15/11/2024

Servilit besnik të Vuçiçit për kujtesë

0

Nga Eshref Ymeri

Para do kohësh, tek po shtegtoja nëpër faqet e internetit, rastësisht hasa në youtube në një informacion mjaft trishtues që jepej në Platformën mediatike analitike “Pamflet” të datës 08 gusht 2021. Informacioni titullohej “Petro / ‘Bomba’ e NATO-s Shqipëria po pushtohet nga politikanët e saj të korruptuar”.

Në atë informacion më lanë mbresa fort dëshpëruese faktet në vijim: Aty thuhet:

“Në njërin nga samitet e NATO-s është miratuar strategjia e re kombëtare e sigurisë e Republikës së Shqipërisë. Strategjia e sigurisë dhe e mbrojtjes është hartuar me asistencën e veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s… Dokumenti i hartuar nga NATO mbart një të vërtetë tronditëse dhe ulëritëse për shqiptarët dhe Shqipërinë. Sipas dokumentit, rreziku numër një për shqiptarët dhe kombin shqiptar janë korrupsioni në nivele të larta dhe krimi i organizuar. NATO i ka ndarë rreziqet për Shqipërinë në tre grupe. Në krye të grupit të parë listohen korrupsioni dhe krimi, rreziqet e nivelit të parë, korrupsioni dhe krimi i organizuar, kriza enegjetike që kërcënon  sigurimin e furnizimit të Republikës së Shqipërisë dhe cënon rritjen ekonomike, mangësitë në kontrollin dhe administrimin e territorit që kërcënojnë sigurinë individuale dhe favorizojnë trafiqet e ndryshme, sulmet kibernetike nga aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë, degradimi mjedisor dhe fatkeqësitë natyrore, shkatërrimi i mjedisit, shpyllëzimi, ndotja e lumenjve dhe fatkeqësitë natyrore industriale apo të shkaktuara nga ndikimi i njeriut…”.

Këto fatkeqësi kaq të rënda, të cilat kanë goditur vendin tonë dhe që i nxjerr në pah jo dokushdo, por një strukturë politiko-ushtarake me autoritet të jashtëzakonshëm mbarëbotëror, si NATO-ja, i çjerrin maskën përfundimisht pushtetit 8-vjeçar të Ramës dhe lepitkës së tij me emrin parti socialiste. Pra, gjatë këtyre viteve, ja ku e katandisi vendin qeverisja e neokomunistit Rama dhe e partisë neokomuniste me uniformë socialiste. Reagimin tim ndaj këtij informacioni, për të cilin e pata të pamundur ta kaloj në heshtje, po e përcjell me vargjet e stilit popullor me titullin në vijim.

 

O moj Shqipeja me vlerë!

 

O moj Shqipeja me vlerë!

Shkundu, zgjohu këtë herë!

Nxirr në krye njer’z me nder!

Të të drejtojnë përherë.

Hiqe Ramën që mbjell vrer!

Moj Shqipe në dallg’ të flamës,

Nën pushtet të Edvin Ramës,

Shih se çfarë të ka kurdisur,

Servilserbi i dalldisur,

Sa keq të ka katandisur,

Shih se ku të ka vithisur,

Moj e mira fatgremisur,

Ty të do të boshatisur,

pesëqind mijë t’i ka degdisur

Nëpër botë arratisur.

Të tjerë do degdisë, po pret

Dhe në mandatin e tretë.

Shih si të ka poshtëruar

Me ftesën që ka dërguar

Për armikun e harbuar,

Në koncert na e ka ftuar

Bregoviçin e marruar,

Atë që u ka kënduar

Kriminelëve të tërbuar

Të Serbisë së hakërruar,

Krejt shqiptarët për t’i shuar.

Atë ftesë pse e dërgoi?

Sepse djalli e mësoi:

Se kërkon që të mbjellë vaj,

Shqiptarët t’i përçaj.

Moj Shqipe, me shtat të derdhur,

Rama ty keq ta ka hedhur.

Rama s’ësht’ njeri i hiçit,

Pse kaq servil i Vuçiçit?

Sikur ka marr’ porosinë,

Ta shpërbëjë Shqipërinë,

Po ashtu dhe Dardaninë,

Duke mbjellë dhe tradhtinë.

Dhe të gjithë bukur e dinë,

Qëllimit po ia arrinë

Me trarin e Kalimashit

Nën efektin e hashashit.

Tani dhe vite më parë,

Bashkë me Thaçin i pandarë,

Ky Vuçiçi s’ka karar

Krejt shqiptarët pa i parë

Si askund të përçarë,

Kasht’ e koqe të shpërndarë,

Cep më cep në botën mbarë,

Punë që Rama e ka tharë.

Dhe Rama nuk kuturis

T’i kërkojë hesap Serbisë

Për krimet që i ka kryer

Dardanisë gjakpërlyer

Me vrasje dhe përdhunime,

Me djegie dhe shkatërrime.

S’kuturis se s’ka derman,

Me Vuçiçin nuk ia mban

Se ësht’ burrë pa taban.

Nuk ia mban as sadopak

Se ka lindur frikacak.

Domosdo veç na kujton

Atë diktatorin “tonë”,

Kur  si langua i stanit

I servilosej Dushanit,

Dushanit dhe Miladinit,

Burracak, pjell’ e mjerimit.

Gënjeshtrën e ka parim,

Të ngritur gjer në mashtrim,

Dhe vret mendjen e mendon

Si ta tallë Shqipen tonë.

Që të sundojë pa mbarim

Ka arritë një përfundim:

Me gënjeshtra, punë që dihet,

Me mashtrim gjithçka arrihet.

Ju, shqiptarë, kudo që jeni,

Një bindje të gjithë e keni,

Atje ku banoni, rrini,

Brenda, jashtë apo nga vini

Se ç’është Rama, “kryetrimi”?

Thjesht është n\jë humnerë mashtrimi.

Por ama ka dhe guxim,

Fton Prishtinën në takim,

Të ulet me kriminelë,

Që s’duan gojën me çelë

Për krimet që patën mbjellë

Dardanisë kryekështjëllë.

Dikur me gjuhën e “trimit”,

Si njeriu i “guximit”,

Atje në kështjell’ të krimit,

Në Beograd, pjellën e zisë

Ia pat kujtuar Serbisë

Pavarësinë e Dardanisë,

Çka Vuçiçin e habiti,

Atë fjalë mirë nuk e priti,

Që dardanët peshë i ngriti.

Por koha iku, kaloi,

Rama shpejt mendjen ndryshoi,

Ato fjalë krejt i harroi,

Vuçiçin e përqafoi,

Krimet kurrë nuk ia kujtoi.

Me Vuçiçin flaku sqimën,

Dardanisë i ktheu shpinën.

Kur dardani kritikon,

Rama zë e reagon,

Reagon edhe nuk resht

Edhe shpejt kërcen si plesht,

Por për krimet serbe hesht.

Çdo shqiptar mendjekthjelluar

Lë mendjen i befasuar:

Medet çfar’ na paska qenë

Ky Rama kaq “hijerëndë”

Me të vetët gojëpis,

Por servil që të bezdis

I Vuçiçit të Serbisë,

Armikut të Dardanisë

Dhe të mbarë Arbërisë.

I duket dele mileti,

Se e ka dehur pushteti,

Jo pak, njëzet e dy vjet,

A thua se është mbret.

Çudi me popullin tonë,

Dostojevskin të kujton,

Kur për popullin rus shkruan

Që ka kënaqësi kur vuan.

Ndaj dhe Rama nuk përton,

Diktatorin imiton:

Shtypi njerëzit, nxirru shkumë

Që të të duan më shumë.

Gjasat janë: do zgjatet lëmshi

Deri te dyzetenjëshi,

Qindvjetorin për të pritur

E partisë “mendjendritur”

Për çka bërë e për çka ditur

Të pjellë servilë të selitur,

Servilë të gjyshepartisë,

Shërbëtorë të Serbisë.

Moj Shqipe përballë shqotës,

Rama, ky hajdut i votës,

Të ka bër’ gazin e botës,

Po të luan mendtë e kokës.

Dhe një ditë, nesër  a sot,

Serbogreku do të thotë:

“Shqipja ka mbetur pa zot,

Shqipen e shkeli kush deshi,

Nga Maroku e Bangladeshi”.

Dhe vërtet, u turpëruam,

Trojet dot nuk i bashkuam,

Se kemi qen’ të përçarë,

Njëri-tjetrin duke vrarë,

Që nga koh’ e Ilirisë,

S’na u shqit dell’ i marrisë.

Siç duket, ka qenë bitisë,

Kemi mallkim prej Hyjnisë.

Serbogrekët po gëzojnë,

Njëri-tjetrin e urojnë,

Na përbuzin, na sfidojnë

Dhe duart rrin’ e fërkojnë.

Shqipe, kthe mendjen për mirë!

Largoje këtë “vezir”!

Këtë njeri të vështirë,

Sepse jetën ta ka nxirë,

Ta ka nxirë e bërë pis,

Hundën vetë e mban në lis.

Ta ka nxirë fare katran,

Asnjë lum’ dot nuk ta lan.

 

Këto vargje të thjeshta dëshiroj t’i shoqëroj në mbyllje me dy citime.  Në citimin e parë kam përfshirë një poezi mjaft të bukur, por tejet trishtuese për gjendjen ku e ka katandisur Rama vendin tonë, në bashkëpunim të ngushtë me delet neokomuniste, të cilat i rrinë lepe-peqe, pa pasur kurrë guxim ta kundërshtojnë për gjësend. Poezia ka për autore poeteshën e talentuar Alma Feruni.

Ah! vendi im…

Të varfërit po të braktisin…

Të pasurit po të shesin…

Shartohet kombi,

Traditat vdesin..!

Të poshtërit të qeverisin..!

Të diturit pinë expres…

Bërtasin veç varret:

Shqipëria po vdes..! (Faqja e internetit e gazetës “Rrënjët”. 26 prill 2016).

Në citimin e dytë përfshihen fjalët e arta ngushëlluese të Abraham Linkolnit (Abraham Lincoln 1809-1865), fjalë që Ramës i shkojnë shumë për shtat, duke pasur parasysh psikologjinë dhe enciklopedinë e mashtrimit të popullit, të cilën e ka përdorur dhe vazhdon ta përdorë me shumë marifet dhe me shumë sukses. Ja çfarë ka thënë ai personalitet i shquar i politikës amerikane:

“Ju mund të mashtroni gjithë popullin për një periudhë kohe, madje ju mund të mashtroni një pjesë të popullit gjatë gjithë kohës, por jo të mashtroni gjithë popullin për gjithë kohën”.

Këto fjalë të ngrohin sadopak dhe të japin një çikë shpresë se Shqipja jonë do të zgjohet një ditë nga gjumi i thellë ku ka rënë, do ta rivendosë dinjitetin e vet në vendin që i takon dhe Ramën do ta heqë qafe ashtu siç e meriton. Të presim. Të shikojmë.

20 gusht 2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok