Sfidat, arritjet dhe dështimet e Sali Berishës! – VII
Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi
Pas ngjarjeve të 21 janarit 2011 dhe pas zgjedhjeve për pushtetin lokal të majit të atij viti Shqipëria e qeverisur nga demokratët dhe Sali Berisha ranë një farë qetësie. Më 28 nëntor 2012 do të festohej 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë dhe ky ishte një rast i mirë për t’i dhënë një impuls të ri zhvillimi vendit tonë. U përmend rasti i Malajzisë, e cila në 50 vjetorin e pavarësisë e kishte shfrytëzuar momentin që ta promovonte fuqishëm vendin për rritjen e turizmit. Të njëjtën gjë tentuan e punuan ta bëjnë edhe institucionet e shtetit shqiptar me rastin e 100 vjetorit. Deri diku ia arritën. Numri i turistëve atë vit u rrit ndjeshëm. Veçmas pjesmarrja në ditën e jubileut të pavarësisë në Shqipëri, ku morën pjesë mbi një million të huaj, kryesisht shqiptarë nga Kosova, Maqedonia dhe diaspora ishte domethënëse.
Përveç një incidenti me tortën e famshme të kreut të bashkisë së Tiranës, gjithçka tjetër në atë festë gjigande me veprimtari të shumta gjatë gjithë vitit shkoi gati perfekt. Incidentet, ngjarjet kriminale dhe ato penale u zvogluan në minimum. Forcat e rendit treguan jo vetëm përkushtim, por edhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm. Njerëzit rritën përgjegjësinë e sjelljes së tyre dhe respektuan në maksimum rregullat e raportet e tyre me shtetin dhe me njëri-tjetrin. Entusiazmi ishte shumë i madh. Madje u ngjiz fort ndjenja se Shqipëria bëhet. Ndërkohë u duk se forcat politike kishin pushuar konfliktin e luftën e paprinciptë midis tyre. Në fillim të nëntorit të atij viti Shqipërinë e vizitoi sekretarja e Shtetit Amerikan, Hillari Clinton, e cila mbajti një fjalim në parlamentin e Shqipërisë. Në atë fjalim Clinton e konsideroi Shqipërinë si “modelin e demokracisë” për rajonin. Ndërkohë vendi kishte hyrë në vitin e fundit të mandatit të dytë të qeverisjes së Partisë Demokratike dhe zotit Berisha. Aq rozë dukeshin zhvillimet e kohës, sa rrallëkush besonte se do të kishim një rrotacion në zgjedhjet e pranverës së vitit 2013.
Megjithatë konflikti në parlamentin e Shqipërisë nuk u shua. Partia Socialistë dhe Edi Rama bllokuan tri ligjet themelore, me të cilat u kushtëzua marrja e statusit kandidat për pranim në Bashkimin Europian. Këto ligje duheshin votuar me shumicë të cilësuar prej 84 votash në parlamentin e Shqipërisë dhe duhej që për to të votone edhe opozita e Partisë Socialiste. Por zoti Rama shfrytëzoi një moment në zgjedhjen e kreut të qarkut të Fierit pas zgjedhjeve të majit 2011 dhe vendosi veton. Në qarkun e Fierit shumicën e votave e kishin socialistët. Por demokratët mesa duket u morën vesh ose bënë pazare me ndonjë socialist dhe për kryetar të qarkut ata votuan kandidatin e dPartisë Demokratike.
Zgjedhja e një demokrati në krye të qarkut të Fierit u shfrytëzua për të bllokuar integrimin europian nga ana e Partisë Socialiste. Moralisht është e papranueshme të peshkosh përfaqësuesit e opozitës për të ndryshuar ekuilibrat në këto raste. Por peshkimi i deputetëve në parlementin e Shqipërisë nga ana e mazhorancës socialiste ka ndryshuar kushtetutën në kundërshtim me vullnetin e opozitës së demokratëve dhe demokratët opozitarë asnjëherë nuk iu kundërvunë integrimit europian. Peshkimi i demokratëve në këshillat bashkiakë e të qarqeve ishte më parë dhe mbeti pas vitit 2013 një strategji e pandryshuar e socialistëve dhe rilindjes, por askush nuk bllokoi integrimin e vendit për këtë arsye.
Kjo do të thotë se Partia Socialiste dhe sidomos liderët e saj e kanë parë me shumë xhelozi përparimin e Shqipërisë në integrimet euro-atlantike gjatë periudhës së qeverisjes së Partisë Demokratike dhe të kryeministrit Sali Berisha. Kjo çon në arsyetimin se lufta kundër Berishës ishte luftë për të promovuar opozitën ose mazhorancën e socialistëve duke “rrënuar” sukseset e Berishës. Edhe shpallja non-grata e tij me investimin politik e financiar të Edi Ramës është pjesë e kësaj strategjie. Pra, lartësimi i Edi Ramës përmes rrënimit të sukseseve të paraardhësit të tij.
Në vjeshtën e vitit 2013, kur në pushtet erdhi Rilindja me koalicionin Rama-Meta, demokratët votuan tri ligjet e domozdoshme për marrjesn e statusit kandidat dhe kësisoj shefat e shteteve dhe kryeministrat e vendeve të BE-së do të miratonin në dhjetor të atij viti dhënien e këtij statusi për Shqipërinë. Por për çudi ndodhi që David Kamerun, kryeministër i Britanisë së Madhe, të vinte veton kundër. Britania e Madhe ishte gjithnjë mbështetësja kryesore e integrimit të Shqipërisë. Pse ndodhi që kryeministri i saj vendosi veto kundër marrjes së statusit të vendit kandifat nga ana e Shqipërisë? Këtë rast e shpjegon ambasadori i kësaj kohe në Londër, Mal Berisha. Ai ka shkruar se para marrjes së vendimit zoti Rama erdhi në Londër dhe takoi këshilltarin kryesor të Kamerun. Nuk kishte pranuar prezencën e ambasadorit në atë takim. Disa muaj më vonë, këshilltari i kryeministrit britanik i kishte pohuar ambadsadorit se “Rama erdhi në fund të vitit 2013 këtu në Londër dhe më kërkoi që Britania e Madhe të votojë kundër marrjes së statusit kandidat për në BE të Shqipërisë. Kjo sepse nëse ky status jepet vetëm tre muaj pas ardhjes në pushtet të socialistëve do të vlerësohet në publikun shqiptar si fitore dhe sukses i kryeministrit Sali Berisha”!
Eshtë i mjaftueshëm ky fakt për të provuar sesa të ngushtë janë politikanët shqiptarë, sidomos të së majtës xheloze dhe të pandreqshme. Ndërkohë komunistët, para se të vinin në pushtet, në Kongresin e Përmetit të majit 1944, e shpallën Ahmet Zogun “armik dhe tradhtar” të Shqipërisë, me qëllim eliminimin e çdo mundësie për rikthimin e tij në pushtet e në Shqipëri. Është kjo një filozofi e ndjekur që kur Noli erdhi në pushtet dhe sidomos gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Koncepti sipas të cilit “historia fillon me mua” i ngjizur në lidershipin e Partisë Socialiste të së majtës është një nga arsyet kryesore të konfliktit politik në Shqipëri dhe prapambetjes së vendit tonë. Ndërkaq duhet thënë se konflikti politik është i vetmi problem dhe e vetmja pengesë e zhvillimit, progresit, rritjes së mirëqenies, kohezionit dhe integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Pikë-goditja kryesore e këtij konflikti politik ka qenë gjithmonë Sali Berisha. Dhe për ta goditur atë politikisht e moralisht, por edhe fiizikisht, janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë. Një analist që i bëhet Ramës bisht nga pas deri në Moskë e gjetkë, thoshte se “Kemi lënë lesht duke paguar për ta rrënuar Sali Berishën dhe prapë nuk po funksionon”! Kjo deklaratë erdhi në kohën kur Berisha iu kundërvu projekteve të denigrimit të tij përmes foltores.
Prej kohës kur u shfaq në publik Sali Berisha (pra prej vitit 1989) e sidomos pas ardhjes së tij në krye të Partisë Demokratike, ai ka qenë objekt sulmesh, denigrimesh dhe akuzash pa fund. Asnjë lider tjetër në historinë e shtetit shqiptar nuk është goditur me aq shumë shpifje dhe trillime të gatuara në kuzhinën e socialistëve dhe ish-sigurimit të shtetit sa Sali Berisha. Mospajtimi me Berishën kishte shumë arsye:
Së pari, duhet thënë se jo pak komunistë nga zona e parë operative e luftës partizane e shihnin edhe Ramiz Alinë si kërcënim, thjesht për faktin se ai vinte nga veriu (Shkodra). Ndërsa rrëzimi i pushtetit të komunistëve të kësaj zone nga një mjek tropojan dhe partia që ai drejtoi u pa si një sfidë e papranueshme. U kundërshtua me mjete dhe logjikën militariste. Nëse do të marrim dhe lexojmë komentet, analizat, lajmet me shpifje dhe trillime në median e shkruar dhe televizive të së majtës në këto 34 vite, do të shohim se çdo javë e çdo muaj është fabrikuar një akuzë plus kundër Sali Berishës. Jo vetëm kur ai ishte në pushtet, por edhe kur udhëhoqi opozitën. Fakti që sulmet ndaj tij kanë të njëjtën gradë itensiteti si kur ai është në pushtet, edhe kur është në opozitë, dëshmon se kundërshtitë nuk janë me politikat e tij të qeverisjes, por kanë të bëjnë me luftën kundër Berishës si personalitet dhe politikan, pra me indiviidin Sali Berisha.
Ndërkaq socialistët nuk e pranuan kurrë reformën politike, juridike, në ekonomi e në institucionet e shtetit, edhe pse ato reforma nuk e goditën regjimin e kaluar komunist në themelet e veta. Fillimisht u ndje njëlloj frike nga ndryshimet. Por kur frika kaloi, vendin e saj e zuri “guximi” për të udhëhequr e realizuar rebelimin komunist të vitit 1997, thjesht se vendin po e drejtonte një kundërshtar politik I pakompromis. Se Berisha pati kusuret e veta, e kam shkruar në një pjesë tjetër të këtij elaborimi. Por se hakmarrja e ish-komunistëve ishte e egër dhe shkatërruese edhe për Shqipërinë, kjo ishte dhe është shumë e qartë. Nëse dikush do t’i marrë një për një emrat e atyre që u aktivizuan në aktet e dhunës kundër shtetit gjatë trazirave të vitit 1997, do të zbulojë se mbi 80 përqind e tyre ishin kontingjent i ish-sigurimit të shtetit dhe të ushtrisë së diktaturës. Dhe të gjithë ishin nga zona e parë operative e luftës partizane Vlorë-Gjirokastër plus Saranda.
Karakteristikë e gjithë asaj veprimtarie shkatërruese e asaj kohe dhe në vazhdimësi ishte injektimi i urrejtjes për liderin e demokratëve, Sali Berisha. Dhe kësaj ia arritën në masë të madhe socialistët. Ia arritën edhe përmes rekrutimit dhe angazhimit të ish-bashkëpunëtorëve të vetë Sali Berishës. Kjo kategori analistësh e politikanësh që kishin bashkëpunuar me Berishën dhe iu kundërvunë atij, panë te ky qëndrim mundësinë e shpërblimeve të mëdha nga kundërshtarët e kreut të demokratëve. Por nuk kanë mundur ta gënjejnë gjithë popullsinë. Derisa Partia Demokratike e Shqipërisë votohet qoftë dhe në masën 20-30 përqind në bastionet më besnike të Partisë Socialistë, kjo do të thotë se PS dhe lidershipi i saj, sidomos Edi Rama, nuk kanë mundur të arrijnë një sukses të plotë për ta asgjësuar kontributin dhe lidershipin e Sali Berishës.
Në fakt Edi Rama erdhi në krye të Partisë Socialiste në vitin 2005 si njeriu i duhur për ta “mundur” Sali Berishën. Ish-ideologu i Partisë së Punës në kohën e diktaturës, Sofokli Laze, kishte rekomanduar me kohë vënien e “djalit të Anetës” në krye të Partisë Socialiste si kusht për ta sfiduar Sali Berishën. Motivi kryesor pse socialistët e votuan Ramën për kryetar ishte pikërisht përballja me Berishën. Ai e ka premtuar publiksiht se do ta luftojë liderin e demokratëve me të gjitha mjetet e format. Prej ardhjes në pushtet në vitin 2013, Rama grumbulloi në duart e veta jo vetëm të gjitha pushtetet, por edhe shumë pasuri nga grabitja e aseteve tona kombëtare. Pushtetin dhe pasurinë e investoi pa asnjë mëdyshje dhe pa rezerva në luftën kundër Sali Berishës. Nuk e investoi as kundër Lulzim Bashës, as kundër ndonjë opozitari tjetër në këtë vend, por thjesht dhe vetëm kundër Sali Berishës. Kush dyshon në këtë fakt, ai gabon, sepse e vërteta është sheshit.
Sali Berisha nga ana e tij qëndroi. Sfidoi. Ai e sfidoi jo vetëm Edi Ramën, duke denoncuar në vazhdimësi politikat e tij të krijimit të narco-shtetit dhe aferat e shumta për të shtënë në dorë pasuritë dhe taksat e shqiptarëve. Sfidoi edhe miqtë e Edi Ramës në strukturat politike dhe ideologjike në Europë dhe SHBA, sidomos Sorosin. Të përballesh me perandorinë e Sorosit, të përkushtuar maksimalisht në mbështetje të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, të përballesh me investimin e tyre ideologjik, politik e financiar, ishte dhe mbetet për Sali Berishën një sfidë e paimagjinueshme.
Sa herë që liderët politikë janë përballur me vështirësi të llojit më pak të sofistikuar e të fuqishëm, ata kanë dhënë dorëheqjen dhe janë larguar nga skena. Unë nuk njoh një lider politik tjetër, veç Sali Berishës, që sa më shumë e kërcënojnë, sa më shumë e lëndojnë, sa më shumë e luftojnë, aq më shumë bëhet i vendosur dhe I përkushtuar për t’i sfiduar dhe për t’i përballuar sfidat e kundërshtarëve. Aq më pak në moshën biologjike të Berishës! Nuk ka asnjë rast në botë, me të cilin të jem njohur, si rasti i Doktorit!
Prandaj, edhe sikur ai të mos i kishte sjellë asgjë Shqipërisë e shqiptarëve, ai do të mbetet në historinë e tyre. Si njeriu që mbron me guxim të jashtëzakonshëm dinjitetin e integritetin e tij moral e politik. Por edhe si njeriu që luftoi dhe ndikoi fuqishëm për ndryshimin e sistemit, rrëzimin e komunizmit dhe vendosjen e sistemit demokratik në Shqipëri. Do të mbetet lideri që ndryshoi sistemin juridik, politik dhe ekonomik në Shqipëri. Si personaliteti që u përball me një revolucion bolshevik kundër tij dhe u rikthye me dinjitet në pushtet. Do të mbetet si aktori kryesor i pranimit të Shqipërisë në NATO dhe liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë. Si nënshkruesi I Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit në BE. Do të shënohet si autor i ndryshimeve të mëdha në infrastrukturën e Shqipërisë, sidomo për Rrugën e Kombit që lidh shqiptarët midis tyre. Është merita e tij e padiskutueshme për kontribute për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Me kërkesën e Sali Berishës presidenti amerikan George S. Bush në vitin 1992 vuri vijën e kuqe për Milosheviçin, me qëllim mbrojtjen e Kosovës. Me kërkesën e Sali Berishës, presidenti tjetër i SHBA-ve George Ë. Bush, shpalli më 10 qershor 2007 nga Tirana pavarësinë e Kosovës.
Me kontributin e Sali Berishës lidershipi i Kosovës u vetëdijësua në vitin 2018 për rrezikun e ndarjes së Kosovës nga treshja Vuçiq-Rama-Thaçi. Me denoncimet e Sali Berishës prej vitit 2014 e këtej është mbushur axhenda e hetimeve dhe gjykimeve të SPAK dhe GJKKO. Pavarësisht faktit se SPAK mori në përgjegjësi penale edhe vetë Berishën, kjo mbetet një sfidë tjetër e luftës politike për liderin demokrat.