26/11/2024

SENATI KËRKON MË SHUMË TRANSPARENCË DHE QARTËSI NGA PRESIDENTI BAJDËN

0

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani me Zëvëndës Sekretaren e Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Victoria Nuland në Departmentin Amerikan të Shtetit në Washington javën që kaloi.

Nga Frank Shkreli

Javën që kaloi, Kryetari i Komisionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara për Punët e Jashtme, Senatori Bob Menendez dhe disa kolegë të tij i dërguan një letër Presidentit Xho Bajdën duke i kërkuar Presidentit të Shteteve të Bashkuara më shumë transparencë dhe qartësi për “Takimin e lartë të Demokracive” — takimi i parë në nivel botëror i këtij lloji — që do mbahet virtualisht, më 9-10 Dhjetor.  The Summit for Democracy – United States Department of State  Ndonëse lista e rreth 100-vendeve që thuhet se janë ftuar për të marrë pjesë, Republika e Kosovës nuk ishte njëra prej atyre shteteve të ftuara, të pakën deri fund javën që kaloi, kur Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe njoftoi se tani, “Kosova pritet të marr pjesë në takimin e lartë për demokraci që do të organizohet nga presidenti amerikan, më 9 dhe 10 dhjetor. Burime të Zërit të Amerikës konfirmuan pjesëmarrjen e Kosovës në këtë takim dhe sipas tyre, kjo u bë e ditur pas takimeve që presidentja Vjosa Osmani zhvilloi me zyrtarë amerikanë në Uashington”, sipas portalit ë VOA-s.

Media të ndryshme në Kosovë dhe në diasporë njoftuan takimin që Presidentja e Republikës së Kosovës, Z.nja Osmani pati të ënjtën në Washington me Nën-Sekretaren e Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Z.njën Victoria Nuland.  Njoftohet se në atë takim u riafirmua përkushtimi i vazhdueshëm i dy vendeve për këtë partneritet të fortë, si dhe u theksua angazhimi i palëkundur ndaj “vlerave të përbashkëta”.  Presidentja Osmani tha se “Kosova është ndër vendet më demokratike në botë, një burim i vërtetë shprese në rajon dhe më gjerë, si dhe një histori e vërtetë suksesi e politikës së jashtme të SHBA-ve”. Ajo shtoi se Kosova është një “shëmbëlltyrë e vlerave amerikane”, sipas informacionit të shpërndarë për mediat nga zyra e Presidencës së Republikës së Kosovës. Ndërsa, sipas të njëjtit burim, Nën-Sekretarja amerikane Victoria Nuland shprehu mirënjohjen e saj të thellë për Presidenten Osmani dhe për “rolin instrumental të Kosovës në ofrimin e strehimit të përkohëshëm për refugjatët afganë dhe tha se kjo është edhe një shfaqje e përkushtimit të Kosovës ndaj kësaj miqësie dhe partneriteti të gjatë”. Zonja Nuland theksoi se “administrata e re amerikane është e përkushtuar për paqën, stabilitetin dhe zhvillim në Kosovë dhe gjithë në rajonin, si dhe për mbështetjen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Presidencës së Kosovës për takimin Osmani-Nuland në Departamentin e Shtetit, të ënjtën që kaloi.

Bravo, Presidentes Vjosa Osmani, por çfarë ndodhi, në të vërtetë, në këtë ndërkohë. Megjithëse mungesa nga lista dhe as përfshirja më në fund e Republikës së Kosovës në listen e vendeve të ftuara në “Takimin e lartë për Demokracinë”, të organizuar nga Presidenti Bajdën nuk përmendet në deklaratën e Presidencës së Kosovës për takimin me Victoria Nuland, nuk ka asnjë dyshim se ky subjekt duhet të ketë qenë çeshtja kryesore e takimit midis këtyre dy zonjave. Një takim ky, që siç duket nuk ishte qenë në agjendën origjinale të vizitës së Presidentes së Kosovës në Washington, por që sipas të gjitha gjasave, pas disa trysnive, të brendshme dhe të jashtme,  përfundoi me një “YES” për pjesëmarrjen e Kosovës në “Takimin e lartë të Demokracive”, muajin që vjen.

Por, para këtij takimi dhe pasi Washingtoni zyrtar, në këtë ndërkohë, “ndryshoi mendjen” sa i përket pjesmarrjes së Kosovës në këtë takim muajin që vjen, Kryetari i Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme, Z. Bob Menendez dhe shtatë senatorë të tjerë i dërguan një letër Presidentit Bajdën, me të cilën i kërkojnë atij “transparencë dhe qartësi”, në lidhje “me kriteret që janë përdorur për të vendosur se cilat vende janë ftuar të marrin pjesë në “Takimin e Lartë të Demokracive”. 11-08-21 Dems Letter to Biden re Summit for Democracies.pdf (senate.gov)  Duke thekësuar mëtej në letër se, “Ke ftojmë, dërgon një mesazh të fortë mbi vlerat dhe praktikat në të cilat besojmë se çfarë përbën një shtet demokratik”, i kanë shkruar senatorët Presidentit Bajdën, duke shtuar se, “Elementi përcaktues i çdo sistemi demokratik është pjesëmarrja e plotë e të gjithë qytetarëve, ndërsa shoqëria civile anë e mbanë  botës, luan një rol përbërës në organizimin e qytetarëve për të marrë pjesë në qeverisjen e tyre”, thuhet në letrën e senatorëve amerikanë dërguar Presidentit amerikan.   “Takimi i ardhshëm për Demokraci përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të nxitur aleatët tanë që tu bashkohen përpjekjeve tona për ta vendosur demokracinë në qendër të marrëdhënieve ndërkombëtare. Përparimi i parimeve demokratike dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut është me të vërtetë në interes të të gjithë aleatëve tanë”, thanë, ndër të tjera, senatorët amerikanë. “Është detyrë e Shteteve të Bashkuara të jenë shëmbëll i këtij vetë-reflektimi dhe përkushtimi duke qenë të vetdijshëm për mundësinë unike të demokracisë për të identifikuar dhe pranuar dobësitë dhe të metat e saj dhe, njëkohësisht, e aftë për t’i përballur ato sfida. në mënyrë transparente”.

Ndonëse, as letra e senatorëve amerikanë drejtuar Presidentit Bajdën nuk përmend specifikisht Republikën e Kosovës për mungesën e saj nga lista origjinale e vendeve demokratike të ftuara në “Takimin e Lartë të Demokracive”, siç duket 2-3 jav;t e fundit, ka patur disa prapaskena që ishin në lëvizje për të përfshir edhe Republikën e Kosovës në listën e vendeve të ftuara në “Takimin e Lartë të Demokracive”. Përveç thirrjeve nga Kosova javët e fundit– përfshir grupet jo-qeveritare të atij vendi, opozitën dhe vezhguesit e pavarur në atë vend – edhe këtu në Amerikë pati reagime dhe përpjekje për të bindur administratën e Presidentit Bajdën që të përfshij edhe Kosovën në listën e vendeve të ftuara në takimin e demokracive, muajin që vjen. Një ndër organizatat lobiste ishte Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane e udhëhequr nga ish-Kongresmeni me origjinë abëreshe, Xho DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi.  Në portalin e tyre ata njoftojnë miqtë dhe mbështetsit për letrën e Kryetarit të Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme, Z. Menendez dhe kolegëve të tij, drejtuar Presidentit Bajdën, duke thenë se ata kishin “alarmuar” Komisionin e Punëve të Jashtme të Senatit, që kryesohet nga Z. Menendez, duke shprehur shqetësimin e tyre se, “Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut ishin ftuar ndërsa Kosova jo,” në “Takimin e Lartë të Demokracive”, thuhet në portalin e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane. “Ne thekësuam”, në komunkimin me Komisionin e Senatit, thuhet në njoftimin e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, “se veçanërisht Shqipëria është shumë mbrapa Kosovës sa i përket demokracisë, sidomos kur të merret parasysh përparimi dramatik që është bërë nën adminsitratën e Kryeminsitrit Albin Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani”.

Nuk ka dyshim se letra e Senatorit Menendez si Kryetar i Komisionit të fuqishëm për Punët e Jashtme të Senatit amerikan dhe takimi i Presidentes së Republikës së Kosovës, Z.njës Vjosa Osmani javën që kaloi me Nën-Sekretaren e Shtetit, Z.njën Victoria Nuland, patën efektin e duhur për të bindur admnistratën e Z. Bajdën të “ndërrojë mendje” ashtuqë edhe Kosova të përfshihet në listën e vendeve të ftuara në “Takimin e Lartë të Demokracive” nga Presidenti Xho Bajdën.  Zyrtarët amerikanë citohen të kenë thenë se lista e vendeve të ftuara në takimin botëror muajin që vjen nuk nënkupton se janë të ftuara vetëm vendet që, tradicionalisht, konsiderohen si demokratike, por temat e takimit do të jenë zhvillimi dhe forcimi i mëtejshëm i demokracisë në botë.  Po të ishte se vetëm vendet vendet, tradicionalisht, demokratike të jenë ftuar në takim, Shqipëria dhe Kosova nuk do të ftoheshin, pasi as njëra as tjetra, nuk janë në nivelin e duhur të demorkacisë. Për- kundrazi, konsiderohen ende si vende “pjesërisht të lira”.  Por, lind pyetja se pse Republika e Kosovës u la jashtë listës origjinale të vendeve të ftuara në “Takimin e Lartë të Demokracive” dhe kush, si dhe pse luajti rolin e standardit të dyfishtë në krahasim të “demokracisë” së Kosovës me “demokracitë” e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, e madje edhe Serbisë.  Për fat që kemi një degë të tretë të qeverisë, atë legjislative – Kongresin e Shteteve të Bashkuara – që ngulë këmbë të dijë të vërtetën, jo vetëm për vetë antarët e Kongresit por edhe për publikun amerikan – se cilat janë kriteret e administratës Bajdën që vendosën se cilat vende u ftuan e cilat jo dhe pse për një takim të tillë botëror.

Megjithëse, jam dakort me përfshirjen e Shqipërisë dhe të Kosovës në këtë takim botëror për demokracinë, diçka brenda meje më thotë se nuk është e drejtë që shtetet autoritare të Ballkanit Perëndimor dhe të tjera si ato, anë e mbanë botës, që s’kanë asgjë të përbashkët me demokracinë e vërtetë perëndimore, të konsiderohen në të njëjtin nivel si vendet vërtetë demokratike që zbatojnë dhe mbrojnë demokracinë e vërtetë, për veten dhe për të tjerët. Kjo është edhe arsyeja se pse Senatorët kërkojnë qartësi dhe transparencë në këtë proces, pasi ftesa nga ana e Shteteve të Bashkuara për të marrë pjesë në një takim të tillë botëror, sipas ligjvënsve amerikanë, “dërgon një mesazh të fortë mbi vlerat dhe praktikat në të cilat ne besojmë dhe se çfarë përbën një shtet demokratik”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok