Sa Promete ka mbetur në shpirtin tonë prej zjarri?!
Nga Albert Vataj
Miti i Prometeut në është thjeshtë një cak që na kthen pas, por është një thirrje që na zgjon në të sotmen e të kuptuarit të tij, në atë kohëshmëri ku njeriu gjen nevojën për të hyrë në përmasat e mëdha të aktit sublim të dhurimit të zjarrit.
Ai, Prometeu, përfaqëson shpirtin e rebelimit kundër limiteve dhe përpjekjen për të sjellë dritë atje ku ekziston errësira, është ngritje kry ndaj autoritetit që ndëshkon të gjithë ata që nuk i binden, Ai është thirrja e brendshme e çdo force për të treguar se ku mund ta çojmë shpirtin tonë prej ngadhënjimtari, anipse me çmimin e lartë të sakrificës.
Prometeu dhe e e sotmja jonë e rrokshme e idesë dhe mendimit, janë të lidhur në kërkim të kuptimit dhe të përmbushjes. Njeriu modern ka ndryshuar mjetet, por jo qëllimin, ai ende kërkon zjarre të rinj për të ndriçuar botën dhe shpirtin.
Teknologjia, shkenca, arti, dhe vetë ideja e përparimit janë versionet bashkëkohore të “zjarrit” të Prometeut. Por, në këtë epokë të informacionit dhe konsumerizmit, pyetja mbetet: sa Promete kemi ruajtur brenda nesh? A po e përdorim zjarrin për të ndriçuar shpirtin, apo thjesht për të ndjekur epshin e përkohshëm dhe egon e individualizmit?
Miti i Prometeut na fton të mendojmë për nevojën e dhurimit, dhënia e dijeve, sakrifica për të mirën për vete dhe përmes vetës për të gjithë, dhe guximi për të sfiduar çdo pushtet që kërkon të na mbajë të pandryshueshëm dhe të përulur.
Në njeriun modern ky shpirt sfidues duket se është zbehur, sepse është venitur zjarri që Prometeu ua vodhi perëndive për të na dhuruar ne si armë për të sfiduar.
Pushteti, paraja, ambicia, po çojnë zjarri te mjetet në zotërim të atyre që vijnë për të marrë gjithçka dhe për të dhënë çfarë kanë për të hedhur.
Miti ka kohëshmërinë e tij sot, është një kujtesë që shpirti i Prometeut ka ende shkëndia brenda nesh, që mund të shndërrohen në zjarr.
Kur ndihmojmë të tjerët, kur flijojmë kohën tonë për më të mirën, kur luftojmë për barazi dhe mirëqenie, për dije dhe mirësi, për bashkëjetesë të harmonishme dhe përzemërsi, ne e mbajmë gjallë atë flakë të hershme.
Miti nuk është thjesht një rrëfim i kaluar; ai është një kod simbolik që na sfidon të rizgjojmë atë shpirt të
përhershëm rebelimi dhe krijimi.
Zjarri që Prometeu dhuroi nuk është vetëm energjia fizike, por dija, shpirti krijues dhe etika universale. Njeriu duhet të mos lodhet së pyeturi por edhe së reflektuari: A kemi më flakën e shpirtit, apo thjesht hirin e praruar të një Prometeu të harruar?
A kemi forcën të përqafojmë aktin sublim të krijimit dhe dhurimit, apo jemi ndjekës të prirjeve të rastësishme dhe materializmit?
Në përditshmërinë tonë, shpesh e harrojmë këtë dimension mitik. Njeriu i sotëm përballet me një
paradoks: teknologjia i ka sjellë fuqinë e zjarrit në dorë, por shpesh e ka zbehur lidhjen e tij me natyrën dhe shpirtin e përbashkësisë.
Nëse dikur Prometeu vuajti për të sjellë zjarrin, sot njeriu shpesh vuan nga mungesa e një vizioni për ta përdorur atë për qëllime sublime.
Miti i Prometeut na sfidon të rikthehemi tek ideja e aktit sublim – një akt që tejkalon interesin personal për të ndërtuar diçka më të madhe.
Miti mbetet një dritë udhërrëfyese që na kujton se flaka nuk shuhet kurrë, përderisa njeriu ende e kërkon kuptimin përmes veprimit dhe sakrificës. Mjafton të guxojmë ta rizgjojmë atë në thellësinë e qenies.