22/01/2025

SHALLI I PRESIDENTIT RUGOVA DHE SARI I NËNË TEREZËS NËN HIJEN E SHPATËS SË SKËNDERBEUT

0
Rugova

Nga Visar Zhiti

Në Prishtinë ka dalë libri “Rugova Prijësi Intekektual”, përgatitur nga shkrimtari Ndue Ukaj, me rastin e 80 vjetorit të lindjes së Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, botim i Fondacionit që mban emrin e tij.

Janë artikuj të ndryshëm nga autorë të ndryshëm nga Republika e Kosovës, e Shqipërisë dhe nga diaspora shqiptare në Europë e Amerikë.

Libri hapet me një elegji të Visar Zhitit, sot është dhe 19 vjetori i shkuarjes në amëshim të “Prijësit Intelektual”, prandaj dhe po sjellim shkrimin e plotë të Visar Zhiti nga libri.

PRESIDENTI RUGOVA

gjithmonë më shfaqet me atë shallin dramatik në qafë dhe ashtu është dhe në bronz në shtatoret e tij. E mbante si malësorët e Rugovës, të cilët lidhnin mbi krye një shall të bardhë, të gjatë, e kishin për gjithë jetën, me të dhe i mbulonin. Dridhem kur e kujtoj, se kam lexuar, madje kam shkruar poezi edhe unë, që u duhej dhe si qefin po t’i vrisnin në rrugë armiku apo për gjakmarrje…

Presidenti Rugova atë shall e kishte si porosi dhe shenjë, eci me dramën e popullit të tij në qafë dhe thoshte se do ta hiqte, kur të çlirohej Kosova.…

Presidenti Rugova u bë bëmatari i madh i së pamundurës, sepse na dukej e pamundur atëhere një Kosovë e pavarur nga shteti federativ jugosllav, një bashkësi e panatyrshme, thoshim, ku Serbia bënte pushtuesin agresiv mbi popullin shqiptar, që kishte derdhur shumë gjak e kishte luftuar shumë për lirinë e të drejtat e veta.

Me Rogovën si prijës, mrekullisht po shkohej drejt një zgjidhje përfundimtare, siç flitet me gjuhën politikës. Dhe Presidenti Rugova ishte një politikan i zoti, por edhe shkrimtar, studiues i shkëlqyer, kritik arti.

Ai sikur kishte marrë dhe bekimin e shenjtores tonë, Nënë Tereza, gruaja më e njohur e planetit në shekullin XX dhe gëzoheshim që prindërit e saj vinin nga Kosova.

Dhe ajo vuri shaminë e bardhë mbi krye, sarin siç quhet në Indinë e largët, ku shërbeu si murgeshë katolike. Sarin e mbanin gratë e varfëra atje, prandaj e morën dhe Motrat Misionare të Dashurisë si simbol i pastërtisë shpirtërore dhe i të vërtetës.

Nënë Terezës a do t’i jetë ndërmendur shalli i bardhë i malësorëve të Rugovës, në Kosovën dhe të saj? Ç’do të ketë menduar kur takonte Presidentin Rugova me shall?

Ndërsa Presidenti Rugova e dinte mirë sarin misionar të Nënë Terezës, me ato tre vijat blu të virtytit anëve. Edhe Indinë e dinte dhe prej andej i erdhi si shpërblim “gandizmi”, që gjeti shpirtin binjak te Rugova.

Ai vetë si President do vinte gurthemelin e parë të Katedrales së Prishtinës, që do të niste të ndërtohej në Kosovën e lirë në vitin 2005 dhe do pagëzohej me emrin e Nënë Terezës.

Jam i lumtur që midis firmëtarëve që kërkuan të ngrihej ajo katedrale.është dhe emri im. Thirrjen ma dha ta firmosja poeti ynë Ali Podrimja. Nisma kishte qenë e Presidentit Rugova. Ishte dhe 600 vjetori i lindjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, “Mbrojtësi i paepur i qytetërimit Perëndimor” – siç shkruhet në piedestalin e statujës së tij madhështore mbi kalë në Romë.

Hija e Shpatës së Skënderbeut binte dhe mbi fytyrën e Rugovës.

Është 80 vjetori i lindjes së Presidentit historik dhe të parë të Kosovës. Presidenti Rugova bëri histori.

?Dhe Ballkani është i vështirë, për të thonë se prodhon histori më shumë nga ç’mundet…

Ndërsa perandoria komuniste binte dhe Jugosllavia shpërbëhej duke u bërë më e egër në qendrën e saj në Serbi, ku në Beograd kishte dhe akademi se si mund të shfaroseshin shqiptarët nga trojet e tyre në Kosovë, qëndresa vazhdonte, të drejtat e shqiptarëve nëpërkëmbeshin, mohoshin verbërisht dhe derdhej gjak shqiptari.

Më të qartë se kurrë, këmbëngulës dhe me një dinjitet martirizues, shqiptarët po prireshin nga Rugova, ai arriti t’i mbledhë rreth vetes dhe Çështjen e Kosovës ia bëri të njohur opinionin botëror, sensibilizojë botën pa u lodhur në kërkesat për të drejtën kombëtare. Rugova po quhej tashmë si “Gandi i Ballkanit”.

Lider në pushtim, intelektual i klasit të parë, politikan sa i thjeshtë dhe enigmatik, filozof gandist në Ballkanin e egër, akademik, i njohur në kulturën kombëtare, kryetar i shkrimtarëve dhe kryetar i partisë së parë opozitare, i Lidhjes Demokratike, që të kujtonte në emër Lidhjen e hershme të Prizrenit, me portretin e Papa Vojtilës në seli, tani për të kundërshtuar hapur regjimin komunisto-shoven të sllavëve të jugut, hordhitë e të cilëve i vranë babanë dhe gjyshin mbas Luftës së Dytë Botërore.

Jetimi që do të bëhej ati i një kauze, asaj të çlirimit, duke iu kushtuar i tëri pavarësisë së vendit, që dëshironte ta fitonte me mjete paqësore, edhe pse kishte përballë egërsi, padrejtësi, mashtrime, dhunën e një shteti të kthyer në stalinist, plot krime nga më makabret.

Rugova i shmangej së keqes për të mos u bërë si ajo dhe u dilte përballë të gjithave. Dhe u bë ikona e paqes në popullin e vet të pakët, duke e bëri të njohur “Çështjen e Kosovës” në Europë e SHBA, si rrjedhojë dhe veten.

Vetëm pushtuesi nuk po kuptonte dhe zhbindej gjithnjë e më ligsht. Nga që po bëhej dhe më mizor, bijtë e popullit rrëmbyen armët, U bë UÇK-ja. Ishte kushtrimi i brendshëm skënderbejan. Duhej shpata e Heroit.

Në Dardani, në Nish në vitin 1443 ndodhi beteja e madhe e qëndresës kundër osmanëve. Aty ishte Skënderbeu… Betejën e udhëhiqte komandanti i shquar hungares,  Janosh Huniadi. Ai fitoi dhe Skënderbeu i braktisi osmanët dhe u kthye në atdhe, që të vazhdonte luftën dhe të merrte në zotërim trojet, që familja Kastrioti i kishte dhe në Kosovë.

Skënderbeu në alenacë me Huniadin u bënë mbrojtës të Europës…

Ndërsa Rugova kërkonte ndërhyrjen e botës për mbrojtje dhe pavarësi, paqe e stabilitet, ndodhi ajo që s’kishte ndodhur, “kryqëzata morale”. Për herë të parë në historinë e vet, koalicioni më i madh ushtarak, NATO, ndërmori një aksion luftarak kundër një shteti europian, fqinjit dhe pushtuesit njëkohësisht të vendit të Rugovës.

U arrit çlirimi, aq i vështirë të fitohej vetëm me gjakun e derdhur të shqiptarëve.

Dhe atëhere në shtetin ende pa vend a në vendin ende pa shtet, në kryeqytetin e të cilit po viheshin shtatoret e të rënëve më të fundit dhe krahas tyre, në radhë të parë ato, shtatoret e Skënderbeut dhe të Nënë Terezës dhe populli zgjodhi President Ibrahim Rugovën, njeriun urtak dhe të vendosur, të paepurin dhe të ballëpërballshmin, vizionarin, të armatosurin pa asnjë armë, me fushëbetejë idealet dhe të drejtën, qëndresën paqësore, bisedimet, diplomacinë, bindjen, sa dhe robërisë së vet nuk i iku përmes plojës.

Dhe kur po kurorëzohej çështja, ëndrra, pavarësia, në prag të bisedimeve përfundimtare, ikën para kohe nga jeta duke krijuar, krahas dhimbjes së përgjithshme, një bosh të madh, po edhe pështjellim civil. Ç’do të bëhej pas tij?

Në kohën postRugoviane, siç po e quanin…

Natyrisht, vlerat dhe meritat e Rugovës janë të padiskutueshme, puna dhe vepra e tij janë të pashlyeshme e mbi të gjitha një përvojë e rëndësishme dhe emblemë njëkohësisht, instirucion I presidentit, porositë e së cilës kanë vlerë të gjithmontë. Rugova punoi me shokë, me popullin e tij, u besua dhe u çmua, u mbështet fuqimisht nga dheu amë, nga Tirana, pra ai hapi një hulli, ku mund të vazhdojnë të tjerë. Ai e la përkushtimin suprem dhe frymën e vet, që vazhduesit t’i çonin më tej.

Pra, gjithsesi ai ka pasues, punën, idetë dhe bashkëpunëtorët. Po edhe vetë Rugova ishte pasues, nuk u krijua nga e veçanta dhe shpirti i tij nuk u importua, por sublimoi nga historia dhe shpirti i popullit të vet, që e do paqen, harmoninë, di ta njohë popujt e tjere, të bashkëjetojë dhe të jetë i pamposhtur deri në sakrificë përballë vuajtjeve.

Ai sikur bashkoi durimin e Skënderbeut, kur ishte nën pushtuesin në kryeqytetin e perandorisë otomane, me hovin e shenjtë të Nënë Terezës, që ikte nëpër botë në ndihmë të plagëve të njerëzimit. Rugova aspiroi qytetërimin perëndimor, kulturën katolike… për t’u bërë edhe më shumë frymëzues i bashkimit, duke i bashkangjitur vetes, krahas fesë myslimane të tanishme dhe atë më të hershmen, të krishterën, sepse ai e dinte mirë se popull nuk do të thotë vetëm të gjallët e tij, por edhe gjeneratat e të vdekurve.

Pas paqes vjen buzëqeshja. Nënë Tereza buzëqeshte bukur, Rugova tronditshëm. Po Skënderbeu? Apo ia la të ardhmes…

Rugova pa nga larg pavarësinë e gjysmës së mbetur dhe priu si një profet në ecjen e funeraltë drejt saj, dhe në mbërritje shkoi të shplodhet për të lënë ta prekin të tjerë e të tjerë çlirimin, me mijëra, vetë popullin. Prandaj dhe e lindi trualli amtar…

Në qytetet tona të mëdha, në Tiranë dhe në Prishtinë, në sheshet kryesore që kanë emra të përbashkët “Skënderbej”, “Nënë Tereza”, qytetarët me mijëra mblidhen dhe përkujtojnë Presidentin Rugova, lule dhe qirinj dhe fjala e bukur shqipe…

Në Ballkanin ende të trazuar, në Europë dhe përtej oqeanit, në kontinentin amerikan, në SHBA, pra, shtete nga e gjithë bota, e kanë njohur Presidentin Rugova, i kanë ndjerë fuqinë e brendshme plot paqe. Dhe kujtojnë takimiet me të. Ai i habiste të gjithë, u dhuronte gurë. Gurë të Kosovës, të pasurisë së saj, që vezullonin. Dhuratë e thjeshtë dhe emocionale, plot me mesazh. Dhe si  symbol i qendresës shqiptare, por dhe si shkak përse bëhej lufta. Ja, për këto! Dhe i tregonte botës që ne jemi me ju si këta gurë.

Rugova – një gur i madh e i bukur, i çmuar e plot me xixëllima diellore në historinë e shqiptarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok