21/12/2024

Sfidat, arritjet dhe dështimet e Sali Berishës! – I

0
Sali-Berisha

Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi

Më 15 tetor Sali Berisha bëhet 80 vjeç. Në këtë 80 vjetor regjimi mizor i Tiranës e ka ngujuar në arrest shtëpiak pa akuzë deri para pak kohe, pa fakte, pa prova, pa dëshmi e pa dëshmitarë. Por thjesht për vendime kolektive, të cilat nuk janë specifike, ishin dhe janë në interest ë mijëra shqiptarëve. Për ndryshe ky regjim ka patur gjithë kohën e nevojshme në tri mandate ta revokonte ligjin në fjalë. Pra, më 15 tetor lideri demokrat dhe i opozitës shqiptare shënon ditëlindjen e tetëdhjetë të tij në izolim, për shkak se regjimi që sundon sot Shqipërinë dëshiron një vend pa opozitë.

Berisha lindi më 15 tetor të vitit 1944 në Vuçidol të Tropojës. Vjen nga fisi i njohur Berishajve në veri të Shqipëris. Ky fis është pjesë e Malësisë së Gjakovës në anën veriore të Drinit. Ai ndan Hasin nga Tropoja. Prandaj dhe karakterizohet nga një përzierje e traditës tropojane e hasjane. Kur lindi Sali Berisha brigadat partizane po operonin në trevat e Malësisë. Në Kelmend kundër Prek Calit. Në Tropojë kundër Halil Hoxhës. Dhe në Kukës kundër Muharrem Bajraktarit. Gjermanë nuk kishte asokohe në veri të vendit, përveçse në Shkodër, Lezhë e linjën veriperendimore të Shqipërisë. Shkurt, ishte koha e luftës civile midis malësorëve anti-komunistë dhe shtabeve të zonës operative Vlorë-Gjirokastër.

Simbolika e fatet e përbashkëta të dyshes Berisha – Rugova

Sali Berisha lindi vetëm 48 ditë para se të lindëte një lider tjetër i përmasave të mëdha të kombit shqiptar, Ibrahim Rugova (2 dhjetor 1944). Si për çudi, të dy këta do të bëheshin të njohur 45 vite më vonë pas lindjes, kur guxuan të marrin në dorë fatet e kombit shqiptar, Berisha atë të demokracisë në Shqipëri dhe Rugova fatin e Kosovës së martirizuar nga politikat shoviniste të Serbisë. Por edhe pse lindën në një motmot, Berisha dhe Rugova patën fate të ndryshme në fëmijërinë, rininë dhe jetën e tyre. Berisha u rrit me prindër, me motër e më vëlla. Rugovës regjimi serb i Beogradit ia ekzekutoi gjyshin dhe babain, duke e lënë atë gjithë jetën e vet në kujdesin e nënës dhe xhaxhait.

Sali Berisha lindi në një familje me traditë e të kamun dhe u rrit me traditën e kësaj familjeje. Tradita ishte dhe mbeti themeli I karakterit të tij. Edhe Ibrahim Rugova u rrit në traditën e familjes dukagjinase të Istogut dhe ndoshta më mirë se Berisha e përdori filozofinë e popullit të tij për sendërtimin e politikës së tij paqësore për çlirimin e vendit e të popullit nga pushtuesit dhe sunduesit mizorë serbë. Por ama të dy u rritën me frymën e dashurisë për Kosovën, me tregimet e shumta për historitë e saj. Berisha në odën e ndarë për miqtë kishte fatin të dëgjonte bisedat e gjata të mysafirëve të shumtë të familjes me babain e xhaxhain e tij për ngjarjet në Kosovë e në Malësinë e Gjakovës gjatë fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. Arriti të dëgjojë me veshët e tij historitë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për famën e Binak Alisë e të Mic Sokolit, për luftërat kundër ushtrive të komanduara nga Turgut e Shemsedin Pasha, për kryengritjet e Kosovës e të Malësisë së Gjalovës kundër pushtimit Osman.

Por mbi të gjitha, veshi i një fëmije në odën e burrave u mësua me historitë e dhunës e të terrorit serb kundër shqiptarëve, sidomos në Kosovë e në viset e tjera shqiptare të ish-Jugosllavisë. Kur u rrit, natyrshëm që e tërhiqte literatura për ngjarjet e hershme në Kosovë dhe përditësonte zhvillimin e ngjarjeve të tjera të ditës në krahasueshmëri me të shkuarat. Ndërsa Ibrahim Rugova u bë vetë protagonist iI ngjajeve të Kosovës në gjysmën e dytë e sidomos çerekun e fundit të shekullit të XX, derisa vdiq.

Shkenca provon se karakteri i njeriut formohet në fëmijërinë e hershme të tij. Formimi i karakterit të Sali Berishës nuk bën përjashtim nga ky rregull. Ai u formua në fshatin e lindjes, në një familje malësorësh, me një karakter të një burri serioz, krenar, të patrembur që i duket vetja se botën e sundon me veçoritë e tij të dinjitetit dhe personalitetit që ka krijuar në jetë. Por edhe ambicioz, sfidues. U formua si një peronalitet që mundet ta realizojë të pamundurën, që mundet të përballet edhe “Balozin e Detit”. U rrit me mitin e Mujit dhe të Halilit, me përballjen me gjoks të Mic Sokolit në grykën e topit. Ndoshta të gjitha ishin mite. Por mitet shërbejnë shpesh herë si brumi i formimit të karakterit. Njëjtë dhe Ibrahim Rugova. Edhe ai u rrit si sfiduesi më i madh i epokave historike të shqiptarëve. Madje me një mënyrë e model krejt të ndryshëm nga metodat e të tjerëve. Me modelin e urtësisë dhe të predikimit të paqes!

Në odën e burrave, ku Sali Berisha thirrej për të bërë shërbimin e mysafirëve dhe më të rriturve, ai dëgjoi biseda jo vetëm për Kosovën. Aty vinin pleq e burra të mençur të pacensurë, edhe pse ishte vendosur regjimi i diktaturës komuniste. Disa guxonin të krahasonin kohën që jetonin me kohën e mbretërimit të Ahmet Zogut dhe lavdëronin këtë të fundit. Disa nuk pajtoheshin me krijimin e kooperativës dhe kujtonin me nostalgji politikat e Mbretit Zog I, sidomos në ekonomi. Të tjerë flisnin për vrasjen e Bajram Currit (mars 1925) dhe secili jepte versionin e tij. Të gjitha këto biseda “të ndaluara” shkuan original, pa censurë dhe të veshur me petkun e ideologjisë në veshin e Sali Berishës.

Por ai nuk zgjodhi të rebelohej. Zgjodhi të sfidonte. Sfida e tij e parë ishte të bëhej modeli i sjelljes njerëzore dhe humanizmit. Për kritikët e tij krenaria e humanizmi nuk shkojnë bashkë. Por shembulli i Sali Berishës provon të kundërtën. Mos pajtimin me mizorin dhe mëshirën e humanizmin me të dobëtin, të vobegtin, të sëmurin e të pamundurin. Megjithatë ai punoi gjithnjë të ishte “më i miri”  ose së paku ndër të mirët në mësime e në profesionin që do të zgjidhte. Nuk kishte rrugë tjetër, nuk kishte as armë më të mirë, sesa aftësitë e tij. Sepse nuk kishte miq, të cilët do ia jepnin jetën në tavë. Dhe ia arriti. U bë modeli i të gjithë bashkëmoshatarëve që nga klasa e parë e deri në ditën e fundit kur mori diplomën e kirurgut si mjek. Imagjino sa përpjekje, durim dhe sakrifica duhen që dy dekada të synosh më të mirin e t’ia arrish kësaj.

Ndërkaq, në odat e burrave e të mysafirëve kishte mësuar edhe diçka tjetër, përveç të qenit krenar, i fisëm dhe sfidues. Në ato oda kur burrat e malësisë mblidheshin shprehnin jo vetëm histori lufte, por edhe histori mizorish, sidomos të Serbisë kundër shqiptarëve. Këto histori shoqëroheshin gjithashtu me një ndjenjë keqardhjeje, ku shfaqet ana humane si elementi bazë i formimit të karakterit. Në këtë pikëpamje mund të themi se malësori i formuar në odën e miqve e të burrave të shtëpisë së tij formohet si karakter përmes dy linjave, linjës së krenarisë dhe papërkulshmërisë ndaj të padrejtës dhe linjës humane, të mëshirës dhe ndihmës ndaj të vobegtëve dhe të pamundurve, të sëmurëve dhe njerëzve me mundësi të kufizuara. Dikush mund të thotë se këto dy tipare karakteristike të njeriut vijnë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Në fakt ato janë komplementare. Rreptësia e luftës kundër të padrejtës, edhe kur kjo e padrejtë të bëhet nga më i fushqishmi dhe më i forti është përkrahje e sfidë për të drejtën.

Por kishte dhe cilësi të tjera që fitoheshin nga jeta familjare në Malësi. Mikpritja e bujaria është thelbi i mësimit dhe mesazhit që secili merr. Shtëpia e Sali Berishës ishte në anë të rrugës kryesore, nëpër të cilën kalonin banorët e zonës për të shkuar në pazarin e Tropojës ose për punë të ndryshme administrative atje. Ishte kryqëzimi i dy trevave, Hasit dhe Tropojës, të dyja të pagëzuara si Malësia e Gjakovës. Këta njerëz evitonin për arsye të ndryshme të udhëtonin natën dhe nata shpesh herë i zinte në Vuçidol. Ndaleshin dhe thërrisnin të zotin e shtëpisë, tek i cili gjenin gjithmonë mikpritje e ngrohtësi. Me kuaj të ngarkuar, me kafshë të ndryshme për pazar, shpesh herë të lagur nga shiu e bora e në ethet e të ftohtit. Dera e shtëpisë bujare ishte e hapur. Dhe ndikimi te një fëmijë ose të riu në këto rite e tradita familjare është doktrinar, i papërsëritshëm. Kjo përjetohet si ndjenjë e jashtëzakonshme, me krenari dhe ngazëllim që familja dhe ai vetë bëhet hisetar i një akti bujar.

Sali Berisha u rrit në një ambjent si ky. Ndaj dhe u formua me një lloj prestigji dhe krenarie si kontribues për të tjerët, si person dhe si familje që “rinohet” prej asaj që jep dhe asaj që merr. Të njëjtën gjë, thonë dëshmitarët” bëri familja e Sali Berishës në Vuçidol të Tropojës edhe me fillimin e Luftës Çlirimtare në Kosovë, sidomos gjatë vitit 1998-1999. Disa miq të mitë, dëshmitarë të kësaj situate, edhe pse kishin rezerva ideologjike për politikën e Sali Berishës tashmë lider politik, më janë shprehur se në familjen e tij çdo ditë gjendeshin më shumë se 30 refugjatë të Kosovës. Aty u shërbehej edhe të plagosurve në luftë. Angazhimi dhe kujdesi për ta ishte i paimagjinueshëm. Tradita pra është ajo që e bën njeriun të jetë vetëvetja, me integritet dhe dinjitet të pacënuar, sfidues ndaj çdo padrejtësie dhe përçudnimi.

Këto që po shkruaj janë realitete që një pinjoll i bllokmenëve, i rritur pra në bllokun e izoluar të byroistëve, nuk mund t’i imagjinojë, jo më t’i përjetojë se vlera pozitive të shoqërisë. Përkundrazi,  i quajnë “arkaizma”, “gjëra pa vlerë”, “dogma’ që “pasqyrojnë jetën primitive të “malokëve””! Ndaj “maloku” Sali Berisha për ta përbën simbolin e “të vjetrës”, “të burrit jashtë kohe”! Sepse për ideologët e perversitetit ultraliberal, nuk është tradita ajo që e përcakton dhe e zhvillon fatin e një shoqërie. Për ta shërbejnë si vlera nudizmi, sjellja poshtëruese e denigruese në shoqëri. Ideologjia perverse predikon kësisoj tjetër gjë. Shkatërrimin e familjes në radhë të parë, si institucioni që lidh brezat dhe mban gjallë një komb. Shkatërron pronën dhe iniciativën private dhe i zevendëson këto me korrupsionin, krijimin e oligarkive të tipit feudal, miratimin e ligjeve favoruzese për disa e diskriminimin në shpërndarjen e të mirave material sipas preferencave politike e krahinore etj. E më në fund, shkatërron ndjenjën kombëtare, zbeh dashurinë për atdheun dhe çon në vendimmarrje që e shkatërrojnë qenien kombëtare dhe integritetin e sovranitetin shtetëror.

Përjetimet e fëmijërisë shërbejnë gjithnjë si cak i mbërritjes. Mund të të duket se në ndërgjegjen e njeriut ato nuk kanë ndikim determinues. Por në fakt ato përjetime qëndrojnë gjatë gjithë jetës në subkoshiencë dhe dominojnë jo vetëm karakterin, por edhe sjelljen e njeriut gjatë gjithë jetës së tij. Sali Berishën e udhëheqin ato edhe sot. Endërra e fituar në fëmijërinë e hershme të tij u shndërrua në motiv për të ndërtuar një personalitet të fortë e për të përballuar me sukses sfidat e jetës. E pyetën Jorida Tabakun se cila ishte karakteristika “më e frikshme” e Sali Berishës dhe ajo u përgjigj shkurt: – Vendosmëria e tij! Kjo i shpjegon të gjitha.

Me këmbngulje dhe me vendosmëri Berisha e nisi jetën e tij si nxënës i shkollës së mesme e student në universitetin e Tiranës. Kishte në dorë vetëm një valixhe druri kur u nis nga Vuçidoli në Tiranë. Me pak rroba, një ndërresë dhe me disa gjëra personale të tij. Vinte nga kulla rrëzë një kodre të vogël, me një arë përpara saj. Kishte lënë pas jo vetëm kullën e njerëzit e tij të afërt e të dashur, por edhe lumin, përroin, çezmet ku shuanin etjen bagëtitë e gratë mbushnin buritë e kusitë me ujë. Kishte lënë pas freskinë e jetës në fshat e mund të thuhet edhe një lloj mirëqenie që nuk do ta gjente aq lehtë në kryeqytet.

Por mori me vete principin për t’i dalë zot vetes pa ndihmën e askujt. Madje për t’i përballuar sfidat pa menduar asnjëherë për dështimin. Në jetën e tij Sali Berisha ka arritur maja, por edhe ka përjetuar dështime. Madje dështime spektakolare si ajo e vitit 1997, kur u rrëzua nga pushteti për shkak të “revolucionit të armatosur” në jug të Shqipërisë. Ka dështuar disa raste gjatë qeverisjes së tij, siç ishte parandalimi i ngjarjes së Gërdecit apo parandalimin e dhunës në protestën e opozitës së Edi Ramës më 21 janar 2011. Megjithatë Berisha mësoi dhe provoi si askush tjetër që sa herë rrëzohej të ringrihej, madje me një forcë ende më të madhe.

E njëjta gjë ndodhi gjithashtu me liderin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Por në një platformë tjetër, në sfidën kundër sundimit, okupimit dhe dhunës mizore të shtetit serb ndaj bashkëkombasve të tij në Kosovë e treva të tjera shqiptarë në ish-Jugosllavi.

Vijon

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok