01/05/2024

Shën Valentini/ Flasin, Roza Anagnosti, Margarita Xhepa, Paro Ziflaj, Alida Hisku, Jorgo Papingji, Luan Zhegu, Kastriot Tusha, Bashkim Alibali

0

Nga Albert Z. ZHOLI

Në këto vite 14 shkurti Shën Valentini është bërë festa më e spikatur, më sinjifikative, më e përbotshmja sidomos tek ne që deri dje nuk mundnim ta festonim. Mendimi juaj?

Dashuria është çelësi i paqes dhe i mirëkuptimit.

Roza Anagnosti

Në prag të Shën Valentinit!

Dashuria është temë universale. Është çelës magjik në çdo situatë.

I uroj të gjithë shqiptarëve kudo ku janë, publikut që na do dhe na respekton, sa më shumë dashuri për njeri tjetrin.

Filozofinë time për dashurinë e gjej tek kjo lirikë japoneze: “Do jetoja me qejf në një kasolle të varfër në mal, duke punuar, lëvruar dhe duke mbjellë tokën në çdo mot. Të lahesha te përrenjtë e ftohtë…..mjafton të kaloja jetën me ty tok.”

Falë Zotit, me Dhimitrin kemi një jetë të gjatë së bashku. Dashuria që të jetojë do ushqyer çdo ditë. Mendoj se çelësi është : sinqeriteti, respekti dhe toleranca. Këto janë shtyllat kryesore dhe në familje, në punë e kudo. Edhe në gjërat e thjeshta ka dashuri. Kur gatuaj vajzat më thonë: ”Mami sa e mirë të doli!” Unë gjithmonë i them: “Është bërë me dashuri,

prandaj!”.

E kam pikë referimi Nanën dhe të shenjtën Terezë, e cila thotë: “ E gjitha krijohet me dashuri!” Fjalë të thjeshta po me filozofi të madhe, që përcillen dhe me këtë lutje të saj:

O Zot, më bëj mjet të paqes tënde.

Ku të ketë urrejtje, të sjell dashuri!

Ku të ketë trishtim të sjell shpresën!

Ku të ketë dëshpërim, të sjell gëzimin!

E pyeta Dhimitrin se çfarë kupton me fjalën dashuri? –“Dashuria për Zotin, për jetën e njerëzve në tokë”. Gëzuar për të gjithë shqiptarët. Dashuria është çelësi i paqes dhe i mirëkuptimit. Roza Anagnosti

13/02/2022

**

Paro Ziflaj

Erdhi sërish 14 shkurti. Por këtë vit na gjen të mbyllur. Zemra na gëzon, por dhe Pandemia na sulmon. Megjithatë…Sa e bukur kjo ditë, sa magjike! Kujtdo kjo ditë zgjon kujtime, zgjon mendime, ëndrra. Në këto vite kjo është bërë festa më e spikatur, më sinjifikative, më e përbotshmja sidomos tek ne që deri dje nuk mundnin ta festonim. Por një ditë për dashurinë s’është asgjë përpara dashurive të mëdha jetësore mbarënjerëzore. Dashuria është e përjetshme dhe duhet të jetë e përditshme. Por dhe një ditë e përcaktuar është një emër i veçantë një emër që s’mund të tjetërsohet apo zëvendësohet. Kjo ditë është monumenti i Dashurisë. Kjo ditë është 14 Shkurti. Gëzojeni me gjithë fuqinë e shpirtit.

Margarita Xhepa

Dhe pse mes dhimbjesh se po na ikin njerëz të dashur, pjesë e jetës sonë sërish 14 Shkurti duhet kujtuar. Festa e të dashuruarve! Eh! Erdhi mes mimozash…Në sistemin monist ne nuk e kemi ditur ç’është Shën Valentini dhe nuk e kemi festuar. Ishte tabu një festë e tillë. Bashkë me demokracinë u bë e njohur dhe festa më popullore, më e bukura në botë, më e komentuara Shën Valentini. Një ditë plot gaz, hare, plot mirësi, dashuri, harmoni. Një ditë që ofron shumë buzëqeshje, gëzim lule dhurata. Për mua mbetet një festë pa ligje, por e ligjëruar. Një festë shumë e veçantë. Një festë që për mua s’duhet të kufizohet vetëm tek të rinjtë. Në këtë ditë të gjithë duhet të durojmë dhe të marrim urime për dashurinë njerëzore. Çudi se dhe mimozat çelin enkas në këtë ditë të bukur. Dhe mimozat janë simboli më i mirë i dashurisë. Kjo ditë na afron më shumë me njerëzit, me të afërmit. Ndihem mirë në këtë ditë, sepse kam recituar shumë vargje të poetëve të shquar të të gjithë botës. Kam përcjellë vargje poetësh që të mbërthejnë dhe të çojnë në magjinë e bukur të dashurisë së sinqertë. Poetët i këndojnë më bukur dashurisë dhe unë kur recitoj të tilla vargje më duket sikur u jap njerëzve më shumë atmosferë dashurie të pastër. Do doja që ditë të tilla të kishim sa më shumë. Janë ditë të pastra qiellore që të mrekullojnë.

Jorgo Papingji

Erdhi pasi pashë mimozat. Pandemia na ka mbyllur por 14 Shkurti të tundon. Ah, sa bukur që më kujtove!…Jam në Vlorë. Magjia e Vlorës të mbërthen. Jam fare pranë…Aty ku valët të çojnë në magjinë e ëndërrimit. Jam këtu ku deti magjepsës dhe të dashuruarve u jep më shumë frymëzim. Jam tek vendi ideal për të dashuruar me gjithë fuqinë e shpirtit. Këtu romantizmi të vjen vetiu dhe të ngulet në zemër. Deti të entuziazmon me madhështinë, sekretet, mistikën e tij. Deti duket sikur orkestron dhe thotë; Dashurohuni sa më shumë. Dashuria të zbukuron të fisnikëron. Mes detit, valëve, mimozave kjo ditë sikur bëhet më hyjnore…!

Luftar Paja

Dhe pse situatë e vështirë është një ditë e bukur. Duket se sjell pranverën një muaj më shpejt….Duket sikur zgjon ndjenja të fuqishme dashurore njerëzore për të qenë më të butë, të paqmë, të sinqertë…Në këtë ditë kaq të bukur, disa janë çmendurisht të dashuruar, të tjerëve u pëlqen ideja e dhuratave, disa të tjerë duan të festojnë për inerci. Baza mbetet e njëjtë për çdo Shën Valentin: Ai nuk kuptohet pa dhurata. Një festë e të dashuruarve, e cila ka qëllim të na përkujtojë triumfin e dashurisë. Por ndryshe nga festat e tjera siç janë Krishtlindjet apo Viti i Ri, njerëzit për Shën Valentin kanë tendencën të presin deri në momentin e fundit për të blerë dhuratën për partneren për të qenë të gëzuar shpirtërisht. Në këtë ditë gjenden fjalët e duhura, lulet, ëmbëlsirat dhe çdo gjë që duhet të mbështjellë me letër të kuqe apo rozë, për ta përecjellë sa më bukur respektin për dashurinë. Dhuratat në këtë ditë janë gjëra që njerëzit i vlerësojnë, por që nuk do t’i blinin asnjëherë për vete në ditë të zakonshme. Sa e bukur kjo ditë që na afron dhe na zbukuron ditën. Gëzojeni!

Alida Hisku

Bashkatdhetarët e mi! Sa doja të isha sot aty në Tiranën tonë. Të ishim jo kështu të mbyllur. Po ah, s’është në dorën tonë. Ndaj ju uroj gëzuar nga Gjermania. Një ditë që dua të dhuroj sa më shumë lule, lule, buzëqeshje. Se gëzuam në rininë tonë. Le ta gëzojnë fëmijët tanë. Është një ditë hyjnore. Unë shumë shkurt do ta përkufizoja dashurinë si dhe të dashuruarit : Të duash dikë s’mjafton 14-15 shkurti ! Një vit ka 365 dit/net s’do bëja dallim kur është puna t’i japësh dashuri dikujt që e do më shumë se veten.

Kastriot Tusha

Shën Valentini është dita më romantike e vitit, ku shumë të rinj e dërgojnë kartolinën e të dashuruarve me anë të zemrës. Por ky 14 Shkurt nuk është si më parë. Gëzimi nuk mund të shpërthejë natyrshëm. Shën Valentin do të thotë paqe, dashuri, mirëkuptim, lumturi, gjatë kësaj feste. Në shekullin e 17-të, Puritanët amerikanë, që ishin një shoqëri e krishterë, me arsyetimin (se është dita e të dashuruarve) se është një besim i kotë, u munduan ta ndalonin. Edhe këtë herë dashuria triumfoi, dhe ata nuk ia dolën ta ndalojnë këtë festë. Sa na duhen festa të tilla! Ato janë qetësia shpirtërore në ëndrrat e rinisë pse jo dhe të çdo moshe. Diku për këtë ditë kam lexuar një kartolinë dashurie: Unë ndjehem një botë më vete, një botë plot trëndafila të lulëzuar dhe çdo fjalë që të shkruaj çdo buzëqeshje e syve kur të mendoj më kthehet në një këngë dashurie që e këngëzoj midis buzëve të mia..

Bashkim Alibali

Dua ta pres me këngë, e pres me Sot dua të bëj një këngë për dashurinë. Një këngë shumë shpirtërore. Gëzohem shumë në këtë ditë. Lumturohem. Më duket çdo gjë si një magji. Le të gëzojnë njerëzia aq më shumë rinia. Të duhen. Eh, ne dje s’na e lanë ta gëzonim, dhe pse ka një histori shumë të bukur. Kam lexuar shumë për këtë ditë. Sidomos kur vjen kureshtja më shumë të lexoj dhe më shumë. Në shekullin e 18-të, shfaqen kartolinat e para për ditën e dashurisë. Ishte zakon që ato kartolina të punoheshin vet nga personi që do i dërgonte. Kartolinat zbukuroheshin me gërma të florinjta dhe dantella. Në to shkruhej poezi dashurie, dhe më pastaj dërgoheshin. Ndërsa disa kartolina zbukuroheshin me zemra dhe brenda i futej qeskë parfumi. Këto kartolina sot ruhen si antikitete të vlefshme nëpër muze. Muzeu më i bukur sot është përqafimi, ndjenja e sinqertë dhe pse dhurata mbetet dhuratë. U uroj këtë festë madhështore të gjithë çifteve të dashuruar, të fejuar, të martuarve dhe atyre që akoma janë në kërkim të fatit me shpresë se mos vallë kjo ditë mos po ndikon për ndonjë simpati ndaj ndonjë partneri…

Luan Zhegu

Erdhi! E prisnim. E prisnim, po erdhi ndryshe këtë vit. Nuk do gëzojmë me atë atmosferë si çdo vit. Është një ditë që dua të dhuroj sa më shumë lule, lule, buzëqeshje. Se gëzuam në rininë tonë. Le ta gëzojnë fëmijët tanë. Është një ditë hyjnore. Unë shumë shkurt do ta përkufizoja dashurinë si dhe të dashuruarit: Të duash dikë s’mjafton 14-15 shkurti! Një vit ka 365 dit/net s’do bëja dallim kur është puna t’i japësh dashuri dikujt që e do më shumë se veten. Mos i harroni dhuratat, të çfarëdo natyre qofshin. Gëzoni partneret tuaja në këtë ditë….nëse nuk mundeni apo nuk keni dhurata, falni me gjithë zemër një “buzëqeshje” ,sepse edhe buzëqeshja është një dhuratë zemre ndoshta më e ngrohta…

Mesazhe
Oh, sa herë më ndodh të dehem tek ty dhe çdo shkronjë që të nis është një kupë plot mall e puthje dhe një këngë e thellë! E dehur nata, ëndrra, i dehur çasti, dita, pritja prej trëndafili të kuq, aromë në buzët e tua. (Pjese nga libri “Një ditë për dashurinë”)
****
Sytë e mi të ylberizuar, vështrimi im i mëndafshtë, që pambarimisht ngazëllehet në trazime malli të kulluara për ty.
***
Të të kisha afër do të bëja të dëgjonit këtë drithërimë bari të duarve të mia në ujërat e zymta të trishtimit ndanë brigjeve të fatit tim, me ndjesinë e një përqafimi të fortë plot mall të dëshiruar.
***
Kam mall në mes fjalësh në një varg. Nuk e di çfarë energjie të bukur, çfarë force të padukshme, m’i çon mendimet tek ty…
****
Nëse të mungoj, vendose dorën në zemër dhe unë jam aty brenda zemrës tënde si një karafil dashurie.
****
Dantella ndrin në këtë mbrëmje të gjelbër prej shigjetave prej mjalti të pranverës së syve. Duket sikur fjalët e mia rrjedhin nën akull dhe tek kjo rrëke butësie kanë vlerë vetëm disa pika shiu të kthjellët si loti. Sa herë të ëndërroj qielli im psherëtin. Sa herë mbyll sytë shoh një fill rozë të padukshëm që më çon tek ty si me magji.
****
Unë ndjehem një botë më vete, një botë plot trëndafila të lulëzuar dhe çdo fjalë që të shkruaj çdo buzëqeshje e syve kur të mendoj më kthehet në një këngë dashurie, që e këngëzoj midis buzëve të mia..
****
Çastet kur jam pa ty i kaloj me shijet e fjalëve, që të qëndis në mesazhe zemre. Nëpër luginën e dëshirës shoh zjarrin e dritës së verbër që më prin në vetmi për të më lexuar ndjenjat e mbuluara me velin që lëshon shiu.
****
Kënga ime e dashurisë për ty gjallon thellë në ajër aromë malli e fjalë me lëng lulesh që kam mbi buzë çdo çast për ty.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok