22/12/2024

SHBA duhet ta zëvendësojnë urgjentisht, të dërguarin për dialog

0
u6_Gani-Qarri

Nga Gani Qarri

Eskobar, i cili së fundi edhe vet, ka filluar të shihet me të drejtë, nga shqiptarët, si i dyshuar për korruptim nga Serbia, duhet të largohet urgjentisht nga misioni, për bisedimet Kosovë-Serbi, dhe të zëvendësohet me një tjetër, të dërguar special, pasi që, ai sot, më tepër është kërcënim dhe pengesë, se sa ndihmesë, apo shpresë për Kosovën!

Madje edhe ajo që aktualisht po ndodhë me Ballkanin Perëndimor, nuk është më befasi as akt i papritur, por rrjedhojë e dështimit dhe përgjegjësi e drejtpërdrejtë e vet faktorit ndërkombëtar i cili përkundër të gjitha gjakderdhjeve të shkaktuara nga Serbia, vazhdon ta ledhatojë Serbinë dhe Aleksandër Vuçiqin si pasardhësin direkt të Millosheviqit.

Për aq më tepër, është përgjegjësi edhe e SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian, të cilat në vend të ledhatimeve të vazhdueshme, do duhej të kishin vepruar me kohë, për ta reformuar dhe spastruar në vijimësi skenën meskine politike në Serbi, nga mbeturinat e regjimit të Millosheviqit dhe jo mu pasardhësit të tij, kriminelit Vuçiq, ti ofrohej mbështetja ndërkombëtare, falë të cilës ai edhe sot, pa asnjë pengesë, madje edhe me kapriçio të madhe, vazhdon politikën e vjetër hegjemoniste, i instaluar në krye të shtetit serb, pikërisht me ndihmën e ndërkombëtarëve.

Koincidencë apo jo, është vërtet për tu habitur shumë, se si edhe pas gjithë kërcënimeve, talljeve dhe provokimeve publike të presidentit arrogant e cinik aktual serb, Aleksandër Vuçiq, SHBA në vend se të ndryshojë qëndrimin ndaj Serbisë, vazhdon të heshtë, madje nuk heshtë vetëm ambasadori Hill, i cili që nga lufta e viteve 1998-99, njihet për qëndrimet e tij të dyshimta ndaj çështjes së Kosovës, por edhe emisari lartë amerikan, Gabriel Eskobar, i cili gjatë gjithë kohës, ishte shumë kritik, deri në teprim dhe me ton aspak diplomatik, vetëm ndaj kryeministrit Kurti!

Për aq më tepër, pas defilimeve kërcënuese dhe deklaratave tejet provokuese të Vuçiqit, habit shumë heshtja e pakuptueshme edhe e vet sekretari Blinken, përderisa asnjëri nga DASH, çuditërisht nuk lëshojë asnjë prononcim, të paktën në formë protokollare, apo edhe në emër të ruajtjes së paqes, ndërmjet të dy vendeve dhe në rajon.

Një heshtje e këtij lloji, të paprecedent, jo vetëm që vret shpresat e ngritura para kohe, për miratimin e propozimit të BE-së, por ngrit edhe dyshime gjithnjë e më të forta, që pas korruptimit të udhëheqësit të lartë të FBI-së, McGonigal, të jetë blerë a korruptuar jo vetëm ndonjëri prej ndërmjetësuesve të BE-së, por pas promovimit pompoz të ekspozitës së të shoqes së tij Elizabet, nga Ministria e Jashtme e Serbisë, të jetë blerë në mënyrën e njohur ala-serbe edhe vet i dërguari “special”, për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Eskobar, për zemërgjerësinë e treguar ndaj Serbisë dhe Vuçiqit, si emisar special, në dialogun Kosovë-Serbi.

Nisur nga dyshime si këto, sado që takimi në mes të kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuqiq, në Ohër bënë sikur shihet, si takim vendimtar për të sigluar miratimin e marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian me nënshkrim nga të dy palët, shfaqjet gjithnjë e më arrogante të presidentit serb Vuçiq, të cilat filluan të orkestrohen, pikërisht vetëm një javë para takimit Kurti-Vuçiq dhe vijnë si atak i rëndë publik e akte të mirë studiuara provokuese, kanë për qëllim vetëm mos-nënshkrimin e marrëveshjes dhe dështimin e takimit të 18 marsit në Ohër.

Andaj habit fakti se si SHBA vazhdon të heshtë, përderisa marrëveshja e propozuar, u tha se është diskutuar edhe në Shtëpinë e Bardhë, ndërmjet Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen dhe Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, prej nga edhe u deklarua për media se, propozimi i BE-së apo siç njihet ndryshe, plani franko-gjerman, ka përkrahjen e SHBA-së dhe të Bashkimit Evropian.

E duke pasur parasysh se mu në prag të takimit në Ohër, Vuçiq shfaqet në mënyrë demonstrative para një harte me Kosovën, “brenda” kufijve të Serbisë dhe kërcënon publikisht se kinse për asnjë çmim dhe asnjë kusht nuk do të heq dorë nga Kosova, nuk do të nënshkruaj asnjë marrëveshje që nënkupton njohjen direkt apo indirekte të pavarësisë së Kosovës, as pranimin e Republikës së Kosovës në OKB, SHBA duhet urgjentisht të ndërrojë qëndrimin ndaj Serbisë dhe ta zëvendësojë edhe të dërguarin special, i cili në vijimësi na ka shastisur duke sulmuar vetëm Kosovën dhe kryeministrin Kurti, pa ju kundërvënë asnjëher Vuçiqit, ani pse viktima jemi ne, dhe jo Serbia!

Kështu që për ta vënë gjendjen në binar dhe arritur marrëveshjen përfundimtare Kosovë -Serbi, duke pasur parasysh se jo vetëm Borell e Lajçak të cilët që nga ardhja në pozitat aktuale, kanë mbajt hapur anën e Serbisë, por së fundi, Serbia është mbështetur, jashtë çdo parimi misionar a ndërmjetësues edhe nga vet z. Gabriel Eskobar, ky akt po rrit gjithnjë e më tepër dyshimin, se mund të jetë korruptuar direkt edhe vet emisari Eskobar, ndaj SHBA duhet urgjentisht ta zëvendësoj z.Eskobar me një të dërguar tjetër special, e mundësisht edhe me ambasadorin William Walker apo Bob Menzis, kur shihet publikisht se në mungesë të presionit nga SHBA dhe BE, Vuçiq nuk është i gatshëm ta nënshkruaj, jo vetëm marrëveshjen përfundimtare por as propozimin e Bashkimit Evropian!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok