13/12/2024

Seneca na këshillon se si të rishikojmë marrëdhëniet me ankthet dhe frikërat tona të pabaza

0
Seneca

Nga Albert Vataj

Ne jemi grimca në dimensionin galaktik dhe si të tillë, jemi procese ekzistence shndërrimi dhe përtëritjeje përmes përplasjes. Në kuptimin utilitar, jemi gjithnjë në qëmtim të tensionit, tendosjes, trysnisë, shpërthimit. Një ngulm për ta refuzuar prehjen, atyshmërinë e asgjësë dhe gjithmonshmërinë e shmangies, bishtnimit, frikës. Jemi prej lënde shpërthyese.

Dy mijëvjeçarë përpara se të shpikte koncepti klinik i ankthit, (Ndjenjë e rëndë ndrydhëse, shtypëse; shqetësim i madh për fatin e dikujt ose për fundin e diçkaje.) filozofi i madh romak, stoiku Seneca (rreth 4 pes–65 pas Krishtit) ofroi një ilaç të përjetshëm për këtë ngërç elementar njerëzor në korrespondencën me mikun e tij, Lucilius Junior, i botuar më vonë si “Letra nga një Stoik”.

Në letrën e trembëdhjetë, të titulluar “Për frikën e pabazë”, Seneka shkruan:

Ka më shumë gjëra … që mund të na frikësojnë sesa të na shtypin. Ne vuajmë më shpesh në imagjinatë sesa në realitet.

Duke parë zakonin njerëzor vetëshkatërrues dhe të lodhshëm, për të përgatitur veten për katastrofë imagjinare, Seneka e këshillon mikun e tij të ri se:

Ajo që ju këshilloj të bëni është të mos jeni të pakënaqur para se të vijë kriza. Meqenëse mund të ndodhë që rreziqet para të cilave jeni zbehur, sikur t’ju kërcënonin, nuk do të vijnë kurrë mbi ju. Ata sigurisht që nuk kanë ardhur ende.

Prandaj, disa gjëra na mundojnë më shumë se sa duhet. Disa na mundojnë para se të duhet. Disa na mundojnë kur nuk duhet të na mundojnë fare. Ne e kemi zakon ta ekzagjerojmë, ose të imagjinojmë, ose të parashikojmë trishtimin. Një lloj zelli për të mbështjellë realitetin me një trysni rreziku dhe frike, kërcënimi dhe pasigurie.

Të kërkosh sherrin me shkop e me strajcë thotë populli, sepse ne jemi të programuar të jemi gjithnjë në kontradiktë, si me veten tonë ashtu edhe me realitetin rrethues. Kësisoj në një gjendje gjithnjë alarmi, ne mbetemi ajo qenia e denjë vetëm për sfida, qofshin këto edhe fatale. Ndoshta kurrë nuk i kemi bërë llogaritë e luftërave dhe betejave, të cilat përgjithësisht janë të panevojshme dhe me kosto. Gjithsesi ne kemi lindur, jemi rritur dhe deri në asgjësim mbetemi një përplasje. A nuk erdhi edhe ekzistenca në rrafshin galaktikë nga një përplasje?!!!

Por, rreziku më i madh i shqetësimit të gabuar, paralajmëron Seneka, është se duke u përgatitur vazhdimisht për një katastrofë të imagjinuar, ne e mbajmë veten të mos jetojmë plotësisht, diçka mbi të cilën ai shpjegoi në esenë e tij më të famshme morale, “Mbi shkurtësinë e jetës”. Ai e përfundon letrën me një citim nga Epikuri që ilustron këtë pikë kthjelluese: Budallai, me të gjitha të metat e tjera, e ka edhe këtë, ai gjithmonë bëhet gati të jetojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok