Seks si qen, raki si dem
Tregim nga Albert Z. ZHOLI
Ditët ndiqnin ritualisht njëra-tjetrën dhe secila sikur e lehtësonte pakëz peshën e ankthit që mbanin mbi supe… Pemët, anës rrugës mbeteshin veçse spektatorë të qeshur të një të shkuare plot lule. Stina e lulëzimit dhe e pjekjes kish ikur dhe dita tjetër erdhi, më e bardhë, më e diellt se tjetra, më e ndryshme. Kjo rendje ditësh kalendarike nga njëra datë te tjetra se ndal kujtimin që rëndon në kraharor si vlagë. Erdhi si puhizë, u ul e zuri rrënjë diku si pemë në tokë të heshtjes, humbëtirës së shpirtit katakomb të njeriut duke kërkuar bukurinë e një dashurie të humbur. Mbi kokë i varej një lule erëmirë, si kujtim i një stine pranvere që do çelte përgjithmonë në kujtimet e tij. Në buzë një lule jargavani. Në sy pjalm shpresëdhënës…Ishte një lulëzim me tërë formën e saj.
Deti, nga flladi i lehtë i verës, valëzonte duke u mbushur me kurba që ftonin në joshje galaktike. Natyra ishte aty e ngërthyer me stinët, shpirtin, ndjenjën. Por dhe pse vjeshta mundohet ta përkëdhel gëzueshëm detin, ai ngre krye përmbi të, dhe ajo e trishtuar ulet buzë rërës dhe dënesa i godet shpirtin si një tufan i egër kujtimesh. A mundet ajo ti japë jetë gjetheve të vdekura. Vjeshta ka hyrë…gjethet e përskuqura po bien rrugës si në një tapet…Halat e pishave kanë zënë vend buzë rërës si një ushtri e pambarimtë.
Njerëzit?! Dashurojnë akoma dhe pse kuqërremja shënon vjeshtën e ikjes.
Eci rrugës me një ndjesi të çuditshme, tulatur nga lotët dhe trishtimi i vjeshtës me qiellin e kaltër që mundohem ti buzëqesh plot trishtim. Retë dynden ngadalë dhe puhizat vjeshtake mundohen ti shpërndajnë kuturu. Deri ku? Mosvallë tek ty… I sheh, i ndjen?! Mes tyre jam unë me shpirtin tim të azdisur te kujtimet. I mblodha të gjitha gjethet e rëna të stinës dhe kërkova vetveten shtigjeve të harruara. Nuk pati më as sy dreri, as çap sorkadheje, as ajër i argjendtë. Mes mendjes dhe zemrës janë shumë pak inç, por ajo është udha më e gjatë që ekziston. Ajo të çon drejt lartësive të qiellit dhe vetja të duket si mbi Everest. Dashuria është një ekuacion pa zgjidhje. Ndjehem i etur për dashurinë tënde dhe nuk di pse ky inkursion në natyrë më jep pak frymëzim. Po kur je i trishtuar dhe gjethet të shohin me inat. Dhe dielli fshihet pas reve. Vjeshta ka hyrë kudo…edhe në meditimet e pa realizuara të vajzave hundëpërpjeta, që se honepsin këtë stinë zhveshjeje.
S’ndizet më zjarri në buzë, lotët thahen në sy. Muzgu i fundit ka mbetur aty në mendjen time me siluetën tënde që largohej. U zverdhën gjethet dhe bien diku duke rënkuar. Për ty trokëlliu qielli në shkreptima dhe dielli u fsheh s’di se ku. Lotët e qiellit i piva unë për të mos i ndier toka. Nuk doja ta kuptonte se një dite vjeshta do të largohej. Ike pse? Dhe më nise një letër të gjatë në e-mail….
***
-I dashur! Jam larg, shumë larg. Pse?! Sepse nuk rrija dot në Shqipëri. Ai vend më ish kthyer në gangrenë. Më mbyste. Më tkurrte lukthin. Doja hapësirë. Doja botë të madhe. Doja të shijoja çdo gjë të ndaluar. Doja të isha një femër ndryshe.Ku jam? Çfarë bëj? Jam në Brazil. Nuk të besohet? Po, në Rio De Zhaneiro. Një qytet i madh që flakëron nga kostumet e fishekzjarrët dhe hija e Krishtit. Njerëzit janë të gëzuar dhe qeshin me zë të lartë. Plazhet janë të mbushura me vajza që tundin vithet seksi dhe djem simpatikë që puthen me to pa mbarim. Vogëlushët luajnë kudo futboll. Me kë ika? Me një të dashur të fshehtë biznesmen.
Më premtoi gjithçka, por më kryesorja më solli këtu. Në endin që ëndërroja. Në vendin e futbollit që e kam adhuruar aq shumë. Ti e di se sa tifoze isha me Brazilin. Futbolli ishte dhe është gëzimi më i madh. Ishte pas teje. Tani është pas të dashurit të ri. Brazili është vendi i absurdit dhe lirisë. Vend i shfrenimit dhe krimit. Ka gjithçka që mund të ëndërrojë një femër e lirë dhe moderne. Vitrina dyqanesh, kinema, modë, jetë spontane. Njerëzit puthen, dashurohen, shfryjnë. S’të njeh askush! Është një ndjesi kaq e madhe shfrenimi sa s’di si ta them! Por a më mungon ti? 10 ditët e para jo, as 15 ditë as 20 ditë. Pastaj? Ah, pastaj…Më mungon çdo gjë jotja, çdo gjë. Lëkura jote e larë me qumësht, aroma e veshjeve të tua, krifa jote e flokëve, trupi yt si lastar, pozitiviteti yt, misteri që kishe si mashkull, gatishmëria jote për sakrificë. Më mungon sensualiteti yt. Ai kokteil i veçantë që e gjeta vetëm tek ty. Sa gjëra të tuat më mungojnë. Sytë e tu sqimatarë për bukurinë, mania jote pas atdhetarizmit dhe traditës, koleksionet e aventurave të tua. Rrëfimet e tua letrare mbeten ujëvara të shpirtit tim. Këshillat e tua si një vëlla i madh. Çdo fjalë e jotja më është skalitur si eksperienca më e bukur njerëzore. Më kujtohen grindjet me ty. Kur të telefononin pambarimisht këngëtare,mise, aktore për intervista. Ti buzëqeshje dhe unë të shtypja buzët me duar. Sa keq e ndieja veten. Xheloze deri në marrëzi.Doja të të mbysja me duart e mia. Mendja më turfullonte si tufani në det. Të doja aq shumë! Dhe një ndjenjë hakmarrjeje
zuri fill si bimë në shpirtin tim.Dhe kjo bimë xhelozie erdhi e lindi dhe një ditë shpërtheu si uragan arratie. Jeta ka kompensimet e veta.Të dhuron diçka dhe të merr diçka tjetër. Asnjëherë në jetë nuk i merr dot të gjitha. Po femrat janë të çuditshme.
Gjithsesi ta them me sinqeritet që më mungon mendimi yt, më mungojnë dijet e tua. O zot, ku i dije gjithë ato gjëra. Ti ishe dhe mbetesh libër me vete. Disa herë doja të flisja me ditë të tëra, të të pyesja pambarimisht që të mësoja. Disa herë më shumë më pëlqente biseda jote, se sa seksi. Jo se ne seks ishe i keq. Jo, ishe madje shumë më i mirë se ky. Por ti e ke fjalën magjike. Të shtang. Fjala jote është një lloj seksi magjik. Serioziteti yt, e qeshura e rrallë por tërë nur. Zëri yt aq i qetë, i shtruar në bisedë dhe ato shpërthimet e tua të krenarisë burrërore. Ti je enigmë, shpirti im! Çdo ditë e re me ty është një eksperiencë që më mungon aq shumë. Ti je kapital i paçmuar, shpirti im!
***
Celulari atë mëngjes ra aq herët sa nuk kishte bërë vaki kurrë…Ishte numër privat. U ndrydha. Mendja ku nuk më shkoi, tek të afërmit jashtë. E hapa celularin me duar që më dridheshin..
-Po!
-Valbona jam!.
Shtanga!
-Je kthyer nga Brazili?
-Po.
– Të la apo e le?
– E lashë! Ishte i neveritshëm. Bënte seks si qen dhe pinte raki si dem. S’dinte të lidhte dy fjalë. Jetë qeni me të…Luksi disa herë ka çmim negativ!