21/11/2024

Sekretari i fundit i Abacisë së Mirditës, themeluesi i kishës së parë katolike shqiptare në SHBA (New York) mons. dr. Zef Oroshi (1912-1989)

0

(Në kujtim të 30-vjetorit të kalimit në amshim)

Nga Klajd Kapinova

Oroshi, është ish qendra e Mirditës, që ka gdhendur faqe të ndritura në historinë e popullit shqiptar.

Ajo, për shkak të pozicionit të saj gjeografik, në qendër të maleve kreshnike të Veriut, duke u njohur me traditat e saj si një krahinë e pastër katolike, ka qenë ndër shekuj një kështjellë e fortë e shqiptarizmës, një epiqendër e fuqishme e tërmetit kundërosman për shekuj me radhë.

Ata që bënë historinë e Mirditës ndër shekuj, ishin kapedanët ose Dera e famshme shtatë shekullore e Gjonmarkagjonit dhe abatët, veçanërisht imzot Preng Doçi, ku, pasardhësit e të cilit jetojnë ende në afërsi të Rubikut.

Ai u shkollua në Shkodër dhe Itali. Shërbeu si misionar për shumë vjet në Kanada dhe Kalkuta (Indi). Më pas ringriti Abacinë e Oroshit. Ishte njeri, ndër figurat kryesore, që bëri shumë për të zhvilluar Mirditën dhe vendosur rregull në jetën e malësorëve të asaj ane.

Abati i shquar, kishte shpesh tendenca të forta pavarësie nga otomanizmi islamik de-shqiptarizues.

Ai, ishte njeriu, që kishte ngritur një platformë të kjartë me bosht të theksuar politik, për krijimin e një Principate në Mirditë, duke u përpjekur, për t’a vënë atë në jetë.

Për më tepër, krahina në fjalë, është qeverisur gjithmonë me dinjitet, në bazë të kanunit të maleve dhe për kohën e mungesës së shtetit dhe të drejtës (ligjeve ose kushtetutës) së shkruar.

Kanuni i Lek Dukagjinit (i mbledhur dhe kodifikuar më vonë nga atë Shtjefen Gjeçovi O.F.M. (1874-1929), ishte një nevojë e domosdoshme, për të drejtuar jetën e bashkësisë nëpër Malësi të Veriut, në të cilën, ka zënë vend në histori Mirdita, me qendrën e saj të hershme Oroshin.

Mbiemri Oroshi, që prelati mbarti me dinjitet edhe në SHBA, lajmëron sipas regjistrave të kishës, se ai kishte lindur më 24 nëntor 1912, në tokën e kathedraleve (deri në shek. XIX numëronte 200 kisha), limanin vigan të kryengritjeve për flamurin e lirë, që ishte e mbeti Mirdita.

15 vjet më pas, i riu Jozef Oroshi, gjendet në auditoret e Seminarit Papnor në Shkodër.

Librat, me sa duket ishin dhe mbetën pasioni i tij i vetëm. Përkushtimi i përshpirtshëm ndaj fesë e shërbesave fetare, ishte një traditë e hershme e trashëguar nga të parët e familjes Oroshi.

Mësimet fillestare Zefi i vogël, i mbaroi në vendlindje, ndërsa mësimet e mesme i nis në vitin 1927, në seminarin e mirënjohur të Jezuitve në Shkodër.

I etur për dije të thella e kulturë të pasur civilizuese dhe kristiane perëndimore, vijon studimet e larta më 1936-1940, në degën admiruese të Teologjisë e Filozofisë në Romë (Itali), pranë Universitetit të Urbino-s në Propaganda Fide, sëbashku me 14 djem të tjerë të rinj shqiptarë asokohe.

Mprehtësia dhe zgjuarësia, ishin të ngjizur thellë në mendjen e begatë të të riut.

Kardinali italian Shkëlqësia e Tij mons. Fumasson Biondi, Prefekt i Propoganda Fide, e shuguron, duke i dhuruar petkat dhe koletin e meshtarit.

Buzëqeshja e sinqertë dhe fisnike, lexohej lehtë në fytyrën e meshtarit të ri, që hynte me ndërgjegje dhe dëshirë të plotë në vreshtën e madhe të Zotit.

Fjala e Zotit, është fjala e popullit

Meshtari, gjatë gjithë jetës së tij, u gjend afër popullit të vet, në ditë të mira dhe të vështira, si një ushtar besnik i Krishtit.

Ai ndau me besimtarët gëzimet dhe hidhërimet e një jetë të vështirë plot tallaze në emigracion.

Abati i Mirditës dhe Delegati (Regent) Apostolik (kur është dëbuar nga qeveria komuniste e Tiranës imzot Leone Nigris Delegat Apostolik në Shqipëri deri më 5 maj 1945, shënimi im K.K.) imzot Frano P. Gjini (1886-1948) e kishte dom Zef Oroshin meshtar të ri në moshë dhe njëkohsisht sekretar të tij të përkushtuar, brenda famullive, që administronte shpirtërisht (kishat sufragane).

Edhe në jëtën baritore, ai s’ka pushue kurr pa përfitue nga përvoja kur ka pasë shembuj të shkëlqyeshëm.

Prej 1940-1942, p.sh. shërbeu si sekretar i Abatit të Mirditës n’Orosh, Imzot Frano Gjinit, të cilin e admironte për drejtimet e këshillat qi epte, për elokuencën e tij bindëse e për pervujtininë e dinjitetin fetar e kombtar qi e praronte.

Si në dhomën e pritjes dhe zyrën e Abatit, ashtu edhe në zyren e sekretarit të tij, Dom Zefi, kishte varë pikturat e patriotit në za, Abat Preng Doçit.

Nji ditë i vjen nji mik prej Shkodre Imzot Gjinit, dhe kur ve re se titullari i abacis nuk kishte asnji pikturë, i kthehet Dom Zefit, tue e prozhmue:Po si more Dom Zef, s’ia paskeni gjetë nji pikturë edhe Monsinjor Gjinit!?”

Per te mos e ngushtue priftin e ri, Monsinjor Gjini, i pergjigjet me të shpejtë: “Kur të vdes un, në qoftëse e meritoj, do t’ma venë pikturën krah për krah me Abat Doçin; përndryshe do të mbajnë vetëm t’Atijën. Si dihet Monsinjor Gjini, u ba martir e dha shum ma tepër se Abati i “surgjenum” për mase 20 vjet.”

Mbas 12 vjetëve (1940-1952), pasojë e përndjekjeve të Sigurimit dhe martirizimeve të vëllezërve në Krishtin, në kohën e ateizmit të gjirokastritit Enver Hoxha, mbasi thotë meshën e pagëzon një fëmijë të porsalindur, hoqi shpejt veladonin dhe mori udhën e arratisjes nëpër male, duke iu bashkuar forcave të rezistencës kundërkomuniste.

Kryqin, që kishte në qaf nuk e la në kishë, por e mori me vete, për t’ia prirë të mbaren në udhëkryqet e botës.

E Zoti e deshti dhe e ndihmoi shumë. Ai ndihmoi në momentet më të vështira me qindra emigrantë, duke u dhënë ndihmë papushim, në të gjitha drejtimet, deri sa ai vetë kaloi në jetën e pasosun…

Për 8-9 muaj, qëndron mes maleve, në shpella, shi e borë, me bukë e pabukë, i veshur keq në dimër, duke provuar mundimet e Krishtit, që salvohet nga të pafetë.

Në ditën e Pashkëve të vitit 1952, për trimat e lirisë, mes maleve të Mirditës (pyjet e Molungut), thotë meshën në orët e para të mëngjesit, ku, Zoti i dëgjon lutjet, duke e shpëtuar e udhëhequr drejt tokës së lirë…

Në gusht 1952, ai gjendet në tokat etnike shqiptare në Dardani për disa muaj, duke kaluar e qëndruar për pak kohë në Gjakovë, Pejë, Mitrovicë… dhe shkon në Beograd.

Dera e Gjomarkajve të atdhelindjes së vet, falë mikpritjes, zemërgjerësisë, bujarisë tradicionale, i dërgon garanci, për të shkuar në Itali.

Ishte viti 1953, kur ai gjendet sërisht para ëndrrës rinore. Tashmë 41-vjeçari Oroshi, po e prekte realitetin dhe shijonte atë liri, që prej kohësh e kishte bluar në mendje e dëshiruar me zemër.

Sërisht me libra dhe pranë tyre, ndjehej i gëzuar dhe krenar si bir arbëror. Më të mbërritur në Romë, fillon përpjekjet e takimet me klerikë, për të vijuar studimet e larta në Teologji.

Këtë dëshirë zemre e përkushtimi, për dituritë, shumë vite më parë, ia kishte shprehur ish-eprorit të lartë abatit ipeshkëv imzot Frano Gjinit.

Dhe Zoti e ndihmoi, për t’i hapur me bujari portat e dijës universale, mbasi kishte ndjekur nga afër kalvarin e vuajtjeve, për të ardhur deri tek Portat e Piazza di San Pietro në Itali.

Paralel me studimet e larta, i kërkoj Selisë së Shenjtë, që t’i miratoj kërkesën (dekretin), për të qenë kapelan katolik (bari misionar), për bashkëatdhetarët mërgimtar politik, që gjendeshin në Romë.

Një pjesë e grigjës së tij, kishin shprehur dëshirën, për të emigruar në ShBA, ku, imzot Oroshi i ndihmon, falë bujarisë të gjithë pa dallim feje.

Sikurse kujtojnë miqët e tij prelati, ka ndihmuar me bujari një hoxhë shqiptar, për të ardhur i qetë në Tokën e Bekuar të Amerikës.

Me bindje të plotë tek e ardhmja, menjëherë iu përvesh punës dhe filloj veprimtarinë intelektuale e baritore, duke u marrë pikësëpari me shqipërimin e librave të rëndësishme, me të cilat, do të përhapte fjalën Hyjnore të Krishtit dhe ruajtjen e gjuhës së bukur amtare, shqipen.

Por në Tokën e Bekuar të Botës së Re, një tjetër prelat katolik, kishte qenë përpara imzot Zef Oroshit. Ai ishte bashkëvendasi e atdhetari i flaktë, abati i Mirditës e rilindasi i madh imzot Preng Doçi.

Kjo kishte ndodhur, në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Ai, meqenëse e kishte të ndaluar të kthehej në Shqipëri nga Perandoria Osmane asokohe (mbas 11 vjet burg, që kaloi në qelitë e ftohta të osmanllinjve), imzot Preng Doçi (duke e marrë miratimin nga Selia e Shenjtë), u nis për mision në Amerikën e Veriut në vitin 1877. Ishte ky shqiptari i parë mirditor, që shkeli kontinentin e ri, si misionar klerik katolik.

Dy mirditas Doçi e Oroshi, në kohë të ndryshme, bëhen tribunë e mendimit përparimtar shqiptar, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në ndihmë të besimtarëve dhe popullit shqiptar i ndodhur njeri mbas tjetrit në dy robëri: otomane islame barbare dhe diktaturën ateiste komuniste.

Studiuesi dr. Pjetër Pepa, saktëson: “Natyrisht, kleri katolik, që kishte qenë historikisht urë lidhjeje mes Shqipërisë dhe Europës, që kishte kulturën perëndimore, kishte miq në Perëndim e bashkëpunonte me Perendimin, sa herë e lypte çështja kombëtare dhe fatet e atdheut, ishte gjithnjë kundër orientalizmit dhe e luftoi atë, me të menduarin, mënyrën e jetesës, administratën e veprimtarinë shoqërore e prapë, gjithsesi ishte në epiqendër.”

Falë pasionit e vullnetit të hekurt, për t’u marrë me libra dhe studime, që kërkonin shumë mund dhe kohë në përkthime, dr. Oroshi, përfundoi shqipërimin e librave: Katekizmi (1953), Ungjilli simbas Mateut (1953), Studimet e Bioshme (1953), duke mos lënë mbas dore studimin e leksioneve të disiplinave të universitetit në vitin e parë akademik (1953-1954).

Po më 1960, përkthen dhe boton Visarthin Shpirtnuer, një lloj katekizmi doracak, për familjarët emigrantë shqiptarë katolik.

Dashuria e respekti, për shkrimtarët e shkollës së traditës geg veriorë, që kishin vulosur me erudicionin e përkushtimin e tyre, u bënë objekt i studimeve të tij.

Për të qenë më konkret, ai zgjodhi shkrimtarin e shquar dhe prozatorin modern prof. Ernest Koliqin dhe kontributin e tij shembullor shumëplanësh, në fushën e letërsisë bashkëkohore shqipe.

Një punim të plotë dhe dinjitoz: si vepër monumentale, kushtuar shkrimtarit Koliqi (numër special), ai e botoi të plotë, në revistën autoritative, shkencore, kulturore Shejzat (1975), në përkujtim të mikut të tij të madh.

Në Universitetin e famshëm të Romës Angelicum (1958), vijon studimet e vitit të pestë në degën adhuruese të teologjisë, që ndryshe njihet si disiplina ose gjimnasitika e trurit.

Këtu merr si subjekt, për të trajtuar gjerësisht e filozofikisht 20 teza në shkencën e Teologjisë, duke e mbrojtur (në vitin 1960) me sukses temën: “Një reformator i madh i Kishës irlandeze të shekullit XII”, për gradën shkencore Doktor.

Në komisionin e Këshillit Shkencor Vlerësues të Universitetit, bënin pjesë figura të shquara të kulturës, që punonin si lektorë në Universitetet e ndryshme italiane.

Ekipi prej pesë profesorëve të njohur italianë dhe një nga Universiteti i Oxford-it në Angli, e dëgjonte me vëmendje dhe interesim shpiegimin e tezave, sipas një këndvështrimi dhe studimi të hollësishëm, që kleriku shqiptar, i kishte bërë punimit voluminoz shkencor të disertacionit shumëplanësh filozofik, teologjik, të cilin, e përshkonte një bosht i ngjeshur enciklopedik.

Kjo u duk dhe në literaturën e përzgjedhur shoqëruese, që autori i palodhur e këmngulës kishte renditur në fund të temës shkencor hulumtuese.

Kujtimet e hidhura nuk i fshihen…
Ai përpiqej, t’a largonte vemendjen nga ngjarje plot të papritura, që i kishin ndodhur në Shqipëri. Por sërisht, kujtime të një kohë të hidhur, që s’harrohen e ngacmonin, për të gjykuar sesi ka mundësi, që shqiptari komunist urren për vdekje bashkëatdhetarin atdhedashës dhe idealist.

Jemi në vitet e inkuizicionit të zjarrtë komunist, ku, proletarët, ishin gati të grinin në morsën e tyre cilindo, që nuk mendonte, ushqehej e këndonte vallen sllavo-ruse proletare kundërshqiptare…

Kështu, krimineli me nofkën sadisti i pamëshirshëm, i quajturi famkeqi Hodo Habibi (i vetëquajtur si Toger Baba), me urdhër të treshës: Rita Markos, Mehmet Shehut e Enver Hoxhës, e ndiqte këmba-këmbës dom Zefin, për ta vrarë, ashtu sikurse kishin masakruar pa gjyq 101 vetë në Qarkun e Shkodrës sëbashku me Malësi të Madhe (Kelmend), sikurse në Lezhë dhe Mirditë.

Editorët e botimeve kulturore të kohës, me këmbëngulje i kërkonin eruditit të palodhur dr. Oroshit, artikuj të larmishëm me tematika të ndryshme.

Kjo duket gjatë letërkëmbimeve, që prelati katolik kishte me pendat e spikatura të mendimit elitar shqiptar në emigracion, si: prof. Ernest Koliqin, prof. Karl Gurakuqin, prof. Rexhep Krasniqin, prof. Martin Camaj, atë Daniel Gjeçaj O.F.M…

Kështu, në një letër që prof. Ernest Koliqi, i shkruan nga Roma imzot Oroshit, ndër të tjera nënvizon: “Ju falena nderës për letër. Presim si zogla verës ndoi shkrim t’Uejin. Shndet e punë të mbara.”

Ajo që është interesante, është se ai ka nënshkruar si antar i Urdhërit të shën Françeskut, kur në fakt kishte mbaruar studimet teologjike si klerik jezuit.

Edhe sot komuniteti katolik shqiptar në Neë York dhe rrethina, meshtarin aktual (një prift dioçezan) të Urdhërit Jezuit dom Pjetër A. Popaj, shpesh e thërret si frat.

Malësorët tanë, kanë pasur e ruajnë ende një respekt të veçantë, për antarët e Urdhërit të shën Françeskut (shek. XIII), në Veri të Shqipërisë, të cilët, me përkushtimin dhe dashurinë e tyre për popullin, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme, në ndërgjegjën e kombit shqiptar ndër shekuj.

Don Zefi, ka celebruar meshë së pari në kishën sllovene të shën Cirilit në St. Morris Park 8th Street në Neë York, në kapelen e Universitetit të Fordham-it në Bronx, në shkollën e kishës së Mount Cornel në Bronx, në kishën e St. Raymond’s në Costle Hill Avenue në Bronx.

Emigrantët shqiptarë në Amerikë, kishin ardhur nga kampet e refugjatëve të Italisë e Austrisë.

Për më tepër, Lidhja Katolike, u formua në një mbledhje të mbajtur në kishën katolike sllovene të shën Qirilit, në Saint Mark’s Pace, Neë York.

Në mbledhje, si mysafirë, morën pjesë, mes të tjerëve, prof. Rexhep Krasniqi, Kryetar i Komitetit Shqipnia e Lirë dhe aktivisti i komunitetit Stavri Qiriako nga Bashkësia Orthodokse Shqiptaro Amerikane.

Asokohe Monsinjori, që ishte meshtar i emëruar, për shërbesa fetare në St. Raymond (East Tremont Avenue, Bronx, Neë York), megjithëse çonte meshë në kishën amerikane, gjithnjë me shpirt e zemër rrinte pranë komunitetit të vogël katolik shqiptar.

Dhe më 1973, u realizua dëshira e madhe e klerikut të përkushtuar në trinomin Fe – Atdhe – Përparim, mbas fushatës fondmbledhëse prej bashkatdhetarëve, në praninë e besimtarëve, u bë më në fund bekimi i kishës së re, mes një atmosfere të madhe gëzimi, me të cilin ishte bashkuar, përmes mesazhit edhe ish Kardinali i Neë York-ut, i ndjeri, Arqipeshkvi Metropolitan Eminenca e Tij Terence Cooke.

Kisha e re, qendroi për shumë orë e hapur, për vizitorët e shumtë shqiptarë dhe amerikanë.

Në një nga sallat e bukura të ambienteve të Fordham University, u mbajt programi i rastit dhe u shtrua darka madhështore, përgatitur nga Këshilli dhe Pleqsia e Lidhjes Katolike Shqiptaro Amerikane dhe tre komisione te formuara nga ata.

Ja sesi e përshkruan, Mark K. Shkreli, atmosferën festive të asaj dite gëzimi, për të gjithë bashkëatdhetarët, në faqet e revistës me të njëjtin emër, tek përcjell raportin:

Saloni, megjithse me 400 vende, kje tepër i vogël, për të pranue të gjithë ata që dëshirojshin të merrshin pjesë në këtë solemnitet. Mbramjen madhështore e zamadhe me praninë e tyne dhe mysafirët e grishun, për ketë rast e nderonin ndër të tjerë (mbasi drejtori i ynë, At Zef Oroshi dhe kryetari i mbramjes z. Fran Sokoli, morën vendet e veta) edhe: Dr. H. Begeja, përqafsues i Ballit Kombëtar, z. Ago Agaj, përfaqësues i B.K.I., Dr. Rexhep Krasniqi, president i K.Sh.L., z. Imam Isa Hoxha i Neë York-ut, z. Peter Chickos, president i Vatrës, imzot Gustav Schultheoss, Vikar Episkopal i Bronx-it dhe perfaqësues i Eminencës Kardinal Cooke, Arqipeshkëv i Neë York-ut; Imzot Stefan Lasko, ipeshkëv i Kishës Orthodokse Shqiptare n’U.S.A.; Dr. Anthony Athanas, ish-Kryetar i Vatrës dhe përkrahës i çdo të mire shqiptare; Dr. Çesk Ashta, Kryetar i L.K.Sh.; z. Sami Çaushaj, i Org. Balli Kombëtar; Dr. Arnold, i shkollës Mjeksore “Eistein” Bronx; Dr. Broën, Drejtor i Projekteve Shëndetësore në Fordham Misericordia Hospital; Dr. Athanas Gegaj, editor i gazetës “Diellit”.

N’ora 5 mbas dreke, kryetari i darkës z. Fran Sokoli, shpalli fillimin e programit. Zonjusha shqiptare Lume Juka, këndoi Hymnin Kombëtar amerikan dhe atë shqiptar. Mbasandej lexuene referatet z.  Ndoc Vulaj, n/kryetar i L.K.Sh.A. dhe z. Pashko Deda, antar i të njajtës. Hymnet dhe referatet kjenë të pershëndetuna me duartrokitje të zjarrta.

Po të shikosh me kujdes fotot e botuar, në koleksionin e revistës Jeta Katolike asokohe, syri dallon menjëherë pamjen arkitektonike të projektuesit, ku, Shtëpia e Zotit, (Kisha), kishte formën e kryqit latin, me kumbonare, me hapësirë mbas lterit, me drita të zbukuruara shumëngjyrëshe, që ndriçojnë fugurët e shenjtorëve dhe afresket e shënjtorëve në pikturë.

Këtu shquhej një ballkon, brenda ambienteve të Kishës dhe në fasadet e saj, janë të vendosur truporet e shën Ndout, shën Nikolla, Nana e Këshillit të Mirë, etj., ndër më të adhuruarit me devocion të besimtarëve të krishterë e jokrishterë.

Bariu nacionalist e dijetari i ndritur i shqiptarëve, la një emër shumë të mirë në fushën e publicistikës e botimeve në gjuhën shqipe.

Ishte ai, që shqipëroi librin Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujve (Romë, 1960, 1979), në gjuhën e ëmbël geg, aq të nevojshëm për shqiptarët.

Pjesë nga materialet e para të shqipëruara prej Ungjillit, nisin të botohen për herë të parë, në revistën e komunitetit katolik Jeta Katholike Shqiptare (1966-1978), në numërat e para të saj, por pa nënshkrimin e vet.

Kjo rubrikë, vijoi rregullisht, në shumë numëra të së përkohshmes, për pesë vite me radhë.

Monsinjori ishte tepër enërgjik, në kryerjen me saktësi deri në fund të çdo detyre, që merrte përsipër.

Don Zefi, me modestinë tipike malësore, ishte një bibliotekë, që ecte me dy këmbë, sikurse shpreheshin të gjithë ato që e njihnin nga afër, “një enciklopedi vërtetë e gjallë”.

Ai nuk dinte të shterronte kurrë, për dijet akademike dhe bashkëkohore fetare dhe kulturore shqiptare që zotëronte.

Për nga kultura e pasur dhe e gjerë, ai kishte përherë në zotërim, një thellësi e pastërti mendimi logjik.

Mbas Koncilit II Vatikanas (1967), mesha e shenjtë, u caktua me dekret papal asokohe të mbahet jo në gjuhën tradicionale latine, por në gjuhën respektive të çdo populli, që ushtron besimin katolik.

Eshtë bërë traditë në çdo shtet, për meshtarët, kur emërohen si barinj shpirtëror në shtete të ndryshme të botës, duhet të flasin gjuhën e popujve që u shërbejnë me sakramente e çojnë meshën në kishë.

Në këtë mënyrë, kuptohet dhe përjetohet më kjartë domethënia e doktrinës së krishterë.

Mbas 40 viteve (2007), papa Benedikti XVI, ka shprehur orientimin (sërisht me dekret papal), për t’u kthyer tek tradita e hershme kristiane.

Tashmë mesha, po mbahet në gjuhën e hershme tradicionale latine, për të qenë më pranë kohës së hershme, kur krishterimi u bë si fe zyrtare në botë.

Shprehja me fjalë të zgjedhura e mbresëlënëse, erudicioni dhe edukata e thellë ekumenike e imzot Oroshit, ishin ftesa e së dielës edhe për shqiptarët e besimeve të tjera, shumë prej të cilëve shkonin për të dëgjuar predikimin e tij (homelinë) në kishë.

Si njeri me kapacitet human dhe mjek i mirë me ilaçet shpirtërore të Krishtit, shëron shumë plagë ndër shqiptarë, mërgimtarë të infektuar nga dhuna e ushtruar nga rregjimet e njëjta totalitare.

Dr. Oroshi, edhe gjatë meshëve në kishat amerikane, bëri apel, për të drejtën e popullit për liri civile, besimi, për të cilën vuante shpirtërisht e punoi me devocion me miqtë amerikanë dhe aktivistë të palodhur bashkëatdhetarë kudo nëpër botë, për lirinë e fesë në Shqipëri.

Projektues e aktivisti i flaktë, mbetet si frymëzuesi i bashkatdhetarëve në organizimin e disa tubimeve kundërkomuniste dhe liri besimi në Shqipëri, para Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UN) në Manhattan Neë York.

Respekt e mirënjohje për mësuesin Mjeda

“Shekujt e parë letrarë shqiptarë, apo e thënë ndryshe, faza pararendëse e kulturës së shkruar shqipe, dallohet për një prani të gjithëpushtetëshme të autorëve klerikë katolikë… Në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, nga 294 autorë që botuan të paktën një libër, 205 prej tyre ishin pjesëtarë rë komunitetit të krishterë shqiptarë…”

Prof. Dr. Stefan Çapaliku

“Krishtërimi ndër shqiptarë”,

Tiranë, 1999 f.440-441

Imzoti e adhuronte shumë mësuesin e paharruar klerikun, poetin dhe njeriun e shquar të përmasave botërore dom Ndre Mjeden (1866-1937).

Oroshi, shpesh jetonte e vepronte, nën shembullin e edukatorit të zellshëm e frytdhënës, pranë Seminarit Papnor në Shkodër (1843-1946, 1991).

Për të gjithë shqiptarët asokohe, Ishte një ndër njohësit dhe propaganduesi më i shkëlqyer i jetës dhe veprës së poetit të dashtur Mjeda.

Ai, e përkujtoi me respekt të madh mësuesin e tij, në shenjë mirënjohje e nderimi në Neë York, duke organizuar përkujtimin, në 40-vjetorin e vdekjes.

Mjedja dhe nxënësi i shkollës e adhurues i tij, kleriku emigrant imzot Oroshi, kishte miqësi me klerikët shqiptarë të besimeve fetare.

Dom Ndre Mjeda e prifti Oroshi, ishin për dialogun ekumenik me ortodoksët, besimin islam, bektashit, protestantët e fetë e tjera.

Ai, kishte bërë shpesh takime me Kryepeshkopin Hirësinë e Tij imzot dr. Fan Stilian Nolin në Boston.

Për frymën e shëndosh në takimet ekumenike (midis kishave të krishtera), sikurse mësojmë nga studiuesi i rrymës shkencore të mjedjaologjisë prof. dr. Mentor Quku, “…autoriteti i Mjedës, në këtë drejtim ishte absolut. Personaliteti i poetit, shihej si njeriu më i përshtatshëm në të gjitha rastet kur lindëte nevoja për dialog.”

Në mesin e shekullit XX, me rizgjimin e lëvizjeve për bashkimin e besimtarëve të krishterë në botë, filluan të thyhen shumë barriera e pengesa përmes ekumenizmit.

Kështu papa Pali (Paul) VI (1963-1978) e Patriarku i Konstantinopojës Atenagora I (1886-1972) me origjinë arvanitas, që jetojnë në Greqi, në takimin e tyre në vitin 1964 në Tokën e Shenjtë, u munduan t’i afrojnë zemrat e të krishterëve të ndarë (shkizma) në vitin 1054.

Diskutimet e gjata, të dy barinjve të grigjës shqiptare në emigracion, gjenin gjithnjë frymën e ngrohtë të mirëkuptimit e respektin e ndërsjelltë.

Ata kishin menduar kohë të gjatë, për rikthimin dialogut ndërfetar (ekumenik), që kishin bërë pararendësit prelatë, për të afruar e më pas bashkuar kishën e ritit oksidental (catholic roman) dhe oriental (orthodox east), si një vlerë e re shpirtërore e bashkësisë arbërore në ShBA.

Me sa duket, përvojën e kishte mësuar nga eruditi i gjërë e i thellë poliedrik i poetit dom Ndre Mjedja shumë vite më parë.

Fëmijëria dhe rinia asokohe, kanë qenë një bllok shënimesh në kujtesën e freskët të klerikut dr. Oroshi.

Në revistën 3 mujore të përkohshme të komunitetit katolik shqiptar në Neë York, ai do të shkruaj artikullin me titull: “Dom Ndre Mjedja me rastin e 40-vjetores së vdekjes.

Ashtu sikurse për dom Mjedjen e madh dhe bariun në emigracion imzot dr. Oroshin, “… feja dhe atdheu janë dy nocione, të cilat, nuk ishin në raporte përjashtuese me njeri tjetrin. Në çdo rast kudo dhe kurdo kishte vend për të gjithë… Devocioni fetar është brenda vetëdijës së Mjedës sëbashku me atdhetarizmin e flaktë. Ata nuk mund të përjashtonin njeri-tjetrin, sepse ashtu ishin dimensionuar; ata flinin bashkë brenda Mjedës

Kishte raste, që nga misionet e pambarim imzot Oroshi, gjente pak kohë të lirë, për t’u prerë në qetësi, vetmi e cila, i pushtonte mallin për atdhelindjen.

Meditacionin e thellë si ushtrim shpirtëror e bënte dy javë në vit.

Vetmia e tij, ishte një adhurim i përshtatshëm mbushur me lutje, për një kontakt më imtim me Zotin.

Ai shpesh i mbushte sytë me lot dhimbjeje e malli të pashuar, për atdhelindjen Oroshin, familjen e shpërndarë në kampet e vështira të internimeve komuniste.

Gjatë shëtitjeve të lira në park, që miku i afërt Tomë Mrijaj, ka bërë me imzot dr. Zef Oroshi, biseda të lira për Oroshin, përsekutimin e klerit katolik në Shqipëri.

Dr. Oroshi, gjatë bisedës telefonike, i thotë mikut të vet: “Tomë, a keni mundësi të vini pak tek unë!?” Bashkëbiseduesi i përgjigjet prelatit, se në çdo kohë, jam i gatshëm të vi tek ju.

Toma, tregon: “Kur hyra brenda shtëpisë, Monsinjori, u ngrit në këmbë, me buzëqeshi gjithë humor, duke thënë: “Pashë në dritare një diell të bukur, që më ngacmoi në shpirt frymëzimin. Menjëherë, më shkoj mendja tek ju, e u telefonova, duke qenë i sigurtë se do të vinit për të shëtit sëbashku me mua.”

Iu përgjigja, se jam gati të shkojmë për shëtitje, ku, të dëshironi ju. Ai dëshironte që të shkonim në brigjet e plazhit Orchard Beach. Atë ditë, në bregdet nuk kishte asnjë vizitor, përveç meje, imzot dr. Zef Oroshit dhe qindra pulëbardha, që fluturonin dhe ecnin të qetë rreth nesh.

Prelati ynë më pyeti:
“I dashtun Tomë, nëse ia qëlloj a më thua të vërtetën?”

Ai nga sëmundja e rëndë, mendonte se e kishte humbur vetëdijën. Monsinjori, e ngriti dorën e djathtë lart e shtriu drejt ujërave të pambarim të Oqeanit Atlantik dhe me drejtimin nga Jugu më tha: “A i bie të jetë në atë drejtim Shqipnia?”

Unë iu përgjigja menjeherë, se në atë drejtim, që tregoni ju me dorë është Shqipëria. Pashë se mënjeherë i erdhi nga thellësia e shpirtit një buzeqeshje shumë e gëzuar.

U ngrit në këmbë, i çoi duart përpjetë dhe tha fjalët: “E vraft Zoti Enver Hoxhën e at komunizëm të zi, që nuk na la me jetue në vendin tonë. Po ç’ka i bam na priftat, të cilët, u masakruan nga diktatura e tij. Na historikisht, e kena dasht dhe e dona vendin e popullin tonë, të cilit, i kena shërbye përherë me zemër e dashuni.”

Atij i plasi një vaj i madh dënese dhe përshpërti emrat e vëllezërve të tij Prenit, Ndout dhe motrës Luçies, për të cilët, kishte marrë lajme jo të mira, se gjenden të internuar në Gradisht të Lushnjës.

Ju drejtova imzot Zef Oroshit, se ju jeni një personalitet i madh, që po vuani, sikurse kanë vuajtur historikisht njerëzit e shquar të këtij planeti.

Librin tuaj të shqipëruar:Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujve”, e pashë në çdo Kishë gjatë vizitës sëfundit në Kosovë dhe meshtarët më pyesnin për ju. Ai u qetësua disi dhe mbas pak minutash u kthyem me makinë në shtëpinë e tij…”

Është thënë e shkruar gjithnjë, se Shtypi Katolik mbarëshqiptar, ka qenë ndër shekuj shtyllë e atdhedashurisë dhe jo më pak kulture kudo.

Këtë e dëshmojnë objektet e panumërta arkeologjike: skulpturë, pikturë, letrare, vepra të ndryshme arti të shpërndara anekend vendlindjes; dhe këtë e dëshmon në veçanti një histori e larë me gjakun e tij në shekuj.

Ai, iu kundërvu me pendë dhe gjoks barbarizmave të huaja dhe servilizmave të opurtunistëve të brendshëm në trojet shqiptare.

Kjo ka qenë në shekuj dhe dekadat e porsakaluara arsyeja që kleri katolik, u gjet i pari në shenjestrën e të pazotëve, që poshtëruan vendin tonë dhe e kthyen atë, sikurse benë edhe osmanët, nga një kopsht i lulëzuar feje dhe kulture në një gërmadhë rrënojash fizike e shpërtërore, gërmadhë vuajtesh dhe mjerimi. “Për të ripërtërirë lulëzimin e humbur, do të duhen dekada të tëra mundi dhe djerse, sepse brenda kësaj gërmadhe tragjike e do të thoja katastrofike, gjendet rinia e jonë e ikur në vendet e huaja, ndoshta për të mos u kthyer më.” (Don Ndoc Nogaj, “Shtypi Katolik Shqiptar 1991 nëntor 2001”, Shkodër, 2001, f.6)

Të sjellësh ndër mend dhe të rreshtosh figurat e mëdha jo vetëm kulturore fetare, pot edhe morale, jo vetëm klerikale, por thjeshtë katolike, të kulturës së një vendi shumë të lartë është imperativi i çdo njeriu, që ka për zemër brumosjen e botës shpirtërore të fëmijëve e të rinjve tanë, ku kisha me shtypin e saj ka qenë një fanar drite, jo vetëm në lëmin fetar por edhe atë kulturor e atdhetar.

Kjo gjë duket e kjartë sapo të hapësh një antologji letërsie, qysh prej viteve 1934-1944, 1945-1990, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme diturie ndër shekuj, por edhe brymosën tokën e shenjtë në vendlindje me gjakun e tyre martir.

Janë pikërisht Urdhëri i Jezuitëve, ata që zënë një vend nderi në publicistikën shqiptare. Qysh në ditët e para ata u ndeshën me Perandorinë e “pathyeshme” Osmane, duke ndërtuar Seminarin dhe Kolegjen Saveriane në Shkodër më 1870, sollën në qytet, pa përfunduar ende mirë insitutet e mësipërme, një Shtypshkronjë “E Zojës së papërlyeme”, duke filluar pas pak edhe botimin e së përkohshmes “Elçija e Zemrës së Krishtit” (mars, 1891), me shpenzimet e vetë kuvendit.

Numëri i Parë i Revistës “Jeta Katolike” (New York, 1966)

Revista “Jeta Katholike Shqiptare” (Albanian Catholic Life) si organ shtypi, që në hyrje përcakton, se është organ i Lidhjes Katholike Shqiptaro Amerikane në Neë York. Redaktorët e parë ishin: Dr. Çesk Ashta e Kolë Çuni, ndërsa drejtor përgjegjës Rev. Joseph J. Oroshi, D.D. Adresa e parë e revistës është: 261 South Broadëay Tarrytoën, N.Y., U.S.A.

Më poshtë në faqen e dytë thuhet, se dorëshkrimet dhe nëse nuk botohen nuk kthehen.

Karakterin demokratik dhe lirinë e debatit e shohim në përcaktimin se: “Artikujt me karakter polemik, duhet të nënshkruhen me emen.”, një shembull ky për mediat “demokratike” shqiptare të shekullit XXI.

Në ballinë bie në sy dy shtegtarët arbër, që shoqërojnë me vështrimin e tyre ikjen në Genazzano (Itali) të Fugurës së Shenjtë të “Zojës së Shkodrës” mbas masakrave barbare të pushtuesve turq mbi popullsinë vendase.

Kjo vepër relgjioze dhe artistike njëherësh, gjendet sot në tavanin pranë elterit të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” (1998) në Harsdale Neë York. Revista në fjalë, në #1, viti I (1966), ka 26 faqe. Bie në sy në gjithë buletinin mungesa e gërmes ë.

Ajo hapet me editorial-in e shkruar nga drejtori përgjegjës Imzot Dr. Zef Oroshi, me pseudonimin Zodiaku (E më vonë do të përdorë pseudonimin Teologu, Redaksia etj.).

Ai, mbasi bën një përshkrim të shkurtër të përsekutimit të intelektualëve shqiptarë në Shqipëri në vitet e errëta të komunizmit ateist, shton se përballë masakrave elita intelektuale në emigracion përkujton frytet dritëdhënëse të lëme të ndryshme të diturisë, duke përshkruar revistat që botoheshin në Shkodër, gjatë kohës që vetë meshtari Oroshi ishte student në shkollën private katolike.

Me një nostalgji të veçantë, kleriku Oroshi, kujton dy pleqtë të veshur me kostume tradicionale vendase, që shëtisnin derë më derë, për të shpërndarë me një krenari e zë të lartë revistat: “Hylli i Dritës”, “L.E.K.A.” etj.

Autori Zodiaku, shkruan: “Natyrisht dhe per kete, megjithse do te dale tremujor dhe pa kurrfare mtese epersijet, na mungojnë mjetet dhe, ne rrethanat e sotshme, deri diku dhe pendat, sepse, secili asht i mbethyem ne tavoline ose fabrike me punen nga e cila nxjerr jetesen e perditshme.

Meshtaret shqiptare, dhe ata qe kane mbete gjalle dhe jetojne ne boten e lire, jane te shkaperderdhun e te lidhun me pune aty ku i ka hjedhe rrethana historike, nen urdhnin e auktoritetevet fetare vendase.

Megjithate, derisa ndjetin e kemi te mire, me te gjitha flijimet personale qe parashifen, kemi uzdaje te plote se disa penda ma prodhueset nder ambjente te e sidomos meshtarevet e te katholikevet kane me na mungue…

Sot per sot “Lidhja Katholike Shqiptare Amerikane” e Neë York–ut ka caktue me e qite per nji vjete buletinin.

Nese bamiresija, simpathija dhe penda e intelektualvet do te na perkrahin, u premtojme lexuesavet se grupit t’yne nuk do t’i mungojne vullndesa e flijimevet personale dhe e punes vullnedtare per vijimin e tij.” (f.2)

Artikulli vijues, në faqet 3-5, është shkruar nga P. Andreë Nargaj, O.F.M., Ph.D., duke i lënë vendin më pas shkrimit redaksional: “Rruga e Jone”. Një përkthim interesant, është bërë nga Prof. Martin Camaj, të titulluar: “Adhurimi i Tre Dijetareve nga Lindja”.

Ndërsa Kolë Nikoll Bajraktari, përshkruan atmosferën e Krishtlindjeve dhe vijon me poezinë “Keshendellat”.

Kol Çuni, në shkrimin e parë jep përshkrimin e Presidentit “John F. Kennedy: Babe Familjet e Besimtare i Vertete”.

Prof. Mhill Marku, paraqitet për lexuesit mërgimtarë me analizën: “Gjuha Shqipe ne Amerike” dhe më poshtë ka ofruar një poezi nga Pader Gjergj Fishta.

Zef Pashko Deda, trajton marrëdhëniet mes Vatikanit e Ëashington-it dhe Papa Pali VI, ndërsa për Gonxhe Bojanxhiun e veprimtarinë e saj në dobi të të varfërve, At Dr. Zef Oroshi, u tregon shqiptarëve ne mërgim për bijën e harruar në tokën e të parëve në Shqipëri.

Revista, në #1 të saj, ka kronikën shoqërore, zgjedhjet e reja të Lidhjes Katolike Shqiptare Amerikane, si dhe stafin e shtypit, në të cilën janë emrat: Loro Stajka, Ndue Gj. Markaj, Nikoll Melyshi, Kol Nikoll Bajraktari, Zef Pashko Deda, Tonin Mirakaj, Zef Hasani, Fran Sokoli, Lodovik M. Bajraktari. Ajo që është më interesantja, është se në revistë janë të shënuar meshët përkujtimore e mesha për deshmorët e Atdheut (pavarësisht se cilit besim i përkasin), duke u quajtur tradicionalisht më vonë si Meshë Kombëtare çdo 28 Nëntor, kur është edhe kremtimi i Shpalljes së Pavarësisë.

Revista, falënderoi të gjithë për pagesën e rregullt të antarësisë, me anën e së cilës krijohet mundesia e vijimësisë së saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok