka tjetër, më të voglën gjë që mund të bëhet në një ditëlindje të madhe, hymë në një klasë bashkë me mësuesin e gjuhës shqipe dhe letërsisë, që shkroi në dërrasen e zëzë: “Sot, shkrimtari ynë i shquar, Ismail Kadare, mbushi 85 vjeç. Urime pa fund!” Çka me siguri e kanë bërë aq e aq mësues, kudo ku ka shkolla shqipe, deri në diasporë. E ku më mirë se në një shkollë mund të (për)urohet një shkrimtar! Me dëshirën që urimi i mësuesve t’i “shtyjë” nxënësit drejt bibliotekës, ku vepra e tij dhe letërsia në tërësi pret lexuesit e gjeneratës së re, të “arratisur” ngeshëm në një tjetër botë, atë digjitale.

Duke bërë fjalë për shkollat e hapura nga shkrimtari – ministër i Arsimit, Ernest Koliqi në Kosovë, Ismail Kadare, në librin e tij “Dantja i pashmangshëm”, shkruan: “…shkollat shqipe, në viset ku gjuha shqipe kishte qenë e ndaluar, ishin për shqiptarët po aq të shenjta sa tempujt fetarë”. Dhe shenjtëria e shkollës është po aq aktuale dhe sot. Asaj i bie barra të jetë “shpëtimtarja” e rinisë nga mundësia e djerrjes në hapësira që nuk janë gjithnjë edukative dhe formuese.

Edhe pse për sendërtimin dhe leçitjen e librit ka shtëpi botuese dhe panaire, qendra dhe klube të librit e leximit, librari dhe biblioteka, politika kombëtare dhe çmime të librit, shoqata dhe donacione që mundësojnë pajisjen me libra të bibliotekave etj., shkolla është jo vetëm e pashmagshme në këtë proces, por vatër kryesore e leximit dhe e promovimit letrar. Dje në kryeqytet, për Kadarenë u tubuan dhe folën shkrimtarë, ministra, akademikë, studiuesit e përkthyesit e veprës së tij, në veprimtari dinjitoze, por do të kishim dashur që këtë ta bënin dukshëm dhe shkollat, përmes shpalimit të veprës së shkrimtarit etj.

Do të ketë gjithmonë interes dhe vëmendje akademike ndaj veprës së Kadaresë, në Shqipëri dhe në botë, siç pati dhe këtë herë botime të posaçme me mjaft interes kushtuar tij, por problemi është lexuesi i thjeshtë, që është ftohur me letërsinë në përgjithësi dhe sidomos lexuesi i ri, i cili ka gjasë të mos e shijojë në masën e duhur veprën e shkrimtarit të madh. Sot lexohen me kënaqësi shkrimtarët bashkëkohorë, por dhe ata klasikë: francezë, anglezë, italianë, spanjollë, rusë, amerikanë, grekë etj., që janë mbretërit e letrave dhe nuk e lëshojnë “skeptrin” e tyre nga dora dhe pse kanë kaluar shekuj. Kadare është ende një shkrimtar bashkëkohor, por që e ka fituar përmasën klasike që në gjallje. Kjo e bën dyfish të lakmuar nga lexuesi veprën e tij. Dhe kësaj nuk i heq asnjë presje qasja apo mosqasja e Kadaresë ndaj problematikës së ditës, ndërkohë që ideologjinë kombëtare dhe identitenin europian të shqiptareve ai e ka rrokur si askush tjetër. Kadare, Migjeni, Camaj, Poradeci, Podrimja etj. zgjodhën të ishin jashtë politikës dhe neve na mbetet vetëm ta mirëkuptojmë këtë.

Kadare nuk lexohet për t’i bërë “nder” atij, por për t’u ndikuar estetikisht nga arti i tij i të shkruarit, kumtet letrare që ai i përcolli lexuesit shqiptar dhe atij botëror përmes sagës së tij romanore të shekullit XX.

Nuk do të ishte normale të krijohej një tjetër mos-komunikim i shkrimtarëve me lexuesit, siç ndodhi për gjysmë shekulli me Fishtën, Konicën, Koliqin etj., kësaj here jo më prej ndalimit e linçimit politik, por prej braktisjes së leximit për shkak të rendjes masive të njerëzve pas teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, duke e kërkuar gjithçka brenda saj, dhe poezinë, dramën e romanin.

Nuk është se nuk i gjen dhe aty, në njëfarë mënyre, por ajo që e shërben mirëfilli letërsinë nuk është “shtëpia e të gjithave”, por shtëpia e librit – biblioteka.

Nxënësit gjithëhere kanë pasur një marrëdhënie speciale me bibliotekën shkollës, çka shpresojmë të mos vdaret, por të forcohet, falë dhe teknologjisë digjitale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok