Sejdo Harka, një jetë plot vrull, që pulson tek shkolla, gazetaria dhe arti e letërsia
Nga Fran Gjoka
Të thuash gjithnjë të vërtetën është tregues i një njeriu me intigritet, me virtyte të larta morale intelektuale, është deshmi e një karakteri të lartë njerëzor. I tillë është protreti i Sejdo Harkës
Me mësuesin, publicistin dhe studjuesin e përkushtuar Sejdo Harka, kemi një jetë të tërë që njihemi. Ishte mosha rinore, profesioni i bukur i mësuesisë dhe veçanrisht gazeta ‘’Mësuesi’’ që na lidhi aq ngusht, sa të mos ndahemi kurrë. Na lidhën seminaret dhe konferencat kombëtare të arsimit, festivalet e shumllojta, koferencat shkencore, simpoziumet, veprimtaritë e gjera të shtypit dhe ekipet e ndihmës dhe të kontrollit në shkolla të ndryshme të rrethit e vendit. Rendnim në çdo cep të Shqipërisë, plot vrull, dhe na dukej sikur i patëm shaluar kalit të hekurt, që gulçonte nga pesha e halleve, të cilat mundoheshim t’i vrisnim me ëndrrat tona të bukura, dhe pasionin e madh për shkollën, mësuesinë dhe gazetarinë. Ai vinte nga Përmeti i largët, vërtet një djep i vogël, por që përkudi tre burra të mëdhenj si Nimi, Samiu e Abdyl Frashëri, ndërsa unë nga Lezha e Kuvendit dhe e Fishtës së madh. Kurrë nuk pretenduam të bënim atë që bënë ata burra të mëdhenj të kombit tonë, por me vullnetin dhe pasionin tonë luftuam për të vëmë, qoftë dhe një guriçkë të vogël në fushën e arsimit, kulturës dhe gazetarisë.
Të shkruash për jetën dhe veprimtarinë e publicistit dhe të studiuesit të letërsisë dhe të artit Sejdo Harka, ndoshta duhen faqe të tëra. Por, në këto shënime të shkurtëra do të ndalemi në disa momente kryesore të jetës dhe veprimtarisë së tij shumëplanëshe. Sejdua njhet, jo vetëm si mësues dhe drejtues shkolle i talentuar, por dhe si një njeri i sjellshëm, bashkëpunues e tepër modest, që më shumë punon e dëgjon, se sa flet e kërkon. Ai, ka një jetë të tërë që, krahas punës së mësuesit zhvillon dhe një veprimtari të dendur publicistike, hulumtuese dhe studimore në fushën e pedagogjisë, psikologjisë, folkloristikës, gjuhësisë dhe veçanrisht në fushën e studimit të letërsisë dhe të artit. Por, para se të ndalemi tek disa fakte që shprehin kontributin modest që ai ka dhënë dhe vazhdon të japë në këto fusha, me pak fjalë, po i tregojmë lexuesit, se kush është Sejdo Harka: Ai u lind më 31 janar të vitit 1949, në Zhepovë të Përmetit, në një familje të thjeshtë atdhetare. Vitet e para të shkollimit i kreu në vendlindje, ndërsa arsimin e mesëm e kreu në gjimnazin e Këlcyrës, i cili sot mban emrin e madh të Sejfulla Malëshovës. Studimet e larta i mbaroi në Universitetin Shtetëror të Tiranës për gjuhë e letërsi, të cilat i përfundoi me rezultate të larta në vitin 1973. Pas përfundimit të tyre ai punoi, herë si mësues e herë si drejtor shkolle në disa shkolla të mesme të Përmetit dhe të Tiranës. Për disa vite ai ka punuar edhe si metodist, herë në qendrën kulturore të fëmijëve e herë në drejtorinë arsimore të Përmetit. Për aftësimin e tij të mëtejshëm profesional, ai ka kryer kursin pasiniversitar një-vjeçar për kritikë letrare. Në vitin 2004 ai u emërua kryeredakrtor i gazetës ‘’Mësuesi’’, organ i Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës. Për punë të shquar në fushën e arsimit dhe kulturës Sejdo Harka është dekoruar nga Presidenca me ‘’Medaljen Naim Frashëri’’…
Pasionni dhe dashuria e tij e parë ishte dhe mbeti shkolla, mësimdhënia, përgatitja dhe edukimi i brezit të ri. Motoja e punës së tij të përditshme ka qënë : ‘’Si të jetë shkolla sot, ashtu do të jetë vendi ynë nesër’’. Prandaj, tërë jetën, edhe si mësues e drejtues shkolle, ka luftuar që dijet e nxënësve, jo vetëm të jenë të qëndrueshme, po dhe të bëhen arma kryesore për ndërtimin e jetës së tyre dhe të shoqërisë. Kaloi nëpër duart e tij mijëra nxënës, firmosi qindara e qindara dëftesa lirimi e pjekurie dhe sot ndjen kënaqësinë e veçantë të shumfishimit të vetvetes dhe veçanrisht gëzimin që ndjen kur mëson, se disa nga nxënësit e tij, janë bërë më të zotë se mësuesi i tyre, duke shkëlqyer në shumë fusha të jetës, brenda dhe jashtë vendit. Përveç punës së tij si mësues pasionant dhe drejtues kompetent, ai ka bërë një punë të madhe për kualifikimin e mësuesëve dhe të drejtuesëve të rinj të shkollave, jo vetëm me tema e kumtesa profesionale, por edhe me shkrimet e tij problematike, për metodat e mësimdhënjes , të drejtimit dhe të edukimit të brezit të ri. Pasionin dhe metodën për përgatitjen e temave dhe kumtimin e tyre në auditore e konferenca, tregon S.Harka e mora nga pedagogët dhe bashkëpunëtorët e mijë të mrekullueshëm, profesorët e nderuar Androkli Kostollari, Zihni Sako, Qemal Haxhihasani, Miço Samara, etj. Ishin ata që më frymëzuan që të përgatisja kumtesën e parë për gjuhën e bukur poetike të Naimit, të cilën e mbajta para delegatëve dhe të ftuarëve të Kongresit të Drejtshkrimit, në një seksion të veçantë, kur isha student në bakat e Universitetit të Tiranës. Kjo kumtesë e thjeshtë, ishte shkëndia e parë që do të më ndizte pasionin që unë të lidhesha ngushtë me istitucionet shkencore të folkloristikës, gjuhësisë, letërsisë dhe të pedagogjisë. Ajo më nxiti të marrja pjesë në shumë ekspedita folklorike e gjuhësore, të eksploroja për këngët popullore, fjalët e urta dhe për fjalët e rralla të trevave të jugut, t’i përzgjidhja e t’i analizoja në shumë tema studimore e shkencore si ‘’Polivalenca kuptimore e gjuhës shqipe’’, ‘’Figuracioni në këngët e popullit’’, ‘’Lidhja e gjuhës me letërsinë’’…, pjesë të të cilave u botuan në revistat më prestigjoze të kohës si ‘’Nëntori’’, ‘’Studime Filologjike’’e ’’Kultura Popullore’’, ‘’Gjuha Jonë’’, ‘’Revista Pedagogjike’’, të cilat më vonë do të botoheshin në libra të veçantë.
Një fushë tjetër, ku Sejdo Harka ka dhënë kontributin e tij modest është gazetaria. Ka nisur të shkruajë që nga fundi i viteve 60, dhe vazhdon të shkruajë pa mbarim edhe sot e kësaj dite. E ka nisur me ‘’Pionierin’’ dhe ka vazhduar me gazetën ‘’Studenti’’, ’’Mësuesi’’, ’’Zëri i Rinisë’’, ‘’Drita’’, ’’Bashkimi’’, ’’Zëri i Popullit’’. Më vonë ka nisur të shkruajë në shtypin e ri të kohës si në gazetat : ‘’Shqip’’. ‘’Panorama’’ ‘’Tirana Observër’’, ‘’Dita’’,’’Telegraf’’, ‘’Nacional’’, ‘’Ndryshe’’,’’Ballkan’’,’’Republika’’, ‘’Koha Jonë’’, ‘’Ex Libër’’ si dhe në disa portale si ‘’Fjala e Lirë’’, që publikohen brenda dhe jashtë vendit. Problematika e publicistikës së tij ka qënë e gjithëanshme dhe ka lëvruar gati të gjitha llojet dhe nënllojet e publicistikës si: shkrimet problemore e sociale, pedagogjike, kulturore dhe historike. Ka lëvruar portretin dhe shënimet udhëtimit, skicën dhe reportazhin, pamfletin dhe fejtonin me shkrime të tilla si “Rrugët e kryetarëve’’, ‘’Shefi që na ngopë me lugë të zbrazur’’, ‘’Mashtruesit’’,etj që kanë zënë vend të dukshëm në revistat humoristike të kohës si ‘’Hosteni’’. Vend të dukshëm në publicistikën e tij kanë zënë figura të shquara të kulturës artit dhe letërsisë, të historisë, të luftës dhe diplomacisë shqiptare si Naimi, Samiu, Abdyli, Sejfulla Malëshova , Ali -pashë Tepelena, etj.
Një pasion i veçantë për të ka qënë dhe mbetet puna hulumtuese e studimore në fushën e mësimdhënies dhe pedagogjisë, folkloristikës dhe gjuhësisë, në fushën e kritikës lrtrare dhe të artit e letërsisë të cilat i ka pasqyruar jo vetëm në shtypin e ditës dhe në revistat tradicionale, të cilat janë përmendur më lart, por edhe në revista të reja, si ‘’ Ills’’, ‘’Perrla’’,’’Universi’’… etj.
Libri dhe bota e tij e madhe, ka qënë dhe vazhdon të mbetet pasioni i tij i veçantë. Atë e konsideron shokun, mikun, udhërrëfyesin dhe këshilluesin e tij më të mirë të jetës. Tërë jetën, ka lexuar qindra libra të llojeve të ndryshme dhe për shumë prej tyre ka bërë reçenca e analiza të thelluara, të cilat i ka pasqyruar në shtypin e ditës. Sejdo Harka nuk është vetëm një lexues dhe studiues i librit , por dhe një krijues i tij. Deri tani ai ka shkruar dhe botur pesë libra të llojeve të ndryshme të tipit studimor folkloristik, metodiko-pedagogjik, letrar, analitik dhe publicistik. Dy librat e para të tij i kushtohen krijimtarisë gojore, figuracionit në këngët e popullit dhe metodave të mësimdhënies e të dretimit të shkollës, në ndihmë të mësuesëve dhe të drejtuesëve të rinj të arsimit. Në vitin 2015 ai rishfaqet para lexuesëve me librin ’’Modernët e kohës’’, në të cilin zë ved të dukshëm një problematikë e gjërë publicistike, letrare dhe analitike për shkrimtarë të mëdhenj të huaj si poeti i madh pers. Xhelaludin Rumi, që i këndoi shpirtit të dashurisë njerëzore, Esenini, gjeniu i lirikësë ruse, shkrimtari dhe publicisti Roberto Savjano, që i zbuloi rrënjët mafjes italiane dhe për shkrimtarë të njohur të vendit, të cilët edhe pse jetojë në kohë e vende të ndryshme i bashkon elementi modern, i përmbajtjes, dhe i stilit të tyre. Më poshtë, vend të dukshëm zënë vlerësimet dhe analizat për krijimtarinë e shkrimtarëve dhe poetëve të mëdhenj të vendit tonë, si Naim Frashëri, Fan Noli, Ali Asllani, Lazgush Poradeci, Petro Marko, Sejfulla Malëshova; për Ismail Kadarenë, ‘’Monarku i letrave shqipe’’; për Dritëro Agollin, ’’ Të përndjekurin e dashurisë’’, që fshikulloi ashpër marrëzitë e kohës, për Bedri Deden, Ben Blushin, dramaturgun Enver Petrovski, për Visar Zhitin, Kasëm Trebeshinën, Bardhyl Xhamën, Koçi Petritin, Viron Konën, Murat Gecajn, Sokrat Habilajn, Vasil Premçin, Thanas Dinon, Andon Andonin… Një vend të dukshëm në këtë libër zënë figurat e arsimit shqiptar si ish-ministrat e arsimit, në periudhën e monizmit, Naxhie Dume dhe Thoma Deljana, të cilët vuajtën dhembët e diktaturës. Brendia e këtij libri zbukurohet me essetë filozofike’’A është çliruar prometeu’’, ‘’Laokontët rrinë me yjet’’ , ‘’Tej kufijëve të legjendës’’…
Në vitin 2020 Sejdo Harka ideoi dhe përgatiti librin ‘’Të rendësh për të tejkaluar kohën’’. Ndërsa në vitin 2022, në bashkëpunim me shkrimtarin Viron Kona, përgatitën dhe botuan librin’’Miku ynë i shtrenjtë prof.Murat Gecaj ‘’, kushtuar figurës së tij të nderuar.
Kohët e fundit , studiuesi i S.Harka po meret kryesisht me nobelistët për letërsinë. Jo vetëm po qëmton e studjon momentet kryesore të jetës dhe veprimtarisë së tyre shoqërore e letrare, por dhe bën analiza të thella të veprave të tyre më të mira, të cilat sot flasin edhe në gjuhën shqipe. Me shkrimet e tij studimore analitike për rreth 35 nobelistë dhe autorë të tjerë të mëdhenj të letërsisë botërore, lexuesi është njohur nëprmjet shtypit të ditës dhe revistave letrare të kohës. Në këto shkrime sintezë esseike lexuesi gjen thelbin e filozofisë krijuese të secilit nobelist, arsyen kryesore përse e ka marrë këtë çmim të madh, çfarë kanë thënë të tjerët për nobelistin, çfarë ka thënë ata ditën e marrjes së çmimit Nobel, etj. Në këto shënime theksohen të veçantat që i ka sjellë letërsisë botërore çdo nobelist. Theksohet se thelbi i filozofisë që i bashkon të gjithë nobelistët është univesaliteti dhe humanizmi, të cilat gjallojnë në brendinë e krijimtarisë së tyre. Shënimet analitike për nobelistët e letërsisë, S. Harka i ka përmbledhur në një libër të veçantë me titullin ’’Shkrimtarë nobelistë’’, i cili është në proces botimi. Merita e autorit është sepse është i pari që sjell në Shqipëri një libër analitik të tillë për Nobelistët. Në krye të librit qëndron shkencëtari dhe krijuesi i këtij çmimi të madh, Alfred Nobeli, cili për të shumfishuar veten, dhuroi të gjitha kursimet e tij të jetës. Më poshtë zënë vend nobelistët: Selma Langerlëf, e cila me krijimtarinë e saj artistike nxiti humanizmin tej njerëzor dhe kërshërinë fluturake të fëmijëve; Tomas Eliot, që i këndoi luftës për shpëtimin e njeriut nga e keqja tokësore; Ernest Heminguei, që na tregon për qëndresën dhe guximin e njeriut, të cilin mund ta asgjësosh, por jo ta mposhtësh; Boris Pasternak-u ,që na sjell të gjallë heronj realë; Jorgos Seferis, që u bën thirrje njerëzve ‘’të mbledhin hirin e së shkuarës, për të mbjellë të ardhmen’’; Zhan Pol Sartri, që i këndon çlirimit të njeriut nga absurditeti dhe skllavëria; Pablo Neruda, i cil deklaron poetikisht se ‘’është aty ku është këmbana’’; Markezi, i cili me penën e tij synon të shpëtojë njeriun nga ankthi, tmerri dhe vdekja; Uliam Golding, i cili zbulon dhe kërkon të shërojë errësirën e zemrës së njeriut; Orhan Pamuk, që i këndoi pavdekësisë së dashurisë; Le Clezo, që na tregon për kohën që s’’kthehet kurrë mbrapa, as në ëndërr; Herta Myler, që të rrënqeth duke treguar për urinë, e cila cfiliti shpirtin e të interrnuarëve në kampet staliniste; Mario Llosa, që tregon për fundin grotesk të diktaturave në botë; Tomas Trastomer, që zbuloi plagët e psikologjisë njerëzore; Nobelisti kinez Mo Yan, që na tregon për klithmat rrënqethëse të fëmijëve të vrarë në barkun e nënave; Bob Dilan, i cili i këndoi jetës, që hedh shtat në shpirtin që s’shuhet kurrë; Kazuo Ishiguro, që na tregon se njeriu i ditur duhet ta harmonizojë mirë detyrën për të kujtuar me nevojën e domosdoshme për të falur e harruar; Olga Tokarczuk, që i këndon humanizmit tej njerëzor, në këtë botë, të cilën ajo e konsideron një ‘’burg të mbushur plot me vuajtje’’; Doris Lessing dhe fuqia e saj për të na bindur dhe robëruar; Jose Saramango, që i këndoi identitetit të papërsëritshëm të njeriut, etj. Kkrahas përballimit të jetës ditore, Sejdo Harka nuk pushon së shkruari. Me sa duket është ngacmuar nga thënia e Sami Frashërit: ” Njeriu nuk është i përjetshëm, le të përpiqet të jetë e pavdekshme ajo që do të thotë dhe ajo që do të bëjë”. Të kesh një shok dhe mik sikur është Sejdo Harka, është një privilegj fati. Jam i bindur se vepra e tij prej mësuesi, drejtuesi dhe studiuesi i mirëfilltë shkencor, do të jetë inspirim brezave në punën e tyre. Pena e tij e artë do të shëndritë moteve në pavdeksinë e mësuesisë shqiptare bashkë me emrin e respektuar e të nderuar Sejdo Harka. Sot i urojmë pleqëri të mbarë dhe i nderuar e krenar për vlerat e tij që kanë qënë dhe janë e do të jenë udhërrëfyese për brezat e ardhshëm.