21/12/2024

SHBA ‘Rrasa e Zogut’ e Junikut – prijatare e  alpinizmit në Kosovë

0
Hasanramaj-Junik1

Nga Hasan Hasanramaj

Në zonën e bjeshkëve të komunës së Junikut  ekziston një  ansambël  i majave shtathedhura që hedhin vallen  e Alpeve Shqiptare duke mallkuar toponimin “Bjeshkët e Nemuna” për të dëshmuar se ato nuk janë të nëmura, por të bekuara nga vetë  natyra  dhe njerëzit që jetojnë në to dhe rreth tyre. Kësaj valleje i prin maja më e lartë në Kosovë, Gjeravica krenare, nga e cila mund ta sodisësh Kosovën si në shuplakë  të dorës. Andaj të rritesh në fshatin më të madh në Kosovës, në Junik, e  të mos jesh bjeshkatar  është  e pamundur. “Ne kemi  lindur, -na tha sekretari i  shoqërisë bjeshkatare alpiniste “Rrasa e Zogut”  Bekim Gaxherri, në bisedën që zhvilluam me të, -dhe po rritemi në bjeshkë dhe me bjeshkët e Junikut. Duke u bazuar në të gjitha këto të dhëna për të gjithë ne dashamirët e natyrës ishte ëndërr e kamotshme  që edhe ne të formojmë një shoqëri bjeshkatare dhe këtë e bëmë realitet para tre vjetësh. Shoqëria Bjeshkatare Alpiniste “Rrasa e Zogut” e Junikut  është relativisht e re dhe me aktivja në Kosovë , e themeluar nga një grup entuziastësh dhe dashamirësh të bjeshkëve dhe të natyrës në  përgjithësi. Njëherësh kjo shoqëri  është  anëtare e Federatës  Bjeshkatare Alpiniste të Kosovës. Në fillim kishte rreth tridhjetë anëtarë, tani ka rreth njëqind dhe  ky numër  çdo ditë sa vjen e shtohet. Kemi aktivitete të rregullta  javore, trajnime të ndryshme në lëmin e alpinizmit, si: për  shënimin e shtigjeve, mbijetesën, leximin e hartave, GPS, ndihmën e parë  e të tjera”. Në vazhdim të bisedës ai na shpjegoi se kjo shoqëri gjatë këtyre vjetëve ka organizuar ekspedita në bjeshkë  në kohëra të ndryshme dhe në kushte të ndryshme, duke pasur parasysh se bjeshkët e Junikut  janë shumë atraktive dhe në mesin e tyre gjendet  maja më e lartë e Kosovës, Gjeravica, me 2.656 metra lartësi, liqene të bukur  dhe  shumë e shumë  pamje të tjera që të mahnitin me bukurit ë e tyre dhe janë të pasura me  burime uji të kristaltë, me  florë dhe me faunë të zhvilluar  që  vërtet  ia vlen të  vizitohen. Ndër aktivitetet e shumta  ai  përmendi aksionin për pastrimin e pyjeve i cili është mbajtur në vitin e  kaluar në bjeshkët e Junikut, aksionin “Ta pastrojmë Kosovën” që janë pastruar dhe janë mirëmbajtur shume hapësira të gjelbërua në komunën e Junikut, pastaj pjesëmarrjen aktive në shuarjen e zjarreve në bjeshkë gjatë verë së vitit të  kaluar dhe mbjelljen e më shumë se një mijë fidanëve. “Për të gjitha këto rezultate Federata Bjeshkatare Alpiniste e Kosovës e ka shpallur “Rrasën e Zogut” shoqërinë më aktive në Kosovë në afirmimin  e alpinizmit dhe në mbrojtjen e ambientit për vitin  e kaluar,  për ç’gjë  jemi nderuar me mirënjohje”, tha Bekimi. Ai përmendi se qëllimi i kësaj shoqërie ka qenë vetëdijesimi i qytetarëve për mbrojtjen e pyjeve dhe të natyrës në përgjithësi nga shkatërrimi. Anëtarët  e kësaj shoqërie kanë  organizuar ekspedita edhe në Bjeshkët e Sharrit e në ato të Malësisë së Gjakovës,  në Grykë të  Valbonës, në Majën e Jezercës, te liqenet, te lumenjtë  dhe te burime  të tjera të bjeshkëve  shqiptare.  Shoqëria bjeshkatare “Rrasa e Zogut” e Junikut  dhe disa shoqëri të tjera, anëtare të Federatës  Bjeshkatare Alpiniste të Kosovës  dhe miqtë  nga Austria  ishin  për të pushtuar  në majën me të lartë të Kosovës – në Gjeravicë.  Pas një rruge të gjatë njëzet e katër kilometra një natë pushuan në  tëbanat e Junikut, ndërsa të nesërmen u nisën drejt majës së Gjeravicës, por shkak të kushteve tejet  të vështira dhe borës së madhe disa  prej tyre u detyruan të kthehen në kampin bazë, kurse grupi i katërmbëdhjetë  bjeshkatarëve  arriti në pikën më të lartë e që llogaritet si sukses i regjistruar për herë të parë në Federatën Bjeshkatare Alpiniste të Kosovës. Këtu shpesh here, duke e parë interesimin e madh të të rinjve për motoçiklizëm dhe çiklizëm, u organizua  marshi i  quajtur “Juniku Moto “’’ dhe kampin “Ditët  në majën e Gjeravicës”, ku ishin të pranishëm  pjesëmarrës të gjinive dhe të grupeve e të moshave të ndryshme të shoqërive bjeshkatare të Kosovës dhe mysafirë edhe nga shtetet e  jashtme. Ky kamp tashmë  është  bërë tradicional dhe organizohet për çdo vit në mes të muajit qershor. “Bjeshkatarët e Junikut në shtigje të ndryshme të Alpeve Shqiptare kanë  vënë shenja për ecje, shporta për hedhjen  e mbeturina dhe shumë mbishkrime për ruajtjen e ambientit  dhe të natyrës në përgjithësi.. Junikut ka  mundësi reale që të vendoset  ski-ashensori  ose teleferiku,  kuptohet  në bashkëpunim me kompaninë “Alpet Shqiptare” e cila po jep kontribut  të jashtëzakonshëm në promovimin e bjeshkëve tona”, tha Bekimi. Kullat  historike, bjeshkët e njohura, tradita shqiptare dhe bukuritë natyrore që i ka komuna e Junikut  e kanë shtyrë  shoqërinë  e bjeshkatarëve alpinistë ”Rrasa e Zogut” që dashamirëve të natyrës t’u bëjë ftesë  që të vijnë në Junik për t’i shijuar bukuritë e rralla natyrore që rrallëkund i sheh  syri i njeriut, por për fat të keq Qeveria e Kosovës  dhe strukturat e tjera udhëheqëse në të gjitha nivelet në Kosovë  janë të vetmit në rruzullin tokësor që nuk investojnë për shfrytëzimin e bukurive natyrore. Me gjithë propozimet, vërejtjet  dhe kërkesat rreth zhvillimit të turizmit veror dhe atij dimëror në këto anë, për fat të keq, asnjëri prej tyre as që deshi të dëgjojë dhe të diskutojë për këtë çështje, sepse, siç duket, njëherë për njëherë kanë halle të tjera – si të krijojnë kapital sa më të madh (me korrupsion, natyrisht…).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok