22/12/2024

SAMUEL HUNTINGTON – ”PËRPLASJA E QYTETËRIMEVE”

0
Huntington-Clash_Civilizations

Nga Xhelal Zejneli

Semjuel Filip Hantington (Samuel Phillips Huntington) është studiues i shkencave politike, këshilltar dhe akademik amerikan. Lindi në Nju-Jork më 18 prill 1927. Vdiq në Martha’s Vineyard, Massachusetts, më 24 dhjetor 2008. I afërt me Partinë Demokratike. Në vitin 1946 studioi në Universitetin Jejll (Yale University), në vitin 1948 në Universitetin e Çikagos, ndërsa në vitin 1951 në Universitetin e Harvardit. 58 vjet profesor në Harvrad University ku ishte edhe drejtor i Qendrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare. Profesor edhe në Universitetin Albert J. Weatherhead III. I martuar me Nancy Arkelyan (1927-). Kishin dy fëmijë: Timothy Mayo Huntington dhe Nicholas Phillips Huntington. Hantingtonin e kanë quajtur Osvald Shpengleri (Oswald Spengler) i Amerikës.

*   *   *

Përplasja e qytetërimeve është teori sipas së cilës identiteti qytetërues do të jetë shkaku kryesor i ndarjeve në botë, pas luftës së ftoftë. Këtë teori e popullarizoi politologu amerikan Semjuel Filip Hantington (Samuel Phillips Huntington) në artikullin e tij “Përplasja e qytetërimeve?” Ky artikull ishte një kritikë tipike e tezës së popullarizuar të politologut, ekonomistit politik dhe shkrimtarit amerikan me prejardhje japoneze Frensis Fukujama (Yoshihiro Francis Fukuyama, Chikago, Illinois, 1952-) mbi fundin e historisë.

Në vitin 1996, këtë artikull Hantingtoni e zgjeroi në libër me titullin “Përplasja e qytetërimeve dhe rirregullimi i rendit botëror” (The Clash of Civilizations and the Remaking of World Order). Libri u shndërrua në vepër kundërthënëse.

*   *   *

Fukujama është dijetar i shkencave politike. Autor i librit “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit” (The End of History and the Last Man) të publikuar në vitin 1992. Është libër i filozofisë politike. Fukujama argumenton se me ngritjen e demokracisë liberale perëndimore që ndodhi pas Luftës së Ftohtë (1945-1991) dhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik (1991) – njerëzimi arriti “jo vetëm … kalimin e një periudhe të caktuar të historisë së pasluftës, por edhe fundin e fistorisë si të tillë, përkatësisht pikën e fundit të evolucionit ideologjik të njerëzimit dhe universalizmin e demokracisë liberale perëndimore si formë përfundimtare e qeverisjes njerëzore”. Ky libër është zgjerim i esesë së tij “Fundi i historisë?” të botuar në verë të viti 1989, një muaj para rënies së Murit të Berlinit. Për këtë libër, Fukujama është bazuar në filozofinë dhe në ideologjinë e Hegelit dhe të Marksit, të cilët, historinë njrëzore e përkufizojnë si një progresion linear, prej një epoke socio-ekonomike, në tjetrën.

*   *   *

Sipas Hatingtonit, bota është e ndarë në disa qytetërime kryesore: bota perëndimore; Amerika Latine; bota ortodokse; bota lindore e cila si tërësi të veçanta i përmban: vendet budiste të Azisë Lindore dhe Juglindore; sfera kineze (konosfera), përkatësisht shtetet nën ndikimin kulturor kinez; sfera indiane (indosfera), përkatësisht shtetet nën ndikimin kulturor të Indisë; Japonia si qytetërim specifik; bota islamike; qytetërimet e Afrikës nënsahariane.

Në ndarjen e vet, Hatingtoni i ka përfshirë edhe të ashtuquajturat vende “të vetmuara” të cilat me specifika të ndryshme kulturore dhe specifika të tjera shquhen në rrethinën e vet. Të tilla janë Izraeli në Lindje të Afërt dhe Etiopia krishtere në Afrikë. Këtu bëjnë pjesë edhe “vendet e ndara”, pjesë të të cilave u përkasin qytetërimeve të ndryshme. E tillë është Ukraina një pjesë e së cilës i takon botës perëndimore, ndërsa një pjesë tjetër – botës ortodokse.

Si vatër kryesore e përplasjes, Hantingtoni i ka konsideruar të ashtuquajturat “vende ndarëse”, përkatësisht rajonet në të cilat qytetërime të veçanta janë në kontakt me njëri-tjetrin. Me këtë rast, Hantingtoni thekson në veçanti se konfliktet e tilla me qytetërimet e tjera janë më të ashpra në skajet e botës islamike. Konsideronte se me kalimin e kohës, konfliktet e tilla do të shkallëzohen në konflikte ndërmjet “vendeve kyçe” të atyre botëve apo qytetërimeve.

Në vitet ‘90 e këndej të shekullit XX, teza mbi përplasjen e qytetërimeve kishte një numër të caktuar ithtarësh. Në publikun e gjerë, të paktën në botën perëndimore, u bë aktuale vetëm pas sulmit të 11 shatorit dhe luftërave të mëdha që pasuan pas kësaj.

Tezën e Hantingtonit e kritikojnë ashpër kryesisht nga radhët e entuziastëve multikulturorë, të cilët e konsiderojnë të papërputhshëm me idealet e multikulturalizmit.

“Përplasja e qytetërimeve” – ishte teza me të cilën Semjuel Hantington (Huntington) para 15 vjetëve gjoja ka pasur çelësin e sqarimit të gjendjes në botë. Në fillim, pas titullit në origjinalin në gjuhën angleze ndodhej pikëpyetja “The Clash of Civilizations?”. Bëhej fjalë për artikullin që e botoi ky politolog amerikan në verë të vitit 1993 në revistën Foreign Affairs. Me këtë, sa çel e mbyll sytë, u bë i njohur për mbarë publikun botëror. Dukej sikur ky profesor i Universitetit të Harvardit vërtet e kishte gjetur çelësin e sqarimit të rendit botëror.

Hantingtoni pohon se në shekullin XXI, “përplasja e qytetërimeve” do t’i evitojë konfliktet e vjetra ndërmjet shteteve. Derisa kolegu i tij Frensis Fukujama (Francis Fukuyama) mbron tezën “e fundit të historisë” dhe fitoren e ekonomisë së tregut dhe të liberalizmit pa gjakderdhje, në anën tjetër Hantingtoni (Huntington) ngjarjet në botë i sheh në konflikte, në beteja dhe në luftëra.

Sipas Hantingtonit, në të ardhmen, në arenën globale do të përplasen shtatë apo tetë qytetërime – qytetërimi perëndimor, konfuçianist, japonez, islamik, hinduist, sllavo-ortodoks, latino-amerikan dhe mbase një qytetërim afrikan.

Me tezën e vet, Hantingtoni e ndan botën në “qytetërime kryesore”. Vendet me shumicë joortodokse, zakonisht përjashtohen. Për shembull Azerbajxhani mysliman dhe pjesa më e madhe e Azisë Qendrore, si dhe rajonet me shumicë myslimane në Ballkan, në Kaukaz dhe rajonet qendrore të Rusisë si Tataristani dhe Bashkortostani.

Rreziku për konflikte është më i madh atje ku ndërthuren dallimet në forcë dhe në kulturë – pohonte Hantingtoni. Argument i tij është: Qytetërimet e sipërthëna në mënyrë radikale janë të ndarë nja njëri-tjetri për nga gjuha, historia dhe religjioni. Ata assesi s’e durojnë dot njëri-tjetrin dhe përveç kësaj janë armiq të Amerikës, sipas motos “të tjerët, kundër Perëndimit” (the rest against the West).

Jehona e tezës së Hantingtonit ishte e madhe, por e ndarë. Kishte shumë që e ngrënin lartë si një vizionarë, si një Osvald Shpengler* (Oswald Spengler, 1880-1936) i Amerikës. Të tjerët ndërkaq, shohin te Hantingtoni nxitësin ideologjik i cili me teorinë e vet kulturore të pabazuar, gdhend në gur kërkesën amerikane për të sunduar botën. Nga kritikat, Hantingtoni nuk u shqetësua fare. Prej disa tezave krijoi një libër prej 600 faqesh, të përkthyer në mbi 40 gjuhë të huaja apo në dhjetëra gjuhë të botës. “Përplasja e qytetërimeve” në gjermanisht është përkthyer me titullin “Kampf der Kulturen”(Lufta e kulturave).

Vepra nuk mbeti pa efekt. Pas çdo sulmi islamik, posaçërisht pas sulmeve në Nju-Jork, publiku gjithmonë nga e para shtronte pyetjen: A nuk kishte të drejtë Hantingtoni dhe a nuk fillon vërtet tani “përplasja e qytetërimeve”. Ishte e pazakonshme sesi vetë autori, pas sulmeve në Nju-Jork, nuk dëshironte të flasë më për dilemat fillestare të veta. Te sulmet terroriste mbi Qendrën Tregtare Botërore (World Trade Center), Hantington nuk sheh përplasje qytetërimesh, por “sulm barbarësh  primitivë ndaj shoqërisë së qytetëruar të tërë botës”.

Hantingtoni paralajmëronte për rrezikun e luftës në Irak, për arsye se – siç thoshte – ai i thërriste shpirtrat prej të cilëve Perëndimi nuk do të lirohet aq shpejt. “Një sulm i tillë shpie në një luftë, të një lloji krejt tjetër. Ai do të zgjojë pjesë të mëdha popujsh dhe qeverish të botës islame, të cilat tani e mbështesin koalicionin ndërkombëtar kundër terrorizmit”, kishte deklaruar Hantingtoni.

Në ditët e pleqërisë, Hantingtoni u tregua i kujdesshëm. Përse kjo përmbajtje e përnjëhershme dhe frikë e autorit nga formula “mrekullibërëse”? Është e mundur që Hantingtoni, në ditët e pleqërisë të jetë bërë më i mençur se ata që i referoheshin atij. Si duket e kishte kuptuar se shpeshherë religjioni nuk është veçse maskë me të cilën mbulohen konfliktet brutale për njohjen dhe për ndarjen e të mirave. Ndoshta Hantingtoni e kishte vërejtur se fundamentalizmi është një fenomen krejt modern që kishte lindur me kolonizimin. Prandaj vrasësit në emër të islamit nuk vijnë nga mesjeta apo nga një kulturë plotësisht e pakuptueshme, por vijnë nga një mjedis i shoqërisë globale moderne – fakt ky që na rrëqeth të gjithëve.

Sot analistët konsiderojnë se të flasësh për “përplasjen e qytetërimeve”, paraqet njëfarë kurthi. Sipas tyre, po qe se veprimi politik orientohet sipas “përplasjes së qytetërimeve” të Hantingtonit, në të vërtetë nxit pikërisht gjendjen kundër të cilës lufton. Me këtë, formula e “përplasjes së qytetërimeve” bëhet profeci apo orakull që e plotëson vetveten. Në dy vitet e fundit të jetës, vetë Hantingtoni paralajmëronte se nuk duhet bërë luftë kundër terrorizmit në fushën e minuar të kulturës, për shembull në luftën e së mirës kundër të keqes, të dritës kundër errësirës. Teoricienët konsiderojnë se Hantingtoni ka të drejtë, ngase nuk duhet luftuar kundër islamit por vetëm kundër krimit që kryhet në emër të tij. Çdo veprim tjetër, akoma më shumë do ta përhap urrejtjen, do t’i konfirmojë imazhet e armikut dhe do ta shtojë arrogancën, do të vazhdojë me spiralen e dhunës në të gjitha anët.

Nëpërmjet kulturizimit, konflikti e merr kthesën më të keqe të mundshme, madje edhe për vetë Hantingtonit i cili thotë: “Qëllimi i Osama bin Ladenit është që nga lufta e një organizate terroriste kundër shoqërisë së qytetëruar të shkaktojë përplasjen e kulturave ndërmjet islamit dhe Perëndimit. Po qe se do t’ia delte, kjo do të kishte qenë një katastrofë e vërtetë”.

Karrierën akademike, Hantingtoni e filloi pas Luftës së Dytë Botërore. Deri në një periudhë të caktuar kishte të shkruar 19 libra dhe 90 punime shkencore. Në Harvard punoi 58 vjet. U largua në vitin 2007. Gjatë punës në Harvard pikësynim e kishte sistemin e qeverisjes dhe të strategjisë politike-ushtarake të ShBA-së.

Libri i fundit kundërthënës i Hantingtonit “Kush jemi ne?” (Who Are We?) – Sipas pohimeve të gruas së tij, Hantingtoni gjithmonë ka qenë demokrat, ndërsa kolegu shumëvjeçar i tij, profesori i ekonomisë Henri Rosovski* (Henry Rosovsky, Gdanjsk, Poloni 1927-) thotë se “Në 50 vitete e fundit, Hantingtoni ka qenë një nga politologët më me ndikim në botë, për tezat e të cilit kanë debatuar njerëz të mbarë botës”. (Henri Rosovski ishte historian i ekonomisë, i specializuar për Azinë Lindore; u shkollua në Harvard; ishte dekan nderi (Dean Emeritus) i Fakultetit të Arteve dhe të Shkencave të Universitetit të Harvardit).

Qarqet konservatore dhe nacionaliste të vendeve të caktuara, librin e Hantingtonit e mirëpritën dhe e quajtën bazë ideologjike të politikave të tyre, ndërsa intelektualët liberalë të atyre vendeve, librin e tij e kanë kritikuar ashpër.

Me librin “Kush jemi ne?” (Who Are We?) në vitin 2004 Hantingtoni përsëri shkaktoi polemika. Në këtë libër, Hantingtoni pohon se ardhja e pakufizuar në ShBA, e emigrantëve latino-amerikanë, do të mundë të paraqiste rrezik për unitetin kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

*   *   *

Me fatin e qytetërimeve u mor edhe filozofi gjerman dhe historian i kulturës Osvald Shpengler (Oswald Spengler, Blankenburg, Gjermani,  29 maj 1880 – Munih, 8 maj 1936). Ishe edhe filozof i historisë. Tregoi interesim për matematikë, shkenca dhe art si dhe për lidhjen e tyre me teorinë organike të tij të historisë. Është autor i veprës së njohur “Rënia e Perëndimit” (Untergang des Abendlandes; 540 faqe). Vepra përbëhet prej dy vëllimeve. Vëllimi i parë u botua në verë të vitit 1918 me nëntitullin “Forma dhe aktualiteti”, ndërsa vëllimi i dytë u botua në vitin 1922, me nëntitullin “Perspektiva e historisë botërore”. Kur u botua për herë të parë, vepra e Shpenglerit “Rënia e Perëndimit” shkaktoi tronditje dhe tërmet të vërtetë intelektual që nuk do të qetësohet për një kohë të gjatë.

*   *   *

Shënim: Vilhelm Fridrih Hegel (Georg Wilhelm Friedrich Hegel, 1770-1831) – filozof gjerman, i mbiquajtur Aristoteli i kohës së re;

Karl Marks (Karl Marx, 1818-1883) filozof, ekonomist dhe sociolog gjerman, me prejardhje hebraike; studioi drejtësinë, por u mor edhe me filozofi, ekonomi, histori dhe art.

Fukujama është i martuar me Laura Holmgren; kanë tre fëmijë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok