SERBIA – I VETMI SHTET EVROPIAN QË NUK KA PËSUAR ASNJË TRANSFORMIM DEMOKRATIK
Nga Prof. Xhelal Zejneli
Në fillim të dhjetëvjeçarit të dytë të shekullit XX, inteligjencia serbe zhvilloi një fushatë të panjerëzishme ndaj shqiptarëve. Në këtë dance macabre u përfshinë akademikët, politikanët, klerikët ortodoksë serbë dhe mediumet. Politikanët dhe intelektualët serbë të asaj kohe, nëpër kancelaritë e Fuqive të Mëdha i paraqitnin shqiptarët si njerëz inferiorë. Qëllimi tyre ishte arsyetimi i pushtimit të trojeve etnike historike shqiptare.
Është kohë e luftërave ballkanike dhe e Luftës së Madhe, përkatësisht e Luftës së Parë Botërore. Intelektualët serbë të asaj kohe shkruanin dhe botonin shkrime dhe artikuj në të cilat shqiptarët i paraqitnin si njerëz të paqytetëruar. Në këtë kohë, kundër shqiptarëve, akademikët serbë botonin edhe libra. Shtypi i Beogradit, opinioni publik radikal, kabinetet e Beogradit, ministrat e punëve të jashtme i konsideronin shqiptarët rajë të paemër, që banon në vend të paemër.
Një prej këtyre intelektualëve apo më saktë pseudointelektualëve ishte edhe Vlladan Gjorgjeviqi, autor i librit famëkeq “Arnauti i Velike sile” (Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha), botuar në Beograd në vitin 1913. Ky libër u përhap edhe nëpër qendra të caktuara evropiane. Në faqet e tij jepen vlerësime absurde për shqiptarët. Me idetë e veta propagandistike, autori i librit bën dehumanizimin e shqiptarëve. Në frymën e tij u edukuan breza të tërë serbësh nëpër shkolla dhe universitete. Për shqiptarët u krijuan paragjykime që arsyeja e shëndoshë s’i merr dot me mend.
Në këtë kohë serbët kishin kryer gjenocid nëpër trojet shqiptare. Për krimet makabre dhe për masakrat serbe ndaj shqiptarëve shkruanin edhe gazetat amerikane.
Dehumanizimi i shqiptarëve në “shkencën” e akademikëve serbë të fillimit të shekullit XX, u përcoll edhe me masakra ndaj tyre. Një prej masakrave të ndodhura në verilindje të Shqipërisë (zona e Lumës) është paraqitur edhe në raportin e Carnegy Endovment për Paqen Ndërkombëtare. Në të pasqyrohen fragmente të golgotës shqiptare.
Kancelaritë evropiane – Parisi, Londra nuk çanin kokën për veprimet e tërbuara serbe ndaj shqiptarëve.
Të njëjtin qëndrim përçmues ndaj shqiptarëve, Beogradi e ka pasur dhe e ka manifestuar që nga luftërat ballkanike deri më sot. Politika e sotme e Beogradit në krye me kryetarin e Serbisë – Aleksandër Vuçiqin, nuk ka asnjë dallim nga ajo e kohës së luftërave ballkanike. I tërë kabineti i tij përbëhet prej politikanëve të ngarkuar me ideologji thellësisht antishqiptare. Vuçiqi dhe bashkëpunëtorët e tij, nuk janë vetëm të kohës së “Memorandumit” të Akademisë Serbe të janarit të vitit 1986, nuk janë vetëm të kohës së Sllobodan Millosheviqit.
Vuçiqi, kabineti i tij, bashkëpunëtorët dhe ministrat e tij veprojnë si në kohën e luftërave ballkanike, në kohën e Vlladan Gjorgjeviqit (1844-1930), Jasha Tomiqit (1856-1922), Stojan Protiqit (1857-1923), si në kohën e gjeografit dhe etnografit, kryetar i Akademisë Mbretërore Serbe dhe rektor i Universitetit të Beogradit – Jovan Cvijiqit (1865-1927).
Vuçiqi, kabineti dhe bashkëpunëtorët e tij, ndodhen sot në kohën e Nikolla Pashiqit, në kohën e karagjorgjeviqëve, në kohën e Aleksandër Rankoviqit. Po të kthehemi akoma më pas në historinë politike të kohës së re, do të shohim se Vuçiqi, kabinetet e tij dhe bashkëpunëtorët e tij ndodhen në kohën e Ilija Garashaninit dhe të “Naçertanies” së tij të vitit 1844.
Me fjalë të tjera, që nga viti 1844 deri më sot, politika serbomadhe nuk ka ndryshuar fare. Serbia ka pretendime hegjemoniste dhe ekspansioniste:
– ndaj Kosovës, përkatësisht ndaj shqiptarëve;
– ndaj Kroacisë;
– ndaj Bosnjës dhe Hercegovinë;
– ndaj Malit të Zi;
– ndaj Maqedonisë, kishën ortodokse të së cilës, Kisha Ortodokse Serbe nuk e njeh.
Ideologjia dhe politika serbomadhe, gjatë historisë politike të kohës më të re, që nga shekulli XIX deri më sot, është mbështetur prej Rusisë cariste dhe asaj bolshevike, njashtu siç mbështetet edhe nga Rusia e Vlladimir Putinit.
Serbia është i vetmi shtet evropian që nuk ka pësuar asnjë transformim demokratik, që nga luftërat ballkanike deri në ditët tona. Synimi i saj është militarizimi, armatosja, kanosja me armë dhe me luftë. E mbështetur dhe e trimëruar nga Moska dhe e pakundërshtuar nga Uashingtoni, nga Berlini dhe nga Londra, Beogradi sot e kësaj dite ndjek politikën e forcës, zhvillon luftë speciale dhe luftë psikologjike.
Vuçiqi, ky pinjoll i radikalit Vojisllav Sheshel dhe ministër i dikurshëm i Millosheviqit, në çdo deklaratë të tij, tërthorazi apo drejtpërsëdrejti kanoset me luftë, me armë apo me ndërhyrje ushtarake. Dhe Evropa hesht, i mbyll sytë, e lejon, e toleron, për të mos thënë – e ledhaton.
Shtylla të ideologjisë dhe të politikës serbomadhe janë sot: Akademia e Serbe, një pjesë e Universitetit të Beogradit, një pjesë e Lidhjes së Shkrimtarëve të Serbisë, me seli në Rrugën e Francës Nr. 7, politikanët serbë, Kleri Ortodoks Serb, një pjesë e mediumeve serbe, gazetat, revistat, portalet.
Kur është fjala për “çështjen kombëtare serbe”, këtë murtajë të zezë të Ballkanit, në shoqërinë serbe nuk ka fije demokracie, nuk ka mendim të lirë, s’ka dot liri shtypi, mendimi kritik ndërkaq është i ngulfatur. Kjo flet për mjerimin e Serbisë, për mjerimin e shkencës serbe, të artit serb dhe të letërsisë serbe. Kjo ideologji anakronike, retrograde e shekullit të kombeve, e shekullit XIX përbën turpin e Serbisë, turpin e shoqërisë serbe, turpin e inteligjencies serbe. Serbia e Vuçiqit sot, vazhdon të ecë rrugës së errët dhe pa krye të pater patriae – shkrimtarit dhe akademikut Dobrica Qosiq.
Serbia e Vuçiqit nuk ka kurrfarë dallimi nga ajo e një shekulli më parë, kur Ballkani ishte fuçi baruti dhe kur në gadishull zhvillohej bellum omnium contra omnes. Pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës si dhe ndaj fqinjëve të tjerë të rajonit janë antihistorike dhe irracionale. Këtë politikë të tërbuar, qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtoni, Berlini dhe Londra – nuk duhet ta lejojnë.
* * *
Mjeku, letrari dhe politikani serb, nga nëna – cincar (arumun), Kryetar i Këshillit të Ministrave Vladan Gjorgjeviq (1844-1930), i cili lindi në Beograd dhe vdiq në Baden afër Vjenës, nuk kishe kufi në nxirjen e shqiptarëve. Në librin e tij “Arnauti i Velike Sile”, Beograd, 1913, në faqet 47, 102, 113, 121 shkruan:
“Shqiptarët janë të rrëgjuar dhe shtatshkurtër, janë krijesa që posedojnë veti ciganësh (jevgjish) dhe fenikasish. Ata të përkujtojnë njerëzit parakë (primitivë) të periudhës parahistorike, të cilët, nga frika prej bishave të egra, kanë fjetur nëpër dru dhe për të mos u rrëzuar, me bishtat e tyre janë lidhur për degësh.
Ata janë trogloditë bashkëkohorë, njerëz që sot e kësaj dite banojnë nëpër shpella, me dhëmbë bishash të egra dhe jetojnë in Blutschand – të zvetënuar; janë gjaktrazues, ngase bëjnë marrëdhënie seksuale brenda gjinisë.
Mbi 70% e burrave shqiptarë vriten në gjakmarrje. Shumë nga këto zënka ndodhin për arsye se 50% e grave shqiptare, para martesës, nuk e ruajnë virgjërinë. Rrjedhimisht, pasojnë zgjidhjet e martesave, d.m.th. shkurorëzimet pas të cilave vijnë hakmarrjet. Meqenëse është turp të vdesësh në shtrat, burrat që nuk bien nga dora e burrave të tjerë, vdesin prej sëmundjeve që në Shqipëri janë të shpeshta, si: tifoja, influenca (gripi) dhe sëmundjet venerike.
Shqiptari ha vetëm bukë, përdor miell misri dhe qumësht.
Ai s’di për kripën, ndërkaq, kur te ndonjë udhëtar i huaj sheh sheqer, kujton se është dëborë”.
“Dhe tani – vazhdon ky autor – për këta njerëz, të cilët nuk dinë se ç’është kripa, dhe të cilët për sheqerin kujtojnë se është dëborë, dhe sot del ndokush e thotë se këta ditkan se ç’është atdheu dhe se do të kishin qenë të gatshëm për të dhënë edhe jetën për të”. (Ibid, f.104).
“Shqiptarët s’kanë histori, gjendja jetësore e tyre është anarkia dhe ata shumë lehtë e ndërrojnë fenë, ndonëse fanatizmi fetar është karakteristika më e theksuar e tyre”. (f. 29, 43, 46, 100).
Shkrimtari kroat Miroslav Krlezha (Miroslav Krleža, 1893-1981) në punimin e tij “O jedinim zastavama našeg vrijemema” (Për flamujt e vetëm të kohës sonë) të botuar në “Deset krvavih godina i drugi politički eseji” (Dhjetë vite të përgjakshme dhe ese të tjera politike), Vëllimi 14-15 Sabrana djela (Vepra të përmbledhura), Zagreb 1957, f. 413, sulmon ashpër teoritë e së drejtës historike të serbëve ndaj “viseve jugore”.
Në punimin e sipërthënë, Kërlezha citon pjesë nga libri i Vlladan Gjorgjeviqit por edhe fragmente të autorëve të tjerë antishqiptarë serbë të periudhës para Luftës së Parë Botërore. Midis tjerash, citon:
“Shqiptarët janë rajë të paemër që banon në vend të pa emër. Ata s’kanë histori, s’kanë letërsi dhe janë pa gjuhë letrare, pa tradita, pa poezi, pa ato atribute që njeriun dhe fisin e bëjnë fis njerëzor. Para disa vitesh do udhëtarë kanë parë në Shqipëri njerëz me bisht, me bisht të kalit ose të dhisë. Këta bastardë të tribalëve dhe të skordiskëve antikë, këta gegë dhe këta toskë, këta melezë të tipave antropologjikë të ndryshëm, kjo hordhi e përçarë në pesëdhjetë dialekte tërësisht të pakuptueshme, bërtet dhe çirret ndër vete duke shkaktuar një anarki skëterrore. Në këta shkrepa të egër, të zezë dhe të pashkelshëm, shtatëdhjetë për qind e burrave vdesin nga hakmarrja, ndërsa vdekja në shtrat nga sëmundja, merret për turp. Këta gjakpirës të egër, këta lëkurëkuq evropianë, fetarë skajshmërisht jotolerantë, te tëcilëtfjalët cub dhe bandit janë sinonim për kalorës, këto bisha të egra me fytyrë njeriu, në ditët e festave gostiten me miell misri të zier, s’dinë se ç’është kripa, për sheqerin ndërkaq, mendojnë se është dëborë. Banojnë nëpër shpella si njerëzit e neandertalit, jetojnë nëpër kulla guri, pa dyer, pa dritare dhe pa oxhakë; flenë në dritën e pishës, të veshur, me pushkë në krah, ndërsa kafka e kalit, e ngulur në hu para kasolles, është trofe lufte. Besojnë se Zoti ua ka dhënë pushkët për t’u vrarë ndër vete. Në veri ka vise në të cilat perëndive të vjetra ende u shugurohen njerëz të gjallë. Shqiptarët e pinë gjakun e nxehtë të viktimave të veta të therura, i presin hardhitë, i rrënojnë kullat, vriten me pasion ndër vete, duke vrarë gratë nga lakmia, ndërsa kuptimi i dashurisë tek ata nuk ekziston dhe fjala dashuri nuk ekziston në gjuhën e tyre. Nuset blihen dhe shiten për pajë prej disa lugësh. Në këtë vend nuk ka nevojtore, të gjithë janë të ndyrë, dhe me morra. Këta vjedhës kuajsh, të pabesë, keqbërës, gënjeshtarë, dhe tipa të poshtër, që para njeriut i lëshojnë sytë poshtë mu si qentë, jetojnë në retë e tymit, me tifo, malarie, li, dizenteri dhe sëmundje venerike. Këta janë gjakatarë dhe vrasës qindravjeçarë të elementit serb në viset jugore. Kjo masë e zjarrtë, e tërbuar, anarkike, që s’dallohet prej kafshëve, vërshon si lavë në luginat e buta të viseve jugore ku vret e pret, djeg dhe shkatërron vendbanimet tona të qeta dhe të qytetëruara, me qindra e qindra vjet. Kjo lavë e bastardëve shqiptarë jeton në provincat që në mesjetë i takonin Perandorisë serbe”.
Paroksizmi antishqiptar i serbëve, i fillimit të shekullit XX vazhdon me stereotipe raciste të rreme deri në ditët tona.
Në vitin 2008, Dobrica Qosiqi botoi librin më të ri “Historia personale e një epoke” 6, „Koha e gjarpinjve“ (Vreme zmija), 1999-2000, botues Službeni glasnik, Beograd 2008, numri i faqeve 272.
Shënimet e tij në formë ditari, të përmbledhura në librin “Shënime të shkrimtarit” (Piščevi zapisi) Libri 6, mbajnë nëntitullin „Koha e gjarpinjve – Lufta e vogël botërore kundër Serbisë“. Shënimet i ka mbajtur gjatë bombardimeve të NATO-s, apo më saktë prej 21 marsit të viti 1999 deri më 1 janar të vitit 2000.
Në librin e sipërthënë, ndaj shqiptarëve përdor gjuhën e urrejtjes dhe mbjell urrejtje kombëtare e racore. Në faqen 211 të librit “Koha e gjarpinjve”, midis tjerash për shqiptarët thotë:
“Kjo fundërrinë sociale, politike dhe morale e Ballkanit barbar tribal vendos miqësi me Amerikën dhe me Unionin Evropian kundër popullit më demokrat, më të qytetëruar dhe më të arsimuar të Ballkanit – popullit serb”.
* * *
Serbia sot, njësoj si në të kaluarën, është peng i Rusisë. Rusia e Putinit:
– mbështet udhëheqësin e Republikës Serbe të Bosnjës dhe Hercegovinë, Milod Dodikun, i cili ndodhet në listën e zezë amerikane;
– mbështet tendencat për destabilizimin e Malit të Zi;
– mbështet pretendimet e Beogradit ndaj Kroacisë;
– bën çmos për ta minuar dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit;
– bën çmos për ta penguar shtetësinë e Kosovës;
– mbështet tendencat e vjetruara dhe jodemokratike në Maqedoni;
– bën çmos për ta parandaluar integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në organizmat euroatlantikë:
– mbështet fuqimisht çfarëdo krize politike, ekonomike dhe sociale në Ballkanin Perëndimor, ngase nëpërmjet krizave në rajon, shpreson të penetrohet në të;
– mbështet çdo konflikt dhe mosmarrëveshje midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Interes i Serbisë është të lirohet nga kjo politikë destruktive rusomadhe dhe jo të mbetet i peng i saj. Politika e Beogradit sot, është në kundërshti të plotë me parimet demokratike të Bashkimit Evropian për mosndryshimin e kufijve dhe për respektimin e lirive dhe të drejtave të pakicave apo të grupeve etnike. Pakicat apo grupet etnike në Kosovë, përfshi edhe atë serbe, i gëzon të gjitha të drejtat, sipas standardeve më të larta të BE-së, si në asnjë vend tjetër Unionit. Ç’kërkojnë pra serbët!? Ç’kërkojnë më shumë se kaq!? Me fjalë të tjera, kërkojnë territor, gjë që është në kolizion me standardet dhe normat e BE-së.
Duke qenë se Beogradi kërkon territor, atëherë është mirë që t’ua kthejë shqiptarëve Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë); t’ua kthejë boshnjakëve Sanxhakun e banuar me myslimanë që e quajnë veten boshnjakë; t’ua kthejë hungarezëve Vojvodinën, ku jetojnë 26 grupe etnike dhe nga ku, pas Luftës së Dytë Botërore, nën akuzën e kolaboracionizmit, dëboi qindra mijë gjermanë.
Hegjemonizmi dhe ekspansionizmi serbomadh ndaj shqiptarëve dhe fqinjëve të tjerë ballkanikë nuk është kundërshtuar fare nga Parisi. Ndaj hegjemonizmit dhe ekspansionizmit serbomadh sot, sikur po i mbyllin sytë edhe Uashingtoni dhe Berlini. Kjo është e pashpjegueshme.
Bashkimi Evropian duhet t’i respektojë parimet mbi të cilat është ngritur Unioni dhe jo të lëshojë pe para Beogradit. Kancelaritë e Fuqive të Mëdha të Perëndimit duhet të jenë të mbyllura për Vuçiqin. Është turp për çdo politikan të Uashingtonit, të Berlinit dhe të Londrës të takohet me të.
Shqiptarët nuk duhet të humbin kohën politike.