21/12/2024

Senati dhe Parlamenti i Shtetit të Nju Jorkut në këmbë për Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit

0
Kozeta-Alba-Life4

Nga Keze Kozeta Zylo

Për herë të parë në historinë e politikës amerikane dhe në isntitucionet më të larta qeveritare vlerësohen dhe çmohen Shkollat Shqipe, çka na bën të ndihemi krenar, por dhe për Amerikën, shtëpinë tonë të dytë që na mirëpriti dhe vlerësoi punën tonë si shqiptarë.

Data 22 maj ishte nje ditë historike për Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në gjithë Nju Jorkun dhe në Online.

Në këtë muaj të trëndafilave Parlamenti dhe Shteti i Nju Jorkut duket sikur u dhuruan nga një trëndafil maji themeluesve dhe mësueseve të këtyre shkollave për mësimin e gjuhës Shqipe në New York.

I pari që e filloi duke iu dhuruar mësueseve nga një trëndafil nga kopshti i tij, ishte Qemal Zylo pranë shtëpisë në Staten Island aty ku u bë pikënisja për në Parlament.  Grupi tjetër e filloi nga Bronxi.

Kishim kohë që kishim marrë lajmin e mrekullueshëm nga shefja e kabinetit te Ansambleistit John Zaccaro, nga zonja Ornela Beshiri një zonjë e kulturuar që duhet të ishim të përgatitur për ceremoninë madhështore që do të organizohej në Parlamentin e Nju Jorkut rreth Shkollave Shqipe “Alba Life”.  Dhe dita e shumëpritur erdhi ku së bashku me mësueset e vitit akademik 2023-2024 u nisëm në këtë ditë ceremoniale, mbresëlënëse dhe frymëzuese.

Ceremonia e organizmit në Parlamentin e Nju Jorkut ishte madhështore, emocionuese, krenari. Vetë ndërtesa, selia e qeverisë së shtetit të Nju Jorkut, ndodhet në Albany, kryeqyteti i shtetit amerikan të Nju Jorkut e cila u përfundua në 1899. Ecnim me mësueset bashkë plot dritë në mendjet tona në këtë ndërtesë gjigante prej graniti qe është në fakt një shumëllojshmëri stilesh arti, punime magjepsëse, duke përfshirë rilindjen romane dhe franceze që i duhej 32 vjet (1867-1899) me pesë arkitektë për t’u përfunduar. Në hyrje na priti z. Justin Devendorf nga kabineti i Jon Zaccaro Jr. dhe na shoqëroi si një ciceron i vërtetë gjithë kohën në labirinthet e pafund, marramendëse, arkitetkoriale.  Mirësia dhe kultura amerikane në këto lloj ceremonish është admiruese dhe vetëm mëson prej tyre.  Shoqëruesit dhe punonjësit e sigurimit na ulën në vendet e rezervuara për Alba Life ku do mirëprisnim me emocion ceremoninë për miratimin e rezolutës.

Në Parlamentin e Shtetit të Nju Jorkut, Albany

Shkollat Shqipe “Alba Life” ne NY, Ambasador i Kombit u nderuan në Parlamentin e Shtetit të Nju Jorkut, për punën dhe përkushtimin e palodhur duke pasur një Rezolutë në emër të “Alba Life”.

Kryetari i Parlamentit ngriti në këmbë parlamentarët dhe gjithë mësueset për të nderuar këtë ditë të madhe për Shkollat Shqipe “Alba Life”.  Emocione dhe lot pashë nga sytë tanë për mbështetjen që na bën Amerika e vendit më demokratik në botë, dhe dukej qartë sikur lexoja në mendjen e mësuesëve betimin solemn për të vazhduar këtë mision kombëtar përjetësisht.

  1. Zaccaro Jr. përshëndeti gjithë shkollat shqipe “Alba Life” si dhe TV Alba Life për një punë të jashtëzakonshme, frymëzuese, ruajtjen e Gjuhës Shqipe, traditat, diversitetin, kulturën, historinë. John Zaccaro Jr. është një politikan i mirënjohur amerikan që shërben si anëtar i Asamblesë së Shtetit të Nju Jorkut për distriktin e 80-të.Në fjalën e tij për miratimin e rezolutës Ansambleisti i shtetit të Nju Jorkut e filloi që me themeluesit e saj Qemal, Kozeta Zylo dhe familja e tij, si dhe përmendi aq korrekt emrat e mësueseve dhe të stafit qe ishin pjesëmarrës në këtë ceremoni si Dr. Valbona Zylo, Entela Muda, Klodiana Zylo, Fatlinda Bujcinca Gashi, Rozeta Hyseni, Mehrije Shala, Erinda Isufaj, Albana Lazri, Valon Gërbeshi.  Më duhet të permend dhe emrat e katër mësueseve që për arsye të forta nuk mund të merrnin pjesë në këtë ceremoni madhështore ku ne si drejtues i vlerësojmë dhe i çmojmë për kontributin e tyre tejet professional në këtë Mision Kombëtar, dhe ato janë:

Elona Shkreta, Vjollca Skënderi, Helena Lubonja Ujkaj dhe Gresila Basha.

Rezoluta do të dorëzohet në Festivalin dhe Graduation Party për Shkollat Shqipe “Alba Life” dhe në Online.

Në rezolutë midis të tjerash thuhet se shteti i Nju Jorkut është krenar që njeh punën e TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” të themeluar nga Qemal Zylo dhe familja e tij në bashkëpunim te ngushte me mësueset përmes 17 viteve.

Alba life është shumë krenare për të kaluarën e saj dhe shkëlqimin për të ardhmen. Alba Life punon me vizion për të ardhmen e diasporës siç janë nxënësit e saj duke iu mësuar, gjuhën, kulturën, historinë dhe traditën.

Senati në këmbë për Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit

Pas Parlamentit morëm pjesë në mbledhjen e Senatit të shtetit të Nju Jorkut për t’i vënë vulën kësaj rezolute, rezolutës për njohjen dhe kontributin e pamatë të Shkollave Shqipe “Alba Life”.

Organi legjislativ i shtetit të Nju Jorkut vendosi që të ndalojë diskutimet e tij të rendit të ditës për të vlerësuar Shkollat Shqipe “Alba Life”. Senatorja e shtetit të Nju Jorkut, znj. Jessica Scarcella-Spanton drejtoi vëmendjen e Senatit të shtetit të Nju Jorkut për të miratuar rezolutën me emrin e Shkollave Shqipe “Alba Life”.

Shoqëruesit, policët e sigurimit na vendosën nëpër vendet tona gjithë respekt ku ne ishim lart dhe senatorët të gjithe ishin nëpër vendet e tyre të shenjta.  Dhoma e Senatit është e rëndë, serioze, plot art. Muret përballë nesh kishin një të verdhë floriri si pikëza Dielli që jepte një ndriçim të jashtëzakonshëm, jepte jetë.  E ndërsa Senati po bëhej gati për rezolutën dy zonja të mëdha Senatoret Jessica Scarcella-Spanton dhe Nathalia Fernandez po na përshëndesnin me dorë nga Senati.  Gjithë emocion, dashuri, lot i përshendetëm dhe ne duke u çuar në këmbë për çfarë ato po bënin për Kombin tonë shqiptar.  Nuk mungoi dhe simboli i shqiponjës nga Senatore Nathalia Fernandez duke na çuar peshë zemrat tona.

Nathalia Fernandez është Senatore e Shtetit të Nju Jorkut për Distriktin 34 që mbulon Bronx dhe Westchester. Ajo kryeson Komitetin e Senatit për Çrregullimet e Alkoolizmit dhe Përdorimit të Substancave dhe punon çdo ditë për të ndihmuar Nju Jorkun të luftojë kundër krizës së opioideve.

Senatorja Jessica Scarcella-Spanton në fjalën e saj për miratimin e rezolutës vlerësoi lart  Shkollat Shqipe “Alba Life”, punën dhe pasionin për ruajtjen e Gjuhës Shqipe nëpër këto Shkolla ku fëmijët e shqiptarëve emigrantë mësojnë Gjuhën, kulturën, historinë, traditën shqiptare.  Ne jemi shumë të vëmendshëm për çfarë komunitetet tona bëjnë kudo për të rritur dhe ruajtur trashëgiminë kombëtare si Alba Life. Kur Rezoluta u miratua me emrin e Shkollave Shqipe “Alba Life”, gjithë Senatorët dhe publiku që ishte pjesëmarrës u ngritën në këmbë dhe u kthyen nga të gjithë mësuesit dhe stafi për t’i përshëndetur.  Ishin duatrokitje të stuhishme, miqësore, vlerësuese dhe frymëzuese.  Të gjithë mësueset ishin me lot në sy dhe shumë të emocionuara.  Nuk do ta harrojmë kurrë këtë ditë thanë të gjitha ato duke filluar me mësuese Entelën e cila është dhe më e vjetra në këtë shkollë.  Çfarë ditë e madhe tha mësuese Fatlinda!  Sa e gëzuar ishja që u përmend dhe Kosova tha mësuese Mehrija!  Sa krenare që jam pranë kësaj shkolle do të vazhdonte mësuese Erinda.  Ndihem tejet e lumtur tha mësuese Albana.  Ndihem shumë e vlerësuar, shumë me dinjitet dhe në shenjë humori mësuese Rozeta tha se në Parlamentin tonë shqiptar s’hyjmë dot nga policia dhe sigurimi sekret, kurse këtu na çohen në këmbë duke na respektuar në maksimum.  Është një ditë që na obligon për më shumë në të ardhmen tha Dr.Zylo Watkins.

Duke njohur kontributet e paçmueshme që mësuesit, prindërit dhe qershia mbi tortë nxënësit që japin për Shkollat Alba Life, ishja shumë e ngazëllyer shpirtërisht që puna e tyre mori vëmendjen dhe mbështetjen nga Parlamenti dhe Senati i Nju Jorkut. Sot më shumë se kurrë Shqipëria po ndihet kudo, sidomos personalitete në fusha të ndryshme të botës akademike, të artit, shkencës, sportit, kulturës, modës të cilët kanë zënë vendet e nderit në fushat përkatëse.

Ne ju jemi shumë mirënjohës dhe ju urojmë punë të mbarë Ansambleistit John Zaccaro, Senatores Jesica Jessica Scarcella-Spanton dhe senatores Nathalia Fernandez për vlerësimin maksimal që iu bënë Shkollave Shqipe “Alba Life” dhe natyrisht kjo ditë e dielltë do të ngelet përjetësisht në histori dhe në kujtesën e pjesëmarrësve.

Ishte një Ditë historike për shkollën shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, Gjuhën Shqipe, Diasporën dhe Kombin, ditë që u shënua në regjistrin e Senatit të Nju Jorkut.

Se shpejti Ceremonia madheshtore e filmuar nga gazetari Valon Gerbeshi do te transmetohet ne kanalin 27 per paketen digitale TVAlb, medie te ndryshme.

Autorja e shkrimit është shkrimtare, poete dhe bashkëthemeluese e TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” në New York, “Ambasador i Kombit”.  Gruaja e Vitit 2022, New York nga Organizata e mirënjohur “Motrat Qiriazi”.  Mban titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok