14/12/2024

SERBIA I KA NDEZUR MOTORAT E LOBIMIT NË WASHINGTON

0
Frank-Shkreli

Nga Frank Shkreli*

Ka disa vite tashti që jam përpjekur të paralajmëroj për situatën në të cilin gjëndet sot, si komuniteti shqiptaro-amerikan ashtu edhe dy shtete shqiptare, përsa i përket lobizmit në Washington, në mbështetje të interesave kombëtare të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor.  Janë dy ngjarje të kohëve të fundit që e dramatizojnë këtë situatë edhe mëtej dhe bëjnë thirrje për veprim: njëra është largimi, Janarin që kaloi nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara, i njërit prej mbështetësve më të mëdhej dhe më të fundit të Kosovës, të Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi, ish-kongresmeni Eliot Engel, pas pothuaj tri dekadash në detyrë, duke pasur parasyshë se pothuaj asnjë nga mbështetsit e mëdhej të shqiptarëve dikurë në Kongresin amerikan, nuk janë më aty. Tjetra ka të bëjë me shtimin, kohët e fundit, të përpjekjeve lobiste të Serbisë në Washington dhe anë e mbanë Amerikës – e cila i sheh ndryshimet politike në kryeqytetin amerikan dhe humbjen e influencës së shqiptarëve, sidomos gjatë 10-15 viteve të fundit në Shtetet e Bashkuara, si një rast të volitshëm për të plotësuar, si të thuash, këtë hapësirë të zbrazët ndikimi në Amerikë sa i përket Ballkanit Perëndimor – ndërsa politikanët shqiptarë i kanë zenë ethet e zgjedhjeve dhe nuk duan të dinë se çfarë po ndodhë në rajon dhe në botë, përtej interesave të tyre personale dhe partiake — me të vetmin qëllim të ekzistencës së tyre politike dhe ruajtjes së pushtetit të tyre personal dhe të partive që ata përfaqësojnë.

Komuniteti shqiptaro-amerikan bëri histori me lobizmin e mirë- organizuar gjatë luftës së ftohtë e veçanërisht gjatë luftës në Kosovë dhe ish-Jugosllavi — ndërsa shquhej si një prej forcave lobiste më të fuqishme në Washington, në një periudhë prej tre dekadash. Gjatë 10-15 viteve të fundit, me përjashtim të ndonjë individi aty këtu që mban kontakte personale me ndonjë antarë të Kongresit nga shteti ku jetojnë shqiptarët, nuk ka pasur ndonjë organizim as përqendrim serioz të vëmendjes për lobizëm në interes të çështjeve shqiptare në Shtetet e Bashkuara.  Një lajm i mirë i kohëve të fundit, përsa i përket kësaj teme, është krijimi i një organizate të re lobizmi nga komuniteti shqiptaro-amerikan, i quajtur Kongresi Panshqiptar Amerikan (KPA).  Një grup veprimtarësh shqiptaro-amerikanë, themelues të këtij kongresi, janë shprehur se, “KPA-ja është themeluar me qëllim që të promovojë vlerat dhe interesat e shqiptarëve dhe të amerikanëve, të përkrahë parimet demokratike dhe të mbrojë identitetin e shqiptarëve, sot dhe për brezat që vijnë”, thuhej në njoftimin për media.  Ata kanë premtuar gjithashtu se do të bashkëpunojnë me të gjitha organizatat ekzistuese shqiptaro-amerikane siç janë Federata Pan-Shqiptare Vatra, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Gazeta Illyria dhe Gazeta Dielli dhe organizata të tjera përfaqësuese të komunitetit në New York, Detroit, Dallas, Chicago, etj.  Ndonëse është në fazën fillestare të organizimit, KPA-së i urojmë sukses në këtë ndërmarrje fisnike.

Lobimi, siç dihet, është një ushtrim ligjor politik për influencë në Shtetet e Bashkuara që kontrollohet me ligj e që komuniteti shqiptaro-amerikan ka ditur ta përdor dhe të përfitojë në raste kur Kombi kishte më shumëse kurrë nevojë për ndihmën politike dhe ushtarake amerikane.  Deri më sot, fatkeqësisht, komuniteti shqiptaro-amerikan, sidomos nga pikëpamja organizative këto 10-15 vitet e fundit ishte më tepër si një spektator, pothuaj indiferent, ndaj zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sepse kështu duket se i konvenonte klasës aktuale politike në Shqipëri dhe në Kosovë, megjithë zhurmën e madhe të tyre për bashkpunim me diasporën.  Krijimi me bujë të madhe i ministrive të diasporës disa vite më parë në Tiranë, Prishtinë e Shkup – në vend që të organizonte dhe të bashkrendonte veprimtaritë e emigrantëve shqiptarë në interes të çështjeve kombëtare, sidomos në botën perëndimore, në të vërtetë, duket se politikisht e ka çangazhuar, diasporën – diçka që më duket se vetëm tashti e kanë kuptuar diasporat shqiptare në perëndim.

Ndërkaq, shikoni se ç’po ndodhë muajt e fundit këtu në Shtetet e Bashkuara.  Shteti agresor Serbia, ka ndërmarrë një fushatë të re lobimi në Washington, sikurë do të përfitojë nga mungesa e veprimtarisë së shqiptarëve në këtë fushë.  Serbia nuk do ta ketë lehtë me administratën e re të Presidentit Joe Biden, i cili e di mirë historinë e konflikteve të fund viteve të shekullit të kaluar – dhe e cila e dallon mirë kush është agresori e kush janë viktimat e këtij agresori, sidomos në rastin e Kosovës.  Por, me një realitet të ri politik në Washington — me një administratë të re amerikane e që nuk pritet të jetë tepër miqësore ndaj Serbisë, duket se Beogradi zyrtar ka vendosur të shikojë nga e ardhmja sa u përket marrëdhënieve me Amerikën, pa u larguar asnjë centimetër nga qendrimet e tija anti-shqiptare në përgjithësi dhe kundër pavarësisë dhe njohjes së shtetit të Kosovës, në veçanti, duke i kushtuar këtij misioni lobues serb në Washington burime të mëdha njerëzore dhe financiare.

Ndër masat e fundit që ka ndërmarrë Serbia për të shtuar influencën e saj politike dhe ekonomike, me qëllim të vendosjes së lidhjeve më të ngushta me Shtetet e Bashkuara janë disa multi-dimensionale, sipas një numri burimesh serbe dhe ndërkombëtare: Serbia ka blerë një ambasadë të re të madhe, simbol i një investimi të ri politik dhe ekonomik në Shtetet e Bashkuara, me një ambasador të ri, njërin prej bashkpuntorëve më të ngushtë të Aleksandë Vuçiqit dhe ish-Drejtor i Zyrës së Kosovës në qeverinë serbe nga viti 2013 deri në tetor të vitit 2020, Marko Gjuriq, i njohur mirë nga bashkbiseduesit shqiptarë në Prishtinë.  Ndër masat e fushatës së re diplomatike dhe ekonomike të Serbisë në Shtetet e Bashkuara, përfshihet edhe hapja e zyrave të reja tregtare dhe konsullore, ndërkohë që Beogradi kërkon të shtojë lidhjet edhe me industrinë teknologjike amerikane, duke shpresuar edhe për një bashkpunim më të madh madje edhe në fushën ushtarake.  Një prej masave të kësaj fushate të re diplomatike të Serbisë është edhe rivendosja e lidhjeve më të ngushta me diasporën serbe në Amerikë. Si pjesë e kësaj fushate lobiste serbe në Shtetet e Bashkuara, sipas disa burimeve mediatike, personeli i ambasadës së Serbisë në Washington është rritur me 50%.

Nuk është aspak e rastit që Vuçiqi ka dërguar si ambasador të Serbisë në Washington, Marko Gujriqin, njeriun e besueshëm të tij, i cili ka kryesuar Zyrën e qverisë serbe, përgjegjëse për Kosovën, për një periudhë prej pothuaj 10-vjetësh.  Për fat të mirë të Kosovës dhe për interesat shqiptare në përgjithësi — ambsadorit të ri të Serbisë në Washington dhe bashkpuntorëve të tij, do t’i duhet të përballet me administratën më mirë të informuar, ndoshta në histori, mbi çështjet e Ballkanit Perëndimor, në përgjithësi dhe mbi Kosovën, në veçanti. Sidomos duke marrë në konsideratë thirrjen e disa ditëve më parë të Presidentit Biden që Serbia të punojë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Kosovën, duke u përqendëruar në njohjen e ndërsjellët, diçka që Serbia deri tani është shprehur kategorikisht kundër.

Absolutisht, megjithë fushatën e re diplomatike serbe, ambasadori i ri i Serbisë në Washington, Marko Gjuriq nuk do t’a ketë të lehtë të bindë politikën amerikane se Serbia po ndryshon, sidomos, duke marrë parasyshë edhe lidhjet e ngushta historike dhe fetare të Serbisë me Rusinë, si dhe lidhjet ekonomike me Kinën komuniste, në rritje e sipër.  Por kjo nuk do të thotë – në asnjë kusht e në asnjë rrethanë – se komuniteti shqiptaro-amerikan duhet të vazhdojë të jetë vetëm një spektator ndaj zhvillimeve në rajon si edhe ndaj fushatës së re diplomatike dhe lobiste të Serbisë në Wshington – për të mos folur për rolin që do të duhej të luanin Tirana dhe Prishtina zyrtare, në bashkpunim dhe bashkrendim me njëra tjetrën. Deri më sot, një rol ky që, fatkeqësisht, nuk ekziston – as nuk duket të jetë një përparësi që mund të merret parasyshë në një të ardhme të afërt nga Shqipëria dhe Kosova në bashkpunim me njëra tjetrën dhe me diasporën për të bashkrenduar interesat kombëtare – afatshkurtëra dhe afatgjata — për tu mbrojtur, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Uroj që qeveria e re e Kosovës t’i marrë këto punë pak më seriozisht se në të kaluarën.

*Autori ka shërbyer si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan në Washington DC

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok