22/12/2024

SERBIA, NDËRKOMBËTARËT DHE PAN KUNDËR HAPJES TË URËS!

0
Idriz-Zeqiraj1

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Të gjitha veprimet që ndërmerr Qeveria, për shtrirjen e sovranitetit të munguar në veriun e Kosovës, opozita PAN-iste, në aleancë me Serbinë, i konsideron populiste, elektorale. Qeveria e filloi me reciprocitetin në kalimet kufitare me Serbinë, e vazhdoi me heqjen nga qarkullimi të targave ilegale të Serbisë, të cilat këlyshëria shqipfolëse, në shërbim të Serbisë i quante “teneqe”, e deri ke ndalimi i dinarit serb nga Qeveria. Të gjitha këto veprime ishin dhe janë në funksion të sovranitetit shtetëror.

Tashmë i erdhi radha aktualizimit të hapjes të Urës së Ibrit. Dhe, kjo nuk ka të bëjë fare me afrimin e zgjedhjeve, siç thotë Serbia me argatët e saj, respektivisht, eksponentëve të partive-banda të opozitës: PDK, AAK, NISMA dhe mediat e tyre. Është zhurmuar, turpshëm e rrugaçërisht, se, gjoja, Qeveria po shpërfillë BE-në me aleatë, në marrjen e vendimeve, për ta kthyer sovranitetin e dorëzuar Serbisë në veriun e Kosovës, nga pushtetarët e shantazhuar.

Ish- shtetarët dhe pushtetarët e dhunshëm të Kosovës, agjentë, tashmë, të denoncuar, me emër dhe mbiemër, nga kryeshefi i Shërbimit Informativ të Francës, Pierre Seramy se “X-Y është agjent i yni, respektivisht, edhe i Serbisë, përmes agjentit të DGSE, Danjean Arnaud, dhëndërr i Serbisë, i shantazhuar me dosjet kriminale, përkatësisht, vrasësit serial të kundërshtarëve politik shqiptarë, gjatë dhe pas luftës, në Shqipëri dhe Kosovë”. Kjo po dëshmohet, madje katërcipërisht, nga Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë.

Qeveria e Kosovës i kërkoi faktorit ndërkombëtar, ta heq barrikadën në Urën e Ibrit, sepse premtimi, zotimi publik ka qenë se “hapja e Urës për mjetet motorrike, do të bëhet sapo të përfundojë ndërtimi i saj”. Premtuesit në fjalë, gënjyen dhe zhgënjyen – njëherësh, sepse pushtetarët e shantazhuar as që guxonin ta përmendnin, me shpresën se në këmbim të heshtjes, do të amnistoheshin për krimet faktike, tashmë, të bëra.

Kërkesës publike të Qeverisë Kurti, iu përgjigj Mirosllav Lajçak se “hapja e Urës së Ibrit do të shkojë përmes dialogut në Bruksel!” Ishte një përgjigje, sa e poshtër, aq edhe cinike, e cila provokoi dhe irritoi shqiptarët e përbotshëm, sepse dialogimi për Urën e Ibrit, kishte përfunduar, madje pozitivisht, qysh një dekadë më parë. Por, argatët e Serbisë, brenda PAN-it kriminal, i gëzoi, njësoj sikur edhe Serbinë e Moskën, me shpresën se po afrohet goditja e Albin Kurtit, qoftë edhe me një ndëshkim – non grata -, njësoj si të liderit të dinjitetshëm nacionalist, Prof. Dr. Sali Berisha, tashmë, kurban i mbrojtjes të sovranitetit të Kosovës.

Kur Peter Stano kishte shefe gjermanen Angela Merkel, ishte realist dhe racional në deklarimet për Kosovën. Por, tani, si zëdhënës i BE-së, me shef sllovakun Mirosllav Lajçak, është jo vetëm irracional, por edhe i gatshëm për të shkretuar pak më shumë se shefi i tij, kur bëhet fjalë për Kosovën: “Hapja e Urës së Ibrit është çështje e marrëveshjes së Brukselit dhe kurrësesi nuk mund të hapet  ndryshe, njëanshëm!”

Quinti konspiron me të shantazhuarit e tij, në dëm të Kosovës!

Kundër mendësisë prepotente, mujëshore dhe thellësisht alogjike të Peter Stano, të BE-së-Quintit dhe të bashkëmendimtarëve të tyre, ka reaguar, mençurisht e dinjitetshëm, presidentja Vjosë Osmani, si shtetare unike në mbrojtje të sovranitetit kombëtar:

“Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetueshmërisë në vendin tonë. Vuçiqi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës”.

I një mendje me Presidentën Osmani është edhe kryeministri Albin Kurti:

“… Andaj Ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit, nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi”.

Dhe, kur krerët e shtetit dhe të pushtetit deklarohen, hapur dhe përmbajtësisht, në mbrojtje të integritetit dhe të sovranitetit, atëherë pse krerët horrakë të PAN-it, me lukuninë e tyre partiake pozicionohen ndryshe, bëhen argatë dhe aleatë të Serbisë, duke bartur sovranitetin e Kosovës në dialogun e Brukselit, rrjedhimisht, bëhen palë me Serbinë, për ta bartur sovranitetin, jo vetëm të Urës së Ibrit, por edhe veriun e Kosovës nën sovranitetin e Serbisë. Kjo dëshmon se opozita PAN-iste, respektivisht, eksponentët numerikë të saj, janë të shantazhuar me dosje të krimeve vrastare e hajnore, madje jo vetëm ata që akualisht përballën meritueshëm në Gjykatën e Hagës. Por është edhe një armatë e tërë kriminelësh, që bredhin e lehin, shpengueshëm, servilshëm e zëshëm, jo vetëm rrugëve të Kosovës dhe të botës, por edhe në Parlamentin e Kosovës.

Referimi i Quintit tek NATO, provokim dhe kërcënim për Kosovën!

Të njëzëshëm me Lajçakun, Stano-n dhe BE-në, ishin edhe ambasadotrët e Quintit, si përfaqësues të Francës, Gjermanisë, Italisë, Anglisë dhe SHBA-së, në emër të të cilëve u prononcua ambasadoi amerikan, Hovenier:

“…U takuam me kryeministrin Kurti, për ta informuar se qeveritë tona, në konsultim me NATO-n, nuk mund të mbështesim asnjë ndryshim të statusit aktual  të Urës së Mitrovicës aktualisht!”

Risi e qëndrimit të ndërkombëtarëve, përbën referimi tek misioni mbrojtës ushtarak të Kosovës, repektivisht, “në konsultim me NATO-n”, si kërcënim i drejtëpërdrejtë ndaj Kurtit dhe popullit të Kosovës! Dhe, kjo duhet marrë shumë seriozisht. Qëllimet e errëta dhe hiç fisnike të BE-së, me aleatët e Serbisë, opozitën PAN-iste, -për ta hequr qafe Albin Kurtin-, tashmë, janë të qarta. Dhe, kjo i turpëron, madje në grup, të gjithë manipulatorët konspirativë, të cilët preferojnë kthimin në pushtet të kriminelëve të shantazhuar, për ta vazhduar planin ogurëzi të Hashim Thaçit, për ndarjen e Kosovës.

Andaj është obligim moral e shtetëror i botës akademike dhe popullit të Kosovës, pavarësisht përkatësisë partiake, të jenë përkrah Qeverisë së tyre, për ta mbrojtur sovranitetin e Atdheut-Kosovë, duke mos pranuar as tani dhe askurrë ta dialogojë hapjen e Urës së Ibrit me Serbinë, as në Bruksel dhe as në Prishtinë.

Populli ka një shprehje të lashtë: “Zullumi këputet prej së trashi”, pra, kur teprohet, edhe pëlcet. Edhe pse durimi, pritshmëria duhet të këtë cak, kufi. Edhe pse provokimi ndërkombëtar është i rëndë, megjithatë problemi i stisur dhe i shpifur i mbylljes së Urës të Ibrit, ndryshon nga çështjet tjera sovraniste, që ka ndërmarrë Qeveria aktuale e Kosovës. Pavarësisht se është një bllokadë banale, madje skajshëm kontradiktore e hipokrite, me atë çka proklamon, natë e ditë, Evropa dhe bota demokratike, siç janë: -Të Drejtat e Njeriut dhe Lëvizja e Lirë e njerëzve-, Qeveria e Kosovës dhe personalisht kryeministri Albin Kurti, në hapjen e Urës së Ibrit, duhet kujdes i shtuar, mençuri dhe maturi prej lideri, me një mbështetje masive të shqiptarëve botërorë, në misionin e tij sa të shenjtë, aq edhe të drejtë, në mbrojtjen e sovranitetit të Atdheut.

Nëse veprimet e deritanishme, për kthimin e sovranitetit të dhuruar Serbisë, në veriun e Kosovës, nga qeveritarët e tmerruar nga shantazhimi e kërcënimi, për ndjekje penale, për krimet faktike, kryesisht, vrasjet e kundërshtarëve politikë shqiptarë, veprimtarë dhe luftëtarë të dëshmuar për lirinë e Kosovës, kanë pasur natyrë procedurale, me qasje administrative të shkallëzuara. Ndërsa heqja e gurëve të betonit mbi Urën e Ibrit, është e drejtëpërdrejtë fizike, madje me praninë e përhershme të KFOR-it, përkatësisht të NATO-s, çliruese faktike të Kosovës dhe të popullit të saj, të pushtuar përtej një shekulli nga Serbia me sllavët e saj.

Dhe, çdo tentativë, për hapje të dhunshme të Urës, nënkupton konfrontimin me rojet mbrojtëse ndërkombëtare. Kosova ka njëmijë e një arsye dhe argumente faktike, për ta bindur Quintin dhe botën demokratike, se të drejtën e saj për sovranitet të Kosovës, në kufijtë e Shpalljes të Pavarësisë, e ka konfirmuar edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Prandaj nuk duhet të pushohet, për ta realizuar këtë të drejtë supër-legjitime.

Paradoksalisht, janë BE-ja-Quinti, KFOR-i, pra, ndërkombëtarët që kanë bërë getoizimin e veriut të Kosovës, qoftë me ndarjen e Kosovës, pikërisht, me bllokimin anakronik e primitiv mesjetar të Urës së Ibrit, si dhe kufizimin e bërë Kosovës, për ta mbrojtur popullin multi-etnik të atij rajoni, nga bandat e dirigjuara dhe të financuara nga Qeveria fashizoide e Aleksander Vuçiqit. Rrjedhimisht, ndërkombëtarët janë bërë palë me krimin dhe kriminelët e Beogradit!

BE-ja shtoi dozën e provokimit ndaj Kosovës sovrane, me aprovimin e pashaportave ilegale të lëshuara nga Serbia, për 18 mijë serbët e Kosovës. Krerët shtetërorë e qeveritarë kanë reaguar për këtë shkelje të rëndë të sovranitetit të shtetit të Kosovës. Shteti dhe Qeveria e Kosovës, duke qenë të autorizuar nga populli i Kosovës, për mbrojtjen e kushtetushmërisë të vendit, duhet të deklarohen, madje botërisht, se kurrë nuk do t`i njohin dhe as t`i pranojnë pashaportat ilegale të Serbisë, pavarësisht se Evropa u vetë turpëruar me njohjen e tyre zyrtare. Me ato pashaporta dhe kartën e tyre të identitetit, nuk mund as të votojnë dhe as të shërbehen në asnjë institucion zyrtar të Kosovës, pavarësisht të pranimit të tyre nga BE-ja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok